Festivali i parë Mesdhetar i Filmit, aktorë e regjisorë nga bota ‘zbresin’ në Tiranë

Tirana, ka hapur dyert për edicionin e parë të Festivalit Mesdhetar të Filmit (TMFF), një ngjarje kulturore që ka bashkuar filma, aktorë, regjisorë dhe producentë nga e gjithë bota, për të ndarë me publikun shqiptar disa nga historitë më emocionuese dhe reflektuese të Mesdheut.

Nga një total prej 3030 filmash të aplikuar, festivali ka përzgjedhur prodhime që trajtojnë tema të thella dhe aktuale si emigracioni, pabarazitë sociale dhe marrëdhëniet mes qytetarëve dhe shtetit.

Këto filma prekin tema universale që flasin për përpjekjet njerëzore për një të ardhme më të drejtë dhe më të mirë, duke sjellë në ekran histori që ngjallin ndjenja dhe ndihmojnë për të kuptuar më mirë sfidat e kohës.

“Me një grup djemsh dhe vajzash të reja jemi munduar që në këtë festival të sjellim artistë, aktorë, regjisorë e producentë shumë të mirë nga Mesdheu. Në vitin 2025, Tirana është shpallur kryqyteti mesdhetar i artit dhe kulturës. Në këtë epokë të re, Tirana merr rolin kryesor të kryeqytetit të filmit mesdhetar. Le të jetë ky festival pikëtakimi i ideve, projekteve, ëndrrave”., – thotë Ledion Zoi drejtor i festivalit.

Festivali, do të vijojë deri më 4 maj, duke ofruar një program të pasur me shfaqje filmash, por edhe me Workshop-e dhe diskutime të vlefshme me profesionistë të njohur të industrisë së filmit.

I ftuar nderi i këtij edicioni është aktori i mirënjohur Arben Bajraktari, ndërsa juria e kryesuar nga regjisori dhe producenti Eno Milkani do të vlerësojë artistët pjesëmarrës me pesë çmime./ euronews/ KultPlus.com

Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut në 2025

 Tirana përzgjidhet si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025. Lajmin e dha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Si një dëshmi e gjallë për harmoninë dhe bashkëjetesën e kulturave dhe besimeve fetare të ndryshme, Tirana është një mozaik shprehës i identiteteve dhe traditave, të cilat ndërthuren duke krijuar një larmishmëri kulturash, frymëzuar nga diversiteti dhe fryma rinore e kreative”, shkroi ministri Gonxhja.

Programi i qytetit “MediTIRANEan Bridges” do të përfshijë: eksplorimin kulturor; përmirësimin e kreativitetit artistik; digitalizimin e trashëgimisë kulturore si dhe turizmin kulturor të qëndrueshëm./atsh/KultPlus.com

Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, Kojdheli: Përfitimet që pritet t’i sjellë kryeqytetit

Tirana u shpall fituese për një tjetër titull të rëndësishëm si ai i Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025. Bashkia e Tiranës e quan një tjetër arritje pas dy viteve të suksesshme të Kryeqytetit Europian të Rinisë dhe Qytetit Europian të Sportit.

Drejtori i projekteve strategjike në Bashkinë e Tiranës, Genc Kojdheli, në një intervistë të dhënë sot për Report TV ka nënvizuar disa nga përfitimet qëe e presin kryeqytetin me dhënien e këtij titulli të ri.

“Ky është një tjetër titull në vazhdimësinë e angazhimeve të Bashkisë Tiranë për ta vendosur kryeqytetin tonë në fokusin e vëmendjes rajonale dhe ndërkombëtare, një rrugëtim i nisur me titullin Kryeqytetin Europian i Rinisë për vitin 2022 dhe Qyteti Europian i Sportit për vitin 2023. Përgjatë vitit 2024 Tirana do të mbajë Presidencën e B-40-ës që është një organizëm ndërbashkiak i 40 bashkive më të rëndësishme të Ballkanit, fokusuar në terma të bashkëpunimit mes shteteve dhe bashkive. Ndërkohë që Titulli Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut është një titull që jepet nga Unioni për Mesdheun, një organizëm ndërqeveritar me 43 shtete anëtare, të gjithë shtete të BE, Ballkanit që lagen nga Mesdheu, përfshirë dhe vende nga Lindja e Mesme dhe Afrika Qendrore,” u shpreh Kojdheli.

Ai u shpreh se sikurse në këto dy vite, edhe me anë të këtij titulli Tirana do të mirëpresë qindra aktivitete kulturore ku të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë.

“Thelbi i aplikimit tonë është “Tirana si një urë” mes qyteteve, kulturave, gjuhëve dhe traditave historike. Këto do i shpalosim në një vit aktivitete siç kemi bërë në vitet e tjera. Ajo që ne presim është që përgjatë vitit 2024 të angazhohen të gjithë aktorët e interesuar që merren me çështjet e kulturës dhe dialogut në qytete për të krijuar një agjendë të bukur, interesante, joshëse me evente kombëtare dhe ndërkombëtare. Do të angazhojmë të gjithë anëtarët e unionit që disa nga eventet ndërkombëtare që unioni ka të ndodhin në Tiranë. Do të ketë edhe fonde të alokuara për shoqërinë civile, grupet rinore, grupet kulturore që do të zhvillojnë aktivitete në emër të këtij titulli siç kemi bërë edhe me titullin e Rinisë dhe me titullin e Sportit”.

Drejtuesi i projekteve strategjike të Tiranës shtoi se aspirata e Bashkisë ka qenë që ta Tirana të jetë në fokusin e mediave dhe organizmave ndërkombëtareje e cila ka rritur numrin e vizitorëve./atsh/KultPlus.com