Nominohet për konkursin “Mies Van der Rohe”, arkitekti: Neglizhenca ndaj këtij profesioni, pasoja katastrofike

Arkitekti Saimir Kristo është përzgjedhur si “Nominues i pavarur”, për të përfaqësuar Shqipërinë në konkursin evropian të arkitekturës “Mies Van der Rohe”. Arkitekti edhe dizajnuesi urban na rrëfen se në fokus të përzgjedhjes së tij janë vlerat e larta etike në projektim.

“Si nominues i pavarur, për herë të dytë, kam mundësi të zgjedh në mënyrë të lirë projekte, që unë i konsideroj të vlefshme, realizuar gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri. Në vëmendje për të nominuar kam projektet edhe arkitektët, që kanë kontribuar në sjelljen e një projekti, që mbart vlera etike në profesion. Ky është elementi themelor”.

Përgjatë dy viteve, Kristo ka udhëtuar nëpër Shqipëri, për të zbuluar arkitekturën bashkëkohore. Megjithatë, projektet cilësore sipas tij, janë të pakta.

“Mua më pëlqen të udhëtoj dhe të zbuloj arkitekturën modeste, të përulur në sensin e mirë të fjalës. Kemi shpesh projekte pompoze. Por, sfida ime është të gjejë projekte të vogla në përmasë, por të mëdha në vlerë arkitektonike. Do të konsideroja shumë banesat individuale, komoditetin në banim, por edhe një pastërti mendimi. Një nga hapësirat që mund të mbarte vlera të tilla është “Shëtitorja e re” në Shirok të Shkodrës”.

Këto pasoja katastrofike në projekte, sipas tij, ndodhin për shkak të zhvlerësimit të profesionit të arkitektit.

“Arkitektura kërkon kohë, deri në realizim. Duke u bërë një lloj spekulimi me ndërtimin e pronës kemi parë objekte, që kanë zënë vend, por që nuk shkojnë përtej të ndërtuarit, s’kanë kaluar tek të qenit arkitekturë. Shumë pak objekte kemi, që kanë vlerë arkitektonike. Vitet e fundit arkitekti është bërë pjesë e një diskutimi formal, kjo ndodh dhe për arkitektët e huaj. Këtë neglizhencë ndaj profesionit të arkitektit, e vëmë re tek pasojat katastrofike në kryeqytet. Dikur në dritare shikonim Dajtin, kjo s’ndodh më”.

Konkursi ndërkombëtar bëhet në nder të arkitektit të njohur Ludwig Mies van der Rohe (Mis Van de Rohe) që prej vitit 1988, si një ndër arkitektët që solli të renë edhe modernen në arkitekturë. / Shqiptarja.com / KultPlus.com