Ekspozita “ma-DONA-t” shpërfaq refleksionin mbi përditshmërinë dhe energjinë e brendshme (FOTO)

Profesori Mehmet Behluli e shpjegoi si një kënaqësi të posaçme hapjen e ekspozitës së dy studentëve të tij.

Gili Hoxhaj

Liridona Rexhepi dhe Edona Rugova, dy artiste të reja kishin bashkuar punën e tyre disa vjeçare të cilën e prezantuan mbrëmë përmes ekspozitë të titulluar “ma-DONA-t”, në Traffic Gallery.

Ky ambient përmes dritës së zbehtë e kthente vëmendjen tek pikturat të cilat mbanin mbishkrimin e emrave të autoreve, mirëpo dallueshmëria më e madhe vërehej përmes ngjyrave dhe koncepteve që ato i kishin sjellë përmes stileve të tyre.

“Disa zgjedhin instinktin primar njerëzor përderisa të tjerët zgjedhin rregullat “normale” të shoqërisë”, kështu shkruhej në njërën letër të vendosur afër pikturës së Liridona Rexhepit. Ajo përmes pikturave të saj shumëngjyrëshe shpaloste stilin e saj unik, ku përmes tij kishte theksuar përballjen e emocioneve, rregullave dhe instinktit.

“Koncepti im është nis si emocion e që mandej është lidh me gjëra të tjera, unë kam dashtë që përmes veprave me tregu për emocionet dhe rregullat që na krijohen gjatë jetës dhe ne zakonisht mësohemi të veprojmë në bazë të atyre rregullave. E kundërta e rregullave që na krijohet është instinkti, atëherë kur lodhesh prej rregullave dhe jetës del ai instinkti dhe aty shfaqet ndjenja që “unë jam””, ka thënë për KultPlus Liridona.

Në pikturat e saj vëreheshin shenjat e komunikacionit dhe pranë këtyre rrugëve piktorja kishte shfaqur fytyra të dëshpëruara të njerëzve, të cilat i kishte lidhur me këto koncepte e qëndrimit brenda kornizave të përditshmërisë dhe të instinktit të shprehjes së vetes përtej kësaj.

“Rregullat kryesisht i kom paraqit përmes rregullave të komunikacionit përmes stopit, semaforit, rrugës për të tregu që gjithmonë rutina jonë sillet rreth këtyre ndërsa fytyrat e dëshpëruara që vetëm po qëndrojnë pa qenë vetvetja”, tregoi tutje Liridona Rexhepi.

Përmes ngjyrave më të zbehta kishte sjellë gjithsej tetë piktura në këtë ekspozitë, ku në qendër të tyre e kishte vendosur figurën e rrethit, të cilën e kishte lidhur energjinë e brendshme.

“Si bazë e konceptit tim dominon rrethi si figurë, për shkak se më pëlqen historiku pas rrethit që e mban ai si simbol. Kjo edhe për arsye për me e shpreh një energji të brendshme, që dikush e quan aura ose shpirt. E kom lidh me rrethin për shkak se rrethi ka qendër por nuk i dihet as fillimi e as fundi, ngjashëm si energjia që nuk fitohet as nuk humbet vetëm qarkullon nga një trajtë në tjetrën”, u shpreh Edona Rugova për KultPlus.

Profesori Mehmet Behluli e shpjegoi si një kënaqësi të posaçme hapjen e ekspozitës së dy studentëve të tij.

“Është kënaqësi e papërshkrueshme kur e sheh që dikush është bërë vetvetja dhe ndoshta ti ke kontribuar sado pak në këtë. Për mua është shumë e rëndësishme që këto dy piktore të reja kanë marrë guximin ta shpalosin punën e tyre në iniciativën e këtij ambienti siç është Galeria Traffic, edhe pse institucionet mungon sensi i krijimit të hapësirave për të rinjtë. Këto janë artiste bashkëkohore dhe kanë paraqitur probleme të cilat i preukopojnë çdo ditë, pra puna e tyre është një refleksion i asaj ku jetojnë”, pohoi profesori Behluli./ KultPlus.com

“ma-DONA-t”, të mërkurën në Traffic Gallery

Të mërkurën më 8 nëntor, me fillim nga ora 20:00 në Traffic Gallery, hapet ekspozita “ma-DONA-t”, shkruan KultPlus.

Ekspozita vjen nga dy artiste të reja si Liridona Rexhepi dhe Edona Rugova.

“Disa zgjedhin instiktin primar njerëzor përderisa të tjerët zgjedhin rregullat “normale” të shoqërisë. Kjo rezulton në krijimin e stigmave shoqërore, fenomen që duhet të jetë i papranueshëm nga shoqëria.
Shprehja e gjendjes emocionale, e dashurisë, gëzimit dhe dhimbjes, mendimeve dhe besimeve që nuk i “përshtaten” rregullave të caktuara nga shoqëria, nuk e stagnojnë evoluimin e shoqërisë, por na zhvillojnë më shumë si qënie njerëzore emocionale, me instikte shumë të forta, të cilat sa më shumë që shtypen aq më fuqishëm do të shpërthejnë”, thotë Liridona Rexhepi.

Ndërsa Edona Rugova shkruan se: “Absolutja, përsosshmëria, hyjnorja, sublimja, universi. Ka qendër, por pa fillim dhe fund të caktuar. Energji që qarkullon”./ KultPlus.com