Kanga e rinisë

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni.

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit te përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na – se hyjt ta kanë zili
e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.

Dy Buzë

Poezi e shkruar nga Migjeni.

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta…

Dy buzë si tëpërgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur mu njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen…

Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjsë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…