‘Natën kur yjet u vranë’ i autores së re Dea Basha, secila poezi fryt i një momenti unik

Me botimin e librit të saj të parë, Dea Basha nis një rrugëtim i cili jo gjithmonë ka një tapet të shtruar përpara, e sidomos pa pasur mbështetje, e cila ofrohet më së miri nga familja, tregon Dea. Në çdo hap të jetës dhe në realizimin e ëndrrave, përkrahësja më e madhe e saj ishte tezja, e cila edhe pse nuk jeton më, mbetet gjithmonë forca dhe shpresa e saj, shkruan KultPlus.

Libri ‘Natën kur yjet u vranë’ i Dea Bashës i cili u botua këto ditë, ndahet në tre pjesë kryesore, ku në total përmban gjithsej 60 poezi, të ngjashme për nga tematika, por të ndryshme për nga mënyra e trajtimit. Motivet janë ato që pikasin më së miri diferencimin në mes të tri pjesëve. Në pjesën e parë të titulluar ‘Kalipso’, hasim një ndjeshmëri, një brishtësi e ndjenjës, një dashuri e gërshetuar me dëshpërim dhe dhembje. Ndërkohë në anën tjetër, romanca e cila trajtohet në pjesën e dytë, të titulluar ‘Leucosia’, në të cilën mbizotëron erotika, së bashku me trishtësinë, mallin dhe melankolinë, të cilat shndërrohen në efekte që ndezin pishtarët e Erosit. Ashtu si dashuritë e zjarrta që konsumohen shpejt, edhe ky cikël është më i shkurtër nga dy të tjerët. Pjesa e tretë ‘Empusa’ qëndron në kontrast me dy pjesët e para. Poezitë e këtij cikli janë sa brutale dhe të vrazhda, po aq edhe të drejtpërdrejta dhe të fshehta. Një paraqitje e pazakontë ku imagjinata, makthi dhe realiteti gërshetohen mahnitshëm.

E gjithë vepra është rezultat përmbledhës i një pune tre vjeçare të autores, një punë kjo e realizuar spontanisht, që filloi si shfrenim pasionesh në letër, por fundin e saj e njohu në formën e një libri. Padyshim që secila poezi është fryt i një momenti unik, produkt i një kohe të jetuar, andaj edhe paraqitja e sentimentit në kulminacion, është zgjedhja e preferuar e autores nga Prishtina. Po ashtu nuk kanë munguar as sfidat e hasura përgjatë procesit të shkrimit, ku më e vështira ishte sistemimi i mendimeve dhe koordinimi i tyre në nivel me spektrin emocional.

“Nuk është e pamundur për tu arritur, por e domosdoshme”, thekson Dea për KultPlus.

“Natën kur yjet u vranë”, jo rastësisht, libri ka këtë titull që bazohet në njërën nga poezitë, me po të njëjtin emër, e përfshirë në përmbledhjen poetike dhe duke marrë parasysh përmbajtjen e poezisë përkatëse e cila njëkohësisht përfaqëson thelbin e tërë veprës. Secili lexues, varësisht nga formimi individual, arrin të konceptojë vetvetiu anën përmbajtësore, mirëpo tre elementet që paraqiten në titull: ‘Natë’, ‘Vdekje’ dhe ‘Yje’, të japin një ide të qartë se natyra e veprës karakterizohet nga një kompleksitet ndjenjash, duke filluar nga më të errëtat, e deri tek ato që verbojnë pamëshirshëm.

Qëllimi kryesor i veprës është prezenca e emocionit, me ç ’rast prania e tij shpie në shmangien e vargjeve të thata, boshe ose të mangëta. Përmes kësaj vepre, i pranishëm është edhe komunikimi me lexuesin, në mënyrë indirekte ku prezantohet një plan spiritual, me anë të së cilës të ndjehesh i kuptuar, është një ‘përsosmëri e lirisë’ nga çdo lloj paragjykimi.

“‘Fool’, said my muse to me. Look in thy heart and write.” – Sir Philip Sidney. Njëra nga kuotat e famshme, “Mjafton të shikosh brenda zemrës, dhe aty gjen muzën e vërtetë, atë që jeton së bashku me poetin duke njohur rrënjësisht secilën dridhje të shpirtit njerëzor”, veçon Dea.

“Dashuria, ky fenomen kaq tokësor por në të njëjtën kohë kaq hyjnor, përherë mbetet një nga temat më së shpeshti të trajtuara në kuadër të çdo fushe të artit. Në kuadër të letërsisë, motivi i dashurisë shpaloset në forma dhe trajta nga më të ndryshmet. E në të vërtetë, e tillë është kjo ndjenjë kaq sublime për të cilën nuk hezituan të shkruajnë poetët, që nga antikiteti e deri më sot. Dashuri e realizuar, e pamundur, e ndalur, e njëanshme, platonike, egoiste e toksike, e sa e sa epitete tjera që i kemi dëgjuar pambarisht. Por të dashurosh në vetmi duke mos u ndikuar nga askush dhe asgjë, është akti më i pastër dhe më i bukur. Andaj dhe në hyrje të veprës është vendosur citati, “All I loved, I loved alone”, nga autori amerikan Edgar Allan Poe, i cili ende ruan vendin  më të veçantë në radhët e autorëve më të dashur”, thotë Dea.

Teksa flet për periudhën e krijimit, Dea shpreh edhe arsyen bazë se pse vendosi që ajo të dizajnojë kopërtinën e librit. Dëshira që çdo element artistik i përfshirë në këtë botim, të jetë origjinal. Arsyeja sekondare është që lexuesi të krijojë një përfytyrim të saktë mbi mënyrën se si funksionon fantazia mbi të cilën thur vargjet. Piktura dhe poezia nuk ndahen nga njëra-tjetra, ndërkohë që padyshim shfaqen në forma  të ndryshme, të cilat kanë po të njëjtat rrënjë inspirimi.

“Një e ardhme pa letër, penë, bojë dhe kanvas, nuk e dua fare. Përndryshe do thoja: ‘… and the rest is rusk and stardust’ – Lolita, Nobokov. Çdo njeri ka diçka për të ofruar nga vetja dhe nuk duhet të stepet përballë asgjëje. ‘Bë art dhe je art’, sepse ne jemi bota dhe bota është kryevepra jonë”, përfundon autorja e re.

Poezia më identifikuese që publiku veçon, është poezia ‘Mizar’, nëpërmjet së cilës dallohet thjeshtësia e fjalëve, shkrirja totale e autores, ndërkohë që Mizari është ylli i saj, një burim i pashtershëm i frymëzimit poetik.

                                        “MIZAR”

Lësho  misteret e fjetura mbi tufanin e natës së mllefosur,

  të cilën e maltretoj në Alkatrazin që drejtoj shpirt  pas

                                          shpirti.

        Të kërkoj dorën nën këto erëra zemërbardha,

             buqeta vërtitet në ballkonin e harruar.

                               Më marto me atë,

 qe kuptimin gjithherë tjerr në dashuritë e përjetuara,

                    zgjuar prej zjarri të mirëfilltë.

                                 Ti, vetëm ti,

           rezervon veshët ndaj dëgjimit të fjalëve,

                stërngopur në helm keqtrajtimi.

              Që nga brendia shpërthen esenca,

          lidhur në flatrat e operës shkatërruese.

                 Dhëmbi i flet tjetrit, fqinji im,

          ta lësh zemrën time të vetmuar të fle,

    krah yllit që tërheq telat e pasionit të dënuar.

                             Shko pas asaj,

         që floku i kushton dedikime të pastra,

                     shembëlltyrë qetësie,

reflekton përkëdheljet ndër fijet bashkuar në dritë.

                Shtrihem në rrezen e ballit tim,

                         ende arrij ta kujtoj,

        nga ditët në tokën e ëngjëjve të baltës.

            Lumenjtë e syve lotues luajnë,

             me qiellin e së njëjtës ngjyrë.

               Të thërras me tufat e reve,

           dhe njësoj si ti i tymos ëndrrat,

          poshtë rruzullimit qiellor nga ku,

          sec më kujtohet dialog i shkretë,

     kambanë e përhumbur mes planetësh.

      Një shtrëngim vërsulet aty ku ngrita,

                 kurthin e lumturisë,

        që aq shumë u  përpoqa ta ruaj.

Ti djallë, kthehu në dheun ku një nga një groposa,

 viktimat e ligësisë që si e pushtuar i dashurova.

        Mizari im, trokitës në kristalet ngrirë

                      në pafajësi fëmijë.

   Më thuaj, me gjuhën që flitet përtej tokës,

               më trego dyndjet e trishta,

        të një stuhie në jug të kontinentit.

           O dashuri mbi cdo dhembje,

       kënaqësi e dëshirës përvëluese,

ylli  i dytë në konstelacionin Ursua Major,

  bashkëshorti im, ai që huazoi hijeshitë

             kushtuar natyrës që po vdes,

 e vendosi të ndritshmet diamante në fustanin e nusërisë.

             Betimin e shkruajta me puthje,

                 njomur në zjarr diellor.

       E jotja është bukuria marramendëse,

         ndaj së cilës  si akull shkrihem,

  për të shoqëruar në natën e parë të dashurisë.

Më fshih në sekretet qe i pëshpërit Alkorit në vajtim,

            të ruhem nga ky terr i cili me vrap,

  po ngjet pallatatet duke i rrënuar nga zemërimi.

             E vetmja torturë që përgjon,

  mendimet e kësaj koke të rënduar në mëkat.

                       A do t’i besosh,

prehja e ankthit të cilin përtyp për të munduar vetveten,

     pasojës që u bë shkak i vdekjes sime njerëzore?

         Forcat e cliruara më zvarrisin mesazhe,

        e  unë ndrydh ndjenjat në formë drapri.

                      Se e pres prej teje,

I shtrenjti dënim t’më hudhet nga iluminimi rrjedhës,

             prej afsheve tua mbinjerëzore.

                 Perfundo këtë vuajtje,

 ashtu sic më ngrite në qytetin tënd të dritës,

                 poshtë të më lëshosh,

       me delikatesën e vrapit të thëllënzës.

Do të kaloj vitet e mbetura pas hekurave të frikës,

   të cilëve do t’u bëj ballë me njërën dorë,

                  aty ku mbaj rrethin,

          në të cilin ringjallet yjësia,

               në gishtin e unazës,

       ku fsheha lotët e histerisë sime. 

Biografi e autores

Dea Basha u lind më 5 Mars 2002 në Prishtinë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Shkollën “Dardania”, kurse shkollimin e mesëm të artë e përfundoi në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Aktualisht është studente e vitit II në Fakultetin Filologjik, dega Letërsi Shqipe, në UP “Hasan Prishtina” në Prishtinë. / Era Berisha / KultPlus.com