Ministria e Kulturës ka ndërmarrë një nismë për programin ‘Rrugët e Besimit’ nga jugu në veri.
Aktualisht janë ngritur kantieret për restaurimin e plotë të 5 monumenteve të kulturës së besimit islam në vend, ku ndërhyrja e parë tërësore pas dekadash lënie në rrënim do të nxjerrë në dritë vlerat e tyre të jashtëzakonshme kulturore e artistike duke i kthyer në referenca kyç të itinerareve turistike.
Investimi në fjalë parashikon ndërhyrje në disa objekte kulti në Berat, duke nisur nga restaurim i Xhamisë Mbret, i Xhamisë së Beqarëve, i Teqesë Helvetive, por edhe Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë dhe Xhamia e Pazarit në Gjirokastër.
Ndërkohë, “Rrugët e Besimit” kalon edhe në Kishën e Shën Mërisë në Peshkëpinë e Sipërme të Dropullit, për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve restauruese. Po ashtu parashikohet që të nisë shumë shpejt dhe restaurimi i pikturës murale në Kishën e “Shën Venerandës”, në Pllanë – Lezhë, ku do të kryhen ndërhyrje konservuese – restauruese në pikturën murale të kishës.
Pjesë e projektit është edhe restaurimi i “Kishës së Shën Premtes”, në Valsh të Elbasanit. Sakaq, ka nisur puna për restaurimin e Urës së Shën Prodhomit, Voskopojë, monument kulture i kategorisë së I-rë, ndërtuar në shekullin XVIII dhe në Kishën e Shën Thanasit në Leshnicë.
“Këto kantiere janë vetëm një nga ofertat e reja turistike në programin ‘Rrugët e besimit’, ku nga Veriu në Jug, po ofrojmë vendet e kultit më tipike dhe përfaqësuese, jo vetëm të kulturës dhe artit, por edhe të bashkëjetesës fetare si një origjinalitet shqiptar”, është shprehur ministrja e kulturës Mirela Kumbaro.
Në këtë verë janë miratuar disa projekte restaurimi nga KKR:
Restaurim “Ura Antiko – Mesjetare “mbi lumin Vjosë, nën kalanë e Tepelenës;
Restaurim “Ura e Nivanit”, Zagori;
Restaurimi i “Kalasë së Drishtit”, Shkodër;
Restaurim i pikturës murale në Kishën e Marmiroit, Pashaliman – Vlorë;
Restaurim i “Kalasë së Bashtovës”, pranë fshatit Vilë, Rrogozhinë;
Restaurim i “Urës së Mesit”, në fshatin Mes, Shkodër;
Restaurim i “Kishës së Ipapandisë”, në Dhërmi –Vlorë, shkruan konica.al./KultPlus.com