Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi’ mirëpret ekspozitën me imazhet e Dedë Jakovës

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” do të jetë e hapur nesër për vizitorët ekspozita me imazhet e Dedë Jakovës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është shprehur se, “imazhet e Dedë Jakovës na kanë shoqëruar gjatë periudhës së izolimit e mbas saj”.

Ato, ka theksuar ministrja Margariti,  “janë dëshmitare të kohës, por edhe ndjesive, që fjalë nuk i thonë, por sytë i shprehin”.

“Secila prej tyre ka shënuar një moment magjepsjeje me punën e autorit, të cilin e ndajmë tashmë edhe me ju, në këtë ekspozitë, ditën e shtunë e në vijim”, ka shtuar ministrja.

“Në respekt të masave parandaluese të marra kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, ekspozita nuk parashikon inaugurim publik”, shton ajo.

Dedë Jakova ishte një fotograf shkodran që i dhuroi shtetit rreth 50 mijë negativë, në xham dhe celoloid, me format 10 cm x 15 cm deri 6 cm x 9 cm.

Dedë Jakova ishte fotografi i rinisë. Kështu e quante populli i Shkodrës. Ai ishte dhe si fotoreporter për kohën dhe e zhvilloi veprimtarinë e tij nga viti 1930 dhe deri 1959. Në fondin e tij zbulojmë një larmi temash si histori, etnografi, urbanistikë, teatër e shumë të tjera të rëndësishme. /atsh/ KultPlus.com

https://www.facebook.com/MargaritiElva/videos/329605301589701/