Gazetari ndërkombëtar që e filmoi masakrën e Reçakut: Unë i kam të dokumentuara të gjitha krimet

Kohët e fundit liderët serb kanë ngjallur reagime në lidhje me deklaratat për masakrën e Reçakut.

Presidenti serb, Aleksader Vuçiq, e kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut, duke ngjallur reagime të shumta në Kosovë dhe disa ambasadave të huaja të cilat kërkuan që të mos fyhen viktimat e luftës së fundit.

Por njëjtë si Vuçiq nuk po mendon Bill Neely, një nga gazetarët e parë të huaj që kishte shkuar në Reçak, duke parë trupa të shqiptarëve të vrarë

Në një bisedë për Magazina.al, Neely i cili gjatë luftës në Kosovë, kishte raportuar për televizionin ITN, ka thënë se masakra e Reçakut nuk ishte trillim, sepse këtë e thanë trupat e mbi 40 të vrarëve atje.

“Nuk ishte trillim. Mbi 40 trupa e thanë historinë e tyre të cilët unë i kam dokumentuar me shumë kujdes”, ka thënë Neely

Gazetari i INT, kishte raportuar gjatë gjithë luftës nga Kosova, ishte ndër të parët që kishte shkuar në Reçak duke bërë që bota të shoh atë çfarë kishte ndodhur.

Më poshtë mund ta shihni raportimin e Bill Neely nga Reçaku në vitin 1999:

https://www.youtube.com/watch?v=jjuHpVjNe4g&feature=emb_title

Pacolli ia dorëzon Prokurorit Special mbi 10 mijë dokumente e fakte që dëshmojnë krimet serbe në Kosovë

Behgjet Pacolli, ministër i Jashtëm në detyrë, sot në një konferencë për shtyp ka paraqitur koleksionin e mbi 10 mijë dokumenteve që i janë dorëzuar Prokurorit Special të Kosovës për krimet e luftës të kryera dhe gjenocidin nga Serbia në Kosovë.

“Ne asnjëherë nuk duhet të harrojmë mizoritë e së kaluarës. Ne ia kemi borxh viktimave të këtyre krimeve kundër njerëzimit. Ne ia kemi borxh edhe vetvetes: ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë nëse ndriçojmë ditët e errëta të së kaluarës. Është një detyrim moral ndaj njerëzimit. Detyra historike është të dokumentohen torturat, vrasjet, përdhunimet, dëbimet me forcë dhe krimet e tjera të luftës të kryera nga forcat e qeverisë serbe dhe jugosllave kundër shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1998-1999. Kosova duhet të tregoj fushatën e koordinuar dhe sistematike për të terrorizuar, vrarë dhe dëbuar shqiptarët e Kosovës që u organizua nga nivelet më të larta të qeverive serbe dhe jugosllave në pushtet në atë kohë, që kishte rezultuar në shpërnguljen më të madhe të popullsisë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Pacolli.

Pacolli, thotë se Prokurorët, policia, Gazetarët dhe studiuesit e të drejtave të njeriut kanë hetuar, dokumentuar dhe raportuar përgjegjësinë individuale të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë luftës.

“Këto dokumente janë përdorur nga Tribunali i Hagës në disa raste të lidhura me Kosovën dhe disa jo. Ato tregojnë thellësinë e krimeve të luftës të kryera në Kosovë. Ato tregojnë përgjegjësinë personale të ushtarëve, komandantëve, politikanëve dhe individëve të tjerë që punoninbrenda shtetit të Serbisë gjatë luftës. Kosova nuk duhet të pranoj revizionizmin historik. Ne duhet të punojmë për të dokumentuar dhe ndjekur penalisht krimet e luftës të kryera nga Serbia në Kosovë”, thotë Pacolli.

Pacolli, gjithashtu ka theksuar se “Ky u bë një qëllim strategjik gjatë punës sime ku u angazhova me shumë personalitete që kishin qasje në mijëra dokumente dhe dëshmi ku prokurorët tanë nuk kishin qasje”.

“Kemi dorëzuar tek Prokuroria Kosovës mbi 10 mijë dokumente dhe fakte që dëshmojnë përgjegjësinë politike dhe individuale të krimeve të luftës të kryera në Kosovë nga Serbia. Mijëra dokumente që duhet të përpunohen nga prokurorët dhe të gjejnë individë përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë. Këto dokumente janë siguruar nga burime të ndryshme përmes mënyrave ligjore për të siguruar mbështetje për prokurorët tanë. Kjo është mënyra e vetme që Kosova ta mbajë të vërtetën gjallë dhe të sjell drejtësi. Kjo është mënyra e vetme për të kujtuar atë që ndodhi në Kosovë”, përfundoi Pacolli. / KultPlus.com