Mina Krasniqi dhe Leonid Palushaj sollën një ekspozitë ku nusja dhe dhëndri dolën nga korniza e pikturës

Alberina Haxhijaj

Galeria kombëtare e Kosovës sonte ka mirëpritur ekspozitën “Kurrë s’kanë me u rritë”, të artistëve Mina Krasniqi dhe Leonid Palushaj, shkruan KultPlus.

Në katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Kosovës deri më 1 tetor do të ekspozohen punimet e artistëve Mina Krasniqi dhe Leonid Palushaj. Me të hyrë në hapësirën kryesore të këtij kati do të shihni të ekspozuar në të djathtë punimet e Leos dhe në të majtën ato të Minës.

Në pikturat e Leos do arrini që të dalloni njerëzit të cilët janë vazhdimisht në lëvizje. Për te piktura është gjuhë e komunikimit me anë të së cilës ai shpreh atë sesi është të jesh i lindur dhe i rritur si shqiptar i Kosovës.

“Në pikturat e mia vërehet elementi i lëvizjes, nuk kam dashur të qëndroj në një vend. Si në pikturë ashtu edhe në jetë kam pasur dëshirë me qenë i lëvizshëm dhe ka ndikuar kjo, pra lëvizja e lirë e njeriut”, u shpreh artisti për KultPlus.

Në anën tjetër një lëvizje të tillë nuk mund ta gjeni në pikturat e Mina Krasniqit. “Nuset” ashtu siç i quan ajo vajzat të cilat shihen në pikturat e saja, mbajnë sytë e mbyllur. Një zgjedhje e tillë sipas artistes ka të bëjë me faktin se ato me sytë e mbyllur janë duke jetuar një jetë në ëndrra, ëndrra të bukur por që janë plotësisht ndryshe nga realiteti.

Mirëpo pikurat e artistëve Mina Krasniqi dhe Leonid Palushaj, edhe pse trajtojnë tema, teknika dhe koncepte të ndryshme nga njëri-tjetri, bashkëjetojnë së bashku. Pikërisht këtë e ka vërejtur edhe kuratori i kësaj ekspozitë Burim Berisha.

“Këmbët duke ecur, të Leos të cilat tentojnë të shkelin, shtyjnë, vallëzojnë, maskohen, fluturojnë,ekspozohen, filtrojnë, mundohen të ndryshojnë dhe të tejkalojnë botë, e cila është tërthorzuar në kufij, rregulla, ligje, kultura, tradita, trende, besime, krime, e ekonomi që na bëjnë skllevër të robotizuar, na bëjnë të harrojmë shpirtin dhe paqen e njerëzimit. Ato ‘këmbë duke ecur’ nuk kanë trup dhe fytyrë por janë nisur nga Leo që të shtyjnë përpara shumë koncepte, ide dhe tradita e të shtyjnë me këtë rast edhe portretet e nuseve me sy mbyllur të Minës të cilat kanë trup dhe fytyrë por nuk duan t’i shohin arsyet edhe pse ne i shohim gjurmët e dhunës që ka ushtruar jeta në to”, shprehet kuratori Berisha.

Një mesin e gjërave që ua janë imponuar “Nuseve” të Minës e që në fakt janë edhe një lloj pasqyre e grave edhe në shoqërinë kosovare, është martesa. Mina duke dashur që të reagojë dhe t’i ikë fatit të nuseve në pikturat e saja, ka zgjedhur që kurorëzimin e saj ta bëjë atëherë kur ajo do ndjehej gati dhe duke mos ndarë me askënd tjetër, përveç me Leonidin, datën e kurorëzimit.

Pikërisht kjo ceremoni u bë, sonte para hapjes së ekspozitës dhe në prani të familjarëve dhe artdashësve që kishin ardhur për të parë ekspozitën, e që nuk kishin njohuri për ceremoninë. Ekspozitë kjo, punimet e të cilës ashtu siç shprehet edhe kuratori paraqesin në një formë “Pajën” dhe shërbejnë si një dëshmi e rrugëtimit të artistëve drejtë avancimit social-kulturor të masës së gjerë.

“Ideja për të bërë kurorëzimin sonte është nisur prej konceptit të nuseve të mia, unë zakonisht i bëjë nuset prej asaj sesi janë femrat dhe sesi ato e bëjnë jetën te ne, prej punimit familjar-shoqëror, ku është martesa ajo që të tjerët ua imponojnë. Pasi që Leonidin e njoh që 13 vjet kam vendosur që në momentin që unë dëshiroj të kurorëzohemi dhe pa e ditë askush ta bëjmë kurorëzimin”, u shpreh Mina Krasniqi – Palushaj për KultPlus.

Por edhe pas kurorëzimit dhe pas kësaj ekspozitë ashtu siç shprehet edhe kuratori Mina dhe Leo “nuk do të rriten kurrë”. Ata përmes artit do të kontribuojnë në rritjen e kulturës dhe zvogëlimin e injorancës./ KultPlus.com

Nesër vijnë “Nuset” e Mina Krasniqit (FOTO)

Mina Krasniqi nesër do të prezantoi ekspozitën e saj personale, në Hanin te Fakulteti i Arteve, e cila do të hapët në ora 17:00, shkruan KultPlus.

Ekspozita titullohet “Nuset” ndërsa ajo sjellë portrete të nuseve “unë pikturoj veten si mjet i një mitologjie të improvizuar, pasqyroj veten, bukurin e femrës, butësinë dhe ëndrrën qe ato pretendojnë ti kenë realitet”, kështu është shprehur artistja Mina Krasniqi lidhur me punën që do të ekspozohet nesër në kryeqytet./ KultPlus.com