Blenard Azizaj, koreograf i veprës më të madhe të karrierës së Marina Abramovic

Portreti i Bernard Azizaj: Jetmir Idrizi

Portreti i Marina Abramović: Carlo Bach

Këtë vjeshtë, artistja e njohur Marina Abramović do të sjellë në skenë një shfaqje provokuese që bashkon seksin, ritualin dhe mbinatyroren, përmes një rikrijimi skenik të riteve erotike ballkanike. 

Balkan Erotic Epic (2025) është vepra më e re e saj, e porositur nga Factory International – organizata kulturore me bazë në Manchester, Angli, që organizon edhe Manchester International Festival. 

Shfaqja do të ketë premierën më 9 tetor në Aviva Studios dhe do të qëndrojë në skenë deri më 25 tetor. 

Me mbi 70 performues, kjo do të jetë vepra më e madhe e Abramović deri më sot, dhe për koreograf ka koreografin shqiptar Blenard Azizaj, i cili do të jetë edhe pjesë e performancës.

Balkan Erotic Epic është e rrënjosur në folklorin dhe zakonet e lashta ballkanike, duke eksploruar tema si dëshira, spiritualiteti dhe trupi. 

Përmes 13 skenave të koreografuara dhe vignetave interaktive, performuesit – kërcimtarë, këngëtarë dhe muzikantë – do të shpalosin një përvojë të thellë emocionale dhe fizike. 

Pamja nga arkiva e Marina Abramovic

“Në kulturën e sotme, gjithçka erotike e etiketojmë si pornografi,” tha Abramović në një deklaratë për shtyp. “Balkan Erotic Epic është vepra më ambicioze e karrierës sime. Kjo më jep mundësinë të rikthehem tek rrënjët dhe kultura ime sllave, të shoh pas tek ritualet e lashta dhe të përballem me seksualitetin në lidhje me universin dhe pyetjet pa përgjigje të ekzistencës sonë. Me këtë projekt, dua të shfaq poezinë, dëshpërimin, dhimbjen, shpresën, vuajtjen – dhe të reflektoj mbi vdekshmërinë tonë.” 

Ritualet që do të performohen përfshijnë skena si “Riti i Pjellorisë”, ku performuesit do të përdridhen mbi tokë si një thirrje për pjellori, apo “Të Frikësosh Perënditë”, që rikrijon një rit ku njeriu zhvesh trupin ndaj qiellit për të larguar stuhitë. Në një tjetër skenë të titulluar “Masazhimi i Gjirit”, gratë performuese do të realizojnë gjeste simbolike për të “zgjuar tokën” pranë vendeve të varrimit, sipas njoftimit për shtyp. 

Abramović do të mbajë një ligjëratë më 11 tetor në Aviva Studios, për të shënuar premierën botërore të shfaqjes. Pas kësaj, Balkan Erotic Epic do të udhëtojë në vende të tjera, duke nisur nga Barcelona në janar 2026. 

“Kjo vepër e re performative ofron një mundësi që nuk duhet humbur për publikun – për të përjetuar kapitullin e radhës të jetës krijuese të Abramović: e guximshme, përfshirëse dhe në një shkallë krejt të paprecedentë,” tha John McGrath, drejtor artistik dhe CEO i Factory International. Ndërkohë, Abramović ka në plan edhe projekte të tjera, përfshirë lançimin e një projekti të ri NFT, për të cilin foli në The Artsy Podcast./ KultPlus.com 

“Shumica e njerëzve ‘normalë’, me sa duket mund të bëhen vërtet të dhunshëm”

Në vitin 1974, artistja jugosllave Marina Abramović realizoi projektin që e quajti “Ritmi 0” (Rhythm 0). Qëllimi i këtij projekti ishte që të ekzaminohej se deri sa larg mund të shkojë mendja e njeriut dhe se si njerëzit priren të veprojnë kur nuk kanë kufizime dhe ligje.

Pra, gjatë këtij projekti, ajo do të qëndronte në mes të një studio arti, në qytetin e Napolit të Italisë, në të cilën qëndroi për gjashtë orë, dhe aty afër në një tavolinë ishin 72 objekte të ndryshme, duke përfshirë mes tyre një trëndafil, pendë, bisturi, parfum, mjaltë, bukë, rrush, venë, gërshërë, shufër metalike, thonjë, makinë rroje dhe një armë me një plumb në të.

Tek dhoma kishte shkruar një letër me udhëzime, e të cilat ishin:

“Janë 72 objekte në tavolinë që mund t’i përdorësh mbi mua si të duash ti.
Performancë.
Unë jam objekti.
Unë e mbaj gjithë përgjegjësinë gjatë gjithë kësaj periudhe kohore të performancës.
Zgjat: 6 orë (08:00-14:00)”

Marina tha që ajo ishte e vetëdijshme për rrezikun që i kanosej, duke pasur parasysh që mes objekteve gjendeshin edhe shumë objekte dhe materiale me të cilat vizitorët tek studioja mund ta lëndonin, por në fakt ky ishte edhe qëllimi i gjithë kësaj performance, dhe se gjithë përgjegjësinë e mbante vetëm ajo dhe se vizitorëve që do bëheshin pjesë e performancës nuk do t’iu shqyrtohej asnjë masë ndalese apo dënimi apo akuze çfarëdo që të vepronin mbi trupin e saj.

Në minutat e parë të performancës, gjithçka shkonte bukur, ishte qetë…vizitorët lexonin shkrimin, pastaj dikush merrte një trëndafil dhe ia dhuronte, dikush tjetër i ofronte puthje.

Por, menjëherë pas ca minutave, situata filloi të ndryshonte…për keq. Njerëzit filluan të mos kishin respekt as mëshirë për trupin e saj.
Dikush e kapi dhe e ktheu nga ana tjetër, dikush ia kapi krahët dhe ia ngriti lart, shumë prej tyre e preknin në vendet intime.
Në fillim të orës së tretë të performancës, njerëzit filluan t’ia prisnin rrobat me brisk të rrojës dhe me çdo objekt të mprehtë, dhe deri në fund të asaj ore, vizitorët ia kishin heq të gjitha rrobat por duke ia prerë, e në orë katër të performancës, ata filluan që objektet e mprehta t’i aplikonin edhe në lëkurën e saj. Dikush e godiste në fytyrë, dikush tjetër mundohej t’ia thyente krahët. Dikush ia preu pak lëkurën tek fyti dhe filloi t’ia thithte gjakun, dikush tjetër me gjakun që rridhte nga pjesë të ndryshme të trupit që ia kishin prerë, me dorë ia përhapte gjakun në gjithë trupin apo me gjakun e saj i shkruanin etiketime ofenduese mbi trupin e saj, dikush ia ngacmonte plagët me objekte tjera. Pastaj, shumë nga ata, e sulmuan seksualisht.

Mirëpo, ajo ishte e përkushtuar që ta dërgonte deri në fund atë që kishte nisur, edhe pse kishte arritur në gjendje ekstreme të performancës, dhe që ndoshta mund të bëhej edhe viktimë e përdhunimit apo vrasjes.

Dhe kur kishte arritur situata deri këtu, ajo tashmë e kishte humbur vullnetin e saj, iu ishte shembur ajo psikologjia njerëzore, që priste të ishte tamam “njerëzore”, aty brenda sallës, mes grumbullit të njerëzve, ishin edhe disa që e mbronin, dhe kulmi i të gjithave ishte kur dikush e mori armën, e vendosi në dorën e artistes që pikonte gjak, dhe ia drejtoi kokës së saj, dhe në momentin që ai sipër gishtit të saj po ushtronte forcë që arma të shkrepej, ai grupi që e mbronin artisten u ngritën dhe mezi e ndalën gjithë atë tragjedi që mund të ndodhte.
Në mesin e tyre, ishte edhe një grua, që me lot në sy, mori një shami xhepi dhe filloi t’ia fshinte lotët artistes.

Pasi përfunduan 6 orët e performancës dhe gjithë vizitorët e studios së artit dolën jashtë, artistja Marina, e cila ishte në gjendje të tmerrshme, me trupin që i gjakoste dhe me sytë që i lotonin, ajo doli jashtë studios, dhe aty pa shumë prej atyre që e kishin sjellë në atë gjendje. Ajo filloi të ecte rrugëve, dhe njerëzit, edhe nga ata që ishin veshur shumë elegantë por që pa asnjë hamendje arritën ta lëndonin me veprime çnjerëzore aty brenda ku nuk i kapte ligji, kur ajo i shikonte në sy, ata e ulnin kokën dhe e shmangnin shikimin e saj. Ata donin që ata të mos shiheshin si të dhunshëm, s’donin të mbanin përgjegjësi për ato që i vepruan asaj, pra ata sapo kishin dalë nga ajo studio, donin ta harronin se ç’kishin bërë, prandaj largoheshin nga shikimi i saj.

Artistja, pas kësaj, dhe pas rikuperimit të trupit të saj, doli dhe tha:
“Nga ajo performancë, që prisja të dilte në pah “njerzillëku”, në fakt zbulova diçka të tmerrshme për njerëzimin. Kjo tregon se sa shpejt një person mund t’ju lëndojë në rrethana të favorshme për ta. Kjo tregon se nëse njeriu siguron skenën dhe është i lirë të bëjë ç’të dojë, nëse njeriu i jepet hapësirë veprimi duke i siguruar që nuk do i shkaktojë asnjë dëm për të, shumica e njerëzve ‘normalë’, me sa duket mund të bëhen vërtet të dhunshëm.” / KultPlus.com