Përfundon restaurimi i Urës së Abdyl Agës në Krujë

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Tiranë ka përfunduar ditët e fundit projektin e restaurimit dhe mirëmbajtjes së  “Urës së Abdyl Agës” në Krujë.

Sipas DRTK Tiranë, projekti i hartuar nga specialistët e DRTK-Tiranë, shqyrtuar në Këshillin Teknik dhe i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale konsistoi në çmontimin e  murit të gurit në zonat e dëmtuara, pastrimin mekanik të qemerit të gurit nga klasifikimet dhe përgatitjen për fugatim të sipërfaqes.

Po ashtu pjesë e ndërhyrjes ishte edhe restaurimi dhe plotësimi i murit të gurit tek të dy shpatullat e urës, plotësimi i muraturës së hequr nga ndërhyrjet klandestine, si dhe konsolidimi strukturor i muraturës prej guri, fugatimi në qemere guri dhe restaurimi i kalldrëmit.

“Ura e Abdyl Agës” ndodhet në Grykën e Shkallës së Zezës në Krujë ndërmjet fshatrave Barkanesh e Cudhi të malësisë së Krujës. Sot ajo lidh fshatrat e Ranxës (Barkanesh, Këlcunjë, Buronjë, Kukaj, Mukaj, Rradhesh, Herraj) me malësinë e Krujës (Cudhi Bruz, Ranxë etj). Nën të kalon lumi i Zezës, i cili pasi kalon Fushë Krujën i drejtohet ultësirës bregdetare.

Në mesjetë ura e Abdyl Agës i shërbente rrugës së karvaneve që lidhte Shkodër-Lezhën me Dibrën, nëpërmjet malësisë së Tiranës dhe asaj të Matit.

Sipas burimeve të vendit ndërtimi i urës rezulton rreth viteve 1810-1820. Në ndërtimin e urës është përdorur gurë gëlqeror i malit pranë. Ngjitur me urën ruhen gjurmë kalldrëmesh mesjetarë të kohëve të ndryshme./atsh/ KultPlus.com

Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës, unik në llojin të tij në gjithë rajonin e Ballkanit

Një ndër muzetë e veçantë në Shqipëri është pikërisht Muzeu Kombëtar Etnografik në qytetin e Krujës.

Ky muze e ka zanafillën e krijimit të tij që 20 nëntor të vitit 1989 dhe ndodhet në një objekt të ndërtuar në vitin e largët 1764 që është ish-shtëpia e Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” . Ky objekt është klasifikuar si objekt i Trashëgimisë Kulturore dhe monument kulture i kategorisë së I.

Toptanët që kanë qenë dhe pronarët e dikurshëm të objektit kanë qenë edhe sunduesit e zonës së Krujës dhe njihen si një nga familjet kryesore të vjetra dhe patriotike shqiptare.

Objektet e ekspozuara në këtë muze pasqyrojnë më së miri mentalitetin dhe shpirtin luftarakë dhe krijues të popullit tonë ndër shekuj në fushën e artizanatit, bujqësisë, blegtorisë etj. Këto artefakte dëshmojnë më së miri jetën e popullit tonë ndër shekuj dhe me kalimin e kohës ky muze vazhdon edhe sot të pasurohet me objekte të reja të gjetura që i përkasin periudhave të ndryshme.

Objektet të cilët janë vendosur në këtë muze përveçse përfaqësojnë periudha të ndryshme të historisë së vendit, pjesa më e madhe e tyre janë objekte autentike edhe sot vazhdojnë të jenë funksionalë.

Ky muze është unik në llojin të tij në të gjithë rajonin e Ballkanit për nga stili që përfaqëson dhe është gjithashtu ka dhe cicëron, ç’ka e bën atë të aksesueshëm jo vetëm nga shqiptarët por dhe nga turistët e huaj./atsh/ KultPlus.com