Programi “Kujtojmë për të mos harruar”, nënësit e shkollave tek “Shtëpia me gjethe”

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” ftoi drejtorët dhe mësuesit e shkollave të programojnë vizitën e tyre në këtë muze të veçantë. Prej kohësh “Shtëpia me gjethe” organizon programin edukativ “Kujtojmë për të mos harruar”.

Ky program realizohet në zbatim të programit të Ministrisë së Kulturës, Edukimi mbi dhe përmes Kulturës.

Projekti ka si qëllim njohjen e brezave të rinj me të kaluarën e errët komuniste shqiptare si dhe ndërgjegjësimin e tyre rreth pasojave të komunizmit.

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” ftoi gjithashtu edhe ish të persekutuar politikë, që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij projekti.

Të fundit që ishin pjesë e programit edukativ ishin një grup nxënësish nga shkolla “Konferenca e Pezës”, të cilët  patën mundësi jo vetëm të vizitojnë muzeun por edhe të bashkëbisedojnë me Daut Gumenin, i dënuar politik në kohën e diktaturës me mbi 23 vite burg./KultPlus.com

Vlerësohen krijimet artistike të nxënësve, frymëzuar nga Muzeu “Shtëpia me gjethe”

Dje u përmbyll programi edukativ “Mbresa”, në kuadër të të cilit një numër i madh nxënësish sollën krijimet e tyre, në zhanre të ndryshme si piktura, instalacione, ese, poezi dhe dokumentarë të shkurtër.

Këto punime artistike u realizuan pas vizitës në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.  Nxënësit shprehën ndjenjat dhe mendimet e tyre në formën artistike që parapëlqejnë. Më pas u bë një votim i hapur në rrjetet sociale që përfundoi më datën 22 maj.

Projekti “Mbresa” është një konkurs artistik për nxënësit e shkollave të mesme i cili zhvillohet në këto gjini artistike: arte pamore (pikturë, skulpturë, instalacion) si dhe krijim letrar (ese, poezi etj).

Disa nga objektivat e këtij konkursi janë: përfshirja, angazhimi, nxitja e të rinjve për të marrë pjesë në aktivitete krijuese dhe edukuese, njohja e tyre me regjimin komunist shqiptar si dhe njohja me veprimtarinë represive të Sigurimit të Shtetit, reflektimi rreth kësaj të kaluare dhe promovimi i talenteve të reja.

Juria e kryesuar nga Vladimir Myrtezai ka bërë dhe vlerësimin e punimeve më të mira. Krijimet më të mira u vlerësuan me një çmim simbolik si dhe do të bëhen pjesë e një katalogu. Ndërsa krijimi i cili mori më shumë pëlqime në Facebook u vlerësua me çmim të veçantë./atsh/KultPlus.com

Drejtoresha e UNESCO-s viziton muzeun ‘Shtëpia me gjethe’

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, në përfundim të vizitës në Shqipëri, ishte edhe në  Muzeun e Përgjimeve Sekrete, “Shtëpia me gjethe”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila e shoqëroi në këtë vizitë u shpreh se,  ““Shtëpia me gjethe”, është një nga projektet më sfiduese që kam pasur fatin të drejtoj dhe shembulli më i mirë i bashkëpunimit mes profesionistëve dhe pasionantëve të kulturës, i cili për më tepër u vlerësua me çmimin “Muzeu i Këshillit të Evropës” për vitin 2020 , që do të lërë përshtypje të pashlyeshme edhe në kujtesën e mikeshës Azoulay”.

“Konceptuam punë të mira në këtë vizitë dy ditore, ndërsa bëhemi për fillimin e projekteve të reja në mjedis siç është përfshirja e Vjosës dhe degëve të saj në listën e pasurive natyrore botërore të mbrojtura nga Unesco!”, theksoi Kumbaro./atsh/ KultPlus.com

Shtëpia tiranase e lindjeve që u kthye në shtëpi të vdekjeve

Spiunimi nën fëshfërimin e gjetheve

“Shtëpia me gjethe”, dikujt mund t’i tingëllonte si  një emërtim i denjë për një roman, të autorëve latino-amerikan, për më shumë për ndonjë film horror, ku diku në skaj të një pylli kryhen vrasje misterioze. Në të vërtetë, këtë ndjenjë e pata kur dola pas dy ore vizite në këtë Muze , ku mu zu frymëmarrja nga kundërmimi i dosjeve të qindra, mijëra qytetarëve shqiptarë,  viktima të sistemit aq policor, të diktatorit Enver Hoxha

Nga Afrim Demiri

Shpesh biografia e shtëpive gjason me të njerëzve. Edhe ato në periudha të ndryshme kanë funksione të ndryshme, me një fjalë kanë identitete urbane dhe administrative, krejtësisht të ndryshme. Po rrallë  ndodhë që ajo shtëpi që ishte projektuar të jetë shtëpi e lindjeve, të kthehej në shtëpi të vdekjeve dhe njëkohësisht të ndërlidhte tri periudha kohore, të mos them tri epoka.

E ndërtuar më 1931 si shtëpi obstetrike, me nismën  e mjekut të  mirënjohur dr. Jani Basho, duke qenë ndër të parat shtëpi lindjeje në Shqipëri, ajo gjatë okupimit bëhet qendër e Gestapos fashiste, kurse gjatë kohës së komunizmit kthehet hiç më pak  në qendër të sigurimit të shtetit. 

E vendosur, jo larg objekteve të tjera qeveritare, kjo shtëpi me një dizajn urban me  plotë delikatesa zbukuruese fillon, të quhet në zhargonin qytetar “Shtëpia me gjethe”, një epitet ky mbase  i lakmueshëm për çdo shtëpi tiranase normale. Por ky cilësim sikur nxjerr në pah, në mënyrë ironike një paradoks të kohërave, sepse sipas një parafrazimi të lirë të  Nonda Bulkës,  kjo shtëpi më parë do të duhej të thirrej “Shtëpia me gjemba”, nisur nga fakti se brenda mureve të saja fillonin  përgjimet, persekutimet, ndjekjet, kurdisjet dhe paragjykimet deri në vrasje të qytetarëve të Shqipërisë komuniste.   Nuk dihet saktësisht prej  kur  dhe si ka  zënë fill ky epitet apo prej atëherë kur trupit të saj kanë filluar të ngjiteshin  bimët kacavjerrëse dhe fasadës së saj me ngjyra të murrme t’ia jepnin një tis të gjelbërt.

Kjo shtëpi edhe sot e ruanin këtë emërtim, që tingëllon sikur të  ishte një kod i komunikimit sekret  të sigurimcave të shtetit, tashmë e zyrtarizuar në institucionin e Muzeut më të ri të Tiranës po me këtë emër: “Shtëpia me gjethe”.

Dikujt mund t’i tingëllonte si një emërtim i denjë për një roman, të autorëve latino-amerikan, për më shumë për ndonjë film horror, ku diku në skaj të një pylli kryhen vrasje misterioze. Në të vërtetë, këtë ndjenjë e pata kur dola pas dy ore vizite në këtë Muze , ku mu zu frymëmarrja nga kundërmimi i dosjeve të qindra, mijëra qytetarëve shqiptarë  viktima të sistemit aq policor, të diktatorit Enver Hoxha.

Por në realitet unë nuk dilja nga filmi, as nga ndonjë pyll, por nga shtëpia aq afër qendrës së Tiranës, e cila me dekada ishte shndërruar në makth publik, duke prodhuar dhe inskenuar situata komplotiste për “armiqtë e popullit”.

Ky muze nuk kishte nevojë për ciceron! Çdo artefakt, çdo element fliste me gjuhën e vet. Edhe ashtu ciceronët shpesh e ndërpresin një përjetim autentik në mes të vizitorit dhe elementeve të ekspozuara. Tashmë kaq vjet pas diktaturës, pas aq leximesh për natyrën dhe karakterin e panjohur të saj në Shqipëri, sikur mjaftonte një parakalim në heshtje nëpër 9 seksionet e muzeut me mëse 31 kthina.

Qysh në fillim  një citat e Enver Hoxhës, sqaronte  karakterin monolit të shtetit partiak- policor : “ Punonjësit e Sigurimit të shtetit janë vetëm punëtorë partie, në rend të parë vetëm punëtorë politikë dhe asgjë tjetër”.

Dhe më pas hapeshin një nga dhomat e dëshmive të metodave më bizare të hetuesisë, ku elemente  autentike ta afronin ndjenjën e ankthit të fateve të njerëzve nën torturë. Mjatohej t’i lexoje dikund rreth 35 lloje të përdorimit të torturave ndaj të dyshuarëve për vepra kundër shtetit duke filluar që nga hedhja e krypës në mish, nga përdorimi i elektroshokut e deri tek shurdhimi nëpërmjet zhurmave të padurueshme, futjes në arkivol për së gjalli për të pranuar procesverbalin e hetuesisë  apo hedhja  e tyre nga lartësia.

Dosjet ishin aty! Duhej kohë për t’i lexuar, emrat ishin mbuluar me ngjyrë të zezë, sikur fatet e tyre të dikurshme , pastaj hapeshin dyert e dhomave muret e të cilave ishin të mbushura me emra të përndjekurish, me emra të të burgosurve dhe të pushkatuarëve.  Përkundër shkrimit të dendur dhomat nuk i kishin zënë të gjitha emrat e  18mijë  të burgosurve  të dënuar rreth 6 mijë të vdekurve si dhe mbi 20mijë të internuarve. Ishte e llahtarshme të shiheshin muret e veshura me emra të viktimave sikur të ishte një  dizajn i dhembshëm i tapetave murale.

Përkundër udhëzimeve lehtë humbëshe nëpër kthina, dhoma të torturës. Dëgjoje rrëfimet e të mbijetuarëve, marshet e paradave socialiste dhe pjesë nga seancat e gjykimeve. Përnjeherë kohërat gërshetoheshin dhe dukej se gjithçka mbulohej nga fëshfërima e gjetheve që depërtonte nga ndonje dritare gjysmë e hapur. Pa një pa dy të dilte përballë zbulimi i përgjuesit shqiptar, i njohur me emrin “Çimka”,  i mbajtur në heshtje të propagandës, karshi zbulimit të traktorit shqiptar. Një grumbull gjësendesh nga përditshmëria ta përkujtonin si ke mundur të jesh i përgjuar nga ai regjistrues minimalist elektronik. Një pallto e varur ruante siluetën e trisht të sigurimcit, i cili xhironte me kamerën më objektiv të nxjerrur në gjoks, si  dekoratë për çlirimin e atdheut.  Diktafonët, magnetofonët me shirit, kamerat e hershme ishin aty, të firmave të ndryshme gjermano-lindore, japoneze dhe kineze. Në laboratorin e larjes së fotografive bardh e zi sikur ishte ndalur koha dhe i priste vizitorët. Po ato tretje kimike, po ata filma që dikur i përdornim për të fiksuar kohën tonë rinore, kurse aty ishin varur fotot e të pandehurve, të cilëve një foto rasti ia kishte marrë jetën.

Një ndjenjë   aty për aty më ndau në dysh. Kujtimet nga vizita që i kisha bërë më 2013 –të, Muzeut të  pafajsisë së Orhan Pamukut në Stamboll, ma sillnin ndjenjën se isha  në  Muzeun e fajësisë , derisa e vizitoja tash,  në Tiranë “Shtëpinë me gjethe”. Atje çdo element lidhej me dashurinë, kurse këtu çdo element me dyshimin, krimin dhe vrasjen.

Si gazetar hyra në siklet kur u fundosa në dhomën e përdorimit të gazetave dhe artit si mjet i propagandës nga shteti për ideologjinë, ku madhërohej veçmas puna e sigurimit shtetëror. Aty shihej fuqia e keqpërdorimit të mediave dhe artit. Shumë pamje nga  filmat e kohës mund t’i shikoje nga  kabinat e errëta, kur dikur na dukeshin filma me moral socialist, e sot  shiheshin si  ana e errët e propagandës. Por gjithçka ka ndryshuar,  edhe  unë kam ndryshuar edhe ne kemi ndryshuar, po sikur “Shtëpia me gjethe”.

Shtrirja e rrjeteve kabllore të përgjimeve sikur tentatulet e marimangës së kuqe ngjallnin habi . Mini centralet postare të prodhuara  nga inxhinierët shqiptarë me emrin “Valbona” dhe “Shkëndija”,  kishin mundësi të përpunonin rreth 40 përgjues “Çimka”  njëkohësisht, të shpërndara nëpër ambasada të huaja dhe hotele ku kishin qasje të huajt, etj.

Pak pa përfunduar vizita, shfaqej një dhomë tipike familjare e banimit të qytetarëve të zakonshëm , për të sjellë imazhin e kohës, ku në ballë ishte TV-ja e markës “Iliria” si dhe radioja “Mimoza”, kurse mbi to qëndronte fotoja e xhaxhit Lenin, kurse në një dollap radhiteshin domosdoshmërisht librat e Enver Hoxhës. Shpesh sigurimi kishte zgjatur fijet e tij edhe brenda familjes shqiptare duke e shkatërruar moralin e saj dhe duke e instrumentalizuar individin deri në tjetërsim.

 Muzeu është  hapur më  2017, nga një ndërtesë militante, ishte kthyer në objekt kulture. Në oborr  nga pjesa e pasme të presin qindra foto të punëtorëve të sigurimit, të atyre që e kanë ndërgjegjjen e ngarkuar drejtpërdrejt për tmerrin që kanë instaluar dhe zbatuar mbi qytetarët. Gjithë jetë kishin punuar brenda tash fytyrat e tyre ekspozohehsin jashtë dhe merrnin gjykimin publik të çdo vizitori në heshtje. Në mes  tabllove të  tyre i ishte vendsour  citati i shkrimtarit dhe përkthyesit Amir Kasaruho, ai dhe familja e të cilit kishin  përjetuar përndjekjen:  “…atëherë ndoshta nuk  e kuptoja, por më vonë e kam menduar se paskan pasur një kurajo të pacipë këta njerëz që nuk kanë kërkuar falje”.

Pak para daljes nga oborri na shfaqet edhe tuneli nëntokësor sa për të na mbajtur ankthin e kësaj shtëpie edhe jashta saj. I tërë Muzeu dukej si një kërkim falje publike për të gjitha viktimat.

Dal nga Muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët, që  bënë rinkosntruktimin e një kohe e cila nuk guxon të harrohet.

Përballë Muzeut “Shtëpia me gjethe”, ngritej Kisha Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, si shenja më e afërt simbolike e rrënimit të shtetit ateist. Në mes tyre kalonte rruga “Ibrahim Rugova”, një tjetër simbolikë e demokracisë. Të dy objektet vizavi njëra tjetrës sikur shënonin periudhën e katër, epokën e  tranzicionit plural.

 Derisa me vonesë mësoj se Muzeu “Shtëpia me gjethe”  është  zgjedhur  nga Komiteti i Kulturës i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në dhjetor të vitit të kaluar si  “Muzeu më i mirë 2020”, më shkon ndër mend se sa pak kemi bërë ne në Kosovë për ruajtur kujtesën kolektive. Gjithë ai fat tragjik i  shqiptarëve të Kosovës  ndër vite prej kohës së Muhaxherisë, kolonizimit serb, masakrës së Tivarit, Aksionit të armëve, shpërnguljeve për Turqi e deri tek diferencimet dhe burgosjet masive dhe dëbimi biblik gjatë luftës  dhe  asnjë objekt i denjë muzeal. 

Në anën tjetër, pikërisht në hapësirat e Muzeut “Shtëpia me gjethe”, ditë më parë ishte dhënë shfaqja  “Çimka”, një  krijim unik,  bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, të  Tiranës dhe Qendrës për Art dhe komunitet- Artpolis, Prishtinë, me autor Shpëtim Selmani dhe në regjinë e Zana Hoxha,  e cila synon t’i gjejë pikat e fateve të përbashkëta të qytetarit shqiptar nën regjimet totalitare, andej dhe këndej kufirit. Kësi lloj  projektesh të përbashkëta duhet të zgjerohen edhe në fusha të tjera.

Shënimet flasin se Muzeu “Shtëpia  me gjethe”, po vizitohej nga shumë grupe shkollarësh, qytetarësh si dhe nga vizitorë ndërkombëtarë.  Nuk e di nga politikanët shqiptarë sa është vizituar, por çdonjeri prej tyre duhet të shkon dhe të shoh si mund të deformohet shërbimi i shtetit i cili është i thirrur me emrin inteligjent, “shërbimi i inteligjencës”, kur ai i shërben interesave ideologjike dhe partiake..

Nuk kam dëgjuar dhe as lexuar shumë rrëfime se si e kanë pritur  dhe përjetuar të mbijetuarit  këtë Muze, por mbase shumëçka  nuk është ndriçuar në këtë fazë, por besoj se Muzeu mund të pasurohet me dëshmi të reja, por edhe me shkëmbime dokumentacionesh nga institucione tjera që mbulojnë  fushën e sigurisë, sepse ndriçimi dhe  ndëshkimi i krimeve, jo vetëm komuniste është obligim për gjeneratat. / KultPlus.com

Lef Nosi, firmëtari i pavarësisë që u pushkatua nga diktatura

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot firmëtarin, filatelistin, poliglotin, arkivistin, etnografin dhe politikanin shqiptar Lef Nosi pushkatuar nga diktatura.

Lef  Nosi lindi në qytetin e Elbasanit më 9 prill të vitit 1877 në një familje ortodokse të lagjes së vjetër të quajtur “Kala”. Vitet e para të shkollës i kreu në qytetin e lindjes dhe më pas vazhdoi studimet e larta për farmaci në Athinë.

Pa mbyllur ende studimet, u kthye në Shqipëri duke u angazhuar thellësisht në drejtim të çështjeve rreth historisë e kulturës kombëtare. Që në moshë të re, Lef Nosi kishte në zotërim bibliotekën e dytë më të madhe në Shqipëri, pas asaj të Mit’hat Frashërit. Në vitin 1908, ai mori pjesë në punimet e Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908). Në vitin 1909 u zgjodh kryetar i klubit “Vëllazëria” të Elbasanit dhe po atë vit themeloi shoqërinë kulturore “Afërdita”.

Një vit më vonë, themeloi në Elbasan gazetën “Tomorri”, e para gazetë në historinë e qytetit. Artikujt e botuar në këtë gazetë që karakterizoheshin nga fryma kombëtare, nxitën reagimin e autoriteteve xhonturke, të cilët arrestuan Lef Nosin dhe e dënuan me vdekje. Për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim.

Në vitin 1909 ndihmoi në hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit. Më 28 nëntor 1912, ishte një prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe  një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Në kabinetin e Qeverisë së Vlorës me në krye Ismail Qemalin, u emërua si Ministër i Postë-Telegrafëve, ku firmosi disa nga aktet e rëndësishme të kësaj qeverie.

Shumë i rëndësishëm konsiderohet fakti se Lef Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Mendohet që origjinali të ketë qenë pjesë e koleksioneve të tij, por ky fakt mbetet ende dhe sot i pasqaruar.

Në mars të vitit 1914, ishte pjesë e delegacionit që priti ardhjen e princ Vidit në Shqipëri.

Në vitin 1918 mori pjesë në qeverinë e Durrësit dhe dha një ndihmesë të posaçme në përbërje të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Mori pjesë në jetën politike të fillim viteve 20’ në kuadrin e Federatës “Atdheu”. Gjatë qeverisjes së Fan Nolit në vitin 1924, u caktua kryetar bashkie i Elbasanit. Me largimin e Nolit, Lef Nosi u tërhoq nga politika dhe iu dedikua botimit të dokumentave me vlerë historike, studimeve gjuhësore, mbledhjes së objekteve arkeologjike, folklorike, numizmatike dhe filatelike.

Me pushtimin italian, u internua në Itali dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1942, ku filloi të angazhohet në rradhët e Ballit Kombëtar. Me pushtimin nazist të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Regjencës. Gjatë kësaj kohe, ai ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve të cilët përndiqeshin nga autoritetet naziste.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Lef Nosi u arrestua në veri të Shqipërisë nën akuzën për bashkëpunim me pushtuesit.

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar si “gjyq ushtarak i Tiranës”, ndonëse i akuzuari nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak. Gjatë gjyqit do të deklaronte që: “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”. U dënua me pushkatim më 15 shkurt të vitit 1946.

Përgjatë viteve të demokracisë u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Elbasanit” në vitin 2004 dhe me urdhrin “Gjergj Kastrioti” në vitin 2007./atsh/ KultPlus.com

‘Shtëpia me gjethe’, rritje me 42.5% e numrit të vizitorëve të huaj gjatë marsit

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në muajin mars u vizitua nga 1309 vizitorë, ose 42.5% krahasuar me marsin e 2021 dhe 28.7% më shumë krahasuar me marsin e 2019.

Ky muzeu është kthyer tashmë në një atraksion turistik jo vetëm për vizitorët shqiptarë, por veçanërisht për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Sipas të dhënave të publikuara, 46.4% e vizitorëve në mars ishin të huaj, si anglezë, amerikanë dhe afganë.

Sa i takon të ardhurave, të dhënat flasin për 53.6 % më shumë të ardhura se në mars të 2019.

Muzeu i Përgjimeve ”Shtëpia me Gjethe” është i hapur për publikun në 23 maj të vitit 2017. Ky muze, ose thesari i memories sonë kolektive, do vazhdojë të mbetet një atraksion kulturor dhe historik për vizitorët, pasi është një plagë që ka prekur brezin e shkuar dhe bën një panaromë informuese për brezin e ri, pasi i kushtohet njerëzve të pafajshëm që u arrestuan, internuan, torturuan dhe vuajtën dënime të rënda për shkak të përgjimeve, kontrolleve e spiunimeve gjatë regjimit komunist, shumica e të cilave kryheshin nga kjo shtëpi.

E ndërtuar në vitin 1931, godina e njohur në Shqipëri si “Shtëpia e Gjetheve”, fillimisht ka patur funksionin e një klinike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950 ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të sigurimit./ KultPlus.com

Përkujtohet prozatori Kin Dushi, u burgos nga regjimi komunist

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot një nga prozatorët e parë shqiptarë, Kin Dushi, burgosur nga diktatura.

Kin Dushi lindi në Shkodër në fshatin Shirokë, më 27 maj 1922. Studimet i kreu në Shkollën e mesme “Normale” të Elbasanit dhe më pas mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtueseve fashistë.

Në vitin 1942-1943 arrestohet nga pushtuesit dhe dërgohet në kampin e Prishtinës. Ditët e përjetuara në kampin e Prishtinës, i shkruante në një ditar të cilin e botoi në vitin 1951. Ky ditar konsiderohet si romani i parë i pasluftës, por historiografia komuniste nuk e cilësoi asnjëherë në studimet për letërsinë. Në vitin 1949-1952, Kin Dushi niset për studime në Bashkimin Sovjetik për Letërsi. Pas kthimit, ai nis të punojë si gazetar tek gazeta “Zëri i Popullit” për zonën e Myzeqesë, nga ku u frymëzua për të shkruar romane të tjera. Në vitin 1955 shkroi “Udha e Velanit” dhe në vitin 1961 “Kronikë e vendit tim”. Është i pari shkrimtar që fitoi çmimin e Republikës në Shqipëri, me romanin “Udha e Velanit”, dhe në vitet 1955-1956 u bë anëtar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”

Në vitin 1960 shkroi skenarin e dokumentarit të kinostudios “Shqipëria e Re”, “Vallëzimi i Shqipeve”. Dy vite më vonë shkroi komedinë “Banorët e shkallës nr. 5”. Kjo komedi shihet nga kritika si një pasqyrë e hollësishme e shoqërisë shqiptare të viteve të komunizmit. Jeta e Kin Dushit do të ndryshojë përgjithmonë pas botimit të romanit “Një emër mes yjeve”. Romani u botua në vitin 1964 dhe u kritikua për “deheroizëm” dhe spontanitet e konceptim anarkik të luftës nacionalçlirimtare, në plenumin e 15-të të “Komitetit Qendror të Partisë”. Më 3 tetor 1967, Kim Dushi arrestohet dhe dënohet me 8 vite burg politik, si “armik i popullit”. Të gjitha shkrimet e tij deri në atë kohë u hoqën nga qarkullimi.

Në vitin 1975 u lirua nga Burgu i Burrelit dhe punoi si punëtor ndërtimi në Ndërmarrjen “21 Dhjetori” në Tiranë, derisa mbushi moshën e pensionit. Nuk mundi të përfundonte asnjëherë romanin e mbetur në dorëshkrim “Njeriu me proteza”.

Më 6 prill të vitit 1994, Kin Dushi, pasi kishte humbur krejtësisht shikimin, u nda nga jeta./atsh/ KultPlus.com

Gazetarë të medieve të huaja vizitojnë muzeun ‘Shtëpia me Gjethe’

Një grup gazetarësh të medieve ndërkombëtare vizituan sot  ambientet e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Të shoqëruar nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ata diskutuan mbi institucionet e kujtesës dhe mënyrat se si ato mund të bëhen tërheqëse për brezin e ri.

Të ftuar nga organizatorët e “Manifesta Biennial”, në Prishtinë, stacioni i radhës i gazetarëve të huaj ishte Tirana, ku u njohën qytetin dhe në veçanti me një nga muzetë më domethënës dhe dëshmues të 45 viteve diktaturë, në Shqipëri.

“Një rast për të shkëmbyer eksperienca dhe për të promovuar vendin tonë, kudo që ata përçojnë informacion: New York Times, Le Monde, El Pais, The Art Newspaper France, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Tagespiegel, Monopol, NOS, Euronews English, Volkskrant, Zeit”, tha Margariti./ KultPlus.com 

Genc Leka, poeti që pushkatua nga regjimi diktatorial

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot poetin martir Genc Leka, pushkatuar nga regjimi diktatorial.

Genc Leka ishte mësues dhe poet, i pushkatuar në kohën e regjimit komunist. Lindi më 23 mars 1941 në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Mes viteve 1959-1962 studioi në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit dhe pastaj në periudhën 1960-61 e emëruan mësues në Zdrajsh, në krahinën e Çermenikës. Në vitet 67-68 shërbeu si ushtar, pranë Cërrikut.

Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim nga organet e Sigurimit. U arrestua më 31 gusht 1976 dhe pas njëmbëdhjetë muaj torturash në hetuesinë e Librazhdit, u akuzua për “sabotim dhe agjitacion e propagandë”.

Me vendimin nr. 45, më 16 qershor 1977 u dënua me pushkatim bashkë me kushëririn e tij, poetin Vilson Blloshmi. Pas një kërkese për falje, më 16 korrik 1977, Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës.

U ekzekutua bashkë me kushëririn e tij, Vilson Blloshmin, më 17 korrik të vitit 1977, në vendin e quajtur “Përroi i Firarit”. Më 1994, Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën“Martir i Demokracisë”. Një vit më vone emri i ti iu vu një prej shkollave 9 vjeçare të Librazhdit.

Në vitin 2009, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u botua vepra e tij e plotë. Në vitin 2010 Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Nderi i Kombit”.

Poezia e fundit

O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar,

Mos vallë për mua po mban zi?

……..

Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,

Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?

Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar

Dhe pse sot po shkruaj të fundmen poezi.

(Shkruar në gusht 1976, pak ditë para arrestimit që i mori jetën)./atsh/ KultPlus.com

“Shtëpia me Gjethe” përkujton shkrimtarin Et’hem Haxhiademi

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot dramaturgun, shkrimtarin dhe përkthyesin Et’hem Haxhiademi, i cili vdiq në burgun e Burrelit.

Ethem Haxhiademi lindi më 8 mars 1902 në Elbasan. Shkollën e mesme e ndoqi në Leçe të Italisë dhe e përfundoi në Insbruk, Austri. U diplomua për shkenca politike në Berlin dhe gjatë studimeve bashkëpunonte njëkohësisht me revistat “Kopshti Letrar”(Elbasan) dhe “Djalëria” (Vjenë).

Pas studimeve, punoi në administratën vendore në disa qytete dhe më vonë si drejtor në Ministrinë e Brendshme.

Në vitin 1941, u emërua anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Në vitet 30 botoi një numër tragjedish: “Akili”, “Aleksandri”, “Ulisi” (1931), “Pirrua” (1934), “Skënderbeu” (1935), “Diomedi” (1936), “Abeli” (1939). Botoi gjithashtu poezinë: “Lyra” (1939) dhe përkthime si “Bukolikët” e Virgjilit, (1923). Më 29 dhjetor 1947, me vendim nr.531, Gjykata e Lartë e dënoi për krime kundër shtetit, me vdekje dhe konfiskim pasurie.

Më vonë dënimi iu shndërrua në 25 vjet burg. Vdiq në burgun e Burrelit më 17 mars 1965. / KultPlus.com

109 vite nga lindja e filozofit, shkrimtarit dhe poetit Isuf Luzaj

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot filozofin, shkrimtarin dhe poetin Isuf Luzaj.

Isuf Luzaj lindi më 21 shkurt 1913 në Kaninë të Vlorës. Shkollën fillore e kreu në Vlorë ndërsa gjimnazin në Shkodër. Në vitin 1933 u regjistrua në Universitetin e Sorbonës në Paris por për shkaqe ekonomike i ndërpreu studimet e tij. Në vitin 1936 u kthye në Shqipëri për të punuar si mësues i gjuhës frënge në Elbasan e në Korçë.

Nga viti 1940 deri në vitin 1941 u burgos në Itali, por më pas u kthye në Shqipëri ku u dallua për luftën e tij ndaj trupave fashiste, rezistencën antikomuniste të Ballit Kombëtar si dhe kontributin në themelimin e Partisë Social-Demokrate në Shkodër, Tiranë e Vlorë së bashku me Musine Kokalarin, Skënder Muçon etj. Në 1944 largohet nga Shqipëria drejt Italisë, ku akuzohet për vrasje dhe qeveria komuniste kërkoi ta riatdhetsojë me qëllim që ai t’i nënshtrohej “gjyqit të popullit për krime lufte”. Në vitin 1948 u largua në Argjentinë ku punoi në Ministrinë e Arsimit si përkthyes dhe në 1957 u diplomua në letërsi dhe filozofi.

Gjatë periudhës 1960-1970 mbajti poste të rëndësishme si drejtor i Institutit Francez “La France à l’étranger”, si këshilltar i Ministrisë së Arsimit në Argjentinë, si profesor i filozofisë dhe gjuhës frënge në Universitetin e New Hampshire, shef katedre në po të njëjtin universitet, Drejtor i Përgjithshëm i Gjuhëve të Huaja në Barat College-Lake Forest, Illinois si dhe shef katedre në Universitetin e Indiana-s.

Isuf Luzaj ndërroi jetë në 25 nëntor 2000 në Chicago. Sipas amanetit të lënë u varros në vendlindjen e tij, në Kaninë. Disa nga veprat e tij janë: “Rrëfimet”, “Ideologjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, “Lumenjtë derdhen të kuq”,”Metodologjia për studimet e filozofisë”, “Lamtumira e yjeve” etj.

U vlerësua me tituj të rëndësishëm si: “Professor emeritus” në SHBA dorëzuar nga Presidenti Ronald Regan, me medalje “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike” në SHBA dhe medalje ari nga Universiteti i Buenos Aires-it.

Më 19 qershor 2017 Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, i akordoi Isuf Luzajt, dekoratën “Nder i Kombit” me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm shumëvjeçar, të dhënë në Shqipëri dhe jashtë saj për Pavarësinë dhe demokracinë e vendit, përmes luftës antifashiste e antikomuniste të pareshtur, si dhe për aktivitetin e gjatë e të shquar intelektual e pedagogjik në fushën e shkencave letrare e linguistike, duke u vlerësuar me tituj nderi dhe akademikë nga shumë universitete të njohura në botë, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. / KultPlus.com

Ekspozita “Lulet e ftohta të shkurtit” me dokumente të deklasifikuar së fundmi

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, ka risjellë për publikun ekspozitën e titulluar “Lulet e ftohta të shkurtit”, e cila ofron një fushëpamje të gjerë të zhvillimeve në kapërcyell të vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtori i përgjithshëm i Arkivave, prof. asoc. dr. Ardit Bido dhe drejtoresha e muzeut, Etleva Demollari.

Në një dalje të përbashkët për mediet, krerët e dy institucioneve ndërvepruese, theksuan rëndësinë e pasqyrimit të ngjarjeve politike dhe sociale të viteve 1990-1991, që shënuan gremisjen e regjimit totalitar në vend. Në fjalën e tyre të rastit, iu drejtuan në mënyrë të veçantë studentëve të pranishëm, të cilët në sajë të dokumentimit të së shkuarës, mund të nxjerrin mësime për të ardhmen.

“Duhet të përkujtojmë përmes dokumenteve dhe fotografive të kohës, ngjarjet e vitit 1990. Studentët e pranishëm në këtë aktivitet kanë lindur pas vitit 2000. Duke jetuar në demokraci, ne nuk e kuptojmë se sa i pamundur je ndaj diktaturës dhe se sa energji nevojitet për ta rrëzuar atë. Në fund të ditës, është rinia ajo që sjell demokracinë apo diktaturën. Është rinia ajo që sjell regjimin. Prandaj, përmes këtyre dokumenteve, dua t’i japim mundësinë çdo të riu e të reje të shohë përmes dokumenteve e fotove të kohës dhe të frymëzohet në mënyrë që ta gëzojmë këtë liri, por të jemi edhe vigjilentë. Janë të rinjtë ata që duhet ta çojnë përpara nevojën për të patur një demokraci sa më shumë funksionale. Ky është qëllimi i kësaj ekspozitë në një nga ndërtesat më famëkeqe të periudhës së komunizmit”, tha kreu i DPA-së, Bido.

Në fjalën e saj, Demollari u shpreh se akti i rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, një prej ngjarjeve të trajtuara në ekspozitë, është simbol i ngadhënjimit të qëndresës antikomuniste në Shqipëri.

“Jemi të lumtur që sot, në kuadër të Muajit të Kujtesës të shpallur nga Ministria e Kulturës, por edhe me rastin e 20 Shkurtit, ditës së përkujtimit të viktimave të komunizmit, si edhe të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, të çelim këtë ekspozitë. Kontributi që sjell Muzeu në këtë ekspozitë përbëhet nga dokumente dhe foto që përcjellin atmosferën e viteve ‘90-‘91. Janë dokumente të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vendime që merrte Gjykata e Lartë ndaj një grupi të rinjsh që organizuan demonstratën e 14 janarit, 1990, në Shkodër, raporte për Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin mbi demonstratën në Kavajë në mars të ‘90-ës, raporte të Hetuesisë së Përgjithshme për ministrin e Brendshëm, Simon Stefani, mbi futjen e personave në ambasada në qershor dhe më 2 korrik të ‘90-ës. Ekspozita mbyllet me një raport për ngjarjet e 20 shkurtit 1991 dhe foto të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës”, tha Demollari.

Në ekspozitën “Lulet e ftohta të shkurtit” shfaqen për herë të parë dokumente që janë deklasifikuar së fundmi, duke u bërë të qasshme për çdo hulumtues apo të interesuar.

Mes materialeve të ekspozuara janë dokumente të vrasjeve në kufi, heqja e emrit të universitetit, kushtet e studentëve, krijimi i partive politike, liria fetare, kriza e ambasadave, takimet e Ramiz Alisë në OKB, takimet me përfaqësues të SHBA-së, vizita e Nënë Terezës etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për pesë ditë në oborrin rrethues të Muzeut “Shtëpia me Gjethe”, godinë që ka shërbyer si Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret në vitet 1944 – 1991. /atsh/ KultPlus.com

Përkujtohet shkrimtari, përkthyesi dhe politikani Pjetër Arbnori

Muzeu Kombetar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, përkthyesin dhe politikanin Pjetër Arbnori.

Pjetër Arbnori, i quajtur gjithashtu “Mandela i Ballkanit”, për shkak të kohës së gjatë 28 vjeçare të kaluar në burgjet e diktaturës komuniste lindi më datë 18 janar të vitit 1935 në qytetin e Durrësit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat partizane vranë babain e tij dhe qëndrimi antikomunist i familjes së tij do të ishte shkak që Pjetër Arbnorit t’i mohohej e drejta për të vazhduar shkollën e lartë, edhe pse të mesmen e kishte përfunduar me rezultate të shkëlqyera.

Duke mos u pajtuar asnjëherë me vijën politike të regjimit komunist, ai dhe intelektualë të tjerë krijuan në fshehtësi Lëvizjen Social Demokrate, e cila u pikas nga Sigurimi i Shtetit. Fillimisht atij iu dha dënimi me vdekje, por ky dënim iu kthye në 25 vjet burg, sepse autoritetet shpresonin akoma që nëpërmjet Arbnorit të zbulonin pjesëtarë të tjerë të organizatës së fshehtë ku ai bënte pjesë. Pas përfundimit të dënimit, ai u ridënua, duke vuajtur 28 vite në burgun e Burrelit. U lirua në vitin 1989, vite ku tashmë ndihej era e ndryshimit. Ishte mjaft aktiv në luftën për rrëzimin e regjimit komunist si dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike në Shkodër. Në vitet 1992-1997 shërbeu si Kryetar Kuvendi. Pas vitit 1997 ai bëri përpjekje që censura e shtetit në media të eliminohej.

Ndryshimet në ligj që pasuan në këtë fushë u quajtën “Amendamenti Arbnori”.

Rreth krijimtarisë së tij letrare rendisim: “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit”, “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Letër nga burgu” etj.

Pjetër Arbnori vdiq në Itali, në korrik të vitit 2006. / KultPlus.com

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.

Në fokus të memorandumit është promovimi i aktiviteteve edukative dhe kërkimore.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, i përfaqësuar nga drejtoresha, dr. Etleva Demollari dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, i përfaqësuar nga dekania, prof. dr. Esmeralda Kromidha nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit nëpërmjet të cilit, të dy palët ranë dakord për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta me fokus promovimin e aktiviteteve edukative dhe kërkimore.

Llojet e bashkëpunimit të parashikuara nga Memorandumi i Bashkëpunimit përfshijnë: ofrimin e praktikave mësimore për studentët, projekte kërkimore dhe aktivitete shkencore të përbashkëta si seminare, leksione, konferenca. / KultPlus.com

Muzeu ‘Shtëpia me Gjethe’ përkujton shkrimtarin Amik Kasoruho, burgosur nga diktatura

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, përkujtoi sot shkrimtarin, publicistin dhe përkthyesin Amik Kasoruho të burgosur nga diktatura komuniste në Shqipëri.

Amik Kasoruho lindi më 20 nëntor të vitit 1932 në Tiranë. Në moshën 17 vjeçare u arrestua nën akuzën e agjitacion propagandës kundër pushtetit popullor. Në vitin 1951 i pushkatojnë pa gjyq babain, Qemal Kasoruhon me akuzën e përfshirjes në incidentin e shpërthimit të bombës pranë Ambasadës Sovjetike. Pasi vuajti dënimin në burgun e Burrelit për 7 vite rresht, u internua bashkë me familjen në fshatin Gosë, të qytetit të Kavajës. Gjatë regjimit komunist punonte si punëtor krahu, apo ndërtimi, gjeometër etj. Pas përmbysjes së sistemit ai emigroi në Itali ku jetoi deri në vitin 2009. Gjatë kësaj kohe u mor me shkrime, përkthime etj.

Ka sjellë në shqip vepra të shkrimtarëve të huaj si Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O’Brian, John Selby.

Ai është autor i veprave si “Midis burgut dhe dritës”, “Çmimi i një ëndrre”, “Fluturimi i gjatë i një ore”; “Një ankth gjysmëshekullor – Shqipëria e Enver Hoxhës”, “Pa mëri – Publicistika e jetës sime”.

Në vitin 2012, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Amik Kasoruhos Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin : “Personalitetit të shquar të kulturës kombëtare, që si përkthyes i jashtëzakonshëm, si shkrimtar i rrallë, publicist, poet e artist, e pasuroi atë, duke i dhënë vlera e cilësi të reja. Intelektualit atdhetar, që u bë ndër shembujt më domethënës të qëndresës së papërkulur ndaj persekutimit të diktaturës komuniste, duke treguar fitoren e dinjitetit njerëzor dhe integritetit moral, e duke u bërë pikë referimi në historinë e kulturës kombëtare”./KultPlus.com

“Shtëpia me Gjethe”, dëshmia e një kohe që nuk duhet të përsëritet

Vlerësimi i Jurisë së Çmimit të Muzeut Evropian të Vitit, mbërriti sot në Tiranë, për Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Vlerësimi është nënshkruar nga kryetarja e Forumit Europian të Muzeve, Jette Sandahl dhe nga kryetari i Jurisë për vitin 2020, Marc O’Neil.

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” u vlerësua në nëntor të vitit të shkuar nga Këshilli i Evropës si “Muzeu më i mirë 2020”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh se “si dëshmia e një kohe që nuk duhet të përsëritet, si një leksion për të rinjtë dhe një reflektim për të ardhmen, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” u vlerësua si “Muzeu më i mirë 2020”, një çmim i Këshillit të Evropës.

Motivacioni për “Fituesin e Çmimit të Muzeut 2020 të Këshillit të Evropës” është: Juria e Çmimit të Muzeut Evropian të Vitit shpreh vleresimin më të lartë për arritjet e jashtëzakonshme të Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë, Shqipëri. Ky muze i veçantë përcjell realitetin sesa lehtë njerëzit mund të kompromentohen dhe të detyrohen të bashkëpunojnë. Ai bën një deklaratë të fuqishme mbi natyrën e qytetarisë aktive në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe të institucioneve transparente. / KultPlus.com

Muzeu ‘Shtëpia me Gjethe’ përkujton 37-vjetorin e revoltës së Qafë Barit

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot revoltën e Qafë Barit të ndodhur 37 vite më parë, më 22 maj 1984.

Burgu i Qafë Barit ndodhej 18 km larg qytetit të Pukës. Në këtë burg ndodheshin 500 të burgosur politikë të dënuar mbi 25 vite burg dhe si pasojë e kushteve të këqija dhe dhunës së ushtruar, të dënuarit shpërthyen në revolta më 22 maj 1984.

Ishte mëngjes, të burgosurit u grupuan në shesh duke mos pranuar të shkonin në punë pa u plotësuar kërkesat e tyre. Më tej në kor, nga brenda rrethimit erdhi thirrja: Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori! I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake të ardhura nga Tirana. Snajperët zunë pozicionet kryesore.

Qindra forca të armatosura, morën urdhërin për të qëlluar mbi të burgosurit. U përdor dhunë mbi të dënuarit: Hajredin Fratari, Dalip Zhabolli, Nuredin Skrapari, Sandër Sokoli, Bajram Vuthi, Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Sokol Progri, Lush Bushgjoka, Martin Leka, Vllasi Koçi, Lazër Shkëmbi, Haxhi Baxhinovski, Kostandin Gjordeni, Hysen Tabakut. I dënuari Sandër Sokoli, vdiq nga torturat ende pa mbërritur në Degën e Brendshme të Pukës, ku të dënuarve të tjerë iu bë dhe hetuesia e gjyqi po aty. Si përfundim, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli u dënuan me vdekje me pushkatim, ndërsa të tjerët u ridënuan me vite të gjata burgu.

Pas revoltës në  kampit të Spaçit, në vitin 1973, do të shënohej një tjetër revoltë në burgun e të burgosurve politikë, ai i Qafës së Barit në maj të vitit 1984.

Më 22 maj të vitit 1984, të burgosurit politikë në kampin e tmerrshëm të Qafë-Barit u ngritën në revoltë duke përsëritur atë që kishte ndodhur më shumë se një dekadë më parë në burgun e Spaçit, në të njëjtën datë, në të njëjtin muaj, ku u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak.

Kampi i Qafë Barit, ndodhej rreth 18 km nga qytetit i Fushë-Arrëzit të Pukës, ndërtuar midis grykave të maleve.

Kampi ishte i rrethuar me tre rreshta telash me gjemba, me lartësi mbi 4 metra, rreshti i mesit ishte i gjithi me rrymë elektrike dhe pjesa në mes telave ishte e minuar. Rrethimi kishte rreth 20 kulla vrojtimi në lartësi mbi 8 metra ku ushtarët ishin të pajisur me të gjithë llojet e armatimit.

Afër kampit ndodhej dhe një repart ushtarak përveç repartit zyrtar që kishte detyrë ruajtjen e të burgosurve politikë, dëshmojnë të burgosurit politik që kanë vuajtur në burgun e Qafë-Barit.

Pas shumë vitesh torturash çnjerëzore të dënuarit shpërthyen në revoltë më 20 maj 1984. Fatkeqësisht kjo revoltë përfundoi në tragjedi njerëzore.

Ky ishte bilanci i shtypjes së revoltës së Qafë-Barit të 22 majit 1984. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja u dënuan me pushkatim si organizatorë, madje dhe vetë kampi u dënua me prerje korespondence të të burgosurve.

Çdo vit të burgosurit politikë organizojnë ceremoni në kujtim të vuajtjes se të ekzekutuarve, si një dëshmi për të treguar se regjime të tilla, mizore të mos kthehen më. /atsh/ KultPlus.com

Organizohen aktivitete edukative për të rinjtë në muzeun “Shtëpia me Gjethe”

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” në muajin shkurt, i cili do jetë “Muaji i Kujtesës” ka organizuar aktivitete edukative.

Nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” u bënë pjesë e programit edukativ: “Mbresa 2021” të organizuar nga Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.

Projekti “Mbresa” është një program edukativ dhe artistik i cili përfshin nxënësit e shkollave të mesme. Programi përmban një konkurs në këto gjini artistike:

Arte pamore (pikturë, skulpturë, instalacion). Krijim letrar (ese, poezi etj), muzikë (melodi, këngë), risi teknologjike etj.

Disa nga objektivat e këtij programi janë : përfshirja, angazhimi, nxitja e të rinjve për të marrë pjesë në aktivitete krijuese/edukuese, njohja e tyre me regjimin komunist shqiptar si dhe me veprimtarinë represive të Sigurimit të Shtetit, reflektimi rreth kësaj të kaluare, promovimi i talenteve të reja, etj.

Nxënësit pasi vizitojnë muzeun, në bazë të ndjesive të përftuara krijojnë në gjinitë artistike të lartpërmendura. Punimet duhet të dorëzohen në muze brenda 15 ditëve pas vizitës.

Me pas, ato do të ekspozohen për rreth 2 jave në faqen e Facebook-ut të Muzeut dhe krijimi që do të marre më shume pëlqime do të vlerësohet me çmim te veçante.

Një juri e përbërë nga specialistë të fushës do të vlerësojë punimet më të mira. Është parashikuar që krijimet më të mira të vlerësohen me një dhuratë simbolike si dhe të bëhen pjesë e një katalogu. /ata/ KultPlus.com

“Shtëpia me Gjethe” me guidë në frëngjisht dhe italisht

Në Godinën Liria në Qytetin Studenti, në vendin simbol të Lëvizjes Studentore që solli rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, u bë dje promovimi i audioguidës dhe i guidës së Muzeut Kombëtar të Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe” në frëngjisht dhe italisht.

Kjo audioguidë dhe guidë u realizua nga studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, me mbështetjen e Agjencisë Universitare të Frankofonisë, Ambasadës Franceze dhe Ambasadës Italiane në Tiranë.

Në këtë promovim ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila u shpreh se, “mbajtja gjallë e së shkuarës përmes institucioneve të memories është synimi i Ministrisë së Kulturës dhe sa mirë kur në këtë proces përfshihet edhe brezi i ri”.

“Realizimi i audioguidave për Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” nga studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në italisht e frengjisht është një kontribut jo vetëm në përmirësimin e shërbimeve në muzeumet tona, por dhe një hap i parë drejt një bashkëpunimi më afatgjatë”, tha ministrja Margariti.

Në këtë promovim gjithashtu morën pjesë Christina Vassak, Ambasadore e Francës, Alberto Cutillo, Ambasador i  Italisë, Artur Sula, Dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, pedagogë e studentë. /atsh / KultPlus.com

”Shtëpia me Gjethe” tërhoqi turistë të shumtë edhe gjatë tetorit

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” është ndër më të veçantët në rrjetin ballkanik të muzeve. Ky muze është kthyer tashmë në një atraksion turistik jo vetëm për vizitorët shqiptarë por veçanërisht për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Muaji tetor në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve, “Shtëpia me Gjethe” ka qenë ni ngjeshur, pasi shifrat tregojnë se shumë vizitorë të huaj dhe vendas kanë zgjedhur të zbulojnë misteret e tij.

Muzeu ka patur 39% vizitorë dhe 80% të ardhura më shumë krahasuar me muajin tetor 2017.

Ky muze, ose thesari i memories sonë kolektive, do vazhdojë të mbetet një atraksion kulturor dhe historik për vizitorët, pasi është një plagë që ka prekur brezin e shkuar dhe bën një panoramë informuese për brezin e ri, pasi i kushtohet njerëzve të pafajshëm që u arrestuan, internuan, torturuan dhe vuajtën dënime të rënda për shkak të përgjimeve, kontrolleve e spiunimeve gjatë regjimit komunist, shumica e të cilave kryheshin nga kjo shtëpi.

E ndërtuar në vitin 1931, godina e njohur në Shqipëri si “Shtëpia e gjetheve”, fillimisht ka patur funksionin e një klinike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950 ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të sigurimit.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” u hap për publikun në 23 maj 2017. Godina e mistershme prej 45 viteve ishte e mbuluar nga gjethet dhe iu fsheh syrit të publikut. Nga aty u përgjuan, u kontrolluan dhe u spiunuan njerëz të pafajshëm nga regjimi komunist.

Ky muze është i ndarë në disa sektorë, të cilët trajtojnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë së kryer në këtë shtëpi, që prej ndërtimit të saj në fillim të viteve ‘30-të dhe deri në vitin 1991, shkruan ata./ KultPlus.com