Bideni përkujton 400.000 amerikanët e vdekur nga Covid-19

Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i përkujtoi 400.000 viktimat amerikane të koronavirusit në mbrëmjen e së martës në Washington DC, ndërsa shumë qytetarë u solidarizuan në rrjetet sociale për përkujtim kolektiv.

Shifra e tmerrshme e viktimave u arrit të martën. Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në ShBA ka shkuar në 401.128 persona, ndërsa mbi 24 milionë janë infektuar. Të dyja shifrat janë bindshëm më të lartat në botë.

“Për t’u shëruar, ne duhet të kujtojmë. Nganjëherë është vështirë të kujtojmë, por kështu shërohemi. Është me rëndësi që ta bëjmë këtë si komb”, tha shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë gjatë ceremonisë për përkujtimin e viktimave të pandemisë.

Ceremonia u organizua nga komiteti inaugurues i Bidenit, i cili ngjarjen e përshkoi se mundësi për të reflektuar dhe për t’i nderuar ata që nuk janë më. Ky komitet bëri thirrje për një moment kombëtar të unitetit, duke kërkuar nga amerikanët që të ndezin qirinj në dritare, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Shumë amerikanë publikuan në rrjete sociale mesazhe të përkujtimit dhe fotografi të qirinjve. “U prehshin në paqe familja ime dhe miqtë e mi që humbën ndaj Covid-it. Lutem për babanë tim dhe shumë të tjerë që ende janë duke vuajtur dhe për ata që i kanë humbur të dashurit. Faleminderit, Biden, për nderimin e 400 mijë jetëve të humbura”, shkroi një përdoruese e Twitter-it.

Përkujtimit të viktimave nga presidenti Biden dhe nënpresidentja Harris iu bashkuan edhe zyrtarë të tjerë të lartë në mbarë vendin. Kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blasio, tha se ky është një moment unitetit për qytetin dhe vendin. “Në mbarë Amerikën në këtë moment, njerëzit janë bashkuar me një qëllim të përbashkët: për t’i kujtuar ata që kemi humbur, për të ndier atë që familjet e tyre janë duke ndier”, shtoi ai. / KultPlus.com

Shqiptari që udhëhoqi protestën pro Trump, me shqiponjën në gjoks i prin turmës

SHBA u përfshi nga një protestë e fuqishme për shkak se ata që mbështesin Donald Trump nuk ishin dakord me certifikimin e Joe Biden si president i ri.

Pretendimi kryesor nga Administrata Trump ka patur të bëjë pikërisht me manipulimin e zgjedhjeve nga ana e demokratëve.

Qindra protestues mësynë ambientet e brendshme të Kongresit Amerikan dhe përplasjet me policinë dhe forcat e sigurisë nuk munguan.

Madje një grua u qëllua me armë zjarri dhe vdiq nga plagët e marra.

Një nga oraganizatorët e protestës ishte dhe John Alite, me origjinë shqiptare dhe një nga mbështetësit më të zjarrtë të Trump.

Ai është parë në krye të protestës, ndërsa nuk kanë munguar edhe simbolet identifikuese shqiptare. Ai kishte të veshur një triko të kuqe dhe me shqiponjën dykrenare të stampuar në të. / KultPlus.com

Nisma e motrave binjake që studiojnë në Amerikë por u kthyen në Shqipëri për të ndihmuar fëmijët me kancer

Aleksia dhe Vasja janë motra binjake,  20 vjeçe që studiojnë në Universitetin e Pensilvanisë, SHBA.  Por kanë vendosur ti vijnë në ndihmë fëmijëve me kancer në Shqipëri.

Aleksia thotë se ishte 12 vjeçe kur dhuroi për herë të parë flokët në Amerikë. Por pas dy vitesh, kur iu rritën flokët donte që ti dhuronte ne Shqipëri, për fëmijët që iu bien flokët nga kimioterapia.

Së fundmi kanë hapur një organizatë jofitimprurëse për të mbledhur fonde për flokë artificialë që më pas do t’u dhurohen këtyre fëmijëve. Në emisionin “Ftesë në 5” motrat treguan librin e krijuar për fëmijë. Është një libër me vizatime, ngjyrosje dhe ushtrime matematikore për fëmijët 4-8 vjeç. Fitimet nga shitjet e librit do të shkojnë për të prodhuar flokë.

Vajzat shprehen se kanë gjetur shumë mbështetje: “Është kënaqësi e madhe që kemi mbi 200 vajza që kanë dhuruar flokët”.

Të dyja kanë ecur në të njëjtat hapa, duan të bëhen mjeke dhe të merren me kërkime shkencore por shprehen të vendosura se këtë kauzë do ta vazhdojnë./tch/ KultPlus.com

“Foleja e shqiponjës”, ideja e familjes shqiptare për një kantinë vere

Neviana Zhgaba dhe bashkëshorti i saj Ardian Llomi janë pronarët e një fabrike të re të verës në qytetin e Newtown në SHBA. E kanë quajtur “Aquila’s Nest” dhe ka hapur dyert së fundmi në një ndërtesë goditëse, me çelik dhe në formë hambari. Ajo është e vendosur në majë të një kodre me pamje që të lë pa fjalë.

Neviana Zhgaba, adhuruese e fotografisë dhe filozofisë thotë se me bashkëshortin e parashikojnë kantinën e tyre të verës “si një vend ku njerëzit të jenë më të lidhur”.

Kjo është arsyeja që në këtë kantinë ka dhe një piano dhe një dekor të larmishëm me vepra artistike ku tregohen arritjen e Kombeve të bashkuara, gjëra për të cilat Neviana është e apasionuar. Krahas kësaj ndërtese që e kanë ndërtuar mbi shijet e tyre dhe dashurinë për astronominë, janë dhe vreshtat e rrushit prej shtatë hektarësh ku përfshihen varietete si Cabernet Franc, Chambourcin, Marquette, Baco Noir, Riesling, Cayuga White, Valvin Muscat dhe Traminette.

“Kur erdha këtu 12 vite më parë (nga Shqipëria) më pëlqente të eksploroja”, tregon Nevina duke treguar historinë se si lindi ky biznes. “Unë jam gjithmonë e hipnotizuar me gjera të reja, dhe dua të angazhoj dhe të tjerët në përjetimin e tyre”.

Kur ishte në pritje të djalit të saj të dytë, bashkë me Ardianin po kërkonin një fermë për të ndërtuar shtëpinë e tyre, pasi dëshironin që djemtë të rriteshin atje ku mund të endeshin lirshëm dhe të lidheshin me natyrën.

“Këtë pronë e gjeti burri im; Më kujtohet si tani ishte pikërisht pesë vjet më parë në tetor. Babai im ishte akoma këtu. Ai ndërroi jetë nga kanceri i pankreasit…dhe kjo lidhet me të”.

Ajo rrëfen mes emocionesh se të atin nuk e kishte parë për tetë vjet (kur ai ishte në Shqipëri) dhe “kur erdhi këtu e pëlqeu idenë që ne të fillonim shtëpinë tonë të re…”. Ai ishte një ithtar i planit të madh të tyre.

Nevina Zhgaba dhe bashkëshorti i saj Ardian Llomi po rrisin këtu djemtë e tyre, kanë hapur “Aquila’s Nest” Vineyards në Newtown. Nga latinishtja e dimë që “Aquila” do të thotë “shqiponjë” dhe ata thonë se janë frymëzuar nga përrallat mitologjike dhe dashuria e tyre për astronominë. Kjo pasi Aquila është edhe emri i një konstelacioni në formë shqiponje por dhe se ata vijnë nga Shqipëria që gjithë bota e njeh si “Vendi i shqiponjave”./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Statuja e cila iu kishte bërë dhuratë amerikanëve dikur, sot është simbol i lirisë

Ishte 134 vite më parë, atëherë kur më 28 tetor 1886 Statuja e Lirisë iu dedikua zyrtarisht qytetit të Nju Jorkut, gjatë një ceremonie të kryesuar nga Presidenti Grover Cleveland në ishullin Bedloe.

Statuja e Lirisë e projektuar nga skulptori francez Frédéric Auguste Bartholdi dhe i frymëzuar nga profesori francez i drejtësisë Édouard René Lefèbvre de Laboulaye, u quajt fillimisht “Liberty Enlightening the World” (Liria duke ndriçuar botën) dhe ishte menduar si një dhuratë nga Franca në Shtetet e Bashkuara.

Statuja u prodhua në Francë, u paketua dhe u dërgua jashtë shtetit para se të mblidhej në piedestalin e Ishullit Bedloe, zyrtarisht u quajt ishulli “Liberty” në 1956 me vendim të Kongresit.

Statuja është një përfaqësim i lirisë, gjegjësisht të një perëndeshe romake. Madje në të majtë të saj është një pllakë e shkruar me 4 korrik 1776, me numra romakë. Një prangë dhe zinxhir i thyer i qëndrojnë në këmbë, të cilat janë të pozicionuara për të treguar hapin përpara.

Figura gjigande femërore u bë shpejt një ikonë e lirisë dhe e Shteteve të Bashkuara, një roje e heshtur për emigrantët që mbërrinin me anije në ishull. Është një nga 10 sinonimet e kombit amerikan, së bashku me Monumentin e Uashingtonit, Shtëpinë e Bardhë dhe ndërtesën e Kapitolit të SHBA, ndër të tjera./KultPlus.com

Lindita Vinca fiton çmimin shtetëror të Amerikës për infermieri

Gratë shqiptare nuk janë të suksesshme vetëm në art e muzikë, ato po arrijnë të depërtojnë me të arriturat e tyre edhe në shkencë. Shoqata Amerikane e Mjekëve Infermierë ka ndarë çmimin shtetëror për përsosmëri, infermieres Lindita Vinca, shkruan KultPlus.

Përderisa ky çmim shtetëror i ndahet çdo vit një individi i cili demonstron punë cilësore dhe angazhim në praktikën klinike, për Vincën kjo mbetet një sukses tjetër në karrierën e saj.

Lindita Vinca është një profesioniste infermiere e certifikuar nga bordi i doktoratës. Ajo mori diplomën e saj universitare për infermieri në Universitetin Shtetëror Western Connecticut në 2007. Vinca morri gradën master në Praktikën e Avancuar të Infermierisë në 2012 në Universitetin Quinnipiac. Më pas ajo vazhdoi me doktoratën e saj si Doktore e Praktikës së Infermierisë në Universitetin Quinnipiac në 2017.

Ky është një tjetër rast i suksesit të vajzave tona. /KultPlus.com