Melodi e këputun – lot i kjartë nga syni i një grues së dashun… andje e përplasun, xhevahir i tretun, një andërr e shkelun, buzë e paputhun në melodin e këputun.
Nga vaji i heshtun shkunden supat e zhveshun, verbojnë nga zbardhimi… e ther, ther hidhnimi për çastet e rrëshqitun, për fatin e ikun, për gëzimin e humbun në melodin e këputun.
Brrylat ndër gjujë të mpshtetun, ftyrë në shplakë e fundosun: Qan grueja e pikllueme me zemër të piskueme (një kitarë e gjymtun, za kange i mbytun në buzë nga dhimb’ e puthun në melodin e këputun).
Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme… syni i venitet në të loti vërvitet, diçka nxjerr nga xhepi grues ia lë – dhe së shpejti e len gruen e humbun në melodin e këputun.
Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet, gjaqet turbullohen, përzihen, përvlohen, çohen peshë, tërbohen … e vetëm ndëgjohen ahtët e molisun në melodin e grisun. / KultPlus.com
Libri i Migjenit ‘Bukuria që vret’, është përkthyer në gjuhën italiane nga shtëpia botuese ‘Besa’, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një postimi në Facebook nga ana e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Ndërkaq përkthimi është bërë nga Ada Prizreni.
“Kemi kënaqësinë të ndajmë lajmin e përkthimit në Gjuhën Italiane nga Shtëpia Botuese Besa të Migjenit (Millosh Gjergj Nikolla) me vëllimin “La bellezza che uccide” (Bukuria që vret) me përkthim nga Ada Prizreni”, thuhet ndër të tjera në status.
Millosh Gjergj Nikolla i njohur më shumë përmes nofkës Migjeni ka qenë poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh./ KultPlus.com
Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj feste tjetër. Nuk shkruej, pse urimet qe n’ato dite tan bota ban, nuk dij a plotësohen një për qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja.
Por kësaj here due te hyj ne rradhën e njerëzve korrekte dhe t’u uroj shokve te mi Motmotin e Ri 1937. Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, qe te mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue mundunve, as britmën e ngadhnjysve në këtë jetë. Te mos dëgjosh bubullimën e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos dëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga teë ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq?
E gjuha ne vend te dhëmballës përgjigjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohte, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun. Se dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, ne sentimentalizëm, të puthish drrasat e dhomës e shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht).
Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe pse n ‘anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Te jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerëve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku të rrish, ti qeshu.
Në rast se s’ke zjarrm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonj ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu. Del në rruge bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu,qeshu,qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të të vije në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botës vetvetja dhe do të filloje të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smunde patalogjisht. / KultPlus.com
Millosh Gjergj Nikolla që të gjithë e njohim me nofkën e tij prej shkrimtari, Migjeni, sot ka ditëlindjen.
Pikërisht sot, moderatorja dhe gazetarja Rudina Xhunga, vizitoi shtëpinë e tij, tashmë muzë, në Pukë. Në këtë shtëpi ku ai dha mësim 84 vjet më parë, Xhunga kërkon të mos harrohet, nga populli dhe nga shteti. Sipas saj, kjo shtëpi që mbart një vlerë të madhe historike për gjithë shqiptarët, duhet rinovuar.
“84 vjet më parë, në Pukë erdhi Migjeni, jepte mësim në këtë klasë. 84 vjet më parë, ai qëndronte këtu, para kësaj banke, ku mbase ishte ulur Luli i vocërr… dhe profesori i ri ia shikonte këpucët e shqyera … Dhe bëri një nga poezitë më të bukura të shqipes e bashkë me të shumë poezi e shumë vargje të tjera morën krahë në Pukë. Këtu nisën udhëtimin e parë. Kjo është shtëpia muze e Migjenit në Pukë. Është një shtëpi e shpëtuar nga shkatërrimi, por jo ashtu siç meriton të jetë shtëpia e vërtetë ku dha mësim Migjeni. Ju lutem, pash Zotin, rregullojeni këtë shtëpi! Bëjeni nga e para, bëjeni mirë!”, -shprehet Xhunga, në një video që ndau në llogarinë e saj në Instagram.
Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Të paharruara do të mbesim krijimet e tij letrare si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, ku fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit. / KultPlus.com
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona, e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye, por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.
Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme… Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke… Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme… O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve. Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit, Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!
Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme, krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbune me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme, kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.”/ KultPlus.com
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka përkujtuar sot 109-vjetorin e lindjes së poetit tonë kombëtar Migjenit.
“Vargjet e poetit tonë kombëtar, Migjeni, janë një urgan i përhershëm frymëzimi dhe kushtrimi, që burojnë nga dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk e durojnë dot shtypjen dhe padrejtësinë”, është shprehur Meta.
“Ato simbolizojnë grushtin e fuqishëm të revoltës mbarëpopullore në çdo kohë, kundër së keqes, mjerimit, padrejtësisë, shfrytëzimit, dhunës, korrupsionit, arrogancës dhe mashtrimit politik”, ka theksuar Meta.
“Sot, në 109-vjetorin e lindjes së Migjenit, vargjet e tij vijnë më aktuale se kurrë. Të ardhmes europiane të vendit, i është vendosur para një “Mal që s’bëzanë” sterrë i zi, i ngritur mbi shkatërrimin e shtetit dhe dinjitetit njerëzor, mbi korrupsionin e llahtarshëm dhe përdhosjen e çdo vlere kombëtare”, theksoi Meta.
Por, ka shtuar Meta, “veç shprehjes së dhimbjes e revoltës, Migjeni ynë i madh ka konstruktuar në vargjet e tij edhe shpresën për një të ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore që është gati dhe po vjen shumë shpejt”.
Meta ka cituar vargjet e Migjenit, duke thënës se, “aq bukur ajo shprehet në vargjet”:
“Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote”./ atsh/ KultPlus.com