Pse kolliteshin malësorët, kur ecnin natën vetëm?

Studiuesit, sidomos ata të angazhuar me përparësi në analizat krahasimore ndërmjet sistemeve kulturore, kanë vërejtur se në shumë kultura e kollitura e stimuluar përcjell kuptime simbolike të caktuara.

Umberto Eco ka shkruar se anëtarët e kulturave të ndryshme dallojnë disa lloje të ndryshme të kollës abuzive, se e kollitura e stimuluar është një model sjelljeje e institucionalizuar.

Kështu, shoqërinë shqiptare paramoderne, veçanërisht në krahinat fshatare, kur burrat rrugëtonin natën stimulonin të kolliturën herë pas here para se të kryqëzoheshin me burra të tjerë që ecnin në kah të kundërt, para se t’i afroheshin një burri ose një grupi burrash që ecnin më ngadalë në kahun e tyre, kur kalonin pranë shtëpive ose staneve të bagëtive të të tjerëve.

Të kollitura të tilla përcillnin mesazhin se burrat që i stimulonin nuk rrugëtonin natën për qëllime të liga dhe jo rrallë i identifikonin udhëtarët në terrin e natës.

Mjaft malësorë, sidomos ata më me emër në krahinë, kishin diçka të veçantë, vetëidentifikuese në të kolliturën e tyre të stimuluar.

Edhe në ditët tona e kollitura përcjell simbolikisht mesazhe të caktuara, veçse shumë më rrallë në errësirën e natës.

Përgjithësisht burrat kolliten kur futen në një njësi shërbimi ose shitjeje, nëse personi që duhet të shërbejë aty nuk gjendet në banak, por në ndonjë kthinë ku nuk duhet. Një e kollitur e tillë njëherazi dëshmon praninë e një klienti në mjediset e njësisë së shitjes ose të shërbimit dhe e thërret zanatçiun ose shitësin të vihet në rolin që duhet të kryejë.

Gjithashtu, ndër shqiptarët, njerëzit me autoritet kolliten enkas për t’i kumtuar një personi tjetër, përgjithësisht me status më të ulët, mesazhin se po flet ose po vepron gabim, se duhet të ndryshojë linjën e arsyetimit ose modelin e sjelljes.

* Zyhdi Dervishi – “Lente të ndërveprimit simbolik”./KultPlus.com

Haradinaj: Malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan kush janë dhe nga vijnë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të premten udhëtoi në Shtetet  e Bashkuara të Amerikës me ftesë të komunitetit katolik shqiptar “Shën Pali” në Detroit, mbrëmë ka marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.

“Luftëtarët shqiptarë të lirisë, të të gjitha kohërave, deri te UÇK-ja, janë shenjtorët tanë dhe vetë historia jonë. Ata janë gurët e themelit të kësaj shtëpie të përbashkët, që ka shekuj që po mundohemi t’ia qesim kulmin, e përmbi flamurin e Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar që ishte dhe vazhdon të mbetët shpirt unifikues i njerëzve dhe krahinave si dhe fryma jonë e shenjtë që na lidhë përhershëm me Perëndimin, dje, sot dhe nesër”, kështu tha kryeministri  Haradinaj, në fjalën e tij, në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, i ftuar nga Komuniteti Katolik Shqiptar, Shën Pali, në Detroit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se sot ndihet jashtëzakonisht i nderuar që e ndajnë këtë kohë bashkë duke thënë se bashkëkryengritja e Malësisë ishte vazhdimësi e kryengritjeve anti-osmane në Kosovë, 1908-1910 dhe i parapriu ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail – Qemal Vlora si dhe shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar më 1912.

“Malësorë të dashur, sot është ‘Dita e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit”, strategut të Malësisë së Madhe, dita e 6 prillit të 11-ës, kur luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe Nikë Gjelosh Luli ngriti flamurin kuq e zi, në afërsi të majës së Deçiqit. Jam sot me ju, si shqiptar dhe për ta nderuar simbolikën e traditës për të qenë bashkë, në lutje e festa dhe për respekt ndaj hyjnores, sipas fjalëve të Shën Palit Apostull “…nga Jerusalemi e rreth e përçark deri në Iliri”, aq më tepër kur këto lutje bëhen shqip e për shqiptarë”, shtoi ai.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj theksoi se toleranca unike ndërfetare tek shqiptarët dhe solidariteti ishin dhe mbeten norma shembullore dhe mënyrë dominante e bashkëjetesës në mes njerëzve dhe komuniteteve të tërë botës moderne dhe kjo dëshmohet se shqiptarët e krishterë e myslimanë identifikohen e krenohen me të Shenjtën Nënë Terezën.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan në asnjë çast kush janë e nga vijnë”.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Shumë i nderuar të isha në mesin e komunitetit Katolik Shqiptar “Shën Pali” në Detroit dhe shqiptarë të të gjitha trojeve tona, në shënim të 108-vjetorit të Kryengritjës së Malësisë dhe Ditës së flamurit të Dedë Gjo Lulit, një prej ngjarjeve më krenare të historisë së lëvizjes shqiptare për liri e mëvetësi kombëtare. Malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan në asnjë çast kush janë e nga vijnë. Në kohështrirje të ndryshme, me dijen dhe atdhedashurinë e tyre, i kanë dhënë krah tërë trojeve shqiptare, duke u ngritur njëkohësisht në shoqërinë amerikane dhe kjo është garancë e thellimit të miqësisë së përhershme me ShBA-në”, ka shkruar Haradinaj.

Në nderim të kësaj date dhe gjithë rrugëtimit historik të popullit shqiptar për liri dhe, në nderim të rolit dhe kontributit të ShBA-së po në këtë rrugëtim, kryeministri Haradinaj do të zhvillojë takime me përfaqësues të shumtë të organizatave shqiptaro-amerikane dhe personalitete të tjera që kanë dhënë kontribut në këtë drejtim.

Haradinaj do të ketë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar katolik në Amerikë dhe autoritete të Detroitit. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj do të takojë edhe zyrtarë të tjerë të ShBA-së. / KultPlus.com