Përkujtohet gjuhëtari Arisidh Ruçi, burgosur nga diktatura

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot firmëtarin e pavarësisë, gjuhëtarin dhe patriotin  Arisidh Ruçi, burgosur nga diktatura.

Aristidh Ruçi lindi më 11 mars 1875 në Sheper të Zagorisë. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit, më pas u zhvendos në Janinë për të ndjekur studimet e mesme në gjimnazin “Zosimea”. Për një periudhë 2 vjeçare jetoi në Stamboll dhe u kthye sërish në Janinë gjatë viteve 1899-1904. Këto lëvizje i dhanë mundësinë që të binte në kontakt me figura të mëdha si Naim Frashëri, Shahin Kolonja apo Kadri Gjata dhe të kishte letërkëmbim me anëtarë të diasporës së Bukureshtit, Egjiptit dhe Bostonit.

Në vitin 1906 u vendos në qytetin e Vlorës për të qëndruar aty deri në fund të jetës se tij, ku u bë një ndër tregtarët më të njohur të qytetit. Aristidh Ruçi kthehet në një figurë të rëndësishme dhe më një veprimtari të gjerë kombëtare.

Në 1908 u bë anëtar i klubit patriotik “Labëria” të Vlorës. Emri i tij lidhet me përpjekjet për përhapjen e gjuhës shqipe. Sëbashku me Tod Lubonjarin siguronin libra e gazeta shqip dhe i shpërndanin në Lubonjë, Picar, Armen e Treblovë, apo duke çelur kurse të fshehta ku mësohej gjuha shqipe. Në korrik të 1911 ishte ndër organizatorët e Kuvendit të Drashovicës. Po në të njëjtin vit, së bashku me një grup atdhetarësh shkon në Itali për të takuar Ismail Qemalin për organizimin e Lëvizjes Kombëtare.

Në Kuvendin Kombëtar më 28 nëntor 1912 ishte delegat i Tepelenës dhe firmëtar tek Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë. Ndihmoi në ngritjen e administratës në Fier, Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër e Delvinë. Veprimtaria e tij patriotike u intensifikua gjatë viteve 1918-1920 kundër pushtuesve italianë. Ishte ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” që ndihmoi në organizimin e Luftës së Vlorës në 1920. Në vrullin e kësaj lufte, u krijua shoqëria patriotike “Përlindja Kombëtare”, ku komisioni ngarkoi: Aristidh Ruçin dhe disa atdhetarë të tjerë për hartimin e rregullores se saj. Komiteti ”Mbrojtja Kombëtare” e ngarkoi për të shoqëruar bandën muzikore të Federatës: “Vatra” dhe Komisionin e Kryqit të Kuq Amerikan në frontin e luftës në vitet 1920-1924.

Gjatë viteve në vijim u përfshi në jetën demokratike te vendit, siç ishte federata “Atdheu” dhe shoqëria “Bashkimi” Në vitet 1921-1939 ishte edhe anëtar i Këshillit Administrativ të Bashkisë së Vlorës. Në vitin 1937 u zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, së bashku me kryetarin e Bashkisë Vlorë Ali Asllanin dhe mjekët Vasil Dhimitri e Pavlo Pavli krijuan Degën e Kryqit të Kuq për Vlorën. Gjatë pushtimit, si pasojë e veprimtarisë antifashiste, u arrestua dhe internua në Itali.

Me kthimin e tij në Shqipëri u arrestua nga sistemi i vendosur komunist për arsyen e të qenurit tregtar i madh. Pas 2 vitesh burgim lihet i lirë, por duke i sekuestruar çdo gjë që kishte pasur, madje dhe orenditë shtëpiake. Vdiq në 11 prill të vitit 1950 ku vdekja e “Mendjes së Vlorës”(siç e cilësonin bashkëkohësit e tij) u la në hije nga shtypi i kohës. / KultPlus.com

“Shtëpia me Gjethe” përkujton shkrimtarin Et’hem Haxhiademi

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot dramaturgun, shkrimtarin dhe përkthyesin Et’hem Haxhiademi, i cili vdiq në burgun e Burrelit.

Ethem Haxhiademi lindi më 8 mars 1902 në Elbasan. Shkollën e mesme e ndoqi në Leçe të Italisë dhe e përfundoi në Insbruk, Austri. U diplomua për shkenca politike në Berlin dhe gjatë studimeve bashkëpunonte njëkohësisht me revistat “Kopshti Letrar”(Elbasan) dhe “Djalëria” (Vjenë).

Pas studimeve, punoi në administratën vendore në disa qytete dhe më vonë si drejtor në Ministrinë e Brendshme.

Në vitin 1941, u emërua anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Në vitet 30 botoi një numër tragjedish: “Akili”, “Aleksandri”, “Ulisi” (1931), “Pirrua” (1934), “Skënderbeu” (1935), “Diomedi” (1936), “Abeli” (1939). Botoi gjithashtu poezinë: “Lyra” (1939) dhe përkthime si “Bukolikët” e Virgjilit, (1923). Më 29 dhjetor 1947, me vendim nr.531, Gjykata e Lartë e dënoi për krime kundër shtetit, me vdekje dhe konfiskim pasurie.

Më vonë dënimi iu shndërrua në 25 vjet burg. Vdiq në burgun e Burrelit më 17 mars 1965. / KultPlus.com

109 vite nga lindja e filozofit, shkrimtarit dhe poetit Isuf Luzaj

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot filozofin, shkrimtarin dhe poetin Isuf Luzaj.

Isuf Luzaj lindi më 21 shkurt 1913 në Kaninë të Vlorës. Shkollën fillore e kreu në Vlorë ndërsa gjimnazin në Shkodër. Në vitin 1933 u regjistrua në Universitetin e Sorbonës në Paris por për shkaqe ekonomike i ndërpreu studimet e tij. Në vitin 1936 u kthye në Shqipëri për të punuar si mësues i gjuhës frënge në Elbasan e në Korçë.

Nga viti 1940 deri në vitin 1941 u burgos në Itali, por më pas u kthye në Shqipëri ku u dallua për luftën e tij ndaj trupave fashiste, rezistencën antikomuniste të Ballit Kombëtar si dhe kontributin në themelimin e Partisë Social-Demokrate në Shkodër, Tiranë e Vlorë së bashku me Musine Kokalarin, Skënder Muçon etj. Në 1944 largohet nga Shqipëria drejt Italisë, ku akuzohet për vrasje dhe qeveria komuniste kërkoi ta riatdhetsojë me qëllim që ai t’i nënshtrohej “gjyqit të popullit për krime lufte”. Në vitin 1948 u largua në Argjentinë ku punoi në Ministrinë e Arsimit si përkthyes dhe në 1957 u diplomua në letërsi dhe filozofi.

Gjatë periudhës 1960-1970 mbajti poste të rëndësishme si drejtor i Institutit Francez “La France à l’étranger”, si këshilltar i Ministrisë së Arsimit në Argjentinë, si profesor i filozofisë dhe gjuhës frënge në Universitetin e New Hampshire, shef katedre në po të njëjtin universitet, Drejtor i Përgjithshëm i Gjuhëve të Huaja në Barat College-Lake Forest, Illinois si dhe shef katedre në Universitetin e Indiana-s.

Isuf Luzaj ndërroi jetë në 25 nëntor 2000 në Chicago. Sipas amanetit të lënë u varros në vendlindjen e tij, në Kaninë. Disa nga veprat e tij janë: “Rrëfimet”, “Ideologjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, “Lumenjtë derdhen të kuq”,”Metodologjia për studimet e filozofisë”, “Lamtumira e yjeve” etj.

U vlerësua me tituj të rëndësishëm si: “Professor emeritus” në SHBA dorëzuar nga Presidenti Ronald Regan, me medalje “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike” në SHBA dhe medalje ari nga Universiteti i Buenos Aires-it.

Më 19 qershor 2017 Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, i akordoi Isuf Luzajt, dekoratën “Nder i Kombit” me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm shumëvjeçar, të dhënë në Shqipëri dhe jashtë saj për Pavarësinë dhe demokracinë e vendit, përmes luftës antifashiste e antikomuniste të pareshtur, si dhe për aktivitetin e gjatë e të shquar intelektual e pedagogjik në fushën e shkencave letrare e linguistike, duke u vlerësuar me tituj nderi dhe akademikë nga shumë universitete të njohura në botë, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. / KultPlus.com

Përkujtohet shkrimtari, përkthyesi dhe politikani Pjetër Arbnori

Muzeu Kombetar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, përkthyesin dhe politikanin Pjetër Arbnori.

Pjetër Arbnori, i quajtur gjithashtu “Mandela i Ballkanit”, për shkak të kohës së gjatë 28 vjeçare të kaluar në burgjet e diktaturës komuniste lindi më datë 18 janar të vitit 1935 në qytetin e Durrësit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat partizane vranë babain e tij dhe qëndrimi antikomunist i familjes së tij do të ishte shkak që Pjetër Arbnorit t’i mohohej e drejta për të vazhduar shkollën e lartë, edhe pse të mesmen e kishte përfunduar me rezultate të shkëlqyera.

Duke mos u pajtuar asnjëherë me vijën politike të regjimit komunist, ai dhe intelektualë të tjerë krijuan në fshehtësi Lëvizjen Social Demokrate, e cila u pikas nga Sigurimi i Shtetit. Fillimisht atij iu dha dënimi me vdekje, por ky dënim iu kthye në 25 vjet burg, sepse autoritetet shpresonin akoma që nëpërmjet Arbnorit të zbulonin pjesëtarë të tjerë të organizatës së fshehtë ku ai bënte pjesë. Pas përfundimit të dënimit, ai u ridënua, duke vuajtur 28 vite në burgun e Burrelit. U lirua në vitin 1989, vite ku tashmë ndihej era e ndryshimit. Ishte mjaft aktiv në luftën për rrëzimin e regjimit komunist si dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike në Shkodër. Në vitet 1992-1997 shërbeu si Kryetar Kuvendi. Pas vitit 1997 ai bëri përpjekje që censura e shtetit në media të eliminohej.

Ndryshimet në ligj që pasuan në këtë fushë u quajtën “Amendamenti Arbnori”.

Rreth krijimtarisë së tij letrare rendisim: “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit”, “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Letër nga burgu” etj.

Pjetër Arbnori vdiq në Itali, në korrik të vitit 2006. / KultPlus.com

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.

Në fokus të memorandumit është promovimi i aktiviteteve edukative dhe kërkimore.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, i përfaqësuar nga drejtoresha, dr. Etleva Demollari dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, i përfaqësuar nga dekania, prof. dr. Esmeralda Kromidha nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit nëpërmjet të cilit, të dy palët ranë dakord për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta me fokus promovimin e aktiviteteve edukative dhe kërkimore.

Llojet e bashkëpunimit të parashikuara nga Memorandumi i Bashkëpunimit përfshijnë: ofrimin e praktikave mësimore për studentët, projekte kërkimore dhe aktivitete shkencore të përbashkëta si seminare, leksione, konferenca. / KultPlus.com