Japonezët luftojnë koronavirusin me maska luksoze

Trendbërësit në Japoni tani po mbrojnë qytetarët nga koronavirusi në një stil luksoz me maska me diamante e margaritarë në vlerë prej gati rreth 10 mijë dollarë secila.

Zinxhiri “Mask.com” nisi të shiste maskat e bëra me dorë javën e shkuar. Kompania synon të përfitojë nga shitjet në një kohë kur pandemia ka goditur edhe industrinë e modës.

Maskat e diamantit janë të mbështjella me diamante 0.7 karat dhe me më shumë se 300 copa të kristalit Swaroski.

“Të gjithë janë të mërzitur si pasojë e virusit dhe do të ishte për mrekulli nëse do të ndiheshin më mirë teksa shohin një nga këto maska të shkëlqyeshme”, ka thënë Azusa Kajitaka, punëtore në një nga dyqanet e kompanisë në Tokio, të mërkurën. “Industria e bizhuterive është në rënie po ashtu për shkak të koronavirusit dhe prandaj e kemi bërë këtë pjesë të projektit për të ndihmuar ringjalljen e Japonisë”.

Megjithatë, qytetarët nuk i shohin maskat si të përshtatshme për ta.

“Nëse e bart ndonjë nga këto maska, më duhet të kem veshjen e duhur për t’ia përshtatur. Andaj mendoj se do të më turpëronte”, ka thënë 66-vjeçarja, Mitsue Kaneko.

Maskat e Japonisë janë larg nga më të shtrenjtat në botë. Ky çmim i takon maskave të prodhuesit izraelit “Yvel”, që shet maska me çmim 1.5 milionë dollarë. / KultPlus.com