U nënshkrua memorandumi cili do të dokumentoj historinë e krimeve serbe në Krushë të Madhe

Medina Pasoma

21 vite pas luftës së fundit në Kosovës, u nënshkrua memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bibliotekës Kombëtare për projektin i cili do të dokumentoj historinë e krimeve serbe në fshatin Krushë e Madhe, “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport Vlora Dumoshi, kryetari i Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku, kryetari i Komunës së Rahovecit dhe ai i fshatit Krushë e Madhe, rektori i Universitetit të Prishtinës dhe profesorë të tjerë kishin zënë vendet e tyre në ambientet e Bibliotekës Kombëtare për të dëgjuar për projektin i cili do të mbledh dhe dokumentoj rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, në 300 intervista që priten të realizohen nga Biblioteka Kombëtare dhe Universiteti i Prishtinës, gjegjësisht dega e Antropologjisë në kuadër të Fakultetit Filozofik.

I pari që morri fjalën ishte kryetari i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, për të folur për projektin “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, nismëtare e iniciativës të së cilës ishte Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës.

Gajraku tha se projekti i mbledhjes dhe ruajtjes së rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe është një pjesë thelbësore e ndjeshme dhe e ngutshme e punës së tyre.

“Rrëfimet e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të Krushës së Madhe do të japin pamjen më të drejtpërdrejtë dhe më të pandërmjet të dëshmitarëve që me sy panë mizoritë e forcave serbe ndaj banorëve të urtë e paqësor të Krushës së Madhe”, u shpreh Fazli Gajraku.

Ndër të tjera, kryetari i Bibliotekës Kombëtare bëri të ditur për ata të cilët do të merren me këtë projekt, ku përmendi se Gresa Maliqi do të jetë drejtuese, Rudina Tahiraj, Liridon Zekaj bashkëpunëtorë, këshillues profesional dhe mentor Arsim Canolli dhe si asistentë të këtij projekti do të jenë Shemsi Krasniqi dhe Tahir Latifi.

Në fjalimin e tij kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh se ky projekt është një përpjekje e madhe që i ka munguar dokumentimit dhe kujtimit të luftës së Kosovës.

“Ky projekt për mbledhjen e rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe i jep frymë të veçantë një qendre të kujtesës të Kosovës këtu në Bibliotekën Kombëtare, e cila tash e disa vite mbledh, i dokumenton dhe promovon historitë e Kosovës, në veçanti rrëfimet e ngjarjeve dhe periudha më të veçanta, më të trishta por edhe më të mëdha të historisë së popullit të Kosovës”, theksoj kryeministri i vendit.

Në anën tjetër, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e cilësoj masakrën e Krushës së Madhe si një ndër më mizoret e historisë së Kosovës dhe e quajti si një të arrirë këtë iniciativë për dokumentimin historik.

“Përveç dhënies zë të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të Krushës së Madhe, do t’u jepet jetë dhe përjetësi historive të të vdekurve dhe të të zhdukurve të Krushës së Madhe. Gjithë çfarë la pas kjo masakër është pasqyrë e një historie të trishtë, e një dhimbje dhe pritjeje të pafundme”, u shpreh ministrja.

Dumoshi falënderoi çdo krushian që do të pranoj të ndaj rrëfimin e dhimbshëm të tyre për masakrën, teksa bëri thirrje që iniciativa të tilla të merren edhe nga Muzeu Kombëtar, Arkivi Kombëtar, bibliotekat, muzetë dhe arkivat e tjera komunale.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Ismajl Latifi theksoj se dëshmitë gojore për masakrat e Kosovës kanë rëndësi të madhe kur vien nga ata që i kanë parë, përjetuar dhe mbijetuar mizoritë e luftës.

“Krimi serb në Krushë të madhe është i egër, aty njerëzit tanë u vranë, u dogjën, u hodhën në Drinin e Bardhë, e një numër i tyre u zhdukën diku në Serbi. Nga 241 sa i vrau Serbia, 64 ende janë pa varre e pa shenja, ende nuk dihet se ku janë, në mesin e tyre është edhe profesori Ukshin Hoti”, theksoi kryetari Latifi.

Ai u shpreh optimist për këtë projekt dhe e vlerësoi si një nismë të mirë për të dokumentar vuajtjet, tmerret dhe tragjeditë, varret me emër e pa emër, hirin e trupave të djegur, shtëpitë e djegura nga okupatori serb.

“Të mbijetuarit e masakrave nuk janë të shumtë. Ata pak që i mbijetuan, dita ditës po mbesin edhe më pak, ka prej atyre që vdiqën pa ua dëgjuar rrëfimin, nuk i pyeti askush dhe nuk i thirri ndonjë institucion që ka për qëllim të ndaj drejtësi për viktimat”, tha Ismajl Latifi.

Shemsi Krasniqi morri fjalën për të shpalosur procedurat nën të cilat do të kaloj ky projekt, teksa njoftoi se një punë intensive dy vjeçare do të kurorëzoj dokumentimin e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe.

Ai theksoi se fillimisht do të bëhet rekrutimi i një stafi profesionist, të cilët do të trajnohen për të intervistuar këtë kategori dhe se kjo procedurë do të filloj tash dhe do të përfundoj deri më 15 janar 2021. Periudha mars-korrik 2021 do të jetë koha kur do të merren rrëfimet e drejtpërdrejta të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të përzgjedhur për ta ndarë historinë e dhimbshme të tyre. 250 deri në 300 intervistat e parapara si audio-vizuale, do të përkthehen në gjuhën angleze dhe serbe, si dhe do të organizohen promovime dhe shpërndarje digjitale të tyre.

I fundit i cili foli për këtë projekt ishte kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti i cili theksoi se dokumentimi i kësaj masakre ishte kërkesë e tij e kamotshme.

“Fatkeqësisht Krusha e Madhe nuk është masakra e vetme ku u vranë fëmijë, mbetën mbi 148 gra të veja, mbi 550 fëmijë ngelën jetimë por, fatkeqësisht plaga e cila kullon në Krushë janë të pagjeturit”, theksoj Selami Hoti

Nga të gjitha përpjekjet e tij për vëmendje ndaj kësaj masakre, ai veçoi takimin me ish-ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kossnet, i cili ishte përlotur kur kishte dëgjuar rrëfimet e të mbijetuarve.

“Një nga pyetjet e z. Kosnett ishte se “pse kërkon ta bësh këtë?” dhe “pse kërkon ta bësh edhe në gjuhën serbe?”. Arsyeja e vetme është se në Kosovë nuk janë vrarë vetëm shqiptarë por, janë vrarë edhe komunitete tjera. Në Krushë të madhe i kemi edhe 14 ashkali të cilët vazhdojnë të mbesin të zhdukur e ata asnjëherë nuk u ndanë nga ne. Në gjuhën serbe për faktin se edhe serbët duhet ta dinë historinë, gjeneratat e reja, shkencëtarët dhe historianët ta bëjnë të vërtetën të dijshme, të kapshme dhe të pranueshme”, u shpreh kryetari i Krushës së Madhe.

Në fund u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit të projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” nga ministrja Dumoshi dhe kryetari i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku nën praninë edhe të kryeministrit të vendit, Avdullah Hotit. / KultPlus.com

“Shumica e njerëzve ‘normalë’, me sa duket mund të bëhen vërtet të dhunshëm”

Në vitin 1974, artistja jugosllave Marina Abramović realizoi projektin që e quajti “Ritmi 0” (Rhythm 0). Qëllimi i këtij projekti ishte që të ekzaminohej se deri sa larg mund të shkojë mendja e njeriut dhe se si njerëzit priren të veprojnë kur nuk kanë kufizime dhe ligje.

Pra, gjatë këtij projekti, ajo do të qëndronte në mes të një studio arti, në qytetin e Napolit të Italisë, në të cilën qëndroi për gjashtë orë, dhe aty afër në një tavolinë ishin 72 objekte të ndryshme, duke përfshirë mes tyre një trëndafil, pendë, bisturi, parfum, mjaltë, bukë, rrush, venë, gërshërë, shufër metalike, thonjë, makinë rroje dhe një armë me një plumb në të.

Tek dhoma kishte shkruar një letër me udhëzime, e të cilat ishin:

“Janë 72 objekte në tavolinë që mund t’i përdorësh mbi mua si të duash ti.
Performancë.
Unë jam objekti.
Unë e mbaj gjithë përgjegjësinë gjatë gjithë kësaj periudhe kohore të performancës.
Zgjat: 6 orë (08:00-14:00)”

Marina tha që ajo ishte e vetëdijshme për rrezikun që i kanosej, duke pasur parasysh që mes objekteve gjendeshin edhe shumë objekte dhe materiale me të cilat vizitorët tek studioja mund ta lëndonin, por në fakt ky ishte edhe qëllimi i gjithë kësaj performance, dhe se gjithë përgjegjësinë e mbante vetëm ajo dhe se vizitorëve që do bëheshin pjesë e performancës nuk do t’iu shqyrtohej asnjë masë ndalese apo dënimi apo akuze çfarëdo që të vepronin mbi trupin e saj.

Në minutat e parë të performancës, gjithçka shkonte bukur, ishte qetë…vizitorët lexonin shkrimin, pastaj dikush merrte një trëndafil dhe ia dhuronte, dikush tjetër i ofronte puthje.

Por, menjëherë pas ca minutave, situata filloi të ndryshonte…për keq. Njerëzit filluan të mos kishin respekt as mëshirë për trupin e saj.
Dikush e kapi dhe e ktheu nga ana tjetër, dikush ia kapi krahët dhe ia ngriti lart, shumë prej tyre e preknin në vendet intime.
Në fillim të orës së tretë të performancës, njerëzit filluan t’ia prisnin rrobat me brisk të rrojës dhe me çdo objekt të mprehtë, dhe deri në fund të asaj ore, vizitorët ia kishin heq të gjitha rrobat por duke ia prerë, e në orë katër të performancës, ata filluan që objektet e mprehta t’i aplikonin edhe në lëkurën e saj. Dikush e godiste në fytyrë, dikush tjetër mundohej t’ia thyente krahët. Dikush ia preu pak lëkurën tek fyti dhe filloi t’ia thithte gjakun, dikush tjetër me gjakun që rridhte nga pjesë të ndryshme të trupit që ia kishin prerë, me dorë ia përhapte gjakun në gjithë trupin apo me gjakun e saj i shkruanin etiketime ofenduese mbi trupin e saj, dikush ia ngacmonte plagët me objekte tjera. Pastaj, shumë nga ata, e sulmuan seksualisht.

Mirëpo, ajo ishte e përkushtuar që ta dërgonte deri në fund atë që kishte nisur, edhe pse kishte arritur në gjendje ekstreme të performancës, dhe që ndoshta mund të bëhej edhe viktimë e përdhunimit apo vrasjes.

Dhe kur kishte arritur situata deri këtu, ajo tashmë e kishte humbur vullnetin e saj, iu ishte shembur ajo psikologjia njerëzore, që priste të ishte tamam “njerëzore”, aty brenda sallës, mes grumbullit të njerëzve, ishin edhe disa që e mbronin, dhe kulmi i të gjithave ishte kur dikush e mori armën, e vendosi në dorën e artistes që pikonte gjak, dhe ia drejtoi kokës së saj, dhe në momentin që ai sipër gishtit të saj po ushtronte forcë që arma të shkrepej, ai grupi që e mbronin artisten u ngritën dhe mezi e ndalën gjithë atë tragjedi që mund të ndodhte.
Në mesin e tyre, ishte edhe një grua, që me lot në sy, mori një shami xhepi dhe filloi t’ia fshinte lotët artistes.

Pasi përfunduan 6 orët e performancës dhe gjithë vizitorët e studios së artit dolën jashtë, artistja Marina, e cila ishte në gjendje të tmerrshme, me trupin që i gjakoste dhe me sytë që i lotonin, ajo doli jashtë studios, dhe aty pa shumë prej atyre që e kishin sjellë në atë gjendje. Ajo filloi të ecte rrugëve, dhe njerëzit, edhe nga ata që ishin veshur shumë elegantë por që pa asnjë hamendje arritën ta lëndonin me veprime çnjerëzore aty brenda ku nuk i kapte ligji, kur ajo i shikonte në sy, ata e ulnin kokën dhe e shmangnin shikimin e saj. Ata donin që ata të mos shiheshin si të dhunshëm, s’donin të mbanin përgjegjësi për ato që i vepruan asaj, pra ata sapo kishin dalë nga ajo studio, donin ta harronin se ç’kishin bërë, prandaj largoheshin nga shikimi i saj.

Artistja, pas kësaj, dhe pas rikuperimit të trupit të saj, doli dhe tha:
“Nga ajo performancë, që prisja të dilte në pah “njerzillëku”, në fakt zbulova diçka të tmerrshme për njerëzimin. Kjo tregon se sa shpejt një person mund t’ju lëndojë në rrethana të favorshme për ta. Kjo tregon se nëse njeriu siguron skenën dhe është i lirë të bëjë ç’të dojë, nëse njeriu i jepet hapësirë veprimi duke i siguruar që nuk do i shkaktojë asnjë dëm për të, shumica e njerëzve ‘normalë’, me sa duket mund të bëhen vërtet të dhunshëm.” / KultPlus.com

Pjesëmarrësit e punëtorisë “Pen For Culture” e konsiderojnë atë si përvojë të rëndësishme

Bujar Meholli

Puna intensive me gjeneratat e reja nëpër vendet perëndimore është prioritet, sepse duke zhvilluar aftësitë mendore dhe duke i nxitur të rinjtë që t’i shohin gjërat nga prizmi kritik, ata i kontribuojnë komunitetit dhe shtetit, shkruan KultPlus.

Në shoqërinë kosovare puna me të rinjtë, gjegjësisht aktivitetet e ndryshme të tyre jashtë sistemit shkollor sikur kanë stagnuar, andaj organizata të ndryshme po bëjnë përpjekje ta ndryshojnë këtë gjendje duke mbajtur punëtori e aktivitete tjera për t’i stimuluar të rinjtë që të jenë vendimmarrës dhe të kenë ndikim në shoqëri.

Një hap të tillë e bëri edhe organizata joqeveritare “ProPlus”, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane duke organizuar punëtorinë treditore “Pen For Culture” në kuadër të së cilës morën pjesë dhjetë të rinj të moshës nga 13 deri në 18 vjeç duke shkruar ese.

Profesoresha universitare Vjosa Sadriu-Hamiti e cila ishte mbikëqyrëse e kësaj punëtorie tha për KultPlus se fokusi i shtetit dhe i institucioneve duhet të jetë tek mosha e re, për t’i fuqizuar dhe socializuar ata në punën ekipore.

“Ky projekt është shumë i qëlluar, sidomos që janë përzgjedhur të rinjtë e kësaj moshe sepse në shkollat tona mendimi kritik dhe hulumtimi nuk jepen si bazë në sistemin tonë arsimor dhe do të ishte mirë që inciativa tjera të ketë më shumë”, tha fillimisht ajo.

“Rinia jonë është fenomenale. Në momentin kur jua jep hapësirën befasohesh për të mirë me interesimin e tyre. Edhe këto ese që i kanë shkruar këta të rinj më kanë dhënë mesazh të qartë se brezi i ri mund të ndryshoj shumë gjëra për të mirë”.

“Të gjitha njësitë akadamike vijnë në përfundim se studentët nuk dinë të shkruajë për shkak se mungon mendimi kritik, prandaj atyre duhet t’ju ofrohen projekte të tilla qysh në ciklin e ultë dhe të mesëm shkollor në mënyrë që të përgatiten për universitet”, potencoi Sadriu-Hamiti.

Organizatorja e kësaj punëtorie Ardianë Pajaziti, tha se është e lumtur me jetësimin e këtij projekti. Pajaziti kërkon që institucionet të bëjnë më shumë për organizime të tilla për të rinjtë, derisa ju bën thirrje medieve që të krijojnë hapësirë më shumë për ta.

“Ne si organizatorë kemi vlerësuar që të rinjtë nuk jemi duke i parë aq sa duhet në vendet adekuate dhe talentin e tyre në forma të ndryshme nuk po kanë ku ta shprehin, andaj kemi menduar që vetëm arti mund t’i bashkojë komunitetet, ky ka qenë qëllimi”, u shpreh ajo.

“Këta të rinj kanë paraqitur një vullnet që nuk po mund ta shfaqin në institucionet shtetërore, pra, në shkolla. Për të rinjtë është interesant me u paraqit në aktivitete të tilla, në grupe të ndryshme dhe në medie, sepse mund ta nisin nga një projekt e t’ju bëhet profesion i së ardhmes, nga takime të tilla dikujt mund t’i lind shkëndija për t’u profesionalizuar edhe në fusha të ndryshme të artit, qoftë në pikturë, qoftë ese”, potencoi Pajaziti.

Tutje ajo tha se “KultPlus” në bashkëpunim me organizata tjera do të mbajëedhe aktivitete tjera të kësaj natyre në të ardhmen.

“Kishim me i falenderu ambasadën amerikane që e ka parë si projekt të rëndësishëm, e gjithashtu edhe të rinjtë që kanë pasur vullnet dhe i kanë dërguar këto ese të cilat i kemi përzgjedh për këtë punëtori”, përfundoi Pajaziti.

Leksionet për esenë dhe nxitja për ta kuptuar dhe përvetësuar atë si dhe organizimi në përgjithësi, i kanë lënë mbresa të paharruara pjesëmarrëses Lume Selmani, e cila thotë se ka mësuar gjëra të reja të cilat do t’i ndihmojnë tutje. Ajo bën thirrje që organizime të tilla për të rinjtë të ketë sa më shumë.

“Kam qenë e entuziazmuar kur e kam parë konkursin, më pëlqen shumë eseu dhe kam dashur t’i thelloj njohuritë e mia, më ka pëlqyer organizimi dhe profesoresha e cila na ka bërë të ndihemi shumë mirë, na është dukur si një shoqe. I kam mësuar disa gjëra që nuk i kam ditur më parë, metodat për ta bërë një ese e gjëra tjera të ngjashme, e poashtu kam krijuar edhe një shoqëri të re për çka jam shumë e lumtur”, shprehet ajo.

Edhe Lorik Spahiu, pjesëmarrës në këtë punëtori u shpreh i entuziazmuar për mundësinë. Ai thotë se kjo është eksperienca e tij më interesante, gjatë së cilës përveç leksioneve për esenë, letërsinë dhe zhvillimin e mendimit kritik, ka fituar edhe një shoqëri të re.

“Si pjesëmarrës në këtë trajnim kam mësuar shumë, ka qenë socializmi që më ka bërë përshtypje si dhe takimi me pedagogen Vjosa e cila në mësoi se si duhet ta formojmë karakterin tonë si dhe na shpjegoi për esenë dhe ndërtimin e saj. Ajo u përpoq vazhdimisht të na nxis që ta zhvillojmë mendimin kritik dhe të jemi të vendosur në veprimet që do t’i marrim në të ardhmen”.

Përmbyllja e kësaj punëtorie do të bëhet nesër me leximin e eseve nga pjesëmarrësit si dhe me një mbrëmje muzikore në ambientet e “KultPlus Caffe Gallery”.

Të gjitha esetë do të publikohen në vijim. /KultPlus.com

Ambasada Amerikane në Kosovë përkrahë projektin ‘Kujtesa e Kosovës: Histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka’

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, nënshkroi grantin e dhënë nga Ambasada Amerikane për realizimin e projektit “Kujtesa e Kosovës: histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka”.

Ky projekt do të bashkëfinancohet nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Ky projekt është hartuar dhe do të realizohet nga Dega e Antropologjisë e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Projekti ka për synim mbledhjen, dokumentimin, publikimin dhe promovimin e historisë gojore të personave të moshuar në Kosovë – mbi 80 vjeç, në mënyrë që rrëfimet dhe kujtimet e popullit të ruhen si histori autentike e jetës në Kosovë.

Projekti “Kujtesa e Kosovës: histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” ka për qëllim krijimin e një modeli dhe një qendre informative e trajnimi për projektet e mëtejme të historisë gojore me anë të të cilave do të arrihet edhe një lidhje më e fuqishme e bashkëpunimit midis Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe studiuesve dhe hulumtuesve të Departamentit të Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Temat që do të trajtohen në historitë gojore të 100 të moshuarve të intervistuar, e që do të botohen si përmbledhje rrëfimesh, do të jenë tema mbi zhvillimin e jetës në të kaluarën, zakonet ekonomike e familjare, marrëdhëniet tregtare brenda dhe jashtë vendit, mbajtjen e fesë, tolerancën, artin dhe zejtarinë, martesat dhe të drejtat e grave në përgjithësi.

Projekti “Kujtesa e Kosovës: histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” do të fillojë më 1 tetor të vitit 2017 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator të vitit 2018. / KultPlus.com