Kumbaro dhe studentët e Akademisë 100+Fshatrat vizituan Nepravishtën e Libohovën

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro së bashku me studentët e Akademisë 100+Fshatrat vizituan Nepravishtën e Libohovën, duke parë nga afër potencialet e zonës dhe duke diskutuar konkretisht për projektet që ata kanë hartuar.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në kuadër të Programit “100 Fshatrat” krijoi Akademinë 100+ Fshatrat. Akademia mblodhi së bashku studentë te nivelit master të arkitekturës e planifikimit, projektimit të peizazhit e mjedisit, të sapo diplomuar të këtyre fushave, si edhe pedagogë të tyre, të cilët ndajnë vlerësime dhe pasione të ngjashme për fshatin dhe besojnë tek potenciali i tij për t’u zhvilluar si pikë graviteti e fuqishme.

Akademia 100+ Fshatrat po ndërtohet sipas shembullit të Akademisë Verore të Atelier Albania (AASA), por me një shtrirje shumë më të gjerë.

Akademia 100+ Fshatrat bazohet në 20 Atelier projektimi të veçanta, por të lidhura me njëra-tjetrën dhe nën udhëheqjen e AKPT-së.

Fokusimi në këto fshatra për të krijuar 100 zona zhvillimi ekonomik rural, të bazuar tek investimet në agroturizëm dhe ekoturizëm, duke shfrytëzuar trashëgiminë kulturore, mrekullitë natyrore, traditën në tërësi, kapacitetet lokale, por edhe investimet e sipërmarrjes. Programi i “100 Fshatrave” është një model për të dhënë shembuj dhe për ta kthyer në një laborator, prej ku të tjerët të mund të marrin nxitjet e duhura, që nga bashkitë deri tek individët.

Ditën e premte, 14 shtator 2018, do të prezantohen 20 lote nga grupet e punës./ KultPlus.com