Bujar Shabani, mjeku i parë shqiptar pjesë e ‘Lojërave Olimpike 2024’ (VIDEO)

Ortopedi Bujar Shabani i cili punon edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i ka kaluar të gjitha fazat testuese me sukses, kështu duke u bërë mjeku i parë shqiptar i cili do t’i trajtojë sportistët elitarë pjesëmarrës në “Lojërat Olimpike 2024”.

Mirëpo, paraprakisht specialisti i ortopedisë  kishte drojën e penalizmit si shkak i një procesi politik, pas aplikimit ai ishte njoftuar se mjekët që punojnë në vendet e Bashkimit Evropian kanë përparësi, njofton Klan Kosova.

Megjithëkëtë fati ishte në anën e mjekut kosovar dhe kjo u tejkalua, siç thotë ai falë edukimit të mirë në disa vende jashtë Kosovës.

Vitin e ardhshëm në spitalin olimpik për 3 javë sa do të zgjasin garat në Paris, ortopedi Shabani do t’i trajtoj atletët e të gjithë sporteve./KlanKosova/KultPlus.com

Dora e mjekut asht si dora e Zotit

Pjetër Logoreci

Kushtue hyllit të kirurgjisë Dr. Mark Mirashi.

Shkodra ka kenë gjithmonë qyteti që ka lindë, e djepi që ka përkundë gjeni e talente të shumë fushave, si në art e kulturë, ashtu dhe në sport e shkencë. Figura që nderuen emnin e vet, por edhe të Shkodres, me dijet e punen e tyne, burra e gra që sakrifikuen vite nga jeta e tyne në shërbim të qytetit e komunitetit. Njëni ndër kto personalitete madhore ishte kirurgu shkodran Dr. Mark Mirashi, të cilit, në shenjë mirënjohje, ja kushtoj ktë shkrim.

Qysh fmijë, pata ndigjue nga familjarët e mij, lavde e nderime për Dr. Federik Shirokën (që ishte kushëri, bashkëmoshatar e shok me djemtë e Logorecve), por ma vonë kto lavde u flitshin për Dr. Markun, të cilin, atyne, jua kishte këshillue Dr. Shiroka, i cili kishte kuptue që studenti Mark Mirashi do të ishte e ardhmja e kirurgjisë moderne.

Rastisi që në vjetin 1990 të isha pacient i repartit të kirurgjisë së Spitalit në Shkoder ku njoha dhe pata kontakte me të gjithë personelin e mrekullueshëm, e ndër to edhe me Dr. Mark Mirashin.

Nga pamja e jashtme, Dr. Marku, të krijonte përshtypjen e një burri autoritar dhe të disiplinuem. Fliste pak e i premë dhe kishte një paraqitje të përkryeme, mbasi mbante gjithnji kravatë mbi këmishën e bardhë apo boj qielli. Kur e njoha, Dr. Marku ishte në pension, por për nevojat e spitalit, vazhdonte të punonte në repart me “orar të reduktuem”, pothuajse 10 orë në ditë.

Flitej shumë për kirurgun e talentuem Mark Mirashi, si nga kolegët ashtu edhe nga pacientet, për aftësitë e intuiten e tij në profesion, për kurajon për të sjellë teknika të reja në operacionet që bante, tuj shpëtue jetë të pashpresa. Ishte i vlerësuem edhe nga profesorët e tij apo nga mjekët ma të mirë operatorë të Tiranës.

Po kush ishte Dr. Marku, ky burrë e profesionist i nderuem i Shkodres?

Mark Mirashi lindi në një familje qytetare shkodrane, me 25 marc 1929. Ishte i biri i Kol Mirashit (njihej edhe si Kol Shiroka), që ishte zejtar, burrë me kulturë të gjanë dhe shumë i njohtun, si aktor, në skenat e shoqnive teatrore të kohës në Shkoder. Marku mësoj dhe mori edukatë e kulturë në shkollën e Jezuitve, deri sa, për t’ju ba krah familjes, për arsye ekonomike, u detyrue ta ndërpresë, tuj mbarue vitet e fundit të maturës në shkollën e natës.  Mbas maturës ju kushtue profesionit të infermierit, që e mësoj në kursin shtetnor të infermierisë në vjetin 1946/1947 dhe tuj punue në Sanatoriumin e Shkodres.

Për të plotsue dijet e veta në profesionin që e donte shumë, vendosi të ndjekë Fakultetin e Mjeksisë në Universitetin e Tiranës, ku u diplomue në vjetin 1960. Mbasi kishte kuptue që pasioni i tij ishte kirurgjija, u specializue në kirurgji të përgjithëshme. Si mjek i ri kirurg, u emnue nga shteti në Spitalin e Peshkopisë, që u ba si shtëpija e tij, mbasi tuj kenë specialist i vetëm, punonte gjithë kohës, pa orar, që të mbulonte të gjithë atë krahinë me nevoja e kërkesa të mëdha.

Në Peshkopi, ku punoj 10 vjet, e njihnin të gjithë, e për banorët e atyne zonave, Dr. Marku ishte një hero i heshtun, me kontribut të paçmuem, me zemër të madhe e mjeshtër në profesion.

Siç më tregonte ma vonë, të shumtë ishin rastet kur detyrohej me ndërhye në kushte të veshtira pune, në ndonjë aksident, ndonjë traumë apo plagosje që ndodhte në zona të largëta malore, ku ishte e pamundur levizja e ambulancës. Shpesh detyrohej të ecë disa orë deri tek i sëmuri. Kishte rastisun që, për të shpëtue pacientin, ishte detyrue ta “operonte” me urgjencë edhe jashtë në rrugë, nën driten e fenerëve të ambulancës.

Mark Mirashi u kthye si kirurg në qytetin e tij të lindjes në vjetin 1972 dhe  punoj në Spitalin e Shkodres deri sa doli në pension. Si kudo ku punoj, edhe këtu, ai solli mendyra të reja e teknikë bashkëkohore kirurgjije. Si në jeten e përditëshme, ashtu edhe para çdo oparacioni që planifikonte, lexonte literaturë të huaj mjeksore lidhur me teknikat që do përdorte në sallë. Ai ishte poliglot dhe i apasionuar për gjuhët e huaja. Zotnonte mirë gjuhën italiane, franceze, angleze, gjermane dhe ruse. 

Nji herë, gjatë nji bisede, më tregoj për nji “mrekulli” të bujshme të vjetit 1987, kur ai kthej në jetë, nga vdekja klinike, nji 18 vjeçar:  

Mbas pune, kur shkova të marr biçikleten, që e mbyllshe te morgu i spitalit, vërejta aty trupin e nji të riu. Instinkti i mjekut më bani të afrohem e ti prek venen. Punojsi i morgut më tregoj që e kishin sjellë të vdekur nga një thikë në zemër. Nga prekja ndjeva një rrahje të dobët pulsi dhe kuptova që ka një shpresë të fundit. Vendosa me e dergue në sallë ku mbasi i hapa gjoksin,  fillova t’i masazhoj zemren me të dyja duert deri sa ajo filloj të rrahë përsëri. Djali 18 vjeçar u kthye në jetë dhe mbas kontrolleve e vizitave disa ditore që i bana, u normalizue.

“Kurr mos e nenvleftëso doren e mjekut, se asht si dora e Zotit”, – më thoshte,- për të më dhanë kurajo, mbasi edhe unë  gjindesha në reanimacion.

Perveçse nji kirurg i mirë, Dr. Marku ishte një intelktual i kompletuem e me kulturë të gjanë. Njihte mirë historinë, filosofinë si dhe klasikët e letersisë botnore.

Dr. Mark Mirashi punoj 52 vite në shërbim të njerzve, me nji përkushtim të pashoq, tuj tregue se asht YLLI i kirurgjisë në Shkodër. Janë qindra pacientë që i falenderohen mjeshtrisë e talentit të njeriut të mirë Mark Mirashi, ashtu sikurse dhjetra mjekë e studentë që mësuen profesionin prej tij.

Mark Mirashi vdiq në moshen 82 vjeçare, me 22 prill 2011, për tu vendosë në pjedestalin e njerzve ma të shquem të Shkodres e Shqipnisë. / KultPlus.com

Ignaz Semmelweis, mjeku hungarez që zbuloi rëndësinë e larjes së duarve

Mjeku dhe gjeniu më i pafat e i mohuar ndonjëherë, është pikërisht hungarezi Ignaz Semmelweis, për të cilin Google sot feston zbulimet në përvjetorin e fillimit të stazhit të tij si drejtues i specialistëve të klinikës më të madhe obstetrike në Vienë.

Në prill 1847, ndërsa punonte, Ignac Semmeweis zbuloi se ethet puerperale, një sëmundjeshkaqet dhe kura e së cilës aso kohe injoroheshin totalisht, e cila vriste gati 40% të grave që lindnin, nuk provokohej siç besonin shumica, nga një çekuilibër në “disponimet” e trupit të njeriut. Sipas Semmelweis ishte një infeksion i së njëjtës natyrë me atë që vrau kirurgët që aksidentalisht dëmtuan veten gjatë ekzaminimeve të kufomave ose gjatë operacioneve mbi pacientët e infektuar.

Ai vërejti se nëse profesori ose studentët që vizitonin një grua që do të lindte, vinin nga një dhomë operacioni ku kishin kryer një autopsi (pa ndonjë mbrojtje, larje ose dezinfektim), ose kishin parë për herë të parë një grua të infektuar, ata i transmetonin kështu pacientit fatkeq një sëmundje vdekjeprurëse. Me pak fjalë, shkaku i etheve puerperale ishte vetë mjeku, i cili transportonte nga një pacient te tjetri diçka që mbetej e lidhur në duar dhe që shkaktonte sëmundjen.

Në fakt, obstetrika në Vjenë përbëhej nga dy pavione: në të parin punonin doktorët dhe studentët, në të dytën mamitë. Por, çuditërisht, në të dytën, përqindja e vdekjeve nga ethet puerperale ishte shumë më e ulët. Mamitë, ndryshe nga mjekët dhe studentët, nuk kryenin autopsi. Kështu që ato nuk e infekstonin pacienten.

Nga mesi i majit 1847, mjeku i ri propozoi të përdoret klori për dezinfektimin e duarve të studentëve dhe profesorëve. Propozimi ishte mjaft i thjeshtë për të dalë i parëndësishëm: për fat të keq komuniteti i gjinekologëve e konsideroi atë jo vetëm të parëndësishëm, por edhe të padobishëm! Sidoqoftë, Semmelweis arriti të zvogëlojë vdekjet me 90% në vetëm një vit.

Semmelweis kishte njoftuar vazhdimisht për hulumtimin e tij tre personaliteteve të shquara të mjekësisë vjeneze, të cilët kishin qenë profesorët e tij: Karl von Rokitansky, Joseph Škoda dhe Ferdinand von Hebra, të cilët u përpoqën në çdo mënyrë që ta bëjnë të njohur zbulimin e këtij nxënësi të padëgjuar në botën shkencore. Por të gjitha përpjekjet ishin të padobishme: gjinekologët më të mëdhenj të kohës e konsideruan hipotezën e Semmelweis si një gjë të kotë. Armiqësia ndaj tij ishte e tillë saqë ai u detyrua të largohej nga klinika ku kishte provuar korrektësinë e intuitës së tij.

I dëshpëruar, pas 13 vjetësh kundërshtish dhe i keqkuptuar nga shumica, Semmelweis filloi të shkruante letra të hapura për mjekët dhe akademitë individuale, dhe përfundimisht filloi të shpërndante edhe fletëpalosje. Tonet e letrave drejtuar kundërshtarëve të tij ishin profetikë dhe kërcënues: ai i dha të gjithëve vrasësin. Ishte e kotë, dhe toni polemik dhe agresiv i tij kontribuoi në margjinalizimin e tij. I mërzitur edhe nga punët e pafat për familjen, ai përfundoi të humbasë arsyen e tij dhe vdiq në një azil në 13 gusht 1865. Vetëm disa vjet më vonë, kur Pasteur themeloi bakteriologjinë, më në fund ishte e mundur të pranohej se ai kishte qenë një pararendës i shkëlqyeshëm.

Sot nëse mund ta luftojmë CoVid-19, nëse kemi zhdukur tifon dhe kolerën, nëse murtaja është vetëm një sëmundje e së kaluarës, ia kemi borxh higjienës dhe pastrimit të duarve në veçanti. Dhe, pra, edhe për Ignác Semmelweis dhe intuitën e tij. Për këtë, si Google dhe si të gjithë të tjerët, ju kujtojmë se si t’i lani duart mirë, kohëzgjatja e tërë procedurës: 40-60 sekonda. /KultPlus.com