Fëmijët e prekur nga leukemia përfitojnë nga festivali i rokut në Prishtinë

Festivali “Metal United World Wide II” që u mbajt në Prishtinë në muajin qershor, iu bashkua botës në solidarizim nëpërmjet muzikës.

Siç edhe u paralajmërua, 30 për qind e të hyrave nga shitja e biletave janë dhuruar për fëmijët e prekur nga sëmundja e leukemisë përmes “Cure2Children Kosovë”.

Përfaqësuesit e kësaj organizate e kanë pranuar çekun në vlerë prej 2 mijë e 250 eurosh donacion, transmeton KTV.

“Shpresojmë që ky akt i vogël bamirësie do të ndihmojë në ngritjen e përgjithshme të vetëdijes së shoqërisë sonë për çështjet sociale e humanitare. ‘Rockuzinë’ dhe komuniteti i rock dhe metal skenës kosovare do të vazhdojë me përkushtim të madh të ndihmojë grupet më të prekura të shoqërisë kosovare në çfarëdo forme të mundshme, edhe në të ardhmen”, ka thënë Jonian Slivova, menaxher në “Rockuzinë”.

Metal United World Wide organizohet në Kosovë, të hyrat dhurohen për fëmijët e prekur nga leukemia

Metal United World Wide (MUWW) II, koncerti me famë botërore që organizohet në 70 shtete e përfshinë mbi 300 bende të ndryshme rock e heavy metal, po organizohet për herë të dytë në Kosovë.

Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, Metal United World Wide II është pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e inovative për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.

Kjo ngjarje e veçantë e rock dhe heavy metal muzikës do të organizohet të Shtunën, më 15 Qershor 2019 nga ora 17:00, në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, e ku do të performojnë: – Eugent Bushpepa, nga Tirana – Sunchair nga Dusseldorf – Jericho nga Prishtina – Harmed nga Budapest – si dhe bendet 4×4, Land of Confusion, Frisson, Krieg, Sotap dhe Shlem, nga Prishtina.

Metal United World Wide (MUWW) ka filluar të organizohet që nga viti 2014 në Australi. Nga viti 2018, në kuadër të MUWW mbahen koncerte të llojit të njejtë, në të gjithë botën, në të njejtën datë, të identifikuar me të njejtin flamur.

Rockuzinë ka kënaqësinë që për herë të dytë ta vendos Kosovën në hartën e MUWW, ku muzika rock e heavy metal bashkon bende, fansa, organizator dhe media duke krijuar një ndejë të komunitetit që tërheq vëmendjen e të gjithëve. 30% e të hyrave nga biletat do të dhurohen për fëmijët e prekur nga sëmundja e leukemisë, përmes Cure2Children Kosove.

Çmimi i biletës është 5 Euro, ndërsa në hyrje kushton 8 Euro. Biletat për koncertin MUWW II mund të blihen në: Rockuzinë (Prishtinë), Dit’ e Nat’ (Prishtinë), MIQT Pub (Prishtinë), Deck (Prishtinë), Check in Bar Ferizaj (Ferizaj), BarAca (Prizren), MuseumPub (Mitrovicë), Bar “Hardhia” (Rahovec), Diesis Music Hall (Tiranë).

Për më shumë informata/pyetje rreth oraganizimit ju lutemi na vizitoni në webfaqen tonë, Facebook apo Instagram.

Fatos Dobroshi/Media contact

[email protected]

+38344110, +38349610804/KultPlus.com