“Mirënjohja e qytetit të Elbasanit” për aktoren e njohur Luiza Xhuvani

Aktorja e njohur Luiza Xhuvani u nderua nga bashkia e Elbasanit me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, me motivacionin “Për kontributin e shquar në teatër dhe kinematografi, e cila me interpretimin mjeshtëror dhe orgjinalitetin e saj ka spikatur, duke fituar kështu zemrat e publikut mbarë shqiptar”.

Aktorja bashkë me një kast të zgjedhur aktorësh prej disa ditësh ka mbushur sallën e teatrit “Skampa”, nën interpretimin e shfaqes “Zyshë e dashur”, ku ajo interpreton rolin kryesor.

Mes emocioneve të publikut në sallë, aktorja Luiza Xhuvani, ka falënderuar artdashësin elbasanas, i cili e ka mirëpritur sa herë që ajo ka performuar në skenën e teatrit “Skampa”, ndaj dhe ky çmim vjen si një dhuratë e vyer për të.

Një falënderim ajo e ka bërë edhe për kryetarin e bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, si edhe mbarë qytetin e Elbasanit.

Luiza Xhuvani aktore e suksesshme e teatrit dhe kinematografisë, e ka nisur karrierën e saj si aktore filmi që kur ishte studente. Filmi, i cili e bërë atë të njohur dhe të dashur për publikun shqiptar, ishte filmi “Flutura në kabinën time”, rol i cili e vlerësoi me kupën “Aktorja më e mirë”.

Nga viti 1991 e në vazhdim, aktorja Luiza Xhuvani kishte një bashkëpunim të suksesshëm me regjisorin Gjergj Xhuvani (ish bashkëshorti), nën drejtimin e të cilit interpreton një sërë filmash. / atsh / KultPlus.com