Mall

Poezi nga Medina Pasoma

Sonte malli shtrihet në qerpikun e syrit tënd

Merr jetë nga gjelbrimet e tua, rinohet nga qetësia e bukurisë tënde

Lëshon shpejt valixhet në stacionin e shikimeve

Dhe pret të çelen pranverat, kur sytë përqafohen

E të bëhet spektator i skenës thellim-gëzim

Malli i merr dallgët më të gjalla dhe i gjuan në detin e zërit tënd

Pastaj fjalët kaltërsohen, shpresa fillon të frymoj

Te vaji i skamnorit, dhimbja e të lënduarit

Vdekja e të gjallit dhe rilindja e të vdekurit

Zbarkon malli në ngrohtësinë e duarve tua dhe humb çdo adresë tjetër

Teksa foshnjës heshtja iu bëhet ninullë, largësia më bëhet këngë

Zjarre kryeneçe pa triumf ndizen në botë, për ta luftuar atë të shpirtit

Malli merr thellësinë e oqeaneve, rezistencën e maleve

Butësinë e fushave, prehjen e netëve prej teje

Mbi një cop dhé më del përpara në dyluftim

Duke harruar se ti je nëndheu

Që më flak edhe mua, edhe mallin tim…/ KultPlus.com

Një rrëfim i veçantë për jetën dhe veprimtarinë e kolosit Jusuf Gërvalla

“Një ditë kemi me u dhanë fund të gjitha këtyre”, kështu përfundon poezia “Jeta” e poetit Jusuf Gërvalla, e njëmend jetës së tij i erdhi fundi, por jo edhe kujtimit të krijimtarisë së tij. Ai e sakrifikoi edhe artistin brenda vetes për hir të çlirimit kombëtar nga pushteti jugosllav. 

Elizabeta Bajrami, Medina Pasoma, Vlerë Mehmeti*

Gati 75 vjet më parë, më 1 tetor 1945, në fshatin Dubovik të Deçanit, lindi një djalë me emrin Jusuf nga familja Gërvalla, i cili më vonë do të bëhej një veprimtar i çështjes kombëtare, shkrimtar, poet e këngëtar.  

Ishte fëmiu i dytë i familjes, ndërkaq vëllezërit e tij ishin Hyseni, Bardhoshi dhe Avdyli. Pas mbarimit të shkollës fillore me sukses të shkëlqyeshëm, vie koha për të vazhduar në shkollë të mesme, mirëpo kushtet materiale familja e tij nuk i kishte stabile. Në krah i del daja nga Peja, i cili vendos që ta marrë përsipër shkollimin e tij, ashtu edhe siç e tregon nëna Ajshe bisedën me vëllanë e saj.

“Tha: djali duhet me u shkollu. I thashë: bac, çka me ba se s’po është mundësia, ish mjerim”, tha ajo. 

“Gjithqysh duhet me shkollu djalin. A mundesh ti me ba dert me Hysenin, Hyseni edhe ai ish i ri, po me ba dert me Hysenin e me ma lanë djalin (Jusufin) këtu, me e shti në shkollë këtu”, e kujtonte bisedën ajo sa ishte ende në jetë.

Nëna Ajshe u bind që Jusufi të qëndronte me dajën e tij, kështu ai e ndoqi shkollën e mesme në Pejë, për të vazhduar pastaj në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, në Degën e Albanologjisë. Përgjatë kësaj kohe ai e filloi punën si pëshpëritës në Teatrin Krahinor, i cili sot njihet si Teatri Kombëtar i Kosovës.

Nëna Ajshe theksonte se jo materializmi, por diçka tjetër cilësohej si pasuri për të.

“Na pasunin ma të madhe e kem pas, vonë e kom marr vesh moj nanë se po merren djemt e mi me veprimtari, po ata me gojë të vet gjithmonë janë mbulu, gjithmonë janë mbulu, jo pse nuk kanë pas besë në nanën, po kanë pas qef sa ma sekret’’, thotë nëna e Jusuf e Bardhosh Gërvallës.

Dikur ai vendos që shoqes së fëmijërisë dhe vajzës me të cilën këmbente letra t’ia jepte mbiemrin e tij. Me Suzanën, me të cilën njiheshin familjarisht, u martuan më 27 shkurt 1967, atëherë kur ajo i kishte 18 vjet, ndërkaq Jusufi 21. 

Suzana dhe Jusuf Gërvalla në ditën e martesës së tyre. (Marrë nga grupi “Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history”)

Një vit pas martesës, lindi djali i madh i tyre, Premtoni, më 1968. Ndërkohë familja Gërvalla shpërngulet në Shkup, ku Jusufi vazhdon punën në gazetën ”Flaka e Vëllazërimit”, si përkthyes nga maqedonishtja, serbishtja e sllovenishtja në shqip. 

Jusuf Gërvallës i erdhi koha për ushtri, ndërkaq ai nuk i la studimet anash gjatë kësaj kohe dhe u bë baba për të dytën herë me lindjen e vajzës së tij, Donikës.

“Ushtrinë 1 vit (e ka kry), ndërkohë ai shkonte, vinte dhe i jepte edhe provimet, e përfundoi Fakultetin, se nëse e përfundonte Fakultetin e kishte 1 vit, përndryshe e kishte 2 vjet ushtrinë”, tregon gruaja e tij, Suzana, për “Oral History Kosovo”.

ATDHETARI QË PËR PUSHKË E KISHTE PENËN

Më 1 shtator 1973, Jusufi punësohet në Rilindje si gazetar kulture. Madje, të tjerët e kujtojnë si gazetarin i cili udhëhiqte emisione muzikore dhe njëkohësisht shkruante për to.

“Ai është pranu në Rilindje bashkë me një grup të rinjësh e të rejash, edhe ata krijues, si Flora Brovina, Shyqri Galica e të tjerë. Jusufi ka udhëheq pastaj edhe emisionet muzikore, ka qenë kritik i mirë’’, thotë Emin Kabashi, studiuesi i letërsisë, në emisionin “Arkivi”.

Më shumë sesa si gazetar, Gërvalla njihet si aktivist i çështjes kombëtare te publiku. Madje, në një moshë të re, ai bëhet pjesë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, e cila në atë kohë udhëhiqej nga Adem Demaçi. Jusufi bashkëpunëtor kryesor e kishte Sabri Novosellën.

“Jusufi shkruante traktet, shkruante statuset. Ato i shkruante te shtëpia, pastaj nga shtëpia jonë shpërndaheshin”, e kujton Suzana Gërvalla kohën kur burri i saj punoi ilegalisht për Kosovën, në intervistën e realizuar nga “Oral History Kosova”.

Madje, për shpërndarjen e këtyre trakteve dhe statuseve, e Gërvalla kishte vënë në rrezik edhe jetën e familjarëve të vet.

‘’Djali im, Premtoni, shkonte në shkollë. Ky Sabri Novosella e kishte një rrobaqepësi edhe djalit tim Premtonit ia mbushnim çantën e shkollës se e kishte afër shkollës së tij (rrobaqepësinë), ia mbushnin çantën me trakte, edhe ai shkonte te ai në mëngjes, i dorëzonte ato”, rrëfen Suzana.

Në vitin 1979, pushteti jugosllav e zbuloi punën e fshehtë të familjes Gërvalla. Kështu, njerëzit e pushtetin e bastisën shtëpinë e familjes Gërvalla në Dubovik, gjetën materiale dhe i arrestuan dy vëllezërit e Jusufit, Hysenin dhe Avdylin. Në banesën e Jusufit në Prishtinë, ata kishin arritur qysh në 9 të mëngjesit dhe kishin kontrolluar deri në orën 3 pasdite.

“Ne kemi pasë shumë libra, tepër, secilin libër e kanë shfletu rend, lëre mo dyshekët e gjithçka, gjithçka, gjithçka, e kanë përmbys gjithë shtëpinë”, thekson Suzana.

Ajo shpejt kishte shkuar në vendin e punës së Jusufit, në Rilindje, për t’i treguar që e kishin bastisur banesën e tyre dhe ua kishin marr makinën e shkrimit.

‘’Shkova dhe ju thashë se më duhet urgjent me ma thirr Jusufin, dhe erdhi ai poshtë në holl/bufe, edhe i thash kështu, kështu, kështu ka ndodh, i tregova krejt çka ka ndodh edhe në Dubovik edhe aty, i thashë, veç ta dish.  Ma bani: Shko ti te shpija, shikoj fëmit dhe çka kanë marrë, i thashë: Veç makinçn e shkrimit, e kështu letra s’kanë marr. Ma bani: Makina do kohë që ta verifikojnë, tjetër gjo? I thashë: jo, asni gja tjetër s’kanë marrë’’, tregon Suzana.

SABIT RRUSTEMI: NËN VELLON E NJË FIGURACIONI ARTISTIK, MBËSHTILLESHIN POROSI QË REFLEKTONIN KËRKESAT TONA SI KOSOVË

Jusuf Gërvalla, krahas veprimtarisë në çështjen kombëtare, bashkë me të tjerët, e mori edhe pendën dhe e zbrazi shpirtin e tij në letër, duke lënë gjurmë kështu në letërsinë shqiptare.

Ai është autor i veprave “Fluturojnë e bien” (1975), “Kanjushë e verdhë”, (1978) , “Shtёpia nё kornizё”, “Skena nga jeta e fshatit” dhe  “Shejat e shenjta” (1979). Këto përmbledhje u botuan në qytetet si Prishtina, Shkupi dhe Tirana.

Vargu i tij poetik e fjala e tij në prozë nuk mbetën të vlerësuara vetëm nga lexuesit e tij, por edhe nga qarqet e shkrimtarëve të asaj kohe. Kështu, në vitin 1978 ai pranohet në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, për të cilën pati shkruar edhe ‘’Rilindja’’.

Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Sabit Rrustemi, e kujton kohën e takimit me Gërvallën kur ky i fundit punonte në ‘’Rilindje’’. Ndër të tjera, Rrustemi e veçon veprën “Kanjushë e verdhë”. Sipas tij, kjo vepër i mundësoi Gërvallës të radhitej në mesin e shumë shkrimtarëve siç ishin: Ymer Shkreli, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ibrahim Kadriu, Mehmet Kraja, Jusuf Buxhovi e Rexhep Elmazi.

“Poezia e këtij libri ishte më e afërt dhe më e kapshme për lexuesin, jo pse në shikim të parë sillte pamje nga natyra dhe jeta rurale e Kosovës, po, nën vellon e një figuracioni artistik, mbështilleshin porosi që reflektonin kërkesat tona si Kosovë”, rrëfen Rrustemi.

Faktin se për krijimtarinë e tij poetike nuk është shkruar shumë e pohon përmes një shkrimi edhe përkthyesi i letërsisë shqipe në Gjermani, Hans-Joachim Lanksch.

‘’Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm (dhe pa idilë ruraliste) vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për “pak frymë njeriu e pak dritë qiriri’’, shkruan Hans-Joachim Lanksch.

Megjithatë, vendlindja për Gërvallën nuk mbeti vetëm frymëzim mes rreshtave, por ajo u shndërrua edhe në këngë me përplot mall. E tillë është kënga ‘’Do të kthehem, nënë’’, teksti i së cilës thotë:

Kaluan pranvera e vjeshta o nanë

Që kur ti e ndjell veç një kthim

Nëse vetë nuk do të mundem

Do i them birit tim

Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë

Se dikush një ditë do të trokllojë

Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi

Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë.

PËR ATDHE NUK E KURSEU AS FAMILJEN

Momentin e bastisjes e kujton edhe e bija e Jusufit, Donika. Ajo e thekson kohën kur policia shkon edhe në “Rilindje” në kërkim të makinës se shkrimit të babait të saj. Sipas saj, ishte mjaft e dukshme arsyeja e bastisjes, pra aktivizmi i Jusufit kundër regjimit jugosllav.

“Babi ishte pjesё e njё organizate e cila pёrpiqej t’i vetёdijësonte shqiptarёt nё Kosovё qё liria duket pak më ndryshe, nuk ёshtё kjo liri e cenuar, tё cilёn na e ofron Beogradi”, tha ajo për emisionin “Press-ing” të KTV-së.

Jusufi ishte kujdesur që t’u rrëfente fëmijëve të tij për gjendjen në Kosovë. Ai ua ka përmendur edhe mizorinë e burgjeve jugosllave, ku ai nuk do të donte të përfundonte. E kjo ishte edhe njëra nga arsyet se pse Gërvalla vendosi të largohej në drejtim të Gjermanisë, aty ku e kishte vëllanë e tij, Bardhoshin.

Kështu, Jusufi detyrohet ta braktisë Kosovën dhe ta marrë rrugën drejt mërgimit në fillim të vitit 1980. Gruaja e tij, Suzana, për ta ruajtur Jusufin nga ndjekësit jugosllavë, të gjithëve iu thotë se atë e ka burgosur pushteti, ndërkaq realitetin e ikjes ia kumton vetëm nënës Ajshe. Në anën tjetër, familja e Jusufit një muaj rresht bëhet pre e kërcënimeve të regjimit jugosllav për t’ua treguar atyre vendndodhjen e tij, derisa edhe bashkohen në Gjermani me të.

Sa i përket veprimtarisë së Jusufit në Gjermani, ai e vazhdoi atë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Përveç këtu, ai i ndihmonte edhe Organizatën Marksiste Leniniste të Kadri Zekës dhe Shoqatën “Fronti i Kuq” të Ibrahim Kelmendit, së bashku me gruan e tij, Suzanën, në redaktimin dhe publikimin e revistave. Sipas Suzanës, në intervistën për “Oral History Kosovo”, edhe pse të ndarë në organizata, ata dilnin gjithmonë bashkë në demonstrata.

“Populli është i pagabueshëm, unë, ti, ai tjetri edhe mund të gabojmë, kurse populli që po tregohet kaq i durueshëm për realizimin e kërkesës që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës, pa kurrëfarë dyshimi se do të dijë se deri ku shtrihen kufijtë e durimit për fitimin e statusit të Republikës”. Ky citat është marrë nga fjalimi i Jusuf Gërvallës në vitin 1981, transmetuar nga emisioni “Pa rrotlla”, dhe i përçon entuziazmin dhe besimin që kishte ai në popullin shqiptar. 

Jusufi nuk e ndaloi penën as në mërgim, madje atje iu shtua edhe më shumë muza poetike. Ai i përdori të gjitha aftësitë e tij për të vetmin qëllim, lirinë. E këtë qëllim e kishin edhe gazetat “Bashkimi” dhe “Lajmëtari i lirisë”, të botuara nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe të tjerë në vitin 1980. Në këto gazeta, ai nuk heziton t’i shprehë haptazi bindjet e tij kundër sistemit të Jugosllavisë. Kështu, në letrën e tij të hapur ndaj Titos, ai si revoltë shkruante: “Njeriu ka një të metë, ai di të mendojë!”

PËRVEÇ ME FJALË, BRENDIA E TIJ FRYMONTE EDHE ME MELODI

Jusuf Gërvalla ishte edhe këngëtar dhe kishte zë unik në këngët e muzikën shqiptare.  

Madje, në dokumentin “Dosja- Jusuf  Gërvalla” shkruhet se Donika, vajza e tij, kujton momente me kitaristin e asaj kohe.

“Babi e donte shumë kitarën e tij. Në Gjermani, të dy vëllezërit, Bardhi dhe Jusufi, i merrnin shpesh kitarat e tyre në dorë dhe këndonin”, thuhet se kujtonte ajo.

Madje, përveç që vet merrej me muzikë, ai tentonte që këtë botë artistike t’ua përcillte fëmijëve të vet, ashtu siç kujton Donika:

“Ai më këshilloi ta merrja flautin. “I biem bashkë”, më pati thënë, “ti flautit e unë kitarës”. Edhe pse unë ende nuk dija t’i bija flautit mirë, më ftonte herë pas here ta luanim melodinë shumë të thjeshtë të këngës aq kuptimplote,  “Për mëmëdhenë”.

Suzana Gërvalla, për “Oral History Kosovo”, teksa i kujton sfidat materiale që i kanë kaluar me bashkëshkortin, shton:

“Mjaftonin dashuria e tij edhe prania e tij. I thojsha hajde merre kitarën e këndonim e këndonim e binim flenim, edhe pa hangër”.

E kur flasim për muzikën, s’kishim si të mos kërkonim një mendim edhe nga kompozitori Rafet Rudi, i cili ishte bashkëpuntor i Gërvallës. Ashtu siç ky i fundit konsideron, publiku e njeh Gërvallën më shumë në bazë të veprimtarisë politike e më pak në aspektin kulturor.

Përveç shoqërisë me Jusufin, ai shpreh edhe mendimin e tij për profesionalizmin dhe njohurinë e Gërvallës për botën muzikore. Rudi e thekson faktin se ata që e kanë njohur nga afër ‘’botën magjike të Gërvallës’’ e dinin se në ç’nivel mund të arrinte ai me talentin e tij, po të mos e kishte angazhimin politik.

“Ndjeshmëria e tij për artin, subtiliteti i tij si krijues, na bën të mendojmë që ai në të vërtetë ishte i destinuar për t’u bërë nje artist i madh në fushën e muzikës”, thotë Rudi.

Ai këndonte me pasion për ta plotësuar dëshirën e tij dhe të atyre që e dëgjonin me zell, ashtu siç edhe kompozitori Rudi e përshkruan këtë pjesë:

“Muzika ishte thjesht një fushë në të cilën ai shëtit shlirshëm me hapa të çiltërt si të një fëmije, natyrisht pa ngarkesa dhe kritere rigjide me të cilat ai, gjithmonë si intelektual, udhëhiqej.”

Për të pasuruar me shumë shkrimin e kësaj dosjeje lidhur me veprimtarinë muzikore të Gërvallës, Rudi nuk hezitoi që të ndante me ne disa nga shkrimet e tij për këtë çështje. Në vazhdim e sipër ai e bën një analizë të hollësishme në lidhje me përmbajtjen e këngëve të Jusufit, prej së cilës po shkëpusim një pjesë.

‘’Ndonjëherë, në këngët e tija do të gjejmë ironi inteligjente si në këngën “Ç’është kjo”, ndonjëherë metafora politike si në këngën “Motiv i përjetshëm” apo humanizëm të angazhuar drejtuar botës fëmijërore si në këngën “Dashuria ëndërr”, por sikur në to gjithmonë  hetohet një frymë buntiproteste. Natyrisht pa ngarkesa dhe kritere rigjide, me të cilat ai gjithmonë udhëhiqej si intelektual. Ai ishte njeri që zgjidhjen e problemit kombëtar nuk e shikonte nga prizmi i ngushtë nacional apo nacionalist, përkundrazi, ai e vështronte atë nga niveli i lartë intelektual, gjithmonë nga konteksti humanist e universal, nga e drejta universale e kombit, kulturalisht dhe politikisht të formuar, të vendosë për fatin e vet”.

Gjithë ato vite pune e përkushtim dhe mjaftoi një kohë shumë e shkurtër e një dore pushtuesi që të ktheheshin në hi. Këngët e Jusufit, disqet dhe shiritat muzikorë të tij u asgjësuan nga pushteti jugosllav. 

Në kohën kur kompozitori Rudi punonte si dirigjent i korit te Radio Televizionit të Prishtinës, në vitin 1979 u bë asgjësimi i këngëve. 18 vjet më vonë, Rudi me disa miq gjejnë në Shkup 7 incizime tё reja dhe njё disk me dy kёngё, e që aty ka pasur edhe  incizime tё tij bashkё me Bardhin.

Veprimtarin i cili u flijua për liri e kujtoi në 65-vjetorin e lindjes se tij edhe bilbili kosovar, Nexhmije Pagarusha, duke dalë në skenë në vitin 2010. Pagarusha i dha zë këngës me të cilën kishte fituar në Akordet e Kosovës për tekstin më të mirë, të cilin e kishte shkruar vetë Jusufi.

Me t’u ngjitur në skenë, ajo mallëngjyeshëm e kujtoi atë si poet, gazetar e këngëtar.

“Nëse shpirti i njeriut nuk vdes – kështu thonë -, atëherë shpirtin e Jusufit e kemi këtu te ne, sonte. Ai na dëgjon edhe na sheh, ne jo atë. Jusufi ishte një engjëll. Ishte një poet i mirë, ishte një këngëtar i mirë, ishte një gazetar i mirë. Kurrkush nuk ka besuar se çfarë vullkani është në shpirtin e tij, në zemrën e tij, për dashninë e madhe të popullit të vet. U diktua atëherë kur dora e tradhtarit e nxori atë fuqi, atë vullkan, mirëpo ai vullkan nuk humbi. Shkoi tek të gjithë të rinjtë, të cilët (bashkë me) edhe të tjerët e dhanë jetën për lirinë’’, tha Pagarusha e emocionuar, pastaj e interpretoi këngën, refreni i së cilës është:

Ky qe cak i fundit 

Unë po largohem përgjithmonë 

Le të ngelë buzë lumit kjo melodi e fundit 

Pa fjalë dhe gënjeshtra

Ma shtri veç dorën dhe mos qaj

Stinët që kaluan ishit plot vaj.

Jusufi në këngët e tij trajtoi tema të ndryshme. Ai u këndoi dashurisë e femrës, por u përkujdes që të pçrcillte edhe nje mesazh me veprën e tij, atë të emancipimit të saj, temë kjo e cila edhe sot përflitet, ndërkaq Jusufi i dha zë qysh në vitin 1978.

Në videon e paraqitur në emisionin “Arkivi”, ai flet me shumë optimizëm për këtë çështje. Sipas perspektivës së tij, liria e femrës është e garantuar dhe kjo gjë nuk kërkon diskutim, zhvillimi i saj intelektual është më se normal. Edhe pse është një temë që ka nevojë per vetëdijësim, prapëseprapë ai shihte një dritë në fund të tunelit.

“Sipas përshtypjes sime, edhe besimi ndaj saj, qoftë nga familja, qoftë nga shoqëria, përgjithësisht është shtuar dhe për ditë e më tepër çështjes së arsimimit të saj dhe inkuadrimit të saj po i kushtohet kujdes gjithnjë më i madh”, thoshte Gërvalla.

I BËN ATENTAT, POR AI EDHE PAS 38 VJETËSH ËSHTË GJALLË

17 janari i vitit 1982 do të mbetet në kujtesën shqiptare si një datë e cila rezultoi me humbjen e tre veprimtarëve të çështjes kombëtare. Mesnata e ftohtë e janarit do të nxirrte zjarr nga arma e personave ende të panjohur, në afërsi të  Untergruppenbach të Heilbronn-it, duke lënë të vrarë Jusuf e Bardhosh Gërvallën, bashkë me Haxhi Zekën.

Që nga vdekja e tyre e deri më sot, ka pasur spekulime e polemika se kush ishte autori i krimit. Suzana, bashkëshortja e Jusufit, e ka sjellur versionin e saj për këtë ndodhi në një intervistë për “Oral History Kosovo”. Ajo e kujton në detaje natën  kur burri i saj humbi jetën duke treguar se Jusufi ishte gjallë kur ajo e gjeti. Ndër të tjera, Suzana kujton një frazë të thënë nga Jusufi kur ajo e pyet se a e kishte parë vrasësin, frazë kjo që përËon një mesazh tejet të rëndësishëm.

“Po, e pashë, po nuk e njofta. Çikë, në koftë shqiptar ishalla s’e gjojnë kurrë, se gjithmonë po na e lojnë që po e vrajmë njoni-tjetrin”, kishte thënë ai. 

Fjalët “Tre ranë, me mijëra u ngritën” nuk mbetën vetëm titull gazete, ato u shndërruan në rezistencë e protestim të popullit kundër atentantit ndaj treshes. Për rënien e tyre heroike dhe të të tjerëve e ngritjes së lirisë kishte shkruar edhe Hasan Ukёhaxhaj, bashkёveprimtar i Jusuf Gёrvallёs dhe aktivist i Lёvizjes Popullore tё Kosovёs.

“Qindra e qindra tё tjerё ranё heroikisht nё altarin e atdheut nё njё luftё dhёmbё pёr dhёmbё me hordhitё sllave, por nga gjaku i tyre po shkёlqejnё rrezet e lirisё”, tha Ukёhaxhaj.

Madje, edhe Adem Demaçi, si bashkëpunëtor i Gërvallës, e vlerësonte lart kontributin e tij.

“Ai ishte shumë trim, shumë i vendosur. Nuk përtonte të vdiste për atdheun e vet”, kishte thënë Demaçi për dokumentarin kushtuar treshes heroike, të publikuar në faqen “YouTube” nga Radio Kosova e Lirë.

Ata të cilët e dhanë kontributin e tyre në rrugëtimin artistik dhe në misionin e madh atdhetar vazhdojnë të kujtohen gjeneratë pas gjenerate, së paku nga ata të cilët e njohin mirë vlerën e këtyre personave.

Për nder të kujtimit të Jusufit, Peja shënon ‘’Ditët kulturore Jusuf Gërvalla’’; për ditëlindjen e tij, Gjilani e organizon muajin e manifestimeve ‘’Flaka e Janarit’’; për hir të Gërvallës dhe të veprimtarëve të tjerë, Shtëpia Kulturore Artistike ‘’Jusuf Gërvalla’’ në Komunën e Deçanit ka vepruar në ilegalitetin e viteve të 90-a për t’i bashkuar shqiptarët në lufën drejt lirisë, bashkë me kulturë e art. 

NËNA AJSHE: KA NANA PLOTË JUSUFA

Kontributi i tyre vazhdon të dëgjohet e kujtohet nga njerëzit, por të shikosh nga afër është një tjetër ndjenjë. E përjetimi i këtij emocioni u bë i mundur kur shtëpia në të cilën është rritur Jusufi me familjen e tij bëhet muze. 

Madje, përveç si muze, ajo dikur shërbente edhe si vatër e bashkimit të shqiptarëve, të cilët përmes kulturës tentonin të përqonin një frymë patriotike. Kështu, në këtë shtëpi mbaheshin takimet e Shoqates Kulturoro-Artistike ‘’Jusuf Gërvalla’’, në të cilën Djellza Jasiqi, si interpretuese e poezive, i kujton rastin e hyrjes së policisë jugosllave aty dhe bisedën me nënën Ajshe.

“Ku i ki djemtë? A e ke pa, ta kem vra Jusufin? I kanë thonë (Ajshës). Gjith kanë me m’u kujtu. Ajo tha: Uh, Jusufi është gjallë. A s’po e shihni a? Ka nana plotë Jusufa, krejt oda është Jusufa’’, kujton Jasiqi.

Për epitetet e Gërvallës flet edhe Emin Kabashi, studiues i letërsisë dhe shkrimtar, në emisionin e RTK-së, “Arkivi”. Ai i radhiti veprimtaritë e Jusufit si poet, romancier, dramaturg dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Ndër të tjera, Kabashi e cilëson si fatkeqësi mënyrën se si rrodhi veprimtaria e Gërvallës, nga poet në veprimtar politik.

“Për kulturën e një populli është fatkeqësi kur poeti, për shkak të rrethanave, angazhohet në veprimtari të çlirimit kombëtar, nëse vokacioni i tij është shkrimi, marrja me krijimin e veprave të artit”, tha shkrimtari.

Këtë mendim ia mbështet edhe Donika, vajza e tij, përmes kujtimeve se babai i saj kishte lënë anash shkrimin:

“Babi im, shkrimtari dhe poeti, njeriu i artit dhe i letërsisë, në dy vjetët e kaluar në Gjermani nuk shkroi as edhe një poezi të vetme. E kishin privuar nga vendlindja, për lirinë e së cilës luftonte tani nga Gjermania me mjetet e tij, me forcën e fjalës dhe penës së tij. Gjatë këtyre 30 vjetëve kam gjetur nga ajo kohë vetëm një strofë të shkruar me stilograf në këndin e një faqeje të një gazete. Strofa titullohej: Vdekja’’, kujton ajo për një shkrim të publikuar në “Dosja-Jusuf Gërvalla”.

*Elizabeta Bajrami, Medina Pasoma dhe Vlerë Mehmeti (autore të këtij artikulli) janë studente të Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”./ KultPlus.com

Emri yt

Poezi nga Medina Pasoma. Poezia është fituese e vendit të dytë në Festivalin “Takimet e Poeteshave Shqiptare”.

Sonte jam tu dasht me t’emnu ty
Por e pamundun është me t’vu ty emër
Si me I nda Hanën dhe yjet kur bëhet fjalë për qiell
Si me I nda t’dashtunit, kur dashnia lulëzon
Si me e nda një andërr, prej një mijë ëndërrimeve
Si tokës me ia largu përqafimet e tërmeteve
Si me I jep shkëndijë luftës, në cakun e paqes

Vështirë është me t’emnu, si vetë kjo jetë
Cili emër s’e rëndon shikimin tand t’thellë?
Dhe e përshkruen mirë ngjyrën e syve tu…
Cili emër e mban në krahë qëndrimin tand, sa t’ran aq edhe t’butë
Dhe që I fal dritë lutjeve tua të vona

Jam tu dasht me t’emnu ty
Dhe meqë thellësitë banojnë tek ti
Du me ta lan emrin det
Det I madh, njësoj si zemra jote
Me përplotë ulje dhe ngritje
Si vullneti I shpirtit tand
Nëse unë jam fëmiu, ti je deti I parë që kam pa…
Por, po ta la emrin det
Do t’xhelozoj qielli
Do t’ngryset dhe do t’qaj n’shi
Vetëtima e saj do na gjuaj mbi zemrat tona
Bubullimat e frikës do na I bëj melodi
Pafundësia do t’qaj, që s’është meritor për emrin tand

Dhe sikur do flisja për lartësinë që m’a jap
Dhe për largësinë që më çon
Do t’a lija emrin mal
Mali më I lartë I ndjenjave
Më I gjati për të arritur fitoren
Më I shkurti për të gjetur prehjen
Mali mbi të cilin kam dasht me e pa botën…
Por, po t’a la emrin mal
Kodrat rrafshohen prej dhimbjes
M’vështrojnë me vetulla të ngrysuna
Me sy t’tërbuem, me shpirt t’flakëruem
Njësoj sikur ti, kur në pyetje jam unë drejt botës…

Njësoj si dridh tërmeti tokën, ti dridh zemrën time
Njësoj siç çan tërmeti tokën, ti m’I çan pjesët e liga të shpirtit
Dhe po ta lija emrin tërmet
Vullkanet s’do ndaleshin së shpërthyeri
Edhe të vdekurat, sërish do lindnin
Do luftonte vullkani, që lavë të dashurisë sonë
Ta bënte dhimbjen!

E stinët mbeten të mangëta për emrin tand
Sepse ti I tejkalon ato
Ti je një vit I tërë
Ti je një jetë e gjatë
Që nis me fidane në buzëqeshjet e tua
Që flak kohën, me përvojën e bëmat e tua
Pastaj që fryen e qetëson shpërthimet
Dhe që në fund I fal shikim ftohtësie botës

E unë, në kërkim të gjithçkaje që të ngjan ty
Që mban aromën dhe emrin tand
Mbetem e panjohun për kangën që mban zanin tand
Për vargun që peshon sa fjalët e tua
Për pikturën që ka pamjen tande
Për skenën që aktor je ti
Për gënjeshtrën që realiteti I saj je ti
Për jetën që pafundësia e saj je ti

Jam tu dasht me t’emnu ty
E përmes teje me njoft botën
Pastaj me pushtu çdo cep
Njësoj sikur zemrën tande t’njomë

Jam tu dasht me t’emnu ty
Dhe me fitu këtë betejë kundër gjithësisë
Nën hijen e emrit tand, t’jehon fitorja jem

Jam tu dasht me t’emnu ty
Dhe s’ka emër që t’përshkruen ma mirë
Që iu afrohet hijeshisë tande
Ma shumë se emri DASHNI…

‘Ajo hesht, e në heshtjen e saj zhvillohen një mijë luftëra’

Poezi nga Medina Pasoma.

Ajo
Fli dhe ngrihet mbi shkëlqimin e Hënës
Këndon këngë të padëgjuara në vallën e yjeve
Dhe i ndriçon llampat e fikura, në rrugët e heshtura
Edhe ajo hesht, e në heshtjen e saj zhvillohen një mijë luftëra
Pluhuri i kohës banon në mendjen e saj
Dhe thyen çdo barrierë, zgjeron çdo horizont
Lulëzojnë vendet e takuara me gishtërinjët e saj
Shpirti i saj mbanë aromë pranvere
Por rifreskohet me shiun e vjeshtës
Ajo sa zjarre ndez, aq edhe shuan
Ndërton kala mbi gurët e botës
Shpall paqen për luftëtarët e epur të gënjeshtrës
Në protesta rezistenca mban emrin e saj
Nuk heziton t’i ngjyros burimet që tentojnë ta errësojnë
Ajo
Fli dhe ngrihet mbi shkëlqimin e Hënës
Brenda saj përkundet vaji i foshnjes
Luhet loja e fëmiut
Gjallëron dashuria e të riut
Dhe ndjehet lodhja e të vjetrit
Ajo
Një qenie mes engjëllit e djallit
Një botë mes të afërmes dhe të largtës
Ajo
Një kuptim, një frymë, një mendim
Ajo
Një përpjekje për të qenë njeri…

Të bëhem ti

Poezi nga Medina Pasoma.

Më lejo të fli në buzëqeshjet e tua
Të këndoj me qerpikun e syrit tënd
Të hyp natën në katet e mendimeve tua
Dhe t’a ndriçoj qytetin me dritën e fytyrës sate
T’a shoh veç njëherë veten me vështrimin tënd
Mjegullën e kësaj jete t’a largoj me shiun tënd
Etjen e ekzistencës t’a ndez me praninë tënde
T’i godas malet me ngrysjen e vetullave tua
T’a njoh jetën përmes detit të dhimbjes tënde
Me harmoninë e veshit tënd t’i dëgjoj meloditë e botës
T’i mbush fletët me mallëngjimet e tua
T’a qetësoj shpirtin me valët e prehjes tënde
Të bërtas me uraganin e brendisë sate
Dhe t’më lagen sytë me vetminë e netëve tua
Nga e qeshura jote t’më gjallërohet jeta
Le t’a kërkoj aromën çdokund, si i sëmuri shërimin
E kur të kërkoj shtegtim, arratisje t’më jenë krahët e tu
T’i prek shpendët me duart e tua dhe me prekje t’i fal fluturim
Portat e botës le t’më hapen me trokitjet e tua
Dhe rrugët t’më ndërtohen me hapin tënd
Të jem vrasëse e ndarjeve me fundet e tua
Dhe me fillimet e tua të bëhem sinonim përjetësie
Le të shkrihet uni im nga zjarri i dëshirës sime
Dëshira për të qenë ti, le t’na bëjë një.

Të kërkoj

Poezi nga Medina Pasoma.

Në mesin e krejt dynjasë
Aty ku çel behari e lulëzojnë trëndafilat
Ku shpirtat janë t’përmalluem prej shiut
Ku andrrat gropiosen n’tokën e vjetrueme
E ku heshtja m’ban hije
Të kërkoj ty
T’i kërkoj sytë n’çdo fytyrë me nur
T’i kërkoj duart që ledhatimet t’i fal
T’pres si ashiku që pret dashuni
E kërkoj zanin tand
N’çdo orkestral t’heshtjes
Edhe aty ky zhurmat dridhin tokën
E kërkoj zanin tand
Gjersa zemra e përvëlueme prej mallit do lulëzojë
Të kërkoj me sy drejtuem qiellit
Me duart mbi dheun tand t’njomë
Të kërkoj dhe të pres
Deri t’bahem hi, e t’vijë tek ti…