Promovohet libri “Kryemjeshtri”, i kushtohet trajnerit më të suksesshëm shqiptar, Driton Kuka

Në një ceremoni madhështore të organizuar nga KOK-u, MKRS e FXHK, është promovuar libri “Kryemjeshtri”, i autorit Arsim Maxhera, që iu dedikua trajnerit më të suksesshëm shqiptar, Driton Kuka, përcjell KultPlus.

Kryemjeshtri Kuka, ka arritur që në cilësinë e trajnerit të fitojë tri medalje të arta olimpike, dhjetëra medalje botërore, evropiane, dhe në gara tjera të shumta, duke e lartësuar Kosovën edhe në vendet që nuk e kanë njohur shtetin tonë.

Në fjalën e tij, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, çmoi lartë veprën e kryemjeshtrit Kuka, por përgëzoi edhe autorin Maxhera për punën e bërë, derisa theksoi se sukseset do të qëndrojë edhe në zyret e KOK-ut për t’u përdorur për mysafirë special, të cilët do të njihen me madhështinë e sukseseve të xhudos, suksese të cilat uroi të rriten në LO Paris 2024.

Ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku, u shpreh se kudo që ka udhëtuar është pyetur për suksesin e madh të xhudos sonë, e që theksoi se çelësin e këtij suksesi e di më së miri Driton Kuka, të cilin e quajti personalitet përtej personaliteteve të njohura edhe nga bota e politikës.

Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, po ashtu foli fjalë të mëdha për punën dhe përkushtimin e trajnerit Kuka, si dhe të gazetarit Maxhera.

Autori i “Kryemjeshtrit” tregoi detaje të punës së tij tri-vjeçare në përmbledhjet e karrierës së Kukës, duke thënë se ka qenë tejet kërkues nga Toni, ashtu siç është ai me xhudistët e tij.

Në fund, ishte koha për të dalë në skenë vetë kryefjala e ceremonisë, Driton Kuka. Trajneri më i në botë për vitin 2021, vlerësoi lartë punën e autorit, por gjithashtu falënderoi të gjithë ata që kontribouan në karrierën e tij të suksessshme, e veçanërisht xhudistët, të cilët falë tij, bënë krenarë jo vetëm Kosovën, por gjithë shqiptarinë, duke shpresuar se ky libër do të plotësohet me suksese të reja të garuesve të tij.

E veçantë ishte edhe videoja e realizuar nga KOK-u, në të cilën përmblidheshin pjesë të sukseseve kryesore të xhudistëve nga podiumet olimpike, karriera e Kukës dhe ngritja e flamurit tonë edhe në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Në ceremoninë e organizuar në amfiteatrin e Institutit “Ali Hadri” të pranishëm ishin edhe kampionet olimpike, kampionet olimpike, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, liderët e partive politike, Memli Krasniqi (PDK) e Ramush Haradinaj (AAK), figura tjera të larta nga sporti, arti e kultura, të cilët patën mundësinë të marrin nga një libër me nënshkrim të trajnerit dhe autorit. / KultPlus.com

Kosova bëhet me shtëpi botuese muzikore, sot promovohet botimi i parë

Kompozitori, Liburn Jupolli, ka bërë të ditur se në Kosovë është hapur shtëpia botuese muzikore “Magmus”.

“Kjo është një shtëpi botuese e re për botim të muzikës partiturave, veprave muzikore, studimeve muzikore ku ka nota”.

“Magmus vjen si një lloj ëndrre dhe dëshirë, po ashtu edhe nevojë e skenës muzikore në Kosovë për të dokumentuar muzikën klasike në Kosovë, sidomos atë te kompozitorëve”.

Jupolli tha se vepra e parë që ata kanë botuar është “MOVING LANDSCAPES” nga kompozitori dhe profesori Drinor Zymberi.

“Ky kompozim është njëri nga më të mirët në tre vitet e fundit, po ashtu ka luajtur edhe një rol të madh brenda kulturës muzikore. Kjo është vepër që Kosovës i ka sjell një njohje shumë të lartë”.

“Gjithashtu, për botim kam edhe kompozime të tjera të kompozitorëve të ndryshëm. Po ashtu do të fillojmë edhe me arkivimin e veprave të kompozitorëve”, tha Jupolli në Klan Kosova.

Sot gjithashtu do të promovohet nga ora 18:00 vepra e parë e botuar “MOVING LANDSCAPES”. / KultPlus.com

Në ASHAK promovohen librat e Kujtim Shalës dhe Bardh Rugovës

Bujar Meholli

Në ambientet e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës sot është bërë promovimi i dy librave të autorëve Kujtim Shala dhe Bardh Rugova, shkruan KultPlus.

Para një audience të zgjedhur në sallën e Akademisë së Arteve dhe Shkencave u promovuan librat e Shalës dhe Rugovës.

Në panel të këtij promovimi ishin akademikët Ali Aliu, Rexhep Ismajli dhe profesori Nysret Krasniqi. Aliu, moderator i këtij promovimi foli në hapje ku tha fjalë miradije për autorët dhe prezantoi folësin e parë, profesorin dhe studiuesin Nysret Krasniqi.

Krasniqi foli për librin e Shalës për të cilin tha se e çmon klasiken.

“Autori Kujtim Shala në vazhdimësi çmon klasiken, ky është parim i cili bën thirrje ta ruash atë që e ke. Kujtim Shala thotë se identitarja është e vetmja udhë e universales, si e tillë kur ndërlidhet nënkupton traditën  e emrave nacional, e mbi këto premisa del edhe titulli i këtij libri i cili fokuson dy shtylla themelore filozofike-letrare, debatin për fenomenet letrare të vlerësuara dhe për autorët e vlerësuar dhe tashmë të rivlerësuar”, tha Krasniqi.

“Autori Kujtim Shala në këtë libër nis me tri tekste fenomenologjike si pjesë e parë, ndërsa me dhjetë vepra në pjesën e dytë sjell tekste për autorët e traditës në kuptimin Eliotian të nocionit”.

“Tri veprat fenomenologjike Letërsi dhe Identitet, Identiteti i pazbuluar dhe Kryeveprat Gege identitaren e çmojnë në sistem filozofik-teorik, ndërsa dhjetë veprat e autorëve të traditës sikur sfidojnë modelin e autorit të propozuar nga Roland Barti”, tha ndër të tjera profesori Krasniqi, derisa autori Shala u shpreh se letërsia dhe identiteti janë temë e madhe dhe se në veprën e tij është përpjekur që fiksionin ta shkruaj si diskurs.

Libri i dytë që u promovua ishte “Leksioni i termave të fonetikës dhe të fonologjisë” i profesorit dhe studiuesit Bardh Rugova.

Akademiku dhe linguisti Rexhep Ismajli foli për librin, duke e shpërfaqur fillimisht një biografi të shkurtër të autorit Rugova. Veprën e këtij të fundit, Ismajli e çmoi dhe e vlerësoi si shumë të rëndësishme.

“Procesi i shpjegimeve të përmbledhura te ky libër janë koncize, autori në këtë libër ka arritur të bëjë një paraqitje relativisht të plotë të nocioneve dhe koncepteve konkrete, krejtësisht specifike dhe të zgjeruara mbi studimet e gjuhës shqipe”, tha Ismajli.

Vetë autori Bardhi u shpreh falënderues, derisa deklaroi se ka pasur model profesorin Ismajli prej të cilit edhe ka mësuar shumë gjëra në fushën e studimeve gjuhësore.

“Kemi pasur probleme me literaturën që është futur në gjuhën shqipe, kështu u shfaq nevoja për të pasur një leksik tjetër, një libër strukturalist”, potencoi fillimisht ai.

“E vetmja zgjidhje ishte që të kishim një brez në të cilin të gjitha dijet e fushave të ndryshme do të mund të gërshetoheshin. Kështu libri nisi si pjesë e një projekti që përfshin edhe fusha tjera të gjuhësisë, socio-lignuistikës e fonetikës të cilave do t’ju vijë radha për t’u promovuar”, përfundoi ai.

Këto dy libra janë botim i ASHAK-ut dhe mund të gjenden në hapësirat e Akademisë. /KultPlus.com