TG24 promovon 10 plazhet më të bukura shqiptare, Rama: Mbi 310 mijë turistë italianë në 6 muaj

Kolosi mediatik italian TG24 promovon Shqipërinë turisitike përmes një shkrimi që i dedikohet rivierës, nga Velipoja në Sarandë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e TG24 që promovon 10 plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar.

“10 plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar, sipas kolosit mediatik TG24 në Italinë fqinje që përshkon rivieren nga Velipoja në Sarandë, duke e shtuar promovimin e Shqipërisë turistike nga ana tjetër e Adriatikut”, shkruan Rama.

Po ashtu, Kryeministri informoi se mbi 310 mijë turistë italianë kanë frekuentuar Shqipërinë në gjashtë muajt e parë të këtij viti, më shumë se asnjëherë më parë.

“Turistët shijojnë mikpritjen dhe ushqimin fantastik, plazhet dhe natyrën e mrekullueshme, me premtimin për t’u kthyer sërish”, tha Rama.

Ndërsa e cilëson Shqipërinë si Maldivet e Europës, TG24 ndan përshtypjet për 10 plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar për pushime me çmime të lira.

TG24 sjell një përshkrim të detajuar të plazheve shqiptare nga Drimadhes, Dhërmi, Ksamil, Gjipe, Borsh, Sarandë e Vlorë në bregdetin jonian, te Velipoja, Shëngjini e Lalzi në bregdetin e Adriatikut./atsh/KultPlus.com