21 vjet nga masakra e Reçakut

Sot, 15 janar 2020, janë bërë 21 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre, bëhen homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, ndërsa nga ora 11:00 do të mbahet akademi përkujtimore në “Shtëpinë e Kulturës” në Shtime.

Policia dhe ushtria serbe në Kosovë kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe.

Pasi e pa me sytë e tij këtë skenë, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, kishte alarmuar se në Kosovë po ndodh krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë misionin ushtarak, pas të cilit forcat serbe u tërhoqën nga Kosova. / KultPlus.com

“Masakra e Reçakut bashkoi aleatët për t’i dhënë fund katastrofës humanitare”

Ambasadat e shteteve të Quint-it në Kosovë, kanë kujtuar masakrën e Reçakut të ndodhur 21 vjet më parë.

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga ambasada amerikane në emër të asaj të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, thuhet se “njëzet e një vjet më parë, masakra që ndodhi në Reçak përfundimisht bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe t’i japin fund një katastrofë humanitare”.

“Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetët në Reçak dhe masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më parë, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe mirëqenies për brezat e ardhshëm”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Më tej, në komunikatë thuhet se qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre kanë qasje të plotë në drejtësi dhe në informatat për fatin e më të dashurve të tyre.

“Qytetarët e të gjitha etnive dhe besimeve ndjehen si në shtëpi dhe të lirë për të jetuar, punuar dhe besuar në paqe me fqinjët e tyre. Siç edhe thotë Deklarata e Pavarësisë së këtij vendi, Kosova është një vend ‘i përkushtuar për të përballuar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës së fundit në një frymë pajtimi dhe faljeje. Të përkushtuar për mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e larmisë së popullit tonë’. Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim vazhdimisht Kosovën në këtë rrugë”, ka përfunduar komunikata e shteteve të Quint-it./KultPlus.com

Gazetari ndërkombëtar që e filmoi masakrën e Reçakut: Unë i kam të dokumentuara të gjitha krimet

Kohët e fundit liderët serb kanë ngjallur reagime në lidhje me deklaratat për masakrën e Reçakut.

Presidenti serb, Aleksader Vuçiq, e kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut, duke ngjallur reagime të shumta në Kosovë dhe disa ambasadave të huaja të cilat kërkuan që të mos fyhen viktimat e luftës së fundit.

Por njëjtë si Vuçiq nuk po mendon Bill Neely, një nga gazetarët e parë të huaj që kishte shkuar në Reçak, duke parë trupa të shqiptarëve të vrarë

Në një bisedë për Magazina.al, Neely i cili gjatë luftës në Kosovë, kishte raportuar për televizionin ITN, ka thënë se masakra e Reçakut nuk ishte trillim, sepse këtë e thanë trupat e mbi 40 të vrarëve atje.

“Nuk ishte trillim. Mbi 40 trupa e thanë historinë e tyre të cilët unë i kam dokumentuar me shumë kujdes”, ka thënë Neely

Gazetari i INT, kishte raportuar gjatë gjithë luftës nga Kosova, ishte ndër të parët që kishte shkuar në Reçak duke bërë që bota të shoh atë çfarë kishte ndodhur.

Më poshtë mund ta shihni raportimin e Bill Neely nga Reçaku në vitin 1999:

https://www.youtube.com/watch?v=jjuHpVjNe4g&feature=emb_title

Rrëfimi i njeriut që i shpëtoi masakrës së Reçakut

Rreth 21 vite më parë, më 15 janar 1999, u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Në fshatin që pak kush ia dinte emrin, u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e tyre edhe një grua, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.

Në fshatin Reçak, i cili gjendet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, dy dekada më parë, i shpëtoi vdekjes Aziz Beqiri, të cilit iu masakrua nipi dhe gjashtë të afërm të tjerë.

Tre muaj para masakrës së Reçakut, ishte vendosur misioni i OSBE-së, detyra e të cilëve ishte që të siguroheshin që po ndaleshin luftimet mes forcave serbe dhe UÇK-së. E, shefi i misionit ishte Ëilliam Ëalker, një ish-diplomat amerikan.

E këtë masakër presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka quajtur një krim të fabrikuar. Ai ka akuzuar edhe Ëalkerin për falsifikim të saj.

Sipas Aziz Beqirit, për këtë masakër di e gjithë bota dhe nuk do të ketë mundësi të mohohet nga askush.

“Ky ka dalë prej partisë radikale, Vuçiqi prej Sheshelit, Daçiqi ka qenë i Millosheviqit, nuk kemi çfarë presim ne prej tyre të na njohin viktimat, ose të na kërkojnë falje. Unë e kam një çudi me serbët e Kosovës që po bien pre e politikës të vetë tyre…Ne nuk presim mirë me fol as Daçiqi as Vuçiqi, por ne nuk bën si të thirrin ata në bisedime me shku, pa i qit disa kushte. Le t’i pranon viktimat, le të kërkon falje ndaj viktimave, jo vetëm të Reçakut por të Kosovës”, thotë Beqiri.

Ai ka pasur edhe një mesazh për politikbërësit në Kosovë. Beqiri po kërkon që të mos shkohet në dialog derisa kjo masakër e me qindra të tjera, po mohohen nga shteti serb.

“Mesazhi im, unë kisha thënë që në dialog mos të shkojnë pa i njohur viktimat e Kosovës, jo vetëm të Reçakut. Edhe me iu kërku falje, tani le të bisedojnë me serbët e Kosovës, ta shohim se çfarë po duan ata, e pastaj edhe për nivel të shtetit, le të shkojnë edhe në Beograd. Mirëpo pa i njohur viktimat mos të shkojnë atje, sepse nuk ju japin ata ‘politanka’, as nuk kanë për ta njohur pavarësinë, pa ju qit kushte bashkësia ndërkombëtare edhe evropiane”, shton Beqiri.

Ndryshe, reagimi i Vuçiqit ka ardhur pasi një gjykatë në Kosovë dënoi me dy vjet burg një ish-ministër serb në Qeverinë e Kosovës, i cili e kishte quajtur masakrën trillim./ KultPlus.com

Rrëfehet e pathëna e masakrës së Reçakut për djalin që kërkonte kokën e prerë të të atit

Jeton Zenuni sot është një doktor, por vite më parë, rrethanat e luftës e çuan të ishte shumë pranë gazetarit. Përkthyes me korrespondentë të huaj, krah Wolkerit, atij iu dha rasti te prekte nga afër realitete lufte, ndër to dhe masakrën e Reçakut. Në një rrëfim për tesheshi.com, ai përcjellë fragmente nga ajo çfarë i panë sytë 19 vjet më parë…

Intervistoi: Ermir Hoxha

Ç ’rrethanë iu çoi që të jeni përkthyes të gazetarëve të huaj në atë kohë në Kosovë?

Ishte një takim krejt i rastësishëm me disa gazetarë të huaj një mbrëmje, në një prej kafiterive të Prishtinës. Ndërsa po flisnim për ngjarjet aktuale në Kosovë, njëri prej tyre më tha se po kërkonte një të ri që njihte mirë gjuhën angleze dhe serbokroate, dhe që kishte guximin ta shoqëronte atë në vatra të luftës nëpër gjithë territorin e Kosovës. Pranova ofertën e cila për mua ishte edhe një sfidë njëkohësisht, dhe të nesërmen në mëngjes u nisëm për në Shalë të Bajgores, ku UÇK kishte arrestuar dhe po mbante tetë ushtarë serbë. Kjo ishte dita e parë e punës sime me gazetarë të huaj, e cila do të zgjaste deri në ditën kur filluan bombardimet e NATO-s.

Çfarë përbënte interesin më të madh të tyre rreth realitetit të asaj kohe në Kosovë?

Ata ishin kryesisht të interesuar të përcjellin luftimet frontale që zhvilloheshin në vendin e ngjarjes. Pushteti serb i Millosheviqit po përdorte një makineri të paparë propagandistike me qëllim që t’i servonte opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar versionin e tij të shtrembëruar të realitetit në Kosovë. Në fakt ishte propaganda mediatike serbe gjatë viteve të ’90-ta, që i parapriu luftës. Kjo ishte arsyeja përse agjencitë më të mëdha mediatike si CNN, BBC, dhe të tjera filluan të zbarkojnë në Kosovë, në mënyrë që të pasqyrojnë zhvillimet më për së afërmi dhe në mënyrë reale dhe të paanshme. Krahas luftimeve në terren, mediat ishin të interesuar edhe për intervista me fytyra publike, ushtarake, politike dhe civile, pastaj reportazhe me kategori të ndryshme sociale dhe kulturore, e kështu me radhë.

A ndodhte të kërcënoheshit në punën tuaj, pra gazetar e përkthyes, nga elementë serbë, policorë apo ushtarakë?

Kërcënimet dhe frikësimet ishin pjesë e përditshme e punës sonë. Ato ishin më tepër të natyrës psikologjike dhe kishin për qëllim të na shmangnin nga detyra që kryenim. Në anën tjetër, për shkak se forcat pjesëmarrëse në luftë nga dy taborët e kundërta ndodheshin shumë afër njëra-tjetrës, kishte raste kur policia apo ushtria serbe përdornin të gjitha mënyrat e mundshme të presionit për të na detyruar t’i tregonim pozicionet e UÇK-së. Kishte edhe situata dramatike, të cilat kur i kujtoj tash në retrospektivë më bëjnë të qeshin. Ta zëmë, kishte raste kur ndonjë gazetar i huaj, i cili nga dëshira për t’u treguar sa më miqësor me pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe, i përshëndeste ata në gjuhën shqipe me ‘Mirëdita!’, ose anasjelltas i përshëndeste forcat e UÇK-së në gjuhën serbe. Në përgjithësi, situata bëhej e pashpresë në rastet kur hasnim në forcat paramilitare, të cilët nën ndikimin e alkoolit dhe drogave të ndryshme ishin të rrezikshëm dhe skajshmërisht të paparashikueshëm ndaj nesh.

Dhe tani vijmë tek rasti i masakrës së Reçakut. Si u ndodhët aty?

Në fakt, bashkë me gazetarin amerikan Philip Smucker ishim duke u kthyer nga rrafshi i Dukagjinit, ku po përcillnim luftimet që po zhvilloheshin në atë zonë. Derisa po i afroheshim Prishtinës, ai mori një telefonatë, nga ku kuptoi se në afërsi të Shtimes po zhvilloheshin luftime mes forcave serbe dhe atyre të UÇK-së. Në vend se të hynim në Prishtinë, ne vazhduam rrugën për në Shtime. Aty hasëm në një qytet fantazmë. Nuk shihej as një njeri i vetëm. Pasi bëmë disa xhiro nëpër qytet, vendosëm të kthehemi në Prishtinë. Ne nuk e kishim idenë se përtej kodrës që ndante qytetin e Shtimes me fshatin Reçak, sapo ishte kryer masakra makabre që do të shënonte fillimin e një historie të re për Kosovën. Këtë e kuptuam më vonë në mbrëmje kur arritëm në Prishtinë. Të nesërmen herët në mëngjes morëm rrugën përsëri për në Reçak.

Ç ‘ndjetë kur u ballafaquan me atë skenë makabre trupash të pajetë?

Kufoma e parë në të cilën hasëm ishte e një të moshuari, të cilit i mungonte koka. Kufoma e dytë ishte e një vajze e re, e cila qëndronte e shtrirë në një dhomë në shtëpinë e saj. Ishte goditur me plumb në zemër. Më tutje pamë gjashtë kufoma burrash në të gjashtëdhjetat, të paarmatosur dhe në rroba civile. Pak më tutje pamë edhe tri kufoma në një kodrinë. Më tutje disa kufoma të rinjsh të hedhur njëri mbi tjetrin, të gjithë të qëlluar në mes të ballit. Dhe tamam mendonim se përfundoi turma e kufomave, na shfaqej një luginë e re e vdekjes me tre a katër në një vend dhe disa tjerë tutje…

Po gazetari apo gazetarët që shoqëronit, si u ndjenë?

Gazetarët e luftës zakonisht janë gjakftohtë, kryejnë punën me profesionalizëm dhe nuk jepen lehtë nga emocionet, por atë ditë vërtetë pashë tmerrin në sytë e tyre. Dukeshin të tronditur. Ata merrnin shënime, bënin foto, regjistronin çdo skenë deri në detajet më të vogla.

Duhet të keni qenë dhe pranëWilliam Walker . A pëshpëriste ai diçka teksa shikonte atë skenë makabre?

Wolker dukej i qetë teksa po ecte përskaj kufomave. I shikonte një nga një secilën kufomë. Nuk e tha asnjë fjalë aty për aty. Kemi zbritur ngadalë te rruga ku ishin veturat e parkuara. Dhjetëra gazetarë qëndronin përballë Wolkerit. “Kjo është masakër mbi popullsinë civile”, tha ai.

Cilat ishin më pas përjetimet e të huajve pas asaj çfarë panë?

Të gjithë pa përjashtim erdhën në konstatimin se shumica e viktimave janë vrarë nga afërsia, të gjithë civilë, madje me rroba bujqish, dhe të paarmatosur. Të gjithë gazetarët po raportonin njëzëri agjencive më prestigjioze në botë: “Sot në Reçak ka ndodhur një masakër!” Gazetarët dhe stafi vendor që punon për agjencitë e huaja qanin atë ditë pa përjashtim. Ishte një skenë krejtësisht ndryshe për ne, pavarësisht se kishim parë edhe masakra tjera më parë.

A pati presione të ardhura nga serbët për të mos e raportuar rastin, apo për të dhënë tjetër version?

Policia dhe ushtria serbe në fakt, gjatë 48 orëve të ardhshme kishin një mision të ri në Reçak, atë të nxjerrjes së kufomave dhe zhdukjes së gjurmëve të krimit. Në ndërkohë, kufomat ishin vendosur në xhaminë e fshatit, me qëllim të kryerjes së ceremonisë së varrimit. UÇK-ja po bënte rezistencë për të penguar forcat serbe në tentativën e tyre për të nxjerrë kufomat, ndërkohë që ne stafi vendor dhe gazetarët e huaj kishim mbetur në mes të zjarreve brenda në xhami. Qëndrimi në xhami bashkë me kufomat deri në një kohë armëpushimi, kur forcat e OSBE-së na nxorën nga fshati, ishin prej momenteve më të vështira që kisha përjetuar në jetë.

A ishte vërtet masakra e Reçakut pika e zgjimit ndërkombëtar ndaj asaj çfarë po ndodhte në Kosovë?

Kjo masakër shërbeu si një pikë kthese për vetëdijesimin e opinionit vendor e ndërkombëtar për krimet e tmerrshme që po ndodhnin në Kosovë, duke ndikuar edhe në këndelljen e mekanizmave ndërkombëtarë për të intervenuar në Kosovë. Masakra të tilla si kjo e më të rënda kishin ndodhur edhe më herët në vende të tjera të Kosovës, por shumica dërmuese e tyre kishin mbetur në heshtje, pasi që nuk e patën fatin të pasqyrohen nga mediat ndërkombëtare, edhe pse kishte dëshmi, kishte viktima të shumta, kishte dëshmitarë e të mbijetuar.

Pas dy ditësh, misioni i OSBE-së me në krye ambasadorin Wolker me urdhër të Millosheviçit u detyrua ta lëshojë Kosovën. Atë ditë së bashku me gazetarët e huaj e përcollëm ambasadorin Wolker deri te kufiri me Maqedoninë. Duke u kthyer nga Hani i Elezit gazetarët e huaj filluan të shprehin keqardhje për ne, popullatën e Kosovës, sepse e kuptuan se një luftë e përgjakshme po pritej të fillonte në shkallë të plotë, megjithëse nuk ishin të sigurtë se sa do të zgjaste dhe në çfarë përmasa do të zhvillohej ajo, duke marrë parasysh kujtimet e freskëta nga lufta në Bosnë.

A ka diçka ende të pathënë nga ajo masakër të cilën ju mund ta dini, ndërsa opinion jo?

Nuk e di nëse është përmendur më herët nga ndokush më parë, por mua edhe sot e kësaj dite më ndjek pas fytyra e të riut nga Reçaku i cili po kërkonte kokën e të atit të tij, të cilën ia kishin prerë forcat serbe, me gjasë me sopatë. Sa herë ringjallen kujtimet e Reçakut, më duket se dëgjoj zërin kumbues të këtij të riu: “Më duhet ta gjej kokën e tim atë që ta varrosi të tërin, siç e donë traditat dhe zakonet tona”. /tesheshi.com/KultPlus.com

Ky është kameramani kosovar që xhiroi Maskrën e Reçakut, pamje që tronditën botën

Masakra e Reçakut, është masakra që sinjalizoi botën për intervenimin e forcave ndërkombëtare për të shpëtuar Kosovën, shkruan KultPlus.

Këto masakra kanë ndodhë në vitin 1999, ku kameramani Sylejman Kllokoqi ishte një ndër kameramanët e parë që xhiroi ato pamje të tmerrshme, që më pas u shpërndanë nëpër mediet më prestigjioze të botës.

Kllokoqi ka përvoja të ndryshme në punën e tij prej kameramani, duke përfshirë ato në Kosovë, por edhe rolin e tij prek kameramani në Sarajevë, në periudhën kur ishte lufta atje./KultPlus.com

The bodies of 23 ethnic Albanians who had been shot death 15 January near the town of Racak lie near the roadside 16 January. US diplomat William Walker, head of an international observer mission in Kosovo, said that the deaths looked “like executions.”