Zhduken thesare të çmuara nga Muzeu Britanik

Muzeu Britanik në Londër ka shkarkuar një anëtar të stafit dhe policia po heton pasi thesaret u raportuan “të zhdukura, të vjedhura ose të dëmtuara”.

Artikujt duke përfshirë ar, bizhuteri dhe gurë të çmuar e gjysmë të çmuar, ishin ndër ato që mungonin nga muzeu, një nga atraksionet më të mëdha turistike të Mbretërisë së Bashkuar.

Shumica e sendeve u mbajtën në një depo, tha muzeu.

Drejtori i Muzeut Britanik, Hartwig Fischer, tha se muzeu “do të bëjë përpjekje në rikuperimin e objekteve”.

“Ky është një incident shumë i pazakontë. E di që flas për të gjithë kolegët kur them se ne e marrim jashtëzakonisht seriozisht ruajtjen e të gjitha sendeve që kemi në kujdesin tonë”, shtoi ai.

Policia kundër Krimit Ekonomik po e heton rastin, por nuk ka të arrestuar.

Muzeu tërheq më shumë se gjashtë milionë njerëz që e vizitojnë atë çdo vit.

Koleksioni i tij përfshin gjashtë kontinente dhe dy milionë vjet histori, duke përfshirë skulpturat e Partenonit, të njohura gjithashtu si Mermeret Elgin – fati i të cilave është objekt i shumë diskutimeve, shkruan BBC, transmeton Klankosova./KultPlus.com

Tare: Muzeu britanik korrigjon gabimin, Butrinti cilësohet vendndodhje në Epir

Studiuesi dhe anëtari i Këshillit Shkencor të UNESCO-s, Auron Tare njoftoi se muzeu britanik (British Museum), ka vendosur të ndryshojë emrin e vendgjetjes së një koleksioni monedhash nga Buthrotum Epirus Greece në Buthrotum Epirus Albania.

Tare ka sqaruar se muzeu britanik reagoi shpejt pas letrës që i dërgoi Drejtorit të Përgjithshëm për saktësinë e terminologjisë së përdorur për të përshkruar Butrintin si qytet grek.

“Falë kuratorit të Departamentit të Monedhave dhe Medaljeve të Muzeut Britanik, Tom Hockenhull u përgjigj me një term të saktë duke identifikuar saktë origjinën e koleksionit të monedhave nga Butrinti si Buthrotum, Shqipëria moderne Epiri”, ka nënvizuar Tare.

Në një prononcim për median për këtë çështje, Tare informoi se, “është një koleksion monedhash romake të gjetura me sa duket në zonën e Butrintit”.

“Koleksioni ka në British Museum diku tek 110 vjet. Nuk ka një ide të saktë nga kanë ardhur, por ka një indicie që mund të jetë një koleksionist anglez, i cili jetonte në Korfuz në fundin e 1800-ës dhe më vonë ia ka falur këtë koleksion muzeumit britanik. Është një koleksion interesant se për herë të parë në atë kohë zbulohej se Butrinti kishte një ujësjellës të ndërtuar në kohën e perandorit August dhe monedhat ishin të prodhuara në Butrint”, u shpreh Tare.

Tare tha se, “është e rëndësishme që një institucion me atë rëndësi siç është British Museum ndryshon toponimin e vendgjetjes së koleksionit dhe kjo është shumë e rëndësishme për historinë antike shqiptare, por dhe për debatin shekullor të zonave të Epirit. Fakti që muzeu britanik e kishte të cilësuar vendndodhjen e Butrintit si Epir grek ishte një gabim i rëndësishëm që u korrigjua në mënyrë xhentëllmenësh. Pra muzeu reagoi menjëherë dhe vendosi ta ndryshonte”./ atsh / KultPlus.com

Muzeu Britanik ekspozon artefaktet mesjetare para se t’i rikthejë në Uzbekistan

Muzeu Britanik do t’i kthejë gjashtë pllakat e një kompleksi memorial mesjetar të qytetit uzbek Samarkand, që ishin sjellë në aeroportin “Heathrow” në një valixhe.

Njeriu i cili i kishte kontrabanduar nga Dubai në janar i kishte falsifikuar dokumentet duke i deklaruar ato si replika që ishin punuar “që të kenë pamjen e moçme”. Kishte falsifikuar një faturë përmes të cilës deklarohej se si ato ishin blerë në Sharjah një ditë më parë për rreth 70 funte. Në fakt, pllakat kanë vlerë më shumë se dhjetëra e mijëra funte dhe janë të rëndësishme për kulturën e vendit nga vijnë – Uzbekistani. Por, para se të rikthehen në vendin e origjinës, ato të do të ekspozohen.

John Simpson, kurator i ri në British Museum në Departamentin për Lindjen e Mesme, ka thënë se pllakat janë të jashtëzakonshme. “Ato janë shumë tërheqëse… Mund ta shihni se përse ato mund t’i tërheqin kriminelët”.

Pllakat ishin konfiskuar nga forcat kufitare të Britanisë së Madhe dhe si zakonisht, në raste kur ka dyshime për kontrabandime të sendeve antike, oficerët kishin kontaktuar muzeun për të treguar nëse pllakat ishin origjinale dhe nga vinin ato.

Në maj, Simpson kërkoi ndihmën e disa ekspertëve nga vende të Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe po ashtu të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë.

“Ishte shumë fantastike në këtë rast që të arrish të kontaktosh specialistë nga vende të ndryshme për një periudhë të shkurtër kohore, përkundër pandemisë globale”, ka thënë ai.

Pllakat “e punuara që të duken të vjetra” datojnë nga fundi i shekullit 13 dhe mesi i shekullit 14. Ato fillojnë me periudhën e vendosjes së etnisë khanate nën udhëheqjen e Chagatai Khan, djali i dytë i Chinggis Khanit, gjatë viteve 1227-1363.

Ato kanë tri ngjyra zmalti – e bardhë, bruztë dhe e kaltër kobalt – dhe secila ka mbishkrime kuranore, por vetëm njëra është e përfunduar. Specialistët nga Uzbekistani e kanë konfirmuar se pllakat vijnë nga kompleksi memorial Shah-i-Zinda afër Samarkandit. Ata kanë thënë se gjatë gjurmimeve arkeologjike dhe punimeve restauruese gjatë viteve 1996-2000 shumë artefakte nuk ishin listuar. Simpson ka thënë se “Shah-i-Zinda” ishte një kompleks varresh dhe monumentesh me rëndësi në historinë e Samarkandit, një vend i përfshirë në trashëgiminë botërore dhe një destinacion me rëndësi për turistët.

Plani është që pllakat të ekspozohen në muze nga dhjetori deri dy ose tre muaj para se të riatdhesohen në Uzbekistan. Simpson ka thënë se shumica e artefakteve kontrabandohen në çanta që janë më të sigurta për transportim, por jo në valixhe.

“Mendoj se natyra e pacipë tregon shkallën e krimit. Kanë menduar se mund të kalojnë lehtë. Nuk dihet nëse ia kanë dalë në të kaluarën, por çdo veprim i tillë dërgon një mesazh të fuqishëm te kriminelët – krimi nuk shpaguhet në këtë rast”.

Hartwig Fischer, drejtor i British Museum, ka thënë: “Identifikimi i objekteve kulturore të tregtuara në mënyrë të paligjshme është pjesë shumë e rëndësishme e punës së muzeut. Përgjatë viteve të fundit ne kemi ndihmuar në rikthimin e më shumë se 2 mijë e 500 objekteve në Irak, Afganistan, Uzbekistan dhe gjetkë”. “Ne punojmë së bashku me forcat e rendit, kolegë nga muzetë e tjerë, personel akademik dhe nga ambasada për ta limituar këtë trend të rrezikshëm dhe për ta garantuar ruajtjen e trashëgimisë kulturore”.

Said Rustamov, ambasadori i Uzbekistanit në Britani të Madhe, ka shprehur mirënjohje ndaj muzeut dhe forcave britanike të rendit. “Ministria e Kulturës dhe organet e tjera qeveritare nga Uzbekistan do t’i forcojnë bashkëpunimet me Muzeun Britanik dhe forcat e rendit për ta luftuar tregtinë e paligjshme të artefakteve. Bashkëpunimi ynë i afërt do t’u japë një mesazh të fuqishëm trafikuesve të artefakteve”./Koha.net/ KultPlus.com