Aktorja Luiza Xhuvani feston sot 60-vjetorin e lindjes

Aktorja e mirënjohur e skenës dhe ekranit, Luiza Xhuvani (Papathanasi), feston sot 60-vjetorin.

Luiza Xhuvani lindi më 26 mars 1964, në Sarandë. U diplomua aktore në Akademinë e Arteve më 1986, por në Teatrin Kombëtar filloi punën pas një përvoje dyvjeçare në Estradën e Sarandës. Ende studente, fillon karrierën si aktore filmi me “Dhe vjen një ditë” (Infermierja) dhe “Flutura në kabinën time” (Flutura) të Vladimir Priftit, me të cilin fiton Kupën për Aktoren më të Mirë në Festivalin e Filmit, të vitit 1985.

Interpretoi në “Fjalë pa fund” (Magdalena) i Spartak Pecanit, “Hetimi vazhdon” (Hetuesja), “Rrethi i kujtesës” (Mbesa) i Esat Musliut, “Muri i gjallë” (Rozafa) i Muharrem Fejzos. Nga viti 1991 e në vazhdim pati një bashkëpunim të suksesshëm me regjisorin Gjergj Xhuvani, nën drejtimin e të cilit interpretoi në filmat “Bardhë e zi”, “Një ditë nga një jetë”, “Dashuria e fundit”, me të cilin fiton përsëri Kupën në Festivalin X të Filmit, më 1995, “Funeral Business” (Sana), me të cilin u shfaq në Festivalin e Venecias në vitin 2000, “Parullat” (Diana), me të cilin fiton Çmimin Aktorja më e mirë e Festivalit të Tokios 2003 dhe së fundi “I dashur armik” (2004).

Në Teatrin Kombëtar interpreton vazhdimisht role protagoniste, si në dramat “Unë dhe Mefistofeli” (Margarita) të B. Hoxhes, “Dhelpra dhe rrushtë” (Klea) të Figueiredos, “Dasëm gjaku” (Nusja) të Lorkës, “Rikardi III” (Ledi Ana) të Shekspirit, “Kati VI” të Alfred Zheri, “Këngëtarja tullace” (Misis Martin) të Ioneskos dhe komeditë “Valsi i Titanikut” (Xhena) e “Oportunesku” të Mushateskut, “Kopshti me dallëndyshe” (Maria) të Cikliropulosit, “Armiku i popullit” (Pietra) të Ibsenit, “Pulëbardha” (Nina) të Çehovit, “Cilindri” (Rita) të De Filipos, regjisor Kastriot Çipi dhe “Kapitulli i dytë” (Xheni) të Sajmonit, regjisor Mehmet Xhelili me të cilin fiton çmimin për Aktoren më të mirë të Festivalit të Aktrimit, Apollon 2004, në Fier. / atsh / KultPlus.com

“Mirënjohja e qytetit të Elbasanit” për aktoren e njohur Luiza Xhuvani

Aktorja e njohur Luiza Xhuvani u nderua nga bashkia e Elbasanit me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, me motivacionin “Për kontributin e shquar në teatër dhe kinematografi, e cila me interpretimin mjeshtëror dhe orgjinalitetin e saj ka spikatur, duke fituar kështu zemrat e publikut mbarë shqiptar”.

Aktorja bashkë me një kast të zgjedhur aktorësh prej disa ditësh ka mbushur sallën e teatrit “Skampa”, nën interpretimin e shfaqes “Zyshë e dashur”, ku ajo interpreton rolin kryesor.

Mes emocioneve të publikut në sallë, aktorja Luiza Xhuvani, ka falënderuar artdashësin elbasanas, i cili e ka mirëpritur sa herë që ajo ka performuar në skenën e teatrit “Skampa”, ndaj dhe ky çmim vjen si një dhuratë e vyer për të.

Një falënderim ajo e ka bërë edhe për kryetarin e bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, si edhe mbarë qytetin e Elbasanit.

Luiza Xhuvani aktore e suksesshme e teatrit dhe kinematografisë, e ka nisur karrierën e saj si aktore filmi që kur ishte studente. Filmi, i cili e bërë atë të njohur dhe të dashur për publikun shqiptar, ishte filmi “Flutura në kabinën time”, rol i cili e vlerësoi me kupën “Aktorja më e mirë”.

Nga viti 1991 e në vazhdim, aktorja Luiza Xhuvani kishte një bashkëpunim të suksesshëm me regjisorin Gjergj Xhuvani (ish bashkëshorti), nën drejtimin e të cilit interpreton një sërë filmash. / atsh / KultPlus.com

‘Tre dimra’ ngjisin në skenën e Teatrit Metropol Yllka Mujon, Luiza Xhuvanin, Marjeta Ljarjen dhe Viktor Zhustin

Teatri Metropol  vë në skenë për herë të parë, duke çelur sezonin e ri artistik shfaqjen “Tri dimrat” një vepër e autores Tena Stiviçiç me regji nga Rozi Kostani.

Shfaqja vjen me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të aktorëve: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ketjona Pecnikaj, Ina Morinaj, Amri Hasanlliu dhe Lindar Kaja.

Kjo shfaqje e shkruar nga autorja kroate është një vepër që ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar. Është një vepër, e cila hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave.

Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin 1898 në Zagreb të Kroacisë. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tre pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne.

“Janë tre periudha historike të tranzicionit që ka kaluar apo vazhdojnë të jenë në process popujt e rajonit tonë, si Shqipëria ashtu edhe Kroacia me një ngjashmëri të plotë me realitetet e tre periudhave: në 1945 me ardhjen në pushtet të komunistëve, në 1990 ardhja e një demokracie të brishtë dhe në 2011 prona akoma e pa zgjidhur dhe përpjekja për të hyrë në Europë.

Këto periudha janë të vëzhguara nëpërmjet rrugëtimit të një familjeje në Zagreb të Kroacisë. Tre net të gjata dimri, në tre periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën logjike të këtyre personazheve, gjithashtu edhe me ngjarje personale” shprehet regjisorja Rozi Kostani. Sipas saj, kjo vepër trajton historinë e një familje eklektike, të mbajtur së bashku nga guximi për të mbijetuar.

“Nga mbetjet e monarkisë, përmes komunizmit, më pas demokracisë, luftës dhe pranimit eventual në një Evropë më të gjerë, katër breza të grave të Kos, secila më e pavarur se tjera, të cilat duhet të përshtaten për të mbijetuar. E vetmja konstante është shtëpia: e ndërtuar nga aristokratët, e ndarë, e nacionalizuar, ajo është dëshmitare e brezave që kalojnë”, shprehet regjisorja Rozi Kostani.

Stiviçiç pati suksesin e saj të parë si dramaturge në vitin 1999 me Can’t Escape Sundays, e cila u shfaq në Slloveni dhe Serbi, si dhe në vendin e saj të lindjes.

Veprat e saj që atëherë janë vënë në skenë në Gjermani, dhe në vitin 2007 Fragile! premierë në Arcola në Londër. Ajo është inskenuar në Londër mes emigrantëve nga Serbia dhe Kroacia dhe që atëherë është parë në disa vende të Ballkanit.

Tena Stiviçiç jetoi një pjesë të kësaj periudhe të trazuar. Tani banon në Londër. Autorja u rrit në Kroaci dhe ishte vetëm 13 vjeç kur Jugosllavia filloi të shpërbëhej dhe tensionet etnike shpërthyen në një luftë të tmerrshme. Familja e saj, që jetonte në Zagreb, ishte relativisht e sigurt. Drama “3 dimrat” e Tena Štiviçiç u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar, Londër, në nëntor 2014 dhe fitoi çmimin Susan Smith Blackburn 2015.

Top Channel./ KultPlus.com

Sakrifica e Luiza Xhuvanit për të qenë pjesë filmin ‘Dhe vjen një ditë’

I pyetur nga Jean Louis Perrier se përse zgjodhi veprën e Viktor Hygoit, “Lukrecia Borxhia”, për ta vënë në skenën e Teatrit Kombëtar Shqiptar, regjisori francez Eric Vigner ishte i prerë. “Aktorja Luiza Xhuvani!”. Bashkëpunimi mes të dyve ka nisur 10 vite më parë. Kur i njëjti regjisor vuri në skenën shqiptare “Berberin e Seviljes”, Xhuvani interpretonte Rozinën.

FILMI I PARË “APASIONATA” DHE “MËSUESI I LETËRSISË” – “Filmi i parë ka qenë kur isha ende studente. Nuk e konsideroj sepse nuk është një personazh që unë të shpërfaqja aftësitë e mia, ishte më tepër një kuriozitet. Jam vlerësuar shumë nga pedagogët e mi, i kam ndjekur leksionet e profesor Pirro Milkanit vazhdimisht, nuk humbisja asgjë.

“Në një mënyrë kam qenë e përkëdhelur nga pedagogët, më jepeshin rolet më të bukura, por edhe më të vështira. Pata edhe një fat tjetër, pedagogu dhe regjisori Gëzim Kame me angazhoi në trupëne pedagogëve me veprën “Mësuesi i letërsisë”. Ishte një ngjarje në jetën time artistike. Dua të theksoj që i jam mirënjohëse pafund regjisorit Vladimir Prifti që hapi karrierën time në kinema.

SAKRIFICAT PËR TË QENË PJESË E “DHE VJEN NJË DITË” – “Ishte një fat i madh për mua që mora pjesë në këtë film. Edhe pse një personazh i vogël, ishte i ndërtuar shumë mirë dhe më jepte mundësinë të shpërfaqesha. Ishte fat, por edhe këmbëngulja ime. Kërkova leje nga shkolla për të qenë në xhirime. Ishte e pamundur që të më lejonin, prandaj kërkova raport. E njihja Gjergjin, ishim të lidhur atëherë dhe falë tij e miqve të tij siguruam një raport dyjavor.

Kemi xhiruar në kushte shumë të vështira, në Dardhë të Korçës. Isha nën kujdesin e veçantë të aktores Liza Laska. Edhe Birçe Hasko me Robert Ndrenikën më mbështetën shumë, sigurisht që e dinin mënyrën si kisha shkuar aty. Ladi e njeh mjeshtërinë e aktorit, do të ishte regjisor shumë i mirë edhe në teatër. Rrugën drejt kinemasë e kisha pothuajse të mbyllur. Të devotshmit nga Saranda nuk harronin të kujtonin atje ku duhej për biografinë time. I mbarova studimet me nota maksimale, por nuk më mbajtën në Teatrin Popullor, përfundova në Sarandë. Punoja paralel edhe me film, edhe me Estradën e qytetit. /aktoret/ KultPlus.com