Një jetë përkrah yllit botëror Bekim Fehmiu, Petriq për “Zgjoi”: Yllka Gashi dhe Blerta Basholli punuan aq bukur

Era Berisha

Në ditën e tretë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është mbajtur debati “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova” në ‘Endžio HAB’ si dhe është shfaqur filmi tejet i sukseshëm “Zgjoi” nën regjinë e Blerta Bashollit. Dje, këto dy aktivitete shënuan edhe përfundimin e edicionit të nëntë të këtij festivali i cili u mbajt në Beograd tash e disa ditë, shkruan KultPlus.

Për të diskutuar rreth debatit “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova”, nën moderimin e zyrtarit për komunikim në BE, Filip Lukić, pjesëmarrësit në panel si: Sonja Biserko, Idro Seferi, Boris Varga dhe Visar Ymeri, folën rreth perceptimeve dominuese të pranishme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, lidhur me pushtimin e Ukrainës.

Tema e luftës në Ukrainë shfrytëzohet për qëllime politike për të luajtur me traumat që janë ende prezente në rajonin tonë”, kjo do të ishte ajo pjesa me të cilën u përmbyll ky debat.

Por fillimisht, diskutimin e nisi reporterja Sonja Biserka e cila theksoi se data 24 shkurt nuk është një incident por luftë e planifikuar.

“Data 24 shkurt nuk është incident, por luftë e planifikuar. Por Putini gaboi në perceptim për Perëndimin. Investoi shumë para për të korruptuar majtistët. Ai u befasua kur bota perëndimore reagoi me solidaritet ndaj Ukrainës. Ai u befasua edhe nga rezistenca e Ukrainës. Kosova është pjesë e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, thotë ajo.

Sipas saj, gjithçka filloi me grevën e studentëve e më pas për dy dekada ndodhi terror shtetëror.

“Shqiptarët u larguan nga institucionet. Pacifizmi i tyre ishte i veçantë. Por pas Daytonit, shqiptarët nisin të pyesin nëse Rugova po bënte politikë relevante. Kur u shfaq UÇK-ja, Beogradi nisi ndërhyrjen e madhe. Krahasimi i Kosovës dhe Ukrainës nuk qëndron. Putini me qëllim dhe dashakeqësi e keqpërdor rastin e Kosovës. Serbia synon ndarjen e Kosovës. E Putini e merr këtë lloj argumentimi për të akuzuar Perëndimin për shkelje të të drejtës ndërkombëtare në Kosovë”, shpalos Biserka.

Ndërsa, politikani Visar Ymeri ka thënë se një prej qëllimeve të luftës së Rusisë është ndryshimi i regjimit në Ukrainë.

“Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka ardhur pas një numri të madh të krimeve dhe masakrave që janë kryer nga policia e ushtria serbe. Janë dhënë shenja për politika gjenocidale. Intervenimi i NATO-s ka qenë i përqendruar edhe territorialisht. Kurse invazioni rus ka tjetër qëllim: pushtimin e krejt Ukrainës. Tash rajoni ka filluar të shihet edhe më shumë si problem sa i përket sigurisë. Në këtë drejtim konsideroj se varësisht qasjes së Kurtit e Vuçiqit, Perëndimi do të ketë kërkesë më të madhe që të gjendet zgjidhje”, thotë Ymeri.

Sipas tij, në njërën anë, një prej qëllimeve të luftës së Rusisë duket se ka qenë dhe mbetet ndryshimi i regjimit në Ukrainë, gjë që nuk ka qenë rast i njëjtë me NATO-në dhe intervenimin në Kosovë.

“Unë mendoj që mund të ketë ngjashmëri në mënyrën se si i shohim zhvillimet e caktuara si bombardimet e shtëpive, përjashtimin e njerëzve nga Ukraina, natyrisht që kjo na evokon realitetin tonë gjatë luftës në Kosovë. Por në rrafshin politik, duhet të kemi parasysh se Pavarësia e Kosovës vjen si rezultat i shkrirjes së Jugosllavisë”, thotë ai.

Po ashtu, gazetari Idro Seferi përmendi bombardimet e NATO-s si dhe theksoi se nuk ekziston një ide e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.

“Për shumëkënd në Serbi lufta filloi me 24 mars 1999. Nuk përmendet tjetër gjë. Kur është përvjetori i bombardimit të NATO-s, njerëzit në Serbi mendojnë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë kundër serbëve, se i vrisnin dhe gjithmonë ia dilnin. Rajoni ka humbur kontrollin në rrugën evropiane”, thotë Seferi.

Sipas tij, nuk ekziston ideja e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.

“Serbia nuk ka dashur që ta zgjidhje çështjen e Kosovës në mënyrë politike. Në vitet ’90 Serbia i shtyu shqiptarët e Kosovës që të bëjnë protesta pasi nuk e respektoi as marrëveshjen për t’i lejuar shqiptarët që të arsimohen. Ka narracion se shqiptarët kanë ardhur vonë në këto anë. Një politikë e tillë bën që të stagnojë i gjithë rajoni”, thotë ai.

Gjithashtu, gazetari dhe publicisti Boris Varga ka folur rreth se si lufta në Ukrainë nuk ka asnjë lidhje me Kosovën.

“Atje është kryer një krim i madh dhe Perëndimi mendon se Beogradi nuk mund ta ketë atë territor. Suksesioni si term është i manipuluar nga Putini për të realizuar objektivat e tij. Putini po shikon të shkaktojë konflikte etnike, siç bënte Serbia në Kosovë. Ka një plan serioz se si të merret një pjesë e Ukrainës dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kosovën. Në disa debate të mbyllura e të hapura jam habitur se si mendojnë intelektualët e Serbisë. Kjo pasi Serbia nuk është ballafaquar me të kaluarën”, thotë Varga.

Kështu, në ditën e tretë si dhe njëkohësisht të fundit në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, u shfaq edhe filmi i njohur “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit në Arkivin e filmit jugosllav.

Fiona Jelići nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (Serbi) ishte ajo që doli në skenë për të përkujtuar se festivali “Mirëdita, dobar dan!” ka nisur si inspirim nga aktori shqiptar Bekim Fehmiu dhe se shfaqja e filmit “Zgjoi” është një rast i mrekullueshëm për ta kujtuar këtë fakt.

Ajo po ashtu, nuk la pa përmendur edhe sukseset e shumta të cilat i ka arritur filmi “Zgjoi”.

Me sallën e mbushur plot, të pranishmit shikuan dhe dëgjuan të vërtetën e personazhit kryesor, Fahrije Hoti, tek e cila nën aktrimin mahnitës të aktores Yllka Gashi, qysh në minutat e parë të filmit, ambicia për tu përballuar me një realitet patriarkal ku puna e grave nuk mund të kalojë përtej dyerve të shtëpisë, vërehet në sytë e saj në të cilat po të përhumbeshe thellë, atëherë do të ndjeje dhimbjen e madhe për zhdukjen e burrit të saj në luftën në Kosovë.

Përgjatë gjithë filmit, sytë e të pranishmëve dukshëm ishin të ngulitur tek ekrani i madh, nëpërmjet së cilit u shfaq puna e mrekullueshme e regjisores Blerta Basholli e cila frikën, brengën e shpresën i ngërtheu në një fuqi të vetme. Këto emocione të paraqitura në film ngjallën edhe emocione të shumta në publik. Në përfundim e sipër, teksa filmi po shënonte dhe fundin, audienca ishte ajo që shpërtheu në lot e njëkohësisht ndjeu thellë edhe dhimbjen e atyre familjeve që ende mbajnë shpresë për personat e pagjetur.

Ishin duartrokitjet e gjata, brohoritjet dhe fishkëllimat e shumta ato të cilat u lëshuan menjëherë qysh kur filmi shënoi fundin.

Filmi “Zgjoi” është filmi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që hyri në listën e shkurtër për nominimin për ‘Oskar’ këtë vit. “Zgjoi” ka fituar çmime të shumta, përfshirë këtu edhe tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe Çmimi i publikut. Ndërkaq, kujtojmë se premiera e filmit në Prishtinë u shfaq më 24 gusht të vitit 2021.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.

Pas shfaqjes së filmit në Beograd, në skenë për një fjalë rasti doli edhe aktorja Adriana Matoshi, e cila tha se vetëm me art dhe kulturë është e mundur që të shprehen ato se çfarë janë përjetuar me të vërtetë.

“Jam shumë e lumtur që regjisorja më ka përzgjedhur për të prezantuar një nga shumë historitë e luftës që ekzistojnë në Kosovë. Ne me fuqinë tonë, sadopak, jemi munduar të arrinim diçka që dikush e ka përjetuar gjatë luftës. Jam me të vërtetë e lumtur që jeni sonte këtu për të parë atë se çfarë kemi përjetuar ne si popull. Vetëm me art dhe kulturë ka mundësi që t’i shprehim ato që me të vërtetë i kemi përjetuar. Me artin tonë dhe kulturën tonë, duhet të tregojmë se çfarë kemi në zemra tona”, thotë Matoshi.

Aktorja Branka Petriq

Kurse, për KultPlus foli aktorja Branka Petriq që njëkohësisht është edhe gruaja e aktorit shqiptar Bekim Fehmiu. Ajo e vlerësoi lartë punën e mrekullueshme të aktores Yllka Gashi si dhe regjisores Blerta Basholli.

“E pashë filmin dhe u gëzova shumë sepse kjo hapësirë e kinotekës jugosllave ishte e mbushur plot. Filmi ishte aq i mirë, aq i sinqertë, aq i thjeshtë por në të njëjtën kohë edhe i ndërlikuar, për shkak të gjithçkaje që solli jetë në situatat e grave në film. Qysh në momentin e parë që e pashë Yllka Gashin thashë si po e bënë atë. Është fantastike sepse në një anë kemi regjisoren Basholli dhe në anën tjetër është aktorja Gashi. Ju mund të shihni qartë se si ato punojnë së bashku aq bukur. Mendoj se të gjithë ata që panë filmin, ishin të impresionuar shumë nga ai. Jam jashtëzakonisht e lumtur sepse isha këtu sonte. Urimet e mia shkojnë për kinematografinë kosovare dhe të gjithë njerëzit që janë të përfshirë në industrinë e filmit.”

Edicioni i nëntë i “Mirëdita, dobar dan!” krejt në fund u përmbyll me një festë muzikore me DJ Genc Elezaj.

Bekim Fehmiu që ishte aktor me famë botërore u bë inspirim për krijimin e “Mirëdita, dobar dan!”. Përmes festivalit, vizitorët patën mundësinë që të mësojnë më shumë rreth kulturës dhe traditës së Kosovës e Serbisë përmes filmit, teatrit, muzikës e artit pamor.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. / KultPlus.com

Dita e dytë e “Mirëdita, dobar dan!” sjell 11 rrëfime drithëruese të shqiptarëve për burgun e Goli Otokut

Era Berisha

Rrëfimet e Hasan Kastratit, Jeton Radoniqit, Pajazit Jasharit, Sabri Novosellës, Teki Dervishit, Fadil Bajraktarit, Basri Ibrahimit, Masar Shportës, Rrahim Ramës, Ali Aliut dhe Ibrahim Kryeziut, për burgun e Goli Otokut në Kroaci, janë jetësuar përbrenda librit “Hije të shtrembëruara” që u promovua dje në ditën e dytë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, në hapësirën “Miljenko Dereta” të Beogradit. Nëpërmjet këtij promovimi si dhe debatit “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”, vëmendjen e morën gjithsej njëmbëdhjetë rrëfime të veçanta që në thelb janë sa drithëruese aq edhe të dhimbshme, shkruan KultPlus.

“Hije të Shtrembëruara” sjell rrëfimin e shqiptarëve të Kosovës që ishin burgosur për bindjet e tyre politike, por këto besime nuk kishin të bënin fare me Bashkimin Sovjetik apo me një armik të jashtëm. Rezistenca e tyre politike ishte kundër trajtimit të padrejtë që iu nënshtruan shqiptarëve brenda federatës jugosllave.

Rrëfimet që rrëfejnë ish të burgosurit politikë në këtë libër i përkasin një periudhe të shumë ngjarjeve të rëndësishme që mbeten të dokumentuara dobët, sepse rrëfimi u shkatërrua nga lufta e vitit 1999.

Misioni i këtij libri është që të shndërrohet në një burim përmes të cilit këtyre njerëzve u tregohet se përvojat dhe historitë e tyre përbëjnë momente të rëndësishme në historinë.

“Hijet e shtrembëruara” është një libër kujtimi i historive të ish të burgosurve politikë në Goli Otok. Dy nga historitë janë rrëfyer nga miqtë dhe të afërmit. Rrëfimet u mblodhën duke përdorur metodën e historisë gojore për t’u siguruar një qasje më intime përvojave të të intervistuarve që ishin të burgosur në Goli Otok dhe për të hedhur dritë mbi përvojat dalluese të të burgosurve politikë shqiptarë.

Goli Otok është një ishull i pabanuar në Kroaci. Ndërmjet viteve 1949 dhe 1988, ai funksionoi si qendër paraburgimi dhe kamp pune. Në fillim, ishte një burg i sigurisë së lartë për disidentët politikë nga ish-Jugosllavia, të cilët akuzoheshin për ide dhe besime pro-sovjetike. Më vonë, pas vitit 1956, ai u bë një institucion korrektues të të rinjve. Gjatë ekzistencës së tij si burg politik (1949-1956), të dhënat tregojnë se në Goli Otok kanë kaluar mbi 16.000 të burgosur. Mbi 400 prej këtyre të burgosurve vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit për shkak të torturave, punës së rëndë dhe kushteve brutale në burg në përgjithësi, dhe për shkak të vetëvrasjes.

Tregimet që janë në këtë libër janë histori të vështirësive dhe torturave, por edhe rrëfime të rezistencës dhe solidaritetit të veprimtarëve politikë nga Kosova, të cilët kaluan ditë e netë në izolim, në punë të rënda duke shtypur gurë ose duke bërë tjegulla, dhe gjithashtu, duke punuar si marangoz, rrobaqepës, ekonomistë dhe mësues.

Në panel për të promovuar dhe diskutuar rreth këtij libri të pranishëm ishin: historiania Olga Manojlović, redaktorja e librit Aurela Kadriu, Korab Krasniqi nga Forumi i Kosovës ZDF si dhe gazetarja Antonela Riha e cila ishte edhe në rolin e moderatores.

Fillimisht, redaktorja e librit, Aurela Kadriu nisi diskutimin rreth rrëfimeve që përbëjnë këtë libër.

“Kur e lexoni librin keni për të parë se rrëfimet e tregojnë kompleksitetin e zërave të shqiptarëve të Kosovës. Goli Otoku është një rrëfim i madh, një narrativë e gjatë dhe përvoja e shqiptarëve në Goli Otok është e veçantë. Brenda këtij grupi të shqiptarëve që kanë qenë të burgosur në ‘Goli Otok’, ka storje të ndryshme të mënyrave se si ata janë futur atje dhe unë mendoj se ky libër përpos që shërben si dije mbi përvojën e shqiptarëve në Goli Otok, shërben si dije edhe mbi përvojën e shqiptarëve të burgosur prej vjetësh në përgjithësi, për shkak se rrëfimet që janë këtu, nuk janë të izoluara”, thotë Kadriu.

Sipas saj, shqiptarët në këtë burg janë arrestuar për bindjet e tyre.

“Kur në Serbi ka qenë prezent Goli Otoku në diskurset publike, për shkak të narratives që ka interes shtetëror për t’u zotëruar, në Kosovë ka shkuar diku u margjinalizuar për shkak se ka pasur shumë përvoja të ndryshme në burgje të ndryshme në një periudhë pas luftës së dytë botërore deri në 99-tën. Nëse i lexoni këto rrëfime e shihni që shumica prej tyre nuk kanë qenë vetëm në Goli Otok, kanë migruar nga burgu në burg. Goli Otoku nuk ka marrë pozitë qendrore për shkak se të gjithë individët që kanë qenë të burgosur politik, kanë pasur rrëfim më të ngjyrosur”, thotë ajo.

Për Kadriun, dëshira e kosovarëve për bashkim me Shqipërinë ka qenë pjesë e rëndësishme si katalizator i lëvizjes për çlirim ose për përmirësim të situatës së shqiptarëve përbrenda Jugosllavisë.

“Nuk mendoj që rreziku për dokumentim është aq i menjëhershëm por sot e shoh si punë që bëhet prej vullnetit sepse është e rëndësishme të shihet se çfarë ka ndodhur në Kosovë në këto dekada të pas-luftës. Pra, janë rrënuar gjurmët e kujtesës”, thotë ajo.

“E kemi shumë të vështirë që të kapemi pas institucioneve, edhe ne edhe shoqëria serbe. Si hulumtues të rinj, duhemi të çlirohemi nga ideja se duhet që patjetër të punohet me institucione, sado që do të ishte e rëndësishme apo ideale.”

Ndërsa, Korab Krasniqi nga Forumi i Kosovës ZDF, ka folur rreth asaj se çfarë e bënë këtë burg kaq interesant.

“Ky libër është njëfarë lloj testamenti apo dokumenti historik i cili i shërben kulturës kolektive në Kosovë por jo vetëm. Duke pasur parasysh që ‘Goli Otok’ si burg nuk ka mbajtur vetëm shqiptarë por edhe të burgosur apo disidentë politik nga rajone të ndryshme të ish-Jugosllavisë. Çka e bënë burgun interesant është se si burgu në të cilën janë mbajtur disidentët, është një lloj paranoje që ka ekzistuar në Jugosllavi në atë kohë, duke pasur parasysh tensionet e ngritura mes Titos dhe Stalinit. Andaj, burgu i Goli Otok-ut vjen si përgjigje nga kjo, sepse mendohet që në atë kohë, fryma e komunizmit stalinist akoma po dominonte në hapësirat e jugo-sferës, dhe së shpejti këto grupacione do të paraqitnin kërcënim serioz ndaj institucioneve në shtetet e asaj kohe”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, ai e sheh këtë burg si një sinonim të një lloj paranoje ku shteti vendos në funksion mekanizma të dhunshëm, të mbylljes, të punës së dhunshme, për ti mbajtur nën ‘kontroll’ këto grupacione që janë parë si kërcënim për këtë vend.

“Hulumtimi serioz nuk duhet të jetë selektiv në kuptimin e asaj se mund të zgjedhim se çfarë hulumtojmë dhe mund të zgjedhim çfarë duam të tregojmë. Mendoj se të gjitha këto copëzat e vogla narrative e përbëjnë atë peizazhin e përgjithshëm të historisë dhe i kontribuon në njëfarë mënyre, kultivimit të shkrimit të historisë në një mënyrë që nuk është e drejtuar nga politikat e ndryshme të cilat ekzistojnë në vendet në rajon. Këtë libër po ashtu e shoh si një lloj monumenti sepse rrëfimet për përvojat e të burgosurve politik përgjithësisht, janë të vendosura në margjina por po ashtu nuk janë të shpërfaqura në atë mënyrë që shoqëria mund t’i mësonte ato. Andaj, si i tillë ky libër na rikujton neve një pjesë të historisë të shqiptarëve por edhe të grupeve të tjera të Jugosllavisë që janë parë si kërcënim ideologjik. Libri fokusohet në rrëfimet e shqiptarëve por edhe ndërton një pikturë të natyrës së jetës që është bërë në burgje”, thotë ai.

Ai tutje theksoi se Kosova ka përjetuar një tranzicion të modernizmit, qoftë atë shtetëror apo kulturor, por në anën tjetër ka ekzistuar ana e errët e medaljes që sipas tij ka ardhur me një përpjekje të vazhdueshme për zhveshjen e ideve përbrenda Jugosllavisë, me ç’rast janë krijuar pakënaqësitë e ndryshme.

“Në momentin që “Kosova është Republikë” është përdorur si slogan, personat e tillë janë mbajtur si disidentë, si persona të cilët kanë bindje ideologjike, separatiste. Duke ekzistuar muri hermetik ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë, ka ekzistuar po ashtu një lloj hamendje në dy anët e shqiptarëve për njëri-tjetrin”, shpalos ai.

Krasniqi po ashtu ka përmendur edhe punën hulumtuese që sipas tij krijon më shumë dokumentim.

“Mungesa e narrativëve pikërisht e mirëmban këtë uzurpimin e narrativit të luftës duke u bazuar në ngjarje të caktuara. Të dhëna ka shumë por nuk janë sistemuara fare. Akademia në kontekstin e punës dokumentuese, nuk ka bërë mjaftueshëm. Rreth 80% të të burgosurve në ish-Jugosllavi, kanë qenë shqiptarë. Kjo është ajo se çfarë mund të konfirmoj për sa i përket numrave. Në shoqatën e të burgosurve politik në Prishtinë, ekziston një arkiv e cila është duke u ndërtuar dhe në të cilën paraqiten të dhënat e ndryshme të të burgosurve. Kjo data-bazë është në ndërtim e sipër dhe tregon një pasqyrë se sa shqiptarë kanë qenë të burgosur nga viti 1951 e deri më 1999”, thotë Krasniqi.

“Këto pikë-takime qytetare, civile si kjo në “Mirëdita, dobar dan!”, të cilat sjellin rrëfime janë tejet të rëndësishme dhe janë për t’u shtyrë përpara. Unë i shoh këto si dokumente historike me të cilat grupe të ndryshme munden për t’u angazhuar me to, në mënyrë që e kaluara jonë të qartësohet dhe të bëhet si pasqyrë për neve.”

Po ashtu, historiania Olga Manojlović ka thënë se Goli Otoku është një çështje mjaft intriguese në kuadër të diskursit politik.

“Dualizmi i Goli Otokut ka qenë vendi për kampet kriminele e të gjitha burgjeve, e të burgosurve për çështjet politike dhe nga mesi i viteve të 60-ta. Kjo çështje ka hyrë edhe në projekte te ndryshme në kinematografi dhe po ashtu ka ekzistuar një vrull që si i tillë ka konsistuar në mosbesim. Periudha tjetër njihet si më e gjerë dhe e mjaftueshme për shkaqet që kanë qenë, në veçanti, në vitet e 80-ta dhe lëvizjen e të rinjve. Statuset e jugosllavëve dhe politikanëve, janë marigjalizuar në Beograd dhe në Kosovë kjo çështje është intriguese dhe ‘Goli Otoku’ është në diskursin politik dhe dimensionin publik”, thotë Manojlović.

Manojlović para të pranishmëve shtroi edhe pyetjen “Pse janë arrestuar, përse janë mbyllur dhe cilat kanë qenë idetë e tyre politike?”.

Në ndërkohë, gazetarja Antonela Riha përgjatë gjithë debatit “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”, ka shtruar në tryezë mjaft pyetje interesante si: “Pse janë të rëndësishme për ju temat e të burgosurve dhe pse mësohet në shkollë rreth kësaj çështje në Kosovë?”, “Çfarë domethënie kanë pasur në ish-Jugosllavi, trishtimet e mëdha të të burgosurve, që janë përjetuar deri në vitet e 89-ta?”, “Çfarë identiteti ndërkombëtar ka pasur Goli Otoku?”, “Çfarë dimë për Goli Otokun në krahasim me burgjet e tjera?”, “Goli Otoku dhe rrëfimet e kosovarëve janë të rëndësishme për krijimin e identitetit kombëtar. A paraqet kjo ndonjë rrezik?”, “Në Kosovë tani merreni me burgjet, por si e shihni ju të kaluarën?”, si dhe shumë tjera të cilat krijuan një diskutim mjaft interesant në panel.

Ajo po ashtu nuk la pa përmendur edhe parullën “Serbinë mund ta ndash nga jeta, por jo nga armët.”

Kështu, krejt në fund, dita e dytë e “Mirëdita, dobar dan!” u përmbyll me koncertin “Shpat Deda Trio”, që u mbajt pikërisht në Qendrën kulturore hebreje ‘Oneg Shabat’.

Shpat Deda, Visar Kuçi dhe Tomorr Kuçi krijuan mbrëmë një atmosferë që nuk do të mund të krahasohej me asnjë tjetër. Në skenë ishin vendosur instrumente nga më të ndryshmet dhe ato po pritnin që të gjallëroheshin nën ritmin e treshes.

Nga kënga në këngë, zëri i ëmbël i Shpat Dedës në ndërlidhje me një harmoni unike që vinte nga tingujt e instrumenteve, bëri që ky koncert të dilte përtej të zakonshmes. Me melodi aq të pasura në thelb dhe një zë që jehonte në secilin cep, koncerti ngjalli një nostalgji tejet të bukur.

Pas këtij koncerti, për të treguar më shumë rreth ndjenjës së performimit në një formacion ndryshe, për KultPlus foli këngëtari Shpat Deda.

“Unë kam kaluar tepër mirë dhe programi që kam bërë sonte ka qenë diçka që kam dashur ta arrij që një kohë të gjatë. Visarin dhe Tomorrin, i njeh i gjithë publiku shqiptar dhe ata janë njerëz e muzikantë të jashtëzakonshëm. Pa ata të dy, ky koncert nuk do të mund të realizohej. Sonte e kemi bërë një provë për këtë program dhe është hera e parë që e kemi luajtur. Salla ishte fantastike njëlloj sikurse energjia e publikut. Mezi po pres që të kthehem e ta bëj përsëri këtë program në Prishtinë, Tiranë e vende të tjera”, thotë Deda.

Sipas tij, “Ninulla” do të ishte ajo kënga që erdhi si më e veçanta mbrëmë për shkak të melosit të jugut të Shqipërisë, që atij i ka pëlqyer shumë.

“Secilës këngë, jemi munduar që t’ia gjejmë shpirtin.”

Ndërkaq, sot do të vazhdojë dita e tretë e festivalit me aktivitete të radhës si: Debati “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova” në ‘Endzio Hab’ duke filluar nga ora 17:00, Filmi “Zgjoi” duke filluar nga ora 20:00 si dhe krejt në fund, festivali “Mirëdita, dobar dan!” do të përmbyllet me DJ Genc Elezaj në një festë që fillon nga ora 22:30.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë./ KultPlus.com

“Hije të shtrembëruara” – libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut

Më 25 maj fillon festivali “Mirëdita, dobar dan”

Festivali “Mirëdita, dobar dan” është event që organizohet prej vitit 2014. Ka në thumb kulturën, artin dhe diskutimet publike, gjë që e bën festivalin tejet të veçantë. Duke bashkuar artistë, njerëz të të drejtave të njeriut dhe aktivistë të paqes nga Kosova dhe Serbia, festivali ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe stabilitetin në rajon.

Bekim Fehmiu që ishte aktor me famë botërore u bë inspirim për krijimin e këtij festivali. Vizitorët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth kulturës dhe traditës së Kosovës e Serbisë përmes filmit, teatrit, muzikës e artit pamor. Festivali do të mbahet në Beograd.

Programi i Festivalit:

25 maj- Ekspozitë “All our Tears” Endzio Hab

26 maj- Ceremoni hapëse dhe koktej, shfaqja “Stiffler”

27 maj- Konkurs arti, debat “Past before the past: Goli Otok”, Koncert “Shpat Deda Trio”, Promovim libri “Distorted Shadows- Memory book: Stories of former political prisoners in Goli Otok

28 maj- Debat “Problematic parallels: Ukraine and Kosovo”, Filmi “Hive”, Ceremonia përmbyllëse “Party with Dj Genc Elezaj” / KultPlus.com

Premiera e jashtëzakonshme e dokumentarit “Më shëro” të Danijela Štajnfeld, hap ‘Mirëdita, dobar dan!’

Era Berisha

Edicionin e tij të 8-të, festivali “Mirëdita, dobar dan!”, e nisi të enjten mbrëma me premierën e dokumentarit të Danijela Štajnfeld, të titulluar “Më shëro” (Zaceli me), me ç’rast një audiencë e tërë pati rastin të shoh, të dëgjoj e të ndjejë thellë brenda tyre, historitë e dhimbshme e tejet personale të disa personave që kanë përjetuar dhunën seksuale e së bashku me të edhe të gjitha emocionet që të përndjekin pas atij çasti, shkruan KultPlus.

Përgjatë dy orëve, objekti i Kino Armatës mblodhi rreth vetes dashamirë të panumërt të artit dhe kulturës serbe, duke u shndërruar kështu në një fole ku përveç krijimtarisë muzikore e filmike, nuk kishte vend për asgjë tjetër.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, para publikut kosovar solli një atmosferë krejtësisht ndryshe nga e zakonshmja. Ishin meloditë e muzikës serbe ato që po shoqëronin të pranishmit para hapjes zyrtare të festivalit, e nën tingujt diversiv nisi edhe performanca e Drag Queens, Loakiin dhe Sunnoka, të cilët në lëshimin e parë të muzikës së përgatitur, e kapluan jo vetëm skenën ku po performonin por edhe sytë e zemrat e të gjithë atyre që brohoritnin në çdo sekondë. Kurse, DJ Jovijah ishte ai që solli ritmin e i cili njëkohësisht shijonte shfaqjen e cila po krijohej para tij.

Pas këtij interpretimi të veçantë i cili padyshim që zgjoi shpirtrat në publik, hapjen e festivalit e nisi Kushtrim Koliqi, nga organizata jo-qeveritare ‘Integra’.

“Është hera e parë që po organizojmë festivalin në Prishtinë në formatin klasik të tij. Përveç vështirësive të zakonshme, tashmë festivali po organizohet në rrethana të jashtëzakonshme, me pandeminë covid-19 në njërën anë dhe me një ambient politik e toksik në anën tjetër. Festivali është një nga iniciativat e pakta bashkëpunuese mes dy shoqërive, të Kosovës dhe të Serbisë, që i ka qëndruar kohës dhe çdo vit po vazhdon të ofrojë mundësi për njohje e bashkëpunim mes dy shoqërive nëpërmjet prezantimit të formave kulturore dhe artistike”, thotë Koliqi.

Sipas tij, edicioni i tetë i festivalit ka për qëllim të promovojë skenën kulturore dhe artistike të Serbisë në Prishtinë, përmes aktivitete të ndryshme artistike dhe debateve që do të organizohen në ditët në vazhdim.

“Si çdo vit, festivali vazhdon të promovojë vlerat e përbashkëta, përkundër diskursit nacionalist, paragjykues e ndonjëherë negativ që vazhdon të mbizotërojë në dy vendet. Ajo se çka është e rëndësishme për festivalin tonë është ti ofroj qytetarëve të dy vendeve, është mundësia që ata të shohin një realitet ndryshe ku e kaluara kujtohet e kuptohet drejtë. Si çdo vit, edhe këtë herë nuk mund të mos e përmend frymëzimin e këtij festivali, pra aktori i njohur shqiptar Bekim Fehmiun, i cili ka qenë i njohur si aktor në Beograd, në ish-Jugosllavi dhe në botë dhe i cili paraqet simbolin e unitetit dhe skizmës, si dhe mundësinë e ndërlidhjes së dy hapësirave kulturore në një tërësi unike”, përfundon Koliqi.

Ndërsa, Ivan Duriq nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriu, theksoi se është pikërisht ky festival, hapësira ku shqiptarët dhe serbët mund të zgjidhin problemet mes vete, por jo në mënyrën se si e bëjnë politikanët.

“Ne nuk ëndërrojmë që do të vijë një e ardhme, në momentin ku shqiptarët dhe serbët do të pajtohen për të gjitha, mirëpo ëndërrojmë për një moment kur shqiptarët dhe serbët do të mund të komunikonin me njëri tjetrin dhe do të gjenin një zgjidhje. Por, jo të bisedojmë sikur po bisedojnë sot Vuçiqi me Kurtin duke e nënçmuar njëri tjetrin apo ngjashëm, por që të bisedojmë vërtetë e të gjinden rrugë të përbashkëta dhe zgjidhje të përbashkëta”, thotë Duriq.

Sipas tij, qëllimi i tyre është që të luftojnë për paqe dhe të çrrënjosin nacionalizmin i cili na ndan neve dhe kjo duhet të bëhet këtu menjëherë.

Radha që dokumentari “Më shëro”, të shfaqet tashmë kishte ardhur e së bashku me të pasoi edhe heshtja absolute për të parë e dëgjuar rrëfimet e ndryshme të personave që kanë përjetuar dhunën seksuale dhe ndikimin që lë, qoftë ajo fizike apo mentale.

Filmi dokumentar “Më shëro” nga Danijela Stajnfeld, fokusin e vë mbi mbijetesën e personave të dhunës seksuale po aq sa edhe tek autorët e sulmeve seksuale. E gjitha kjo nis nga rrugëtimi i gjithsecilit person për të provuar e shfaqur përjetimin tronditës të tyre qoftë edhe tek një familjar. Por sikur mos të kishin mjaftuar pasojat e rënduara mbi viktimat, disa familjar e edhe persona të afërt me ata persona, manipulojnë me ndodhinë e tyre, duke paragjykuar kështu secilin person që ka përjetuar dhunën seksuale e njëkohësisht duke shtyrë që ata persona të mbyllen në vetvete.

Lufta për tejkalim dhe mbijetesë, është një luftë kjo e cila dëshmon se dhuna seksuale ndodh ndaj çdo kujt pavarësisht moshës, gjinisë, profesionit apo pozitës që ka.

Ndërsa, vetë regjisorja e këtij dokumentari Danijela Štajnfeld, dikur si një aktore e re ishte viktimë e sot një e mbijetuar e dhunës seksuale. “Më shëro”, është dhe mbetet një çlirim shpirtëror, nëpërmjet së cilës ajo vrapon pas mundësisë së shërimit, si një forcë që nëse kapet, nuk do të mund të ketë mundësi të thyhet më.

“Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, këtë edicion ka prezantuar skenën kulturore e shoqërore të Serbisë në Prishtinë. Këtë edicion janë qytetarët e Kosovës ata që do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Serbisë përmes një sërë prodhimesh artistike; filma, koncert, ekspozitë promovime të librave, etj. Një pjesë e programit si çdo herë do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve që trajtojnë tema të rëndësishme për shoqëritë e të dy vendeve.

Gjatë ditëve të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, audiencës së Prishtinës do t’i prezantohen artistë dhe krijues që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra, Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

Sot nis edicioni i tetë i “Mirëdita, dobar dan!”

Edicioni i tetë i “Mirëdita, dobar dan!” hapet sot në ora 18:30 në Kino Armata në Prishtinës, me shfaqjen e filmit dokumentar, “Hold me right” (Më shëro) të Danijela Stajnfeld.

Gjatë tri ditëve sa do të zgjasë ky festival, në kryeqytetin kosovar do të prezantohen artistë dhe krijues që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë.

Programi i “Mirëdita, dobar dan!” për këtë vit, sipas organizatorëve mbyllet me 16 tetor 2021, me filmin “Ngarkesa” të Ognjen Glavoniç.

“Mirëdita, dobar dan!” si qëllim të vetin ka shkëmbimet kulturore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Që nga 2014 në kuadër të këtij festivali në Beograd është prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës, ndërsa këtë edicion, “Mirëdita, dobar dan!” prezanton  skenën kulturore e shoqërore të Serbisë në Prishtinë.

“Qëllimi kryesor i programit “Mirëdita, dobar dan!” është krijimi i lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media, shoqëri civile, nëpërmjet prezantimeve kritike dhe dialogut mbi çështjet bashkëkohore me të cilat ballafaqohet rajoni dhe promovimin e kulturës si një mënyrë bashkëpunimi dhe mësimi për njëri-tjetrin”, thuhet në njoftimin e “Integra”-s, organizatoret e “Mirëdita, dobar dan!”.

Programi “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga “Integra”, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe “Rockefeller Brothers Fund”. / KultPlus.com

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, edicioni i gjashtë këtë vit do të mbahet nga 29 maj deri më 1 qershor

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, do të mbahet nga 29 maji deri më 1 qershor të këtij viti. Qëllimi i festivalit është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesëve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuoj në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë vit, festivali zhvillohet në një periudhë specifike, kur marrëdhënia midis Prishtinës dhe Beogradit është në nivelin më të ulët që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit. Një krizë e dukshme politike po reflektohet në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë dhe Serbi. Kjo dekurajon më tej bashkëpunimin mes dy shoqërive, jo vetëm në sferën kulturore, por edhe në tregti, sport, arsim dhe në të gjithë sektorët e tjerë. Festivali i dërgon një mesazh të qartë publikut dhe elitës politike të Kosovës dhe të Serbisë – barrierat duhet të thehen, jo të ndërtohen.

Ashtu sikur edhe gjatë viteve të kaluara, edhe këtë vit vizitorët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Kosovës përmes një sërë dramash, shfaqjesh, filmash, koncertesh dhe ekspozitash. Një pjesë e festivalit do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve për të ardhmen e marrëdhënieve Prishtinë – Beograd dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të dy shoqëritë.

Hapja zyrtare e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të bëhet të mërkurën me 29 maj me shfaqjen e filmit “Cold November”, me regji të Ismet Sijarinës, film ky i cili është prezantuar në shumë festivale ndërkombëtare të filmit të cilat kanë rezultuar me dy çmime dhe tre nominime. Një ngjarje (event) e cila do t’i paraprijë hapjes do të jetë performanca artistike “Let’s make love” nga Shkumbin Tafilaj. Gjatë festivalit, publiku do të ketë mundësinë të shoh filmin dokumentar “Ferdonija”, film ky nga Gazmend Bajri, i cili tregon jetën e një gruaje që ka humbur tërë familjen e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë. Një shfaqje teatrore me regji nga aktori dhe regjisori i famshëm shqiptar Enver Petrovci e titulluar “Kreolet e Ballkanit” do të prezantohet gjatë festivalit për të gjithë dashamirësit e teatrit. Gjatë festivalit do të organizohen tre debate të ndryshme për të diskutuar çështje lidhur me personat e pagjetur, shkrimin e dramave të reja në Kosovë dhe librat e historisë. Së bashku me këto debate, do të promovohen tre botime specifike: Libri i Kujtesës me tregimet e familjeve të të pagjeturve “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” të botuar nga forumZFD në Kosovë dhe Integra, “ONE FLEW OVER THE KOSOVO THEATER – Një Antologji e Dramës Bashkëkohore nga Kosova” botuar nga Multimedia (Kosovë) dhe Beton (Serbi). “Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë”, shkruar nga Shkëlzen Gashi dhe botuar nga Alter Habitus.

Performanca përmbyllëse e edicionit të këtij viti do të jetë një koncert shumë emocionues i grupit trio “Don’t listen to your neighbours” nga Kosova, të cilët janë të mirënjohur sepse kanë mbajtur gjithmonë një koleksion të rafinuar të repertorit tradicional shqiptar dhe në vitet e fundit ata kanë zhvilluar njëstil mjaft unik me elemente të xhazit të cilat na vijnë në mënyrë të sofistikuar. Më pas, performanca e DJ Matale-s nga Prishtina do të përmbyllë festivalin “Mirëdita, dobar dan!” 2019.

Frymëzim për festivalin “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.

Festivali do të mbahet në disa lokacione. Hyrja, si në vitet e kaluara, do të jetë pa pagesë.

Festivali organizohet nga Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), Integra (Kosovë), dhe Iniciativa Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Serbi, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com