‘Kryeëngjëlli Mihail’, në Muzeun e Artit Mesjetar

Muzeu i Artit Mesjetar Korçë ka prezantuar sot në rrjetet sociale një nga ikonat e fondit të tij.

Bëhet fjalë për ikonën “Kryeëngjëlli Mihail”, ikonë e cila vjen nga Opari i Korçës.

Në panelin e madh paraqitet kryeëngjëlli, me krahë, si mbrojtësi i kishave bizantine. Vepra është e një cilësie të lartë artistike. Ky tip ikonografik i takon periudhës të Paleologëve.

Kryeëngjëlli paraqitet në pamje frontale me shpatën në dorën e djathtë dhe globin në të majtën. Ka veshje luftarake dhe tunikë të kuqe. Pjesët e mishta janë modeluar me kafe të lehtë dhe dritat finale pas një sërë tonesh të buta janë realizuar me të bardhe. Sfondi i argjendtë është tipik i shkollës maqedonase.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona./ KultPlus.com

Ikona e rrallë “Himni Akathist”, aset i çmuar i Muzeut të Artit Mesjetar

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë solli në vëmendje një nga veprat më interesante që ruhen në fondin e tij. Është “Himni Akathist”, një përshkrim me detaje i jetës së Shën Marisë, i ndarë në skena.

Kjo është një ikonë e rrallë e pikturuar nga mjeshtri i ikonografisë Konstandin Shpataraku gjatë shek. të XVIII. Në këtë ikonë mjeshtri shfaqet si një miniaturist i madh, me një talent të jashtëzakonshëm. Në qendër lart paraqitet një skenë e kurorëzimit të Virgjëreshës e cila pasohet nga 24 skena nga jeta e Shën Marisë të pikturuara në kuadrate të rregullta, ku mbizotëron një ngjyrë blu e thellë e cila bën të kontrastojnë bukur tonet e arta dhe të ngrohtat.

Ngjarja fillon me skenën e lajmërimit, “Ungjëllizimi” dhe përfundon me ngjitjen e Shën Mërisë në qiell.

Figurat janë vizatuar me saktësi dhe elegancë. Çdo detaj është pikturuar me kujdes të jashtëzakonshëm.

Ikona ka qenë pjesë e dekorit të kishës së Shën Mërisë nga Manastiri i Ardenicës dhe sot përbën një aset shumë të çmuar në ekspozitën e MKAM. /atsh /KultPlus.com

Muzeu i Artit Mesjetar prezanton objekte të vyera të fondit të tij

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, prezantoi sot, në rrjetet sociale, një nga objektet që disponon në fondin e tij. Bëhet fjalë për mitrën, pjesë e veshjes ceremoniale të ritit Ortodoks Lindor.

Origjina e saj shkon larg në histori, tek tradita hebraike. Në formën që na paraqitet sot, ajo është përdorur pas rënies së Kostandinopojës dhe është bazuar në kurorën e perandorëve të lindjes.

Mitra, e ekspozuar në MKAM është prodhuar prej materialesh të ndryshme si, mëndafsh, metal, gurë dhe porcelane të ngjyruar. Copa e gjelbër rrethohet nga dekoracione argjendi të lara në ar, me motive floreale, të zbukuruara me gurë artificialë shumëngjyrësh. Në pjesën e sipërme ajo mbyllet me një kryq. Midis dekoreve prej argjendi janë montuar disa pjesë porcelani në formë ovale ku paraqiten katër Ungjillorët.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj./atsh/ KultPlus.com

Ikona e Kostandin Zografit, vepra e çmuar e Muzeut të Artit Mesjetar

Muzeu i Artit Mesjetar, në Korçë solli në vëmendje veprën e një prej ikonografëve më të shquar të shek. XVIII”, “Lindja e Krishtit”, që e ka përzgjedhur edhe si kartolinë të urimeve të festave të Fundvitit.

Vepra është një ikonë e pikturuar nga Kostandin Zografi nga Korça dhe paraqet skenën e lindjes së Krishtit, me fëmijën, Marinë dhe Jozefin, barinjtë që diktuan yllin, mbretërit që sjellin dhuratat si dhe engjëjt në qiell.

Ikona ishte pjesë e ikonostasit të katedrales “Burimi Jetëdhënes” në Korçë dhe është një nga veprat e çmuara që ruhen në ambientet e Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në seksionin e dedikuar vëllezërve Zografi dhe krijimtarisë së tyre të jashtëzakonshme.

Në fund të ikonës shkruhet: “Viti 1770, nga dora e Kostandinit”. /atsh / KultPlus.com

Muzeu i Artit Mesjetar restauron ikonën e Shën Dhimitrit

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, ka publikuar në rrjetet sociale imazhin e ikonës së Shën Dhimitrit, e cila është në proces restaurimi.

Kjo vepër vjen nga kisha e Shën Gjergjit e fshatit Kamenicë të Korçës.

Ikona e Shën Dhimitrit është pikturuar nga Joan Zografi, nga Dardha, në vitin 1864.

Në foto dallohet qartë rezultati që ka dhënë restaurimi, duke nxjerrë më në pah detajet që Joan Zografi ka realizuar për këtë imazh të Shën Dhimitrit.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar përmban një nga koleksionet më të pasura të Mesjetës, të Artit Bizantin dhe PostBizantin.

Ky muze përmban 7500 objekte artistike prej guri, druri, leshi, argjendi dhe metale të tjera, kostume folklorike dhe objekte të tjera që tregojnë antikitetin, traditën dhe origjinalitetin e kulturës qytetare. Rreth 1200 objekte shumica me përkatësi kohore nga epoka bronzit dhe epokës së hekurit, dhe rreth 6000 janë ikona. / atsh / KultPlus.com