Provimi i maturës nis me 18,800 nxënës

Sot po mbahet provimi i maturës shtetërore në të gjitha shkollat e mesme të larta në vend. Në këtë proces janë përfshirë mijëra maturantë, ndërsa autoritetet arsimore kanë ndërmarrë masa të shtuara për të garantuar mbarëvajtjen e testimit dhe për të parandaluar çdo formë të keqpërdorimit gjatë provimit, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, Betim Sylejmani, ka bërë të ditur se në këtë shkollë po testohen 142 nxënës nga shkolla të ndryshme të Prishtinës. Ai ka theksuar se përgatitjet janë bërë me kohë dhe se vëmendje e veçantë i është kushtuar ndalimit të përdorimit të telefonave.

“Si çdo vit, edhe në shkollën tonë mbahet testi i maturës ku janë të përfshirë 142 nxënës nga shkollat e ndryshme të Prishtinës. Përgatitjet janë bërë me kohë. Masa kryesore është paralajmërimi që nxënësit nuk kanë të drejtë të përdorin telefona apo të hyjnë me telefona në klasë. Në momentin që i përdorin brenda klasës, janë administruesit ata të cilët ndërmarrin masa, qoftë për largim apo diçka tjetër. Përndryshe, ata të gjithë janë të njoftuar nga shkollat, nga Ministria e Arsimit, drejtoritë komunale të arsimit, sepse zakonisht keqpërdorimet bëhen me telefona. Janë të paralajmëruar që ata mund të pësojnë me dalje nga testi nëse i përdorin telefonat”, deklaroi Sylejmani për Ekonomia Online.

Ai shtoi se një nga masat e reja që nga viti i kaluar është shpërndarja e nxënësve në mënyrë që të shmanget vendosja në një klasë të nxënësve nga i njëjti institucion apo e njëjta paralele.

“Që nga viti i kaluar, në vazhdën e ndryshimeve që i ka bërë MASHT-i rreth rregullimit të mbarëvajtjes më të mirë të testit, është një prej atyre masave që me një klasë prej 15 nxënësve nuk mund të qëllojnë asnjëherë nxënësit e klasës së njëjtë. Do të thotë janë të përfshirë të gjitha shkollat e Prishtinës, janë me një klasë, janë nxënës të ndryshëm – nuk janë nxënës as të shkollës së njëjtë por as të klasës së njëjtë”, tha ai.

MASHTI dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë përsëritur rëndësinë e “ndjekjes së rregullave dhe seriozitetin e provimit të maturës”, i cili konsiderohet një hap kyç për të ardhmen akademike të nxënësve.

MASHTI bën të ditur se provimit do t’i nënshtrohen 18 mijë e 800 maturantë, kurse rezultatet do të bëhen publike më së largu deri më 30 qershor./ KultPlus.com

Profesori u mbylli njësha 83 nxënësve, e humbin testin e maturës

83 nxënës të klasës së 12’të të shkollës “Ali Hadri” në Pejë, nuk do të mund të hyjnë në Testin e Maturës, si pasojë e 1-shave të lënë nga një profesor i vetëm.

Nxënësit që në gjithë gjeneratën ishin 131 ankohen se vlerësimi nuk ka qenë i duhur, derisa kërkojnë të merren masa për ta ndryshuar këtë gjendje.

Në lidhje me këtë veprim, drejtori i shkollës thotë se i ka tërhequr vërejtjen mësimdhënësit, për të cilin thotë se është punëtorë, por që rezultati i tij është vazhdimisht i dobët.

Me këtë rast po merren edhe në Drejtorinë e Arsimit në Pejë, por deri pasditen e së premtës nuk është marrë ndonjë vendim, në lidhje me profesorin që në vazhdimësi ka këso rezultati.

Deri në fundjavë ankesë zyrtare nuk shkoi as në Inspektoratin e Arsimit, ku të rinjtë thonë se e kanë dërguar një kërkesë për tu hetuar ky zhvillim./klankosova./ KultPlus.com

Kalueshmëria në Testin e Maturës në afatin e parë është 67.44 përqind

Komisioni Shtetëror i Maturës ka bërë publike sot rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore 2020 (afati i parë), sipas të cilave rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë është 67.44 përqind. Prej këtij rezultati, 67.38 përqind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe, 77.32 përqind në gjuhën boshnjake dhe 62.44 në gjuhën turke, transmeton KultPlus.

“Në test kanë marrë pjesë 25.362 nxënës, nga 26.699 që e kanë paraqitur testin, prej të cilëve 17.105 e kanë kaluar testin, ndërsa për 8.257 maturantë do të mbetet si mundësi edhe afati i dytë i Provimit të Maturës.Kryetari i KShM, Gëzim Berisha e ka vlerësuar të suksesshëm administrimin e testit, i cili këtë vit është organizuar në rrethana pandemie, për të cilën gjë i ka falënderuar të gjithë akterët pjesëmarrës në proces, ndërsa tha se rezultatet e nxënësve janë të kënaqshme”, thuhet në njoftimin e bërë për media.

Gjithashtu Berisha ka bërë të ditur se janë 63 maturantë, të cilëve iu është anuluar testi, për shkak se kanë tentuar të përdorin telefonin, ndërsa nuk ka pasur parregullsi që do ta dëmtonin procesin.

“KShM ka bërë të ditur se të gjithë ata maturantë, të cilët konsiderojnë se iu është bërë ndonjë e padrejtë me rastin e vlerësimit, afati i ankesës është 3 ditë dhe kjo drejtë ushtrohet në shkolla, respektivisht në drejtoritë komunale të arsimit”, shtohet në njoftim./ KultPlus.com

Të përjashtuarve nga Testi i Maturës në ditën e parë, nuk u lejohet hyrja as në ditën e dytë

Nxënësit që janë përjashtuar nga Testi i Maturës në ditën e parë, nuk lejohen të hyjnë as në ditën e dytë të këtij testi, njoftoi Komisioni Shtetëror i Maturës.

Dita e dytë e Testit të Maturës mbahet sot, ndërsa, Komisioni Shtetëror i Maturës njofton se nxënësit të cilët janë përjashtuar nga testi në ditën e parë (afati i parë) nuk u lejohet që të marrin pjesë gjatë pjesës në ditën e dytë të testit. Vendimi i KShM-së bazohet në vendimin nr. 329/01B të datës 03.05.2018 të ministrit të Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.

KShM po ashtu bënë të ditur se ndaj personave që nuk e përfillin këtë vendim do të merren masa./ KultPlus.com