Sot Dita Ndërkombëtare e Muzikës

Muzika është pjesë e pandashme e jetës, është ajo pa të cilën askush nuk do të mund të imagjinonte jetën.

Ndërkaq, muzika popullore shqipe, ka një histori tejet interesante, mënyra sesi kjo lloj muzike ka jetuar gjithmonë me popullin shqiptar duke u trashëguar brez pas brezi dhe duke vazhduar të jetoj gjithmonë me popullin shqiptar, shkruan KultPlus.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, KultPlus ju sjell një artikull të shkurtër mbi muzikën popullore shqipe.

Muzika popullore Shqiptare përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit. Në përshkrimet e studiuesve të huaj të ardhur në Shqipëri gjatë shekujve XVIII-XIX është arritur përafërsisht në konkluzionin se pasuria kryesore e Shqipërisë është folklori muzikor.

Folklori muzikor bën një jetë aktive edhe sot, ndërkohë që gjurmët e lashtësisë së tij janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë përfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj.

Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur , çka dhe shprehet në ekzistencën e muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri tek shumëzërëshi; në muzikën me vegla popullore; muzikën me zë e vegla; muzikën për shoqërimin e valleve popullore, etj. Këtyre u shtohet dhe një fond i madh veglash popullore të klasifikuara në katër grupet tashmë të njohura si ideofone, membranofone, kordofone, areofone.

Folklori muzikor shqiptar e bën jetën e vet në një ndarje specifike, që lidhet me format e të shprehurit muzikor dhe me tipet kryesore të instrumenteve të përdorur. Lumi i Shkumbinit, që përshkon mes për mes Shqipërinë, përvecse ndan dy dialektet kryesore të vendit në Gegë në Veri të Shkumbinit dhe në Toskë në Jug të Shkumbinit, shërben edhe si kufi natyror për klasifikimin e tipologjisë së folklorit muzikor.

Folklori u ka qëndruar shekujve ndonëse është transmetuar e ruajtur në kujtesën popullore brez pas brezi. Duke mesuar folklorin në mesojme se si ka ecur dhe është zhvilluar populli si I ka perjetuar fatet e veta historike cfare ka vleresuar etj.

Folklori ndryshe mund të quhet edhe gurra popullore. / KultPlus.com

Si po e kultivojmë origjinalitetin e këngës popullore?!

Kalaja e Ulqinit dhe teatri i lashtë i saj, risjellin shpirtin shekullor shqiptar përmes veglave të vjetra muzikore dhe interpretuesve të tyre. Me këtë temë, është mbajtur edhe simpoziumi kombëtar “Instrumentet klasike të muzikës shqiptare”, ku u ravijëzua rëndësia e ruajtjes së kësaj trashëgimie të pasur kulturore.

Studiues e njohës i mirë i muzikës shqiptare, Zef Çoba thekson rëndësinë që ka ruajtja e së traditës, transmeton KultPlus

“Ruajtja e traditave pasuron mozaikun e vendeve tona dhe ky mozaik, meriton me u ruajtë me kujdesin më të madh nga gjeneratat që vijnë. Zhvillimi i simpoziumit dhe i koncerti ekspozon vlerat e kësaj trashëgimie dhe një farë mënyre është thirrje që të gjithë bashkë, të përpiqemi t’i ruajmë këto vlera”.

Studiuesi Pirro Misha, vë në dukje rrezikimin e veglave muzikore nga muzika e sotme elektronike, muzikë që gjithnjë, sipas tij, po dominon në skenën muzikore.

“Çështja e instrumenteve tradicionale po ndeshet sot më fuqishëm me një kategori të pestë të instrumenteve muzikorë ku është integruar edhe elektronika. Elektronika ka krijuar disa instrumente të atillë që tentojnë të imitojnë instrumentet popullore. Këto instrumente nuk kanë arritur të zëvendësojnë atë bukurinë dhe timbrikën e instrumenteve tradicionale popullore”.

Veglat popullore tek shqiptarët në Mal të Zi, sipas këngëtarit të njohur të folklorit, Nikollë Nikprelaj, dikur ishin shumë të përhapura, ndërkohë që sot, sipas tij, po shkojunë drejt zhdukjes.

“Sidomos tek shqiptarët në Mal të Zi, rrezikohet më së shumti zhdukja e këtyre instrumenteve, pasi, të paktë ose aspak, janë ata që kultivojnë në mënyrë mirëfilli këto instrumente”.

Organizatori i kësaj mbrëmjeve, Cafo Boga, kryetar i Fondacionit Kulturor Shqiptaro-Amerikan, me seli në Neë York, vlerëson se në kohën e globalizmit është e domosdoshme ruajtja e këtyre veglave të rëndësishme muzikore.

“Trashëgimia kulturore e jona, po zbehet dita-ditës nga stuhia e globalizmit, që ka përfshirë tërë botën e sidomos kombet e vogla. Muzika klasike në kuptimin e vërtetë, nuk është vetëm muzika klasike e Europës Perëndimore, por edhe ne, si iliro-shqiptarë e kemi muzikën klasike tonën që është muzika burimore.”

Veglat e lashta tregojnë historinë muzikore të një kombi. Shumë prej tyre, kanë nisur të dalin nga përdorimi çka paraqet një shqetësim për studiuesit shqiptarë./konica.al/KultPlus.com