“Masakra që tronditi botën”, rrëfim për krimin që bëri Serbia 21 vjet më parë

Mëngjesin e sotëm heshtja  e mbuloi Reçakun, ashtu ngjashëm si ishte edhe 21 vjet më parë.

Në orët e hershme të 15 janarit të vitit 1999, fshati u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe.

Pikërisht në këtë vend ndodhi njëra ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë, ngjarje kjo e cila e ndryshoi përgjithmonë edhe historinë e Kosovës, shkruan FaktePlus.

E dyert që shihet në shumë filmime duke u thyer me shqelma nga njëri prej ushtarëve të forcave serbe, vazhdojnë edhe sot e asaj dite të qëndrojnë të forta.

Në fshatin që aso kohe pak kush ia dinte emrin, u vranë e masakruan mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, e në mesin e tyre edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.

I mbijetuari i kësaj masakre Aziz Beqiri rrëfen për FaktePlus, tmerrin që përjetuan atë mëngjes të hershëm e të ftohtë.

Ai thotë se edhe para 15 janarit forcat serbe kanë tentuar që të hyjnë në këtë fshat.

“Unë e kam përjetuar atë ditë masakrën. Mirëpo, nuk ka qenë vetëm 15 janari kur kanë hyrë forcat serbe. Ata kanë tentuar të hyjnë edhe para kësaj dite, kanë tentuar të hyjnë edhe tri apo katër herë edhe kemi pasur të plagosur edhe para 15 janarit, ka pasur edhe provokime, dilnin në kodër këndonin serbisht….Në 06:45 minuta krismat e tyre kanë qenë me alarmu, çdo lëvizje pastaj e kanë pasur në shënjestër, ai që u dalë prej shpisë e kanë pas shënjestër”, ka thënë Beqiri.

Ai duke rrëfyer gjithë ngjarjen e 15 janarit ka deklaruar se ajo ditë për të ka qenë një tmerr i madh.

E këtë e thotë pasi që aty ka pasur edhe persona të plagosur të cilët kanë kërkuar ndihmë, mirëpo që nuk kanë guxuar t’i ndihmojnë.

“Nuk ka pasur tmerr më të madh. Ka pasur aty që kanë qenë të plagosur dhe ka kërkuar ndihmë po që ne nuk kemi guxuar me dal me iu dhënë ndihmë një pikë uji nuk iu kemi dhënë sepse u vra ai bile le të shpëton tjetri, Ajo ditë ka qenë e kobshme, Patëm punë me të keqin”, ka thënë ai.

Beqiri, mes dhimbjesh tregon edhe sa anëtarë të familjes i ka të vrarë në këtë masakër.

“Po e kam të vrarë djalin e vëllait dhe pesë kushërinj të tjerë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, ka edhe një thirrje për krerët e institucioneve të Kosovës, si dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

“Këta tonët ndoshta nuk kanë mundësi me bë më shumë, mirëpo me i bë presion bashkësisë ndërkombëtare që kjo e fundit me i bë presion Serbisë, sepse ka shumë punë pa u zgjidh, bile së paku me iu kërku falje këtyre viktimave çka ka bërë ai. I kemi 1500 të zhdukur që nuk e dinë as nënat e tyre e as baballarët se ku i kanë të afërmit e tyre. Bashkësia Ndërkombëtare shumë e ka toleru, ajo politikë e Millosheviçit atëherë është duke u zhvilluar edhe sot nga Daçiqi edhe Vuçiqi, pra le të dijë edhe bashkësia ndërkombëtare por le ta dijnë edhe tonët se ai Millosheviç është edhe sot”, ka thënë ai.

Masakra në të cilën u vranë fëmijë e pleq edhe pas 21 vitesh vazhdon të kujtohet jo vetëm nga kosovarët, por edhe nga qytetarë të trevave të ndryshme shqiptare.

Në mesin e tyre që kishin ardhur të bënin homazhe për këto viktima ishin edhe qytetarë nga Shqipëria.

Është Elida Jorgoni e cila ka ardhur nga Durrësi për të kujtuar viktimat e Reçakut.

Ajo tha se ka ardhur për t’i dhënë mesazh siç thotë ajo armikut të kombit.

“Kam ardhur këtu që të nderoj gjakun tim. 21 vite më parë është përjetuar një dramë e madhe në këtë territor dhe unë dua t’i jap këtë mesazh armikut të kombit shqiptarë Vuçiqit pasardhësit të Millosheviçit së Reçaku nuk është gënjeshtër, ka ndodhur dhe duam t’ia shpallim botës se ne jemi këtu për të mbrojtur dinjitetin tonë gjakun tonë të nëpërkëmbur, të vrarë, të masakruar….Është ditë e vështirë të shikosh gjithë këtë gjak të pafajshëm, vjen tjetri nga dëbon nga vatra, na vret na dhunon dhe ne nuk duhet të heshtim. Këtu do të duhej të ishin komplet gjithë trevat shqiptare, do të duhej të ishim akoma më tepër për të treguar që ne nuk kemi vdekur”, ka thënë ajo.

Për t’i nderuar viktimat e Reçakut kishte ardhur edhe Ramadan Sallahi nga Suhareka. Ai tha se 15 janari i vitit 1999 nuk do të harrohet kurrë.

“Është një ditë që nuk do të harrohet kurrë në tokën shqiptare, edhe kam ardhë për të bërë homazhe, apo me përkujtu këtë tmerr që e bëri shkau këtu e në të gjithë Kosovën, në shumë vende bëri shumë masakra, bëri çmos, për atë kam ardhë me i kujtu këtu….Po e shohë shumë doptë. Kosova po shkon shumë dopt”, është shprehur ai.

21 vjet më parë në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua, e cila ende nuk është gjetur.

Pas vrasjes masive, ish- shefi i misionit të OSBE-së, William Walker shkoi në vendin e ngjarjes, duke u bërë dëshmitari i parë ndërkombëtar që i dërgoi një mesazh botës se ajo që po ndodhte në Kosovë ishte “një krim kundër njerëzimit”.

Mesazhi i tij ishte një faktor i rëndësishëm në vendimin e forcave të NATO-s për nisjen e bombardimeve kundër regjimit serb në Kosovë. Kështu, kjo ngjarje që ndodhi në këtë fshat të vogël e ndryshoi përgjithmonë edhe historinë e Kosovës, e cila tashmë ka më shumë se dy dekada e çliruar dhe gati 12 vjet e pavarur. /KultPlus.com

“Brezave të rinj u mungon ndjenja e atdhetarizmit”

Nga: Mentor Hajrizi

Brezave të rinj u mungon ndjenja e atdhetarizmit, t’u flasësh për gjenocidin u duket trillim!

Dje dhe sot me nxënësit folëm për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, në vitet e luftës 1998—1999.

Në kuadër të njësisë mësimore për ushtarin çlirimtar, të ardhur nga mërgimi në luftë, ndër të tjerash, me nxënësit diskutuam hapur për skenat e llahtarshme të paraqitura në vitet nëntëdhjetë. Tok ndoqëm reportazhe televizive në klasë dhe komentuam dhunën e serbëve mbi kosovarët.

Pyetjet e mia ishin: Ç’kuptoni me fjalën “gjenocid”? Çfarë dini për gjenocidin e Serbisë në Kosovë?

Nga përgjigjet e marra, të nxënësve, vërejta qartë se për gjenocidin në Kosovë kishin dëgjuar pak e hiç. Ata zbehtë më flisnin për masakrën e bërë në Reçak, por jo të dinin më edhe për ndonjë masakër tjetër.

Derisa po u flisja për gjenocidin, ligjërimin tim po e argumentoja me pamje dhe njëkohësisht me ato ngjarje më hipën të dridhurat.

Por…

Mendoj se prindërit, po edhe mësuesit, duhet të diskutojnë më tepër me fëmijët për sakrificën e popullit shqiptar dhe për gjenocidin në përgjithësi. Po kështu fëmijët tanë do të kenë ndjenja atdhetarizmi dhe do të njihen më mirë me historinë tonë tashmë të shkruar.

Orën e mësimit e përfunduam se me fjalën “gjenocid” kuptojmë dhunën e egër ose shfarosjen e plotë a të pjesshme të një popullsie ose të grupeve të veçanta kombëtare, të bërë nga një qeveri. /KultPlus.com

Nëna duke përqafuar me plot dhimbje e mall fotografinë e djalit të vrarë në masakrën e Reçakut

Janë bërë 21 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak, shkruan KultPlus.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre, sot u bënë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, si dhe u mbajt akademi përkujtimore në “Shtëpinë e Kulturës” në Shtime.

Shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, kishte alarmuar se në Kosovë po ndodh krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë misionin ushtarak, pas të cilit forcat serbe u tërhoqën nga Kosova. Sot, në 21 vjetorin e kësaj masakre, Walker erdhi për vizitë në Reçak ku përveç homazheve, u pa edhe shumë i afërm me fëmijët e dëshmorëve.

Ajo çka ka mbetur e njëjtë sot e 21 vite, është dhimbja e familjarëve për humbjen e më të dashurve të tyre.

Gjatë ditës, një nënë është fotografuar teksa përqafon fotografinë e djalit të saj, plot dhimbje e mall për të. Këto pamje edhe sot janë të vështira dhe prekin zemrën e secilit qytetar.

Fotografia ka nisur të qarkullojë në rrjetet sociale duke dëshmuar kështu për dhimbjen që i shoqëron këta njerëz tash e 21 vite. / KultPlus.com

Publikohen fotografitë e të dhënat e disa prej autorëve të masakrës së Reçakut

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj, në profilin e tij në ‘Facebook’, ka publikuar disa dokumentacione dhe fotografi të autorëve të Masakrës së Reçakut.

“Për rikujtim: Këta janë disa nga kryesit e masakrës së Reçakut.#Kosova nuk do të harrojë asnjëherë”, ka shkruar Zyberaj.

Publikimi i këtyre të dhënave nga Zyberaj vjen në 21 vjetorin e përkujtimit të një prej masakrave më të tmerrshme të kryer nga aparati shtetëror serb ndaj civilëve shqiptarë./KultPlus.com

Për rikujtim:Këta janë disa nga kryesit e masakrës së Reçakut. #Kosova nuk do të harrojë asnjëherë.

Gepostet von Jetlir Zyberaj am Mittwoch, 15. Januar 2020

Komentet kërcënuese të nacionalistëve serbë: Nëse kemi fat, do t’jua bëjmë sërish si në Reçak


Padyshim se Masakra e Reçakut përbën një prej ngjarjeve më të rënda që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Kriminelët serbë që e kryen gjenocidin ndaj popullit kosovar asnjëherë nuk i pranuan akuzat , e njëjtë po vazhdojnë edhe pasardhësit e tyre në pushtet. Ndërkaq, në një video që tregon pamje të rënda nga dita kur ndodhi kjo tragjedi, një nacionalist serb ka kërcënuar se ‘me pak fat, të njëjtën do ta bënin sërish’.

Sot kjo masakër shënon 21 vjet dhe po kujtohet e po bëhen homazhe nga figura të larta shtetërore të cilët kërkojnë drejtësi për viktimat e familjarët e tyre.

Madje, Presidenti Hashim Thaçi pak më parë para mediave tha se ndërkombëtarët kanë bërë shumë pak sa i përket kësaj çështje të rëndë, pasi që serbët po vazhdojnë rrugën e Slobodan Milosevic.

Se serbët nuk janë mbushur mend e se nuk e pranojnë këtë masakër, e vërtetojnë edhe disa komente në një video të publikuar në YouTube.

Nacionalistët serb e kanë quajtur këtë masakër vetëm një trillim, madje duke thënë se kjo gënjeshtër ka dalur nga ish-Ambasadori i OSBE’së, William Walker.

Por, komenti më i rëndë në këtë video është ai i një personi i cili po kërcënon se do ta bënin sërish të njëjtën ndaj popullit të Kosovës.

“Me pak fat, do t’ua bëjmë sërish të njëjtë. Këtë herë më të vërtetë’, ka shkruar një serb.

Ndryshe, mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe.

Në vendin që aso kohe pak kush ia dinte emrin, u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e tyre edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.

Trupat e të masakruarve janë varrosur pak metra më larg fshatit tek Kompleksi Memorial, ku valëvitet flamuri kombëtar.

Këtu është ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriu i cili për herë të parë masakrën e Reçakut e cilësoi krim kundër njerëzimit. /Metro / KultPlus.com

“Ishim të sigurtë se të gjithë do të vdisnim”, rrëfimi për masakrën e Reçakut në gazetën franceze

“Kujdes nënë, ata do të vrasin”, ishin fjalët e fundit e Halim Beqirit, 12 vjeçar. Një plumb e goditi pas qafe. Kishte gjak në gojë. Isha dy metra larg. Serbët shtinin nga të gjitha anët. Nuk mund të afrohesha. Ata vranë edhe burrin tim. Ai ishte pranë djalit tonë”, ka rrëfyer nëna e tij Ema për të dërguarin special të gazetës “Liberation”, në Kosovë, gazetari Pier Azan.

Kështu Azan në atë kohë nisi artikullin kushtuar masakrës së Reçakut me titull “Ishim të sigurt se të gjithë do të vdesim”, kishte sjell edhe rrëfimin e Azemit, një burrë rreth të dyzetave për masakrën që ndodhi në Reçak.

“Burrat u ndanë në disa grupe. Nja 29 veta u dërguan mbi fshat. Na thanë se do na çonin në stacionin policor. Por dëgjoheshin krisma në të katër anët. Pjesa tjetër e grupit u dërgua në përrua. Policët serb i prisnin që t’i vrisnin. Të shtunën, trupat e këtyre 20 burrave ishin ende njëri mbi tjetrin, në pozicionin që ishin vrarë. Ishin ekzekutuar nga afër. Një vdekje e përgatitur dhe e ekzekutuar me gjakftohtësi. Në orën 17:00 serbët u tërhoqën. Të mbijetuarit filluan të lëvizin. Një nga shtëpitë e para të fshatit, afër xhamisë, ishte ajo e Banush Azem Kamberit, 62 vjeçar. Kufoma e tij pa kokë ishte pran shtëpisë së tij. Vëllai i tij, Bedriu, 55 vjeçar, kërkonte kokën. Fshatarët e gjetën më vonë”, vazhdonte rrëfimin Azemi.

Kurse, në artikullin tjetër me titull “Masakra e Reçakut, rrëfimi i një dëshmitari kryesor”, gazetari Pier Azan, sjell dëshminë e një vëzhguesi të OSBE-së, që gazetari e paraqiti në atë kohë me emrin Mike.

“Rreth orës 15:45, forcat serbe u larguan nga fshati dhe ne vendosëm të hynim në Reçak. Një duzinë civilësh ishin aty në një gjendje tronditëse. Njëri nga ta na zgjati diçka, njëri nga njerëzit e mi e mori. Papritmas konstatuam se ishte pjesë kafke. Përkthyesi ynë na shpjegoi se ky njeri sapo kishte gjetur kufomën e vëllait të vet, me kokë të copëtuar. Ne pamë një trup. Plumbi i kishte krisur mbi kokë dhe tërë kafka ishte copëtuar. Fshatarët na thanë se nja 20 burra ishin arrestuar. Një grua na tha se burrat ishin dërguar për ekzekutim”, rrëfente në atë kohë vëzhguesi i OSBE-së.

Gazetari vazhdonte rrëfimin duke thënë se ata janë kthyer në Reçak edhe të nesërmen në mëngjes, kurse pasdite aty ka arritur gjenerali William Walker, shef i Misionit të OSBE-së, i cili me t’u kthyer në Prishtinë në një konferencë për media tha se “unë i akuzoj forcat policore dhe ushtarake serbe se janë përgjegjës për këtë masakër. Para disa ditësh, UÇK-ja liroi 8 ushtarë serbë. Prisnim një masë reciprociteti. E çka kemi në vend të saj? Vrasje të 40 civilëve të pafajshëm. Dëshiroj të di se kush ka dhënë urdhër. Duhet të dalin para drejtësisë. Nuk jam jurist, por, sipas meje, këtu ka ndodhur një krim kundër njerizimit”, ka thënë Walker.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.

Qeveria e Serbisë në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, më 17 janar 1999, shpalli Walker-in “person nongrata”, dhe i dha një afat prej 48 orëve për t’u larguar nga Jugosllavia.

Kjo masakër ngjalli reagimet e njëpasnjëshme të bashkësisë ndërkombëtare që propozuan një konferencë për Kosovën dhe që përfunduan me ndërhyrjen e NATO-së. / KultPlus.com