Hapen Apolonia dhe Memoriali i Skënderbeut, por mungojnë vizitorët

Sajtet e njohura historike në vend, si parku arkeologjik i Apolonisë dhe vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë janë rihapur pas izolimit dymujor, por vizitorët ende nuk janë kthyer. Situata duket e vështirë, së paku deri në hapjen e kufijve.

Vendvarrimi i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit në qytetin e Lezhës, hapi dyert këtë javë, por këtij sajti të njohur historik i mungojnë vizitorët. Paulin Zefi, përgjegjës i trashëgimisë kulturore “Duke qenë se Tirana nuk është kthyer zonë e gjelbër, as Shkodra jo nuk ka lëvizje. Po kështu shkollat janë të mbyllura, pasi numri më i madh i vizitorëve përbëhet nga nxënësit dhe studentët është e pamundur … Po kështu ndikon mbyllja e kufijve”.

Sipas Përgjegjësit të Trashëgimisë Kulturore në 2019-tën memoriali i Skënderbeut është vizituar nga rreth 30 mijë vizitorë. Ndërsa pritshmëritë këtë vit janë të ulëta. “Fluksi zakonisht nis në Maj e deri në Shtator, por për shkak të situatës kam frike se nuk do kemi as 1/3 e vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara”.

E njëjta situatë paraqitet edhe në kalanë mesjetare të qytetit të Lezhës si dhe muzeun etnografik. Që nga 18 Maji Parku Arkeologjik i Apolonisë në Fier, është i hapur për vizitorët. Specialisti i këtij parku, Admir Xhelaj shprehet se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një fluks të madh vizitorësh vendas e huaj.

“Numri gjatë këtyre dy ditëve ka qenë minimal por presim me lehtësimin e masave dhe hapjen e kufijve muajin tjeter që të shtohen vizitorët” tha ai.

Sa i përket hapjes së mozaikut arkeologu thotë se vendimi do të merret nëse do të shtohen vizitorët.  “Ne këtë vit kishim menduar të hapim e mozaikët në sektorin G, pranë Manastirit por kjo do shihet në bazë të vizitueshmërisë”. Xhelaj gjithashtu shprehet se janë marrë të gjitha masat anti-covid, jo vetëm në muze por edhe në ambientet e jashtme. /Shqiptarja.com / KultPlus.com

Rama pas restaurimit të memorialit të Skënderbeut: Ndryshim si nata me ditën

Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, tashmë me pamje të re, përfaqëson një prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama e ka përcjellë këtë të diel urimin për një ditë të mbarë me pamje të memorialit të restauruar.

“Si nata me ditën”, thotë Rama duke sjellë në vëmendje pamje të vendvarrimit të Skënderbeut.

“MIRËMËNGJES dhe me këto pamje nga Memoriali i Skënderbeut, ku pas përfundimit të restaurimit tërësor mbi rrënojat e Kishës së Shën Nikollit, shijohet një ndryshim si nata me ditën, ju uroj një të diel të qetë”, thotë kryeministri Rama.

Përveç mureve të kishës, në këtë objekt gjendet edhe absida, ku ndodhet i vendosur busti i Skënderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tri harqet mbi derën e kishës.

Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi, të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronzi të Skënderbeut. /j.p/ KultPlus.com

Ndriçohet Memoriali i Skënderbeut

Projekti për rehabilitimin e Memorialit të Skënderbeut po vijon me ritme të shpejta, duke marrë çdo ditë e më shumë formë të plotë.

Bashkia e Lezhës bën të ditur se “vijon puna për rikonstruksionin e Memorialit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Aktualisht puna po përqendrohet në sistemin e ndriçimit”.

Projekti i hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës financohet nga Ministria e Kulturës, si pjesë e programit “Rrugët e Besimit”, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”.

Në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë ndërhyrja e parashikuar nga Instituti i Monumente të Kulturës dhe Ministria e Kulturës qëndron në punimet restauruese në këtë monument, si dhe në muret e qytetit antik, në rikonstruksionin e mbulesës, konsolidimin dhe restaurimin e pikturës murale dhe mozaikut, shkruan ATSH.

Vendvarrimi i Skënderbeut përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Përveç mureve të kishës, në këtë objekt gjendet edhe absida, ku ndodhet i vendosur busti i Skënderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tri harqet mbi derën e kishës. Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi, të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronzi të Skënderbeut./KultPlus.com

30 milion lekë për restaurimin e Memorialit të Skënderbeut

Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut” ka nisur puna për restaurimin e Memorialit të Skënderbeut, Kishës së Shën Nikollit (Vendvarrimi i Skënderbeut) dhe Muret e Qytetit Antik Lis, Zona Breglumore e Parkut Arkeologjik.

Ky projekt me vlerë 30 milion lek, financohet nga Ministria e Kulturës dhe realizohet brenda Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit.

Projekti i restaurimit është hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon restaurimin e plotë të memorialit, Kishës së Shën Nikollit, riformulimin e mbulesës së objektit, sistemin e ndriçimit dekorativ dhe funksional, si dhe ndërhyrje konservuese – restauruese në mozaik dhe afresk.

Muzeu i Kastriotëve, në fshatin Sinë të rrethit të Dibrës, do t’i nënshtrohet restaurimit, ndaj për shumë pak kohë nuk do të jetë i vizitueshëm. Projekti i hartuar nga specialistët e IMK-së ka për qëllim restaurimin e plotë të objektit, riorganizimin e sistemit të ndriçimit dhe instalimeve elektrike, si dhe sistemimin e territorit përreth godinës. Pjesë e rëndësishme e projektit është edhe muzeu. Duke vlerësuar inventarin e pasur të muzeut dhe ambientin e ekspozimit, projekti synon riorganizimin e tabelave të ekspozimit, në cilësi, dimensione dhe formë.

Muzeu i restauruar shumë shpejt do të kthehet në një tjetër itinerar mjaft tërheqës për turistët.

Trashëgimia kulturore dhe turizmi kulturor – prioritetet e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës./KultPlus.com