Festivali folklorik ndërkombëtar, Sako: Durrësi, qendër e aktiviteteve kulturore

Durrësi është kthyer tashmë në qendër të aktiviteteve kulturoro- artistike me organizimin e festivalit folklorik ndërkombëtar.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ndau sot momente nga ky festival me pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Polonia, Ukraina Maqedonia e Veriut, Estonia, Italia, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Republika Çeke, Serbia, Sllovenia, Bosnja, Sllovakia, Franca etj.

Të gjitha grupet performojnë live dhe kanë në përbërje muzikantë, këngëtarë dhe instrumentistë duke bërë që çdo ansambël të ketë larmishmëri dhe një përfaqësim të plotë të vlerave dhe traditës së vendit përkatës.

Sako theksioi se të tilla evente kulturore dhe artistike janë ndjekur me interes të madh nga ana e artdashësve durrsakë por dhe turistëve të shumtë./atsh/ KultPlus.com

Sonte nis Festivali i Teatrove, bashkon prodhimet teatrale shqiptare

Sonte do të fillojë Festivali i Teatrove në Ferizaj. Sivjet është edicioni i 54-t i cili do të hapet në teatrin “Adriana” me shfaqjen “Mishi i Egër”.

“Festivali në Ferizaj jo vetëm nga vjetërsia e organizimi, por edhe nga aspekti i konkurrencës është festivali i vetëm mbarë shqiptar që për shumë vite e ruan konkurrencën brenda produkteve të mira teatrore. Është rasti i vetëm që qytetarët e Kosovës dhe jo vetëm kanë mundësi të shohin prodhimet më të mira teatrore”, ka thënë Besim Ugzmajli, drejtori i Festivalit në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Ugzmajli ka thënë se në planet e tyre është edhe prodhimi i shfaqjes që e ka ekskluzivitetin e premierës për festivalin. Ka njoftuar gjithashtu se Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Shqiptar në Shkup, Teatrot e qyteteve në Ferizaj, Prizren, Gjilan e Gostivar do të luajnë në skenën e teatrit “Adriana”. Pjesë e programit janë shfaqjet “Audienca”, “Charles III”, “Kamarja e turpit”; “Tartufi”, “Çifti i hapur”, “Turjela” e “Togeri i inishmorit”.

Si çdo vit edhe sivjet FTF do të përballë opinionet me panelet e diskutimit ndër temat “Teatri dhe lufta”, “Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare”.

Nuk do të mungojnë as netët muzikore të cilat mbahen në oborrin e teatrit të qytetit. FTF do të zgjasë deri më 6 shtator.

Nesër nis edicioni i 54-t i Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Nesër do të fillojë Festivali i Teatrove në Ferizaj. Sivjet është edicioni i 54-t i cili ka jetëgjatësinë më të madhe nga ngjarjet e arteve skenike në Ballkanin Perëndimor.

Nesër do të jetë hapja zyrtare në Teatrin “Adriana” teksa shfaqja e parë që do të jepet është “Mishi i Egër”.

Pjesë e programit janë edhe shfaqjet “Audienca”, “Charles III”, “Kamarja e turpit”; “Tartufi”, “Çifti i hapur”, “Turjela” e “Togeri i inishmorit”.

Si çdo vit edhe sivjet FTF përballë opinionet me panelet e diskutimit ndër temat “Teatri dhe lufta”, “Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare”.

Nuk do të mungojnë as netët muzikore të cilat mbahen në oborrin e teatrit të qytetit. FTF do të zgjasë deri më 6 shtator.

Presidenti Begaj merr pjesë në Festivalin e Vajzës: Emocion i veçantë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka marr pjesë në Festivalin e Vajzës në fshatin Vajzë.

Përmes një postimi në facebook, i pari i vendit shqiptar, tha se ishte emocion i veçantë të ishte prezent në këtë event.

“Një emocion i veçantë sot nga mikpritja në fshatin Vajzë, të bekuar nga natyra dhe e shënuar nga historia. Ndoqa me dashuri VajzFest, Festivali i Vajzës, në edicionin e tij të dytë, dëshmi e fuqisë së dashurisë për rrënjët e bijve të Vajzës”, shkroi Begaj.

Festivali i Yjeve në Fushë-Studen, ftohen fëmijët për të eksploruar mrekullitë qiellore

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ftoi sot të gjithë të apasionuarit pas yjeve që të marrin pjesë në Festivalin e Yjeve që do të mbahet më 31 gusht, ora 19:00, në Fushë-Studen, Parku Kombëtar i Shebenikut.

Muzhaqi shprehet se këtë vit ekipi i bashkisë Librazhd bashkë me shumë mbështetës, po organizojnë Festivalin e Yjeve, për ta ndarë eksplorimin e qiellit dhe Parkun Kombëtar të Shebenikut edhe me ata që nuk janë nga andej.

“Pavarësisht ku kemi lindur, nostalgjia për prejardhjen tonë ndërkohë që rritemi bëhet gjithmonë e më e fortë. Prandaj edhe sa herë të rinjtë më pyesin i tregoj që jam me origjinë nga Polisi, një fshat i Librazhdit”, shkroi Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale.

“Diçka që në Librazhd, dhe specifikisht në Parkun e Shebenikut është më bukur se kudo tjetër, është mundësia për të parë yjet, dhe jam shumë e gëzuar që këtë vit ekipi i Bashkisë Librazhd bashkë me shumë mbështetës, po organizojnë Festivalin e Yjeve, për ta ndarë eksplorimin e qiellit dhe Parkun Kombëtar Shebenik edhe me ata që nuk janë nga andej”, theksoi Muzhaqi.

“Në 31 gusht, ora 19:00, në Fushë Studen, Parku Kombëtar Shebenik, mund të bashkoheni edhe ju për të eksploruar qiellin e natës si kurrë më parë,  për vrojtime me teleskop,  diskutime me ekspertë astronomie,  kamping nën yje, astrofotografi, muzikë live, tregime legjendash rreth zjarrit, dhe shumë të tjera”, u shpreh Muzhaqi.

Ministrja theksoi se, hyrja është falas, “kështu që bashkohuni në këtë festival që të përjetoni një eksperiencë mbresëlënëse, larg zhurmave të qytetit”.

Ministri Çeku për çmimin e filmit ‘Si e verdhë e sëmurë’: Arritje tjetër që shpërfaq potencialin e jashtëzakonshëm të shtetit të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pasi filmi “Si e verdhë e sëmurë” nga Norika Sefa ka fituar çmimin e dokumentarit më të mirë të shkurtë në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Ministri Çeku këtë sukses e ka cilësuar si një arritje tjetër, që sipas tij shpërfaq potencialin e jashtëzakonshëm që ka shteti i Kosovës edhe në sektorin e artit dhe kulturës.

“Pas fitoreve të njëpasnjëshme, filmi “Si e verdhë e sëmurë” nga Norika Sefa fiton edhe çmimin dokumentari më i mirë i shkurtë në Festivalin e Filmit të Sarajevës.

Edhe një arritje tjetër që shpërfaq potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.

Urime Norikës dhe gjithë ekipit, po ashtu Qendrës Kinematografike të Kosovës që ka mbështetur realizimin e këtij filmi”, thuhet në urimin e Ministrit Çeku në facebook./ KultPlus.com

Shpaloset programi i Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Këtë vit shënohet edicioni i 54-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj që do të mbahet nga 1 deri më 6 shtator.

Si çdo vit tjetër në Teatrin ‘Adriana’ do të vijnë shfaqje nga jashtë e brenda vendit, në ditën hapëse luhet shfaqja “Mishi i Eger” nga Groan Stefanovski me regji të Martin Koçovski, nga Teatri i Shkupit.

Programi vazhdon për 6 ditë me radhë me shfaqjet ‘Audienca’, ‘Charles III’, ‘Kamarja e Turpit’, ‘Tartufi’, ‘Cifti i hapur’, ‘Turjela’ për ta përmbyllur programin me shfaqjen ‘Togeri i Nishmorit’ nga Martin Mcdonough me regji të Rizeski, nga produksioni i Teatrit ‘Adriana’.

Festivali i Teatrove në Ferizaj filloj rrugëtimin në vitin 1970 duke sjell në Kosovë vazhdimisht aktorë e regjisor nga vendet tjera.

Nis ‘Jehona e Vjosës’, Festivali folklorik në Memaliaj

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mori pjesë në natën e parë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës” që mbahet në Memaliaj.

Kumbaro u shpreh se, me këtë festival po krijohet një traditë e bukur që nisi dje e do të vijojë për pesë ditë rresht, me grupe folklorike nga Shqipëria dhe nga Kosova.

“Memaliaj përqafuar nga Vjosa nuk është më qyteza hije anës rrugës, por qyteti ku memaljotët kanë nisur të japin apartamente me qira për turistët dhe të ndërtojnë agroturizme për vizitorët që gëlojnë në gjithë qarkun dhe lëvizin nga një qytet në tjetrin, nga Gjirokastra, Libohova e Dropulli, në Përmet, Këlcyrë, Tepelenë e tani edhe në Memaliaj, për të shijuar më të mirat e kulinarisë, historisë, mikpritjes së ngrohtë dhe natyrës së pashoqe”, u shpreh Kumbaro.

Kumbaro ftoi pushuesit që nëse po vizitojnë Gjirokastrën këto ditë, në mbrëmje të ndalojnë në Memaliaj dhe të shijojnë koncertin dhe aromën e Vjosës.

Rama: Xhubleta shpaloset në festivalin që promovon traditat malësore, ‘Logu i Bjeshkëve”

Xhubleta vjen e shpalosur në të gjitha dimensionet e saj në festivalin tradicional që promovon traditat malësore, “Logu i Bjeshkëve”.

Lajmin e dha sot kryeministri Edi Rama, i cili ndau foto nga kjo veshje shqiptare katërmijëvjeçare.

“Hijeshia e saj mbrohet nga UNESCO, si përkujdesje ndaj kulturës sonë kombëtare me vlera të pasura e të patjetërsueshme”, theksoi më tej kreu i qeverisë.

Në Malësinë e Madhe organizohet eventi i kthyer tashmë në traditë, “Logu i Bjeshkëve”, që bën bashkë artistët, këngëtarët dhe valltarët me fokus promovimiin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Ky aktivitet artistik është një shfaqje unike e folklorit dhe xhubletës.

Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor 2022 në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.

Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste.

Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, e veshur nga gratë dhe vajzat në Shqipërinë e Veriut, e karakterizuar nga forma e saj e valëzuar e ziles. Kryesisht e zezë me motive shumëngjyrëshe të qëndisura, procesi i përpunimit përfshin përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike. Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme që nga mosha e pubertetit. Ajo tregonte statusin social dhe ekonomik të mbajtësit. Megjithatë, përdorimi dhe prodhimi i saj ka qenë në rënie gjatë dekadave të fundit për arsye socio-politike dhe ekonomike./atsh/ KultPlus.com

200 artistë të këngës e valles në Festivalin Folklorik të Selenicës

Mbi 200 këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullorë për tri mbrëmje me radhë e kthyen Kotën në një sofër të madhe të folklorit e këngës tradicionale labe, ku u zhvillua Festivali Folklorik i Bashkisë Selenicë 2024.

22 grupe polifonike u ngjitën në të tri netët e edicionit të dytë të Festivalit Folklorik të Bashkisë Selenicë.

“Si asnjëherë më parë të bërë bashkë kaq shumë këngëtarë të këngës labe, të gjithë bashkë shënuan ngjarjen më të madhe kulturore të zonës duke përcjellë mesazhe të forta të ruajtjes dhe përcjelljes me plot dashuri të trashëgimisë shpirtërore si një nga pasuritë më të mëdha të kulturës jo materiale të zonës” shkroi Bashkia Selenicë në faqen e saj online.

Bashkia falenderoi të gjitha grupet pjesëmarrëse ( konkurues e të ftuar) të cilët me performancat e tyre treguan seriozitet në përgatitje por edhe vlera të qenësishme në këngët e interpretuara. Gjithashtu vlerësoi edhe artëdashësit e zonës, banorët e Kotës sidomos, të cilët për tri mbrëmje ndoqën me shumë kërshëri festivalin duke e kthyer qendrën e Kotës në një mjedis të vërtetë festiv.

Në realizimin me sukses të aktivitetit ndihmuan Qarku Vlorë, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore si dhe Regione Pulia, Itali.

Juria e festivalit e përbërë nga prof. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, Kristo Çipa, ” Mjeshtër i Madh” dhe Bexhet Mahmuti, këngëtar i shquar i Qarkut Vlorë, ndau këto çmime:

  1. Çmimi i Parë – Grupi Polifonik i Sevasterit
  2. Çmimi i Dytë – Grupi Polifonik i Lubonjës
  3. Çmimi i Tretë – Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”
  4. Çmimi i Tretë – Grupi i Vllahëve , Selenicë/ atsh/ KultPlus.com

Ministri Çeku: ‘Etno Fest’ pasqyron pasurinë e traditës dhe kulturës shqipe

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se mbrëmë EtnoFesti ka nisur në mënyrën më të bukur, duke ofruar një mbrëmje me performanca artistike që nderojnë trashëgiminë dhe kulturën shqipe.

Ministri Çeku përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook’ ka thënë se të gjitha interpretimet në këtë festival pasqyrojnë pasurinë e traditës tonë.

“Gjallërinë që sjell ky festival në bukurinë e fshatit Kukaj do ta kemi për disa ditë me radhë. Nga ritualet tradicionale të replikuara me saktësi deri tek interpretimet moderne, performancat, shfaqjet, ekspozitat, kënga e vallja që e përcjellin Etno Festin deri në fund, pasqyrojnë pasurinë e traditës sonë. Vazhdojmë mbështetjen tonë në ruajtjen dhe promovimin e artit dhe kulturës”, thuhet”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Festivali ‘Nona’, nis festa e gjysheve shqiptare në Përmet

Në Përmet u çel festivali “Nona”, festa e gjysheve shqiptare.

Atmosfera e krijuar në qytet ishte mbresëlënëse. Pjesëmarrëse në këtë festën, që po kthehet në një traditë tanimë, janë gjyshe nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm Përmeti.

Përmes rrjeteve sociale, bashkia e Përmetit ka publikuar foto nga momentet festive ku fëmijë, të rinjtë e të rejat, por edhe të moshuar, shijuan atmosferën e krijuar.

“Nën një atmosferë të magjishme plot muzikë argëtim, surpriza, gatime tradicionale, produkte lokale. Përmeti dhe gjyshet përmetare mirëpritën çdo vizitor dhe qytetar. Atmosfera festive vazhdoi deri në mesnatë duke sjellë argëtim për Përmetin që këto ditë vere është plot”, shkruan bashkia në postim në rrjetet sociale.

Bashkia e Përmetit fton qytetarët nga qytete të ndryshme të marrin pjesë në mbrëmjen e 2-të, e cila premton edhe më shumë argëtim.

Ky është edicioni i pestë i festivalit “Nona”, ku janë planifikuar tre netë festive, Nata e parë u zhvilua të premten , sot është nata e dytë dhe të dielën nata e fundit.

Nis Festivali i Porto Palermos, përvojë e paharrueshme e netëve të verës

Porto Palermo Festival u rikthye këtë sezon veror me edicionin e tij të katërt, ndërsa pritet të sjellë 12 artistë në 12 mbrëmje.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja publikoi momente nga nata e parë e festivalit që mbahet në një nga sitet më të bukura të trashëgimisë historike.

Mbrëmja e parë e Festivalit Porto Palermo, edicioni 4, hapi siparin e netëve artistike që mbahen në kalanë historike me ikonat e muzikës jazz  Elina Duni dhe Eda Zari, shoqëruar nga Rof Luft dhe organizatori Olen Cesari.

“Artistet e mirënjohura u bënë bashkë në një performancë unike dhe të sinkronizuar për t’i dhënë çdo të pranishmi një eksperiencë të paharrueshme këtë natë vere”, shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.
.

Aktiviteti artistik mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duke ndërthurur nga zërat, meloditë, aktrimet dhe performancat e mrekullueshme të artistëve.

Në Porto Palermo pritet të mblidhen emrat më në zë të muzikës bashkëkohore shqiptare, një pjesë e të cilëve tashmë janë artistë që rikthehen për të disatën herë, si psh: Elina Duni e Eda Zari. Në festival do të jetë e pranishme ylli shqiptar i muzikës klasike, Inva Mula, këngëtarë si Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, Dren Abazi, por edhe emra nga arena ndërkombëtare si Manuela Villa, Lavinia Mancusi etj. Si në të gjitha edicionet e kaluara edhe krijuesi i Porto Palermo Festival, Olen Cesari, do të interpretojë me violinën e tij, natën e parafundit.

Ky festival synon, jo vetëm të sjellë artistët më të mirë për të performuar në skenën e vet autentike, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com

Hapet Festivali i 32-të Ndërkombëtar Folklorik në Varna, në Detin e Zi

Festivali i 32-të Ndërkombëtar Folklorik në Varna filloi të hënën dhe do të vazhdojë deri më 1 gusht.

Pjesëmarrësit e huaj të këtij viti vijnë nga Ukraina, Sllovakia, Mali i Zi, Hungaria, Gjeorgjia, Kina, Timori dhe Shqipëria. Mikpritësit përfaqësohen nga Ansambli Folklorik i Varnës dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Odessos.

Shfaqjet zhvillohen çdo mbrëmje në orën 21:00 në skenën e Teatrit Veror, ndërsa hyrja është falas.

Të gjitha ansamblet e ftuara u bashkuan në hapjen e titulluar “Together Today and Forever”.

Festivali i së martës, me moton “Udhëtoni nëpër botë”, përfshin hyrjet shqiptare, ukrainase dhe kineze dhe Ansamblin Folklorik Jantra, i krijuar në Budapest në 1996 nga të rinj me origjinë bullgare.

Më pas e kanë radhën interpretuesit nga Sllovakia, Timor-Leste, Mali i Zi dhe Gjeorgjia.

Koncerti gala përmbyllës, i titulluar “Let’s Stay Friends”, do të bashkojë të gjithë pjesëmarrësit së bashku me Ansamblin Folklorik Odessos.

Festivali Folklorik Ndërkombëtar i Varnës filloi në vitin 1992 me iniciativën e Komunës së Varnës, e cila është organizatori kryesor i tij. Ai po tërheq pjesëmarrës nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika. Festivali është anëtar i Shoqatës së Festivaleve Evropiane dhe i Shoqatës së Festivaleve Folklorike të lidhur me UNESCO-n.

Berlini pret festivalin më të madh të poezisë në Evropë

Gjermania pret ‘Festivalin më të madh të Poezisë në Evropë’. Veprimtaria vjetore, e nisur në vitin 2000, po mban edicionin e saj të 25-të në Berlin.

Motoja e festivalit është ‘të nxjerrë në pah zërat e nënpërfaqësuar’.

Festivali përfshin trajnime, seminare për fëmijë dhe një panel mbi çështjet socio-politike.

Brenda një tende cirku në Berlin, lëvizja përzihet me fjalën e folur për një nga ngjarjet. Mireia Casanyes dhe Carla Marco nga Spanja thanë se e kryen punën e tyre në katalanisht sepse është një gjuhë e rrezikuar. 

“Poezia shpreh këtë ndjenjë të të qenit në një gjuhë që nuk është një gjuhë hegjemonike, kështu që një gjuhë që nuk është pjesë e të menduarit kryesor evropian, kulturor, historik, por katalanishtja ka një rëndësi të madhe,” tha Casanyes.

Më shumë se 150 artistë nga e gjithë bota po vijnë në Berlin për atë që cilësohet si festivali më i madh i poezisë në Evropë. 

Mel Manuel Irmey trajtoi përdorimin e gjuhës dhe identitetit gjinor. Manuel beson se gjuha gjermane, me emrat e saj të gjinisë, i detyron njerëzit të mendojnë në terma binare.

Punimet po prezantohen në të gjithë qytetin, nga një instalim audio pranë një klubi në një oborr të jashtëm.

Diversiteti i artistëve reflektohet në temat që trajtojnë, si p.sh. një artist amerikan që flet për homofobinë në SHBA dhe poetët ukrainas që flasin për punën e tyre se si lufta po ndikon në shtëpinë e tyre.  

Kthehu në çadrën e cirkut, interpretuesit thonë se shpresojnë se poezia do të sigurojë një lidhje emocionale midis temës së tyre dhe një audiencë më të gjerë evropiane.

“Poezia nuk ka të bëjë vetëm me fjalët specifike, ajo është një gjuhë universale dhe përmes kësaj ne përpiqemi të zgjerojmë jo vetëm fjalën e folur, por edhe imazhet, ritmin, efektet, ndjenjat”, tha Marco./euronews/ KultPlus.com

Sot fillon Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar Anibar 2024

Sot fillon Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar `Anibar 2024`. ‘Anibar 2024’ vjen me një program të pasur që do të mbajë të mbërthyer të gjithë adhuruesit e animacionit dhe artit multimedial.

“Ky festival, që është bërë një nga ngjarjet më të pritura kulturore në Kosovë, do të mbahet nga data 15 deri më 21 korrik 2024 në Pejë. Me një përzierje të veçantë të filmave animuar, punëtorive kreative, diskutimeve panelore dhe aktiviteteve të shumta, Anibar synon të frymëzojë dhe të angazhojë publikun duke ofruar një platformë për artistët dhe krijuesit nga e gjithë bota?”, thuhet në komunikatën e Festivalit.

Festivali do të fillojë me një ceremoni madhështore hapëse në Kinemanë e Liqenit më 15 korrik, e ndjekur nga një festë e madhe me performancat e DJ SugarFree, SHEGA dhe ODA HALITI.

Gjatë javës, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të marrin pjesë në një sërë punëtorish dhe seancash interaktive, të udhëhequra nga artistë dhe profesionistë të njohur, duke përfshirë video-maping, krijimin e fanzineve komike, animacionin e prerjeve prej letre, dhe teknikat e avancuara të bërjes së kukullave dhe stop-motion.

“Programi gjithashtu përfshin konkurrenca për audiencën e re, programe të veçanta filmash, diskutime për të drejtat e njeriut dhe projekte bashkëpunimi ndërkombëtar. Për adhuruesit e realitetit virtual, do të ketë një program të veçantë në Galerinë e Arteve që do të zgjasë gjatë gjithë ditës. Mbrëmjet do të jenë të rezervuara për shfaqje ndërkombëtare dhe studentore, ndërsa pas mesnate, festivalistët do të kenë mundësinë të shijojnë pas-festët me muzikë të larmishme dhe performanca të drejtpërdrejta”, thuhet në komunikatën e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar ‘Anibar’.

Publikohet ‘traileri’ i festivalit Sunny Hill 2024

Më 25, 26, 27 dhe 28 korrik në Prishtinë do të mbahet një nga festivalet më të mëdha të Evropës Juglindore, Sunny Hill.

Në faqen zyrtare të Sunny Hill në rrjetin social Facebook, është publikuar ‘trailer’-i i festivalit i cili paraqet përmbajtjen e asaj që prezantohet përgjatë këtyre ditëve.

Artistë të mëdhenj nga skena botërore që do të performojnë në festival janë: Stormzy, DJ Snake, BurnaBoy, BlackCoffee e shumë të tjerë.

Kurse nga skena vendore do të performojnë emra të njohur të muzikës si: Dafina Zeqiri, Dhurata Dora, Yll Limani e të tjerë./ KultPlus.com

Nën patronatin e Komunës mbahet ‘Prizren Rock and Blues Festival’, performojnë artistë të njohur ndërkombëtar e vendor

Për tri ditë me radhë, në qytetin e Prizrenit, do të mbahet festivali më i madh i muzikës rock dhe blues  “Prizren Rock and Blues Festival”, i cili këtë herë sjellë artistë të njohur vendorë dhe ndërkombëtar.

 Në festivalin “Prizren Rock and Blues Festival” përmes një programi të pasur artistik do të performojnë 12 bende muzikore, ndër të cilët janë: rock-bendi i njohur nga Suedia “Dirty Loops”, rock-kitaristi Frank Gambale dhe All Stars, Bon Jovi Experience dhe Vlatko Stefanovski.  Ndërsa artistët shqiptarë që do të performojnë në këtë festival janë grupi 403, Bojken Lako dhe Sokol Keci Band.

Festivali realizohet nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe implementohet nga shoqata Melodia e Rock & Blues.

Për shkak respektimit të rregullave të sigurisë dhe mbarëvajtjes së Festivalit, sugjerohet që të gjithë adhuruesit të shkojnë në kohë dhe të ndjekin udhëzimet gjatë hyrjes.

Festivali mbahet më 4, 5, 6 korrik, në periferi të qytetit të Prizrenit, në ITP Prizren ish-kampin gjerman të KFOR-it, në ora 20:00. Hyrja do të jetë falas./ KultPlus.com

Festivali i makinave retro, Rama: Ekspozitë unike në Shkodër

Admiruesit e mjeteve klasike në Shkodër vizituan sot nga afër magjinë e më shumë se 50 mjeteve të viteve 60-‘70-’80, me targa të personalizuara më të koleksionistëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga festivali “Retro” në qytetin e Shkodrës.

“Mjetet Retro në Shkodër. Shijoni këtë ekspozitë unike, bëni foto të paharrueshme dhe përjetoni një udhëtim në kohë me këto mjete të mahnitshme”, shkruan Rama.

Përveç paradës së automjeteve “Retro”, gjatë orëve të mbrëmjes ka aktivitete festive me tingujt e muzikës “Jazz”, që do t’i shtojnë gjallërinë qytetit të Shkodrës.

Festivali “Retro” i zhvilluar në qytete të ndryshme të vendit vitet e fundit ka shfaqur interes të veçantë nga vizitorët vendas dhe të huaj./atsh/ KultPlus.com

Zbulohen disa nga emrat që do të performojnë në Beerfest Kosova 2024

Festivali Beerfest Kosova 2024, shpalos disa nga emrat e shquar të artistëve të cilët do të perforcojnë gjatë katër netëve aq sa do të zgjas festivali. Ndër ta, emrat e njohur si , Yll Limani, Ghetto Geasy, Sabri Fejzullahu, Sinan Vllasaliu, , Diona Fiona, Grupi 403, Ardi dhe Mirdoni, Buta, Blerando, Kida, La Fazani janë vetëm fillimi i një liste që do të vazhdojë të shtohet ditë pas dite.

Në ditët në vazhdim, do të prezantojmë emra tjerë të skenës muzikore që do të performojnë në festival.

Festivali nuk përfshin vetëm muzikën, por ofron një laramani aktivitetesh për të gjithë vizitorët. Nga degustimi i birrave të shumta vendore dhe ndërkombëtare, deri te këndi i ushqimit dhe pijeve jo alkoolike nuk do të mungojë asgjë për ta bërë këtë përvojë sa më mbresëlënëse për të gjithë.

Pra, bashkohuni me ne për të përjetuar emocionin, shijuar birrën duke krijuar kujtime të paharrueshme në BeerFest Kosova 2024!

Pagesat do të jenë “Cashless”, pra do të bëhen në mënyrë elektronike me byzylyk, në pikën e dedikuar brenda hapësirës së festivalit.

Beerfest Kosova do të mbahet në Parkingun prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë nga data 12 deri më 15 korrik 2024.

Këtu mund të rezervoni biletën tuaj, Early Bird Ticket

Për më shumë informacione rreth agjendës së aktiviteteve dhe për të rezervuar biletën tuaj në kohë, na ndiqni në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.

Kjo do të jetë një përvojë për të mos u harruar, me muzikë, birrë, ushqim dhe shumë surpriza të tjera!/ KultPlus.com

‘Luajmë dhe vallëzojmë’, fëmijë nga vendet e rajonit atmosferë festive në Kurbin

Edicioni i 27-të i festivalit “Luajmë dhe Vallëzojmë” solli në Kurbin, Laç, vlerat më të mira folkloristike të vendeve të rajonit e më gjerë si pasuri e çmuar kombëtare e popujve.

Të veshur me kostumet tradicionale të vendeve të tyre, grupet artistike nga Shqipëria, Kosova, Ukraina, Mali i Zi, Turqia, Rumania, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina, përmes këngëve, valleve e lojërave popullore  kthyen sheshin e qytetit në një arenë të artit dhe kulturës.

Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky festival.

Festivali synon të forcojë miqësinë mes fëmijëve në Ballkan dhe më gjerë, nxisë ruajtjen e identitetit dhe traditës popullore në një botë gjithnjë e më të hapur drejt globalizimit, si dhe të promovojë qytetin./atsh/ KultPlus.com

Festivali i makinave retro “pushton” Beratin, aktivitete për të gjitha moshat

Berati është veshur këtë fundjavë me ngjyrat e festivalit “Retro”, ku admiruesit e mjeteve klasike kanë pasur mundësi të prekin nga afër magjinë e mjeteve  të viteve 60-‘70-’80, me targa të personalizuara.

Ngjyrat festive dhe mjetet klasike “Retro” kanë tërhequr turistë, vizitorë dhe qytetarë të qytetit të një e mbi një dritareve. Kreu i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo ka publikuar foto nga atmosfera festive.

“Një superatmosferë sot në Beratin që gëlonte nga admiruesit e makinave retro. Qytetarët, vizitorët e turistët pushtuan pedonalen në të cilën sot nuk bënin vetëm shëtitje apo shijonin një kafe, por qëndronin gjatë në këmbë dhe bënin foto pafund”, shkruan Demo.

“Të mëdhenj e të vegjël të apasionuar pas të bukurës që s`e zbeh koha, shijuan festën “Kodikët e Retros”. Fëmijët? Për ata kishte edhe animatorë, lojëra dhe facepainting  në një festë që do të zgjasë deri nesër në orën 13:00”, përfundon Demo.

Festa RETRO këtë fundjavë është zhvendosur në Berat. Nga 10-12 maj, vizitorë, turistë dhe qytetarë do të kenë mundësi të shohini nga afër koleksionin klasik të mjeteve të viteve ‘60-‘70-’80. Përtej paradës së automjeteve Retro, gjatë orëve të mbrëmjes do të zhvillohen afër projeksionet shumëngjyrëshe mbi muret e Portës së Pashait.

Eurovizion 2024, dy gjysmëfinalet më 7 dhe 9 maj, nata finale më 11 maj

Vetëm pak orë na ndajnë nga spektakli i “Eurovision 2024”, i cili mbledh artistët nga e gjithë Evropa.

Eurovizioni sivjet do të mbahet në Malmo në Suedisë me dy gjysmëfinale më 7 dhe 9 maj. Artistet pjesëmarrës siç e do tradita kanë bërë dhe paradën e tyre në tapetin Turkez.

Shqipëria do të performojë natën e dytë të gjysmëfinales së Eurovision 2024 ku pas hedhjes së shortit, është përcaktuar se do të jetë e 6-ta në radhë, të enjten e 9 majit, kur do të zhvillohet edhe gjysmëfinalja e dytë.

Besa Kokëdhima do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2024 me këngën “Titan”.

Ajo ka marrë besimin e publikut në Festivalin e 62 –të të Këngës në RTSH për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 68-të të Eurovizion-it.

Përfaqësimi i Besës në këtë kompeticion ka marrë një vëmendje të veçantë.

“E kanë cilësuar si një performancë dinjitoze, Besën me një vokal shumë të mirë, me një mesazh shumë të bukur. Me provat që janë realizuar deri tani duket se gjithçka është përfekte”, tha moderatori Andri Xhahu.

Përsa i përket votimit në Eurovizion, moderatori Andri Xhahu tregon detajet.

“Votimi është shumë i rëndësishëm pasi nga gjysmëfinalja, dhjetë finalistët vlerësohen nga vota e publikut. Votohen në dy forma: Shqiptarët që ndodhen në shtetet që janë në garë në natën e dytë gjysmëfinale mund të votojnë me kodin 02 në numrat e telefonit vendosur në dispozicion nga shteti ku ata jetojnë, nga vendet pjesëmarrëse. Ndërsa, të gjithë shqiptarët që ndodhen kudo nëpër botë, tani është votimi rest of the world (pjesa tjetër e botës) ku mund të votohet online 24 orë përpara se të çelet votimi i online në esc.vote ku mund të votohet për Shqipërinë deri në 20 herë nga çdo vend i botës,” tha Xhahu për RTSH.

Eurovision 2024 do të transmetohet drejtpërdrejtë edhe në RTK.

Vetëm 16 shtete do të zgjidhen nga dy gjysmëfinalet për të vijuar më pas në finalen e madhe që do të zhvillohet më 11 maj, të cilat do t’u bashkohen 5 shteteve të përhershme finaliste./rtsh/KultPlus.com

Festivali i muzikës baroke ‘AlBa’ vijon turneun në Durrës

Festivali kushtuar muzikës baroke “AlBa” vijoi turneun në teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Teatri Kombëtar i Operas e Baletit njofton se në koncertin “La Piazza, la Chiesa, Il Teatro”, artistët dhe instrumentistët, së bashku me të pranishmit në sallë, bënë “një udhëtim” në kulturën e shenjtë dhe profane popullore nga humanizmi në periudhën baroke.

Koncerti u dirigjua nga Francesco Aliberti. Interpretuan zëra të njohur, si Noemi Sangiacomo, Samantha Franchino, Vito Nigrol, Marco Falvella etj. Instrumenstistë, Marco Salvato, Samuele Notarfrancesco etj.

Përgjatë katër muajve, dhjetë koncerte të ndryshme, nga dhjetë grupe të ndryshme që interpretojnë muzikë antike të njohur dhe më pak të njohur, do të ngjiten në skenën e TKOB-së dhe më gjerë për një audiencë që përfshin të gjitha moshat./atsh/KultPlus.com