547-vjetori i lindjes së Mikelanxhelos: Festimi i jetës dhe trashëgimisë së një artisti vizionar

Ndërsa festojmë 547-vjetorin e lindjes së Mikelanxhelos, është e vështirë të mos mahnitemi nga përmasat e mëdha të kontributeve të tij në botën e artit. I lindur më 6 mars 1475, në qytetin e vogël toskan të Caprese, Michelangelo Buonarroti ishte një skulptor, piktor, arkitekt dhe poet.

Ndoshta më i njohur për afresket e tij mahnitëse në Kapelën Sistine, talentet artistike të Mikelanxhelos ishin të dukshme që në moshë të re. Vetëm në moshën 13-vjeçare, ai filloi një praktikë me piktorin Domenico Ghirlandaio, ku ai zhvilloi aftësitë e tij në pikturimin e afreskut, një teknikë që më vonë do të ishte thelbësore në punën e tij në Kapelën Sistine.

Gjatë gjithë karrierës së tij të shkëlqyer, Michelangelo prodhoi disa nga veprat më ikonike të artit në histori. Nga Pieta befasuese në Bazilikën e Shën Pjetrit deri te statuja e Davidit në Firence, skulpturat e tij kapën thelbin e formës njerëzore në një mënyrë që ishte e paprecedentë në atë kohë.

Por ishte puna e tij në Kapelën Sistine që me të vërtetë çimentoi vendin e Mikelanxhelos në histori. I porositur nga Papa Julius II në 1508, Michelangelo kaloi katër vjet rraskapitës duke pikturuar tavanin e kishës, duke krijuar një kryevepër që do të frymëzonte brezat e artistëve që do të vinin.

Pavarësisht talentit të tij të jashtëzakonshëm, Michelangelo ishte një figurë e ndërlikuar. Ai ishte i njohur për temperamentin e tij të ashpër dhe shpesh përplasej me klientët dhe kolegët e tij artistë. Por përkushtimi i tij për zanatin e tij ishte i palëkundur dhe trashëgimia e tij vazhdon deri më sot.

Ndërsa reflektojmë mbi jetën dhe veprën e Mikelanxhelos, është e qartë se ai ishte më shumë sesa thjesht një artist. Ai ishte një vizionar, kontributet e të cilit në botën e artit vazhdojnë të na frymëzojnë dhe magjepsin më shumë se pesë shekuj pas lindjes së tij. / KultPlus.com

Ibrahim Rugova si lider vizionar, fener shprese për të ardhmen e Kosovës

Ibrahim Rugova, politikan i shquar kosovar dhe lider i pavarësisë, vdiq më 21 janar 2006, shkruan KultPlus.

Rugova ishte një figurë kyçe për kombin shqiptar në Kosovë gjatë fundit të shekullit të 20-të dhe rezistenca e tij paqësore ndaj sundimit jugosllav ndihmoi në hapjen e rrugës për pavarësinë eventuale të rajonit.

Ai u zgjodh President i Republikës së Kosovës në vitin 2002 dhe shërbeu deri në vdekjen e tij në vitin 2006.

Stili i udhëheqjes së Rugovës karakterizohej nga përkushtimi i tij ndaj jodhunës dhe theksi i tij në arsim dhe kulturë si mjete për arritjen e pavarësisë. Ai ishte një mbrojtës i fortë i gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe përpjekjet e tij ndihmuan në krijimin e një ndjenje të fortë të identitetit kombëtar te shqiptarët e Kosovës.

Pavarësisht qasjes së tij paqësore, Rugova u përball me rezistencë të konsiderueshme nga qeveria jugosllave, e cila e shtypi lëvizjen e tij dhe e arrestoi disa herë.

Megjithatë, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e tij ndihmuan përfundimisht në pavarësinë përfundimtare të Kosovës në vitin 2008.

Trashëgimia e Rugovës jeton në Kosovë, ku ai kujtohet si hero dhe simbol i luftës së vendit për liri. Rezistenca e tij paqësore dhe theksi mbi arsimin dhe kulturën vazhdojnë të frymëzojnë gjeneratat e ardhshme të kosovarëve.

Vdekja e Ibrahim Rugovës shënoi një humbje të madhe për politikën kosovare, lufta dhe përkushtimi i tij paqësor drejt pavarësisë së Kosovës do të mbahet mend gjithmonë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e vendit.

Puna dhe trashëgimia e tij do të jenë gjithmonë burim frymëzimi për popullin e Kosovës. /KultPlus.com

Arkitekti shqiptar pjesë e projektit ‘Filamonia e Gjenevës’

‘Cité de la Musique’, në shqip ‘Filarmonia e Gjenevës’, quhet projekti i cili ka për synim të gërshetojë kulturën dhe muzikën brenda një objekti të përkryer, i cili është duke u zhvilluar në Zyrën e Arkitekturës në Gjenevë, Pierre-Alain Dupraz Architectes.

Në këtë projekt nuk mungon edhe një shqiptar.

Bëhet fjalë për Denis Sermaxhaj, 28-vjeçari me prejardhje shqiptare, arkitekt në këtë zyrë e që po merr pjesë në zhvillimin e këtij projekti. Ai ka treguar për albinfo.ch më shumë rreth projektit ‘Cité de la Musique’.

“Projekti rrjedh nga një konkurs ndërkombëtarë i arkitekturës në vitin 2017. Objekti i cili do këtë në mesin e tij, Fakultetin e muzikës (hem Genève), orkestrën e Zvicrës romande, bibliotekë, restaurant, etj.. në një fjalë objekt i përkryer për kulturën dhe muzikën, për të cilin jam përgjegjës i zhvillimit të fasadave që janë mjaftë të vështira dhe estetike”, thotë Sermaxhaj.

‘Filarmonia e Gjenevës’ deri më sot ka kaluar të gjitha fazat e zhvillimit, megjithatë një iniciativë popullore e shndërruar në referendum rrezikon anulimin e tij.

“Projekti ka kaluar deri sot të gjitha fazat e zhvillimit, por një iniciativë popullore është nisur në vjeshtën e kaluar pas aprovimit të planit hapësinor, nga Këshilli komunal i Komunës së Gjenevës dhe tashmë kjo iniciativë është shndërruar në një referendum që rrezikon anulimin total të projektit. Votimi do të jetë më datën 13 qershor 2021. Arsyet e oponentëve janë të bazuara në faktin që ky projekt nuk zotëron të gjitha zhanret e muzikave apo se për të ndërtuar këtë projekt duhet prerë disa pemë, etj…”, është shprehur Denis Sermaxhaj.

Votimi për këtë çështje do të jetë vetëm për banorët e komunës së Gjenevës. Ndërsa, arkitekti Sermaxhaj, ka kërkuar mbështetje nga shqiptarët që jetojnë në këtë komunë që projekti ‘Cité de la Musique’ të mos anulohet, derisa ka treguar edhe për rëndësinë që përmban ky projekt për komunitetin shqiptar atje.

“Popullsia shqip-folëse me kombësi nga Kosova dhe Shqipëria në këtë komunë, është mjaftë e konsiderueshme. Përfundimi pozitiv i këtij votimi, mund të luaj rol të rëndësishëm për rininë që rrjedhë nga familjët shqiptare, duke e ditur që numri i të rinjve që vazhdojnë studimet shkon duke u rritur, dhe ky projekt kontribon në këtë drejtim duke e pas parasysh që është i financuar pothuajse totalisht nga një fondacion privat botëror i njohur, dhuruar për kantonin e Gjenevës”, ka përfunduar Denis Sermaxhaj, për Albinfo.ch. / KultPlus.com

Shqiptari Atdhe Belegu, arkitekti më i vlerësuar me çmime në Norvegji

Arkitekti me origjinë shqiptare Atdhe Belegu është personazhi i përzgjedhur në kopertinën e gazetës mujore “Arkitektnytt”. 28 vjeçari i lindur në Norvegji, me prejardhje nga Peja po i ngjit suksesshëm shkallët e karrierës. Gazeta e njohur norvegjeze i kushton plot 7 faqe arkitektit shqiptar Atdhe Belegu ku shkruhen detaje për prejardhjen e tij, suksesin, studimet e suksesshme dhe çmimet e fituara në fushën e arkitekturës.

Ndonëse vetëm 28 vjeç Atdhe Belegu është arkitekti më i vlerësuar me çmime në Norvegji. Në 2017 ai mori çmimin më të lartë nga shkolla e arkitekturës në Bergen për punimin e tij të magjistraturës. Me vonë ai fitoi çmimin e “Statsbygg” për arkitekturë të shkëlqyeshme (2017), çmimin Aspelin Ramm (2018), Europan Norway (2019) dhe çmimin DOGA (2020). Në 2019 Estate Media e përfshiu Atdhe Belegun në listën e “10 të rinjve në ngritje’’.

Në intervistën e dhënë për “Arkitektnytt” ai flet për punën e tij, për sfidat e mëdha të proceseve aktuale të zhvillimit urban në Norvegji dhe se si një vend ku mund të ketë zhvillim të suksesshëm dhe të qëndrueshem përmes një zhvillimi të kontekstualizuar, e cila po ashtu karakterizon punën e Atdheut. 28-vjeçari me prejardhje nga Peja, i lindur në Norvegji, ka kryer studimet master në shkollën e arkitekturës në Bergen të Norvegjisë me projektin “03 Assembly Palace”, me të cilin edhe kishte garuar për çmimin “Aspel Ramm”, duke u shpallur fitues.

Menjëherë pas studimeve, Belegu filloi punën si arkitekt në studion arkitekturore “Mad”, në Norvegji, duke nisur kështu një karrierë të suksesshme që deri më sot është vlerësuar mjaft.`/ diasporashqiptare/ KultPlus.com

Nominohet për konkursin “Mies Van der Rohe”, arkitekti: Neglizhenca ndaj këtij profesioni, pasoja katastrofike

Arkitekti Saimir Kristo është përzgjedhur si “Nominues i pavarur”, për të përfaqësuar Shqipërinë në konkursin evropian të arkitekturës “Mies Van der Rohe”. Arkitekti edhe dizajnuesi urban na rrëfen se në fokus të përzgjedhjes së tij janë vlerat e larta etike në projektim.

“Si nominues i pavarur, për herë të dytë, kam mundësi të zgjedh në mënyrë të lirë projekte, që unë i konsideroj të vlefshme, realizuar gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri. Në vëmendje për të nominuar kam projektet edhe arkitektët, që kanë kontribuar në sjelljen e një projekti, që mbart vlera etike në profesion. Ky është elementi themelor”.

Përgjatë dy viteve, Kristo ka udhëtuar nëpër Shqipëri, për të zbuluar arkitekturën bashkëkohore. Megjithatë, projektet cilësore sipas tij, janë të pakta.

“Mua më pëlqen të udhëtoj dhe të zbuloj arkitekturën modeste, të përulur në sensin e mirë të fjalës. Kemi shpesh projekte pompoze. Por, sfida ime është të gjejë projekte të vogla në përmasë, por të mëdha në vlerë arkitektonike. Do të konsideroja shumë banesat individuale, komoditetin në banim, por edhe një pastërti mendimi. Një nga hapësirat që mund të mbarte vlera të tilla është “Shëtitorja e re” në Shirok të Shkodrës”.

Këto pasoja katastrofike në projekte, sipas tij, ndodhin për shkak të zhvlerësimit të profesionit të arkitektit.

“Arkitektura kërkon kohë, deri në realizim. Duke u bërë një lloj spekulimi me ndërtimin e pronës kemi parë objekte, që kanë zënë vend, por që nuk shkojnë përtej të ndërtuarit, s’kanë kaluar tek të qenit arkitekturë. Shumë pak objekte kemi, që kanë vlerë arkitektonike. Vitet e fundit arkitekti është bërë pjesë e një diskutimi formal, kjo ndodh dhe për arkitektët e huaj. Këtë neglizhencë ndaj profesionit të arkitektit, e vëmë re tek pasojat katastrofike në kryeqytet. Dikur në dritare shikonim Dajtin, kjo s’ndodh më”.

Konkursi ndërkombëtar bëhet në nder të arkitektit të njohur Ludwig Mies van der Rohe (Mis Van de Rohe) që prej vitit 1988, si një ndër arkitektët që solli të renë edhe modernen në arkitekturë. / Shqiptarja.com / KultPlus.com

Përmes artit, arkitekti shqiptar nga Finlanda në ndihmë të fëmijëve me autizëm

Situata e Covid -19 ka bërë që shumë njerëz të jenë më kreativ gjatë kohës së izolimit të tyre. Kështu ka ndodhur edhe me arkitektin kosovar Lulzim Behxheti, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Helsinki të Finlandës. Ai njihet si arkitekti i shtëpive ekologjike dhe është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare.

Gjatë kësaj kohe ai ka realizuar portrete të ndryshme të miqve e personaliteteve shqiptare në një teknikë të veçantë me një laps e një letër të thjeshtë blloku. Kjo nismë nisi si një komunikim me miqtë në mungesë të tyre.

Duke parë që portretet në FaceBook u pëlqyen, ai nisi ta zgjeronte hartën e miqve, duke përfshirë edhe ata virtualë. Pas këtij pasioni dhe malli për miqtë lindi dhe ideja për ndërtimin një fondacion bamirësie të quajtur “ Vjosa “ me seli në Helsinki në mbështetje të fëmijëve me autizëm.

Qëllimi është hapja e një ekspozite në Bruksel e hapi tjetër mbajtja e një mbrëmje Gala në Prishtinë për të nxjerrë punimet në ankand. Të ardhurat që do të mblidhen do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve me autizëm.

Arkitekti nuk është i fokusuar vetëm tek fëmijët me këtë sindromë, por edhe tek adoleshentët që kanë nevojë për një trajtim ekstra në këtë moshë delikate, në mënyrë që të fillojnë të jetojnë të pavarur, duke u integruar në shoqëri e duke u bërë pjesë e tyre.

Në galerinë e këtyre portreteve mund të përmendim familjen Ora ( të këngëtares Rita Ora ) atë të Kastriotëve, Adi Krasta, Vjosa Osmani, etj. Ambasadore e këtyre portreteve është princesha, siç e quan vetë arkitekti Alea Mehaj, Miss Bota për fëmijë, e cila jeton në Norvegji.

“E kam bërë miken më të mirë. Bashkë me të dhe me të tjerët synojmë të bëjmë mrekulli. Më e pakta që mund të bëjmë është shitja e portreteve, ndërkaq maksimumi që mund të bëjmë është t’i ndërtojmë 30 shtëpi modulare, të gjitha prej druri, për fëmijët me autizëm. Kam kontaktuar edhe me Shoqatën e personave me autizëm në Finlandë, për të na dhënë instruksionet e tyre se si të ndërtohen këto shtëpi. Ideja është që këto shtëpi do të ndikojnë që fëmijët me autizëm të ndihen të pavarur kur të arrijnë moshën madhore. Por, ato mund të përdoren edhe në formë të shkollave, për parashkollor dhe ciklet tjera” – përfundon ai. / Living / KultPlus.com

Atdhe Belegu fiton çmimin “Aspel Ramm” në Novergji

Kohëve të fundit janë shpeshtuar sukseset e të rinjve kosovarë në fushën e arkitekturës. Këtë e dëshmon edhe një herë rasti i Atdhe Belegut, i cili ka fituar çmimin “Aspel Ramm”, një prej çmimeve më të rëndësishme arkitekturore në Norvegji.

Dhe jo vetëm kaq. Ky është çmimi i dytë që Atdhe Belegu mban, përfshirë edhe çmimin “Statsbygg”.

Ndërtimi.info ka kontaktuar me Belegun, i cili ka treguar rreth pjesëmarrjes së tij në garën për këtë çmim, i cili përpiqet të inkurajojë zhvillimin e njohurive që kontribuojnë për një një zhvillim më të mirë dhe më të orientuar të qyteteve.

25-vjeçari me prejardhje nga Peja, i lindur në Norvegji, ka kryer studimet master në shkollën e arkitekturës në Bergen të Norvegjisë me projektin “03 Assembly Palace”, me të cilin edhe kishte garuar për çmimin Aspel Ramm, duke u shpallur fitues.

Menjëherë pas studimeve, Belegu kishte filluar punën si arkitekt në studion arkitekturore “Mad”, në Norvegji.

“Për të kandiduar për çmim, projekti me të cilin kandidon duhej të ishte jo më i vjetër se 5 vjet. Pasi që të gjitha dokumentet përkatëse u dërguan, juria përzgjodhi 4 projekte të cilat më pas, ne 4 finalistët, i prezantuam në Oslo Urban Arena me 18 shtator”, tregon Belegu rreth pjesëmarrjes.

E për të depërtuar në këto gara, ai thotë se nuk ka qenë edhe e lehtë.

“Nganjëherë mund të jetë sfidues formati i projektit që përcaktohet e kërkohet për dorëzim nga organizatorët pasi që jo çdoherë përkon me formatin në të cilën e ke përshtatë ti vetë nga fillimi. Jashtë kësaj nuk kam përjetuar ndonjë pengesë”, shprehet Belegu për ndertimi.info.
Ai tani është duke punuar me projektin për ndërtimin e një parku institucional në Tønsberg të Norvegjisë, megjithatë, suksese e arritura deri tani, po e frymëzojnë atë për t’u bërë pjesë e garave të ndryshme ndërkombëtare.

“Ende nuk kam kandiduar për ndonjë çmim ndërkombëtar, por këto që i kam fituar tani në Norvegji me frymëzojnë të shikoj edhe përtej Norvegjisë. Momentalisht jam i përfshirë në një projekt në Tønsberg të Norvegjisë ku jemi duke e realizuar një park të ri institucional në atë rajon”, tregon ai.

Edhe pse Belegu nuk ka punuar ende me ndonjë projekt në Kosovë, ambiciet e tij për të ardhmen përfshijnë, ndër të tjera, ndërtimin dhe stimulimin e mekanizmave që frymëzojnë një zhvillim më të qëndrueshëm të arkitekturës në Kosovë./KultPlus.com

Rruga më e famshme në Hamburg vjen me një projekt të madh, i besohet arkitektit Përparim Rama

Arkitekti i suksesshëm nga Kosova, Përparim Rama i cili ka themeluar Grupin 4M në vitin 2004 , aty ku edhe ushtron rolin e drejtorit, po vazhdon suksesshëm me projektet e tij të një pas njëshme.

Grupi 4M janë aktivë në zhvillim, projektim dhe ndërtimi, që veprojnë jashtë zyrës në Londër, Prishtinë dhe Irlandën e Veriut.

Rruga më e famshme në Hamburg po sjellë një projekt ngazëllues dhe për këtë projekt është angazhuar pikërisht Grupi 4M i udhëhequr nga arkitekti kosovarë Përparim Rama.

Në këtë rrugët ata do të hartojë dy hotele.

Rama është shprehur i ngazëllyer për këtë projekt duke thënë së do të na mbajë të njoftuar në procesin e bërjes së tij.

“’The Sinful mile’, siç e përshkruan Wikipedia, ose St Pauli, rruga më e famshme në Hamburg e emëruar sipas një kishe akoma funksionale, është tani një projekt ngazëllues për ekipin tonë. 4M GROUP (www.4mgroup.co.uk) sapo i është kërkuar të hartojë dy Hotele këtu. Ne jemi shumë të ngazëllyer dhe do t’ju mbajmë të përditësuar në procesin e bërjes së tij”, ka shkruar Rama në Facebook. / KultPlus.com

Përparim Rama: Pata menduar që është mirë ta bëjmë një Park të Memorialëve

Alberina Haxhijaj

Arkitekti Përparim Rama ka mbajtur sot një ligjëratë në Universitetin e Prishtinës për të diskutuar me studentët dhe të pranishmit rreth temës “Përtej Memorialëve”, duke vënë në fokus projektin e tij për kompleksin memorial “Adem Jashari”, shkruan KultPlus.

Ai fillimisht kujtoi momentin kur si i vogël shëtiste rreth Fakultetit Filozofik, ku edhe u mbajt diskutimi. Po ashtu kur kalonte kohë edhe afër Bibliotekës Kombëtare, ndërtesë kjo që ka ndikuar që ai të bëhet arkitekt.

Arkitekti Përparim Rama, këshilloi studentët që ajo që ka më shumë rëndësi është lidhshmëria që krijojnë njerëzit me ndërtesat dhe ndikim që kanë këto të fundit të njerëzit. Prezantuesi i parë i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në vitin 2012 tha se interaksioni me hapësira është një ndër elementet kyçe te secili projekt që ai e bënë.

Këtë element ai e ka përfshirë edhe në memorialin Adem Jashari projektin e të cilit ai e ka realizuar në vitin 2012 mirëpo që ishte refuzuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.

“Ideja kyçe e memorialit është që përveçse restaurimit dhe konservimit vizitorët të mund të afrohen sa më afër ngjarjes dhe mënyrës sesia ajo ka ndodhur. Pikërisht për faktin se tashmë ekzistojnë edhe mënyra të ndryshme teknologjike të cilat ne mundemi me i shfrytëzuar për të sjellë një përjetim sa më real afër vizitorëve”, u shpreh ai duke diskutuar për elementet që përbente projekti i tij më në detaje.

Në këtë diskutimi është folur edhe për ndërtimin e memorialëve nga ana e familjes diçka e cila është konsideruar një temë shumë e ndjeshme.

“Memorialët të cilat janë ndërtuar kryesisht në hapësira publike, rrugë, sheshe, apo edhe nëpër vende të tjera lënë ndikim te shoqëria. Në qoftë se nuk janë të menduara mirë lënë ndikimi negative edhe pse ato nuk janë ndërtuar me asnjë prapavijë pas tyre. Pata menduar që do të ishte mirë që të bëjmë një park të memorialëve ku mblidhen këto dhe në një mënyrë të ju ofrojmë strehim, një shpi, pra mos të i lëmë nëpër rrugë. Pra një vend ku do të mbroheshin institucionalisht dhe tregimi do të rrëfehej në atë mënyrë që të mos krijojë ndikim negativ”, tha Rama.

Sipas tij ndërtimi i memorialëve në hapësira publike është bërë pikërisht pas çlirimit kur ka ndodhur një vakum në sistemin shtetëror, kështu njerëzit e kanë konsideruar hapësirën publike si të tyren.

Profesoresha Linda Gusia e cila e kishte ftuar arkitektin Përparim Rama për këtë ligjëratë u shpreh se pjesa më e dhimbshme kur kemi të bëjmë me kujtesën kolektive sa i përket periudhës së luftës është zhdukja e anës humanitare te ngjarjet të cilat kanë lidhje me luftën.

“Kur kam vizituar shtëpinë e Jasharajve pas sulmit ka pasur shumë bredha e gëzhoja, pastaj gjësendet që i kanë lënë nëpër shpi anëtarët, e që të gjitha këto sot janë largu. Ajo që më shqetëson në përgjithësi të kumtesa e luftës është një gati dehumanizim. Në këtë procesin e heroizmit po i dehumanizojmë, po e zhveshim prej elementit njerëzor ngjarje”, tha ajo duke treguar se çfarëdo kujtimi që do i bëhet këtij memoriali duhet që të ketë në vete aspektin familjarë duke përfshirë gratë dhe fëmijët e kësaj familje.

Kujtojmë se projektin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, e ka fituar kompania sllovene “AG-Inzineering”, e që kosto e tyre ka dalë 6 milionë euro, si parashikim për punën që do zgjaste 2 vite. Shuma e njëjtë që ishte ofruar nga arkitekti Rama për projektin e tij./ KultPlus.com