Muzeu i Krujës, Hafizi për ATSH-në: Dyfishim i vizitorëve në 3 muaj, kryesojnë italianët, kinezët dhe spanjollët

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë ka shënuar një dyfishim të numrit të vizitorëve gjatë periudhës janar-mars të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se në periudhën janar-mars “muzeu u vizitua nga 13 637 vizitorë, nga të cilët 4560 të huaj. Të huajt vijojnë të tregojnë interes për t’u njohur me historinë e popullit shqiptar dhe në veçanti me atë të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

“Vendet që kryesojnë janë vizitorët nga Italia me 35%, Kina me 30%, Spanja 20% dhe 15% janë vizitorë nga vendet e tjera”, tha Hafizi.

Hafizi bën të ditur se “ditët e para të prillit muzeu u vizitua nga rreth 80 studentë të shkollës DvM Humaniora Aalst, Belgjikë si dhe gjimnazistë nga Sofja, Bullgari”.

Nga janari deri në dhjetor të 2023 Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u vizitua nga 110,162 vizitorë, ku 50% ishin vizitorë të huaj, 30% vendas dhe 20% nxënës dhe studentë”.

Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në muze numërohen disa pavijone si, pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i Principatave Shqiptare, i Pushtimit Osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.

Në këto pavijone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit XV, etj./ atsh / KultPlus.com

Muzeu ‘Gjergj Kastriot Skënderbeu’ në Krujë, rreth 25 mijë vizitorë në janar-maj

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, gjatë periudhës janar-maj, ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se, “rreth 25 000 vizitorë kanë vizituar nga fillimi i këtij viti muzeun , me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar 2022″.

“Edhe këtë vit numrin më të lartë të turistëve të huaj, pritet ta kenë polakët pasuar nga italianët, spanjollët, gjermanë dhe amerikanët”, tha Hafizi.

Sipas tij, gjatë majit muzeu ka tërhequr vëmendjen edhe të vizitorëve arbëreshë nga Civita (Kalabri), si dhe nxënës nga të gjitha trevat shqiptare.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.

Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, Principatat Shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim./atsh/KultPlus.com

Studentë nga universiteti i Vjenës dhe i Tiranës, restaurojnë muzeun e Krujës

Vazhdon puna në Muzeun Etnografik të Krujës, që falë programit EU4Culture po i nënshtrohet restaurimit dhe rijetëzimit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka postuar në rrjetet sociale një fotogaleri nga puna që po bëhet në muzeun e Krujës.

Studentë nga universiteti i Vjenës dhe i Tiranës kanë punuar së bashku për pastrimin dhe ruajtjen e artifakteve.

Muzeu Etnografik i Krujës, ka më shumë se 1000 objekte me vlerë, të cilat po i nënshtrohen procesit të pastrimit, për t’u restauruar dhe ekspozuar në muzeun e rijetëzuar.

Me mbështetjen e programit EU4Culture janë duke u restauruar një sërë objektesh e sitesh të trashëgimisë kulturore. EU4Culture shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i vitit 2019 dhe ka një buxhet total prej 40 milionë eurosh. /atsh / KultPlus.com

Drejtori i Muzeut të Krujës: 30 mijë turistë nga janari deri tani

Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës pritën një numër të lartë lartë vizitorësh vendas e të huaj gjatë 2022.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “në muajt janar-korrik muzeu pati një numër të lartë vizitorësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në gati 7 muaj dy muzetë u vizituan nga 30 mijë vizitorë, 40% më shumë se në 2021-shin”.

Sipas tij, turistët e huaj janë polakë, spanjollë, izraelitë, francezë, amerikanë, egjiptianë, danezë, suedezë, etj.

“Këtë vit vihet re një rritje e konsiderueshme e turistëve spanjollë në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, të cilët bashkë me polakët përbëjnë dhe numrin më të madh të turistëve të huaj, që kanë vizituar muzeun gjatë këtij viti”, shton Hafizi.

Hafizi bën të ditur se “në Muzeun Etnografik vijojnë punimet për  rikonstruksionin dhe do të jetë gati në tetor për të pritur turistët”.

“Konkretisht punimet janë përqendruar në pikturën murale “Oda e nuses”, ku po vijohet me ndërhyrjet konsoliduese si edhe me pastrimin e saj nga kripërat, nxirjet etj”, tha Hafizi.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeu është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90 % e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 % janë funksionale./ atsh / KultPlus.com

Koleksion i rrallë i monedhave, kartëmonedhave dhe pullave postare me figurën e Skënderbeut

Kjo ekspozitë, e cila përkon me një datë historike, atë të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, synon t’i prezantojë publikut të gjerë figurën e Skënderbeut përmes një koleksioni të rrallë, shkruan KultPlus.

Më 17 janar 2018, Shoqata e Koleksionistëve të Shqipërisë hap siparin e aktiviteteve në vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut. Muzeu Kombëtar i Krujës do të jetë stacioni i parë ku do të zhvillohet ekspozita e përkohshme, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu përmes monedhës dhe pullës shqiptare”. Kjo ekspozitë, e cila përkon me një datë historike, atë të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, synon t’i prezantojë publikut të gjerë figurën e Skënderbeut përmes një koleksioni të rrallë monedhash, kartëmonedhash dhe pullash shqiptare, pjesë e koleksionit të Julian Demeti dhe Jovan Basho.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar të Krujës në datat 17 -18 Janar 2018. Julian Demeti dhe Jovan Basho janë koleksionistë dhe anëtarë të Kryesisë së Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë. /KultPlus.com

Të rinjtë hedhin valle në Kalanë e Skënderbeut në Krujë (VIDEO)

Në Kalanë e Skënderbeut në Krujë, të rinjtë shqiptarë kanë hedhë valle, shkruan KultPlus.

Duke pasë parasysh se tashmë jemi në muajin nëntor dhe festat për ditën e flamurit kanë filluar, këta të rinjë, të veshur edhe me kostume kombëtare kanë hedhë valle, pikërisht duke ia dedikuar këtë vallëzim flamurit./KultPlus.com