Grenell falënderon ministrin Selimi për lejimin e martesave ndërmjet gjinive të njëjta

Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka përshëndetur prezantimin e Kodit të Ri Civili që u bë dje nga ministri i Drejtësisë Selim Selimi, kod i cili për herë të parë ka hapur rrugën për martesat mes gjinive të njëjta.

Grenell, në një postim në Twitter, ka falënderuar ministrin Selimi, që përmes këtij kodi ka bërë të mundur martesën mes gjinive të njëjta.

“Kosova legalizon martesën ndërmjet gjinive të njëjta. Faleminderit Selim Selimi”, ka shkruar Grenell.

Ndërsa Selimi e ka falënderuar ambasadorin Grenell për përkrahjen dhe i ka thënë se ky është hapi i parë drejt përfundimit të procedurave të Kodit Civil dhe ka paralajmëruar edhe hapa të tjerë, shkruan Reporteri.net.

Ministri Selimi dje në një konferencë për medie ka deklaruar se beson që Kodi Civil do të marrë përkrahjen nga Kuvendi i Kosovës, për çka kërkoi që sa më parë të procedohet në komisionet përkatëse.

Ai tha se ky Kod Civil do i përfshijë pesë libra që do rregullojnë disa çështje që kanë qenë të pazgjidhura për shumë vite në Kosovë. / KultPlus.com