Sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është mbajtur takimi koordinues ndërmjet përfaqësuesve të Bibliotekës Kombëtare, Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë për vazhdim të angazhimeve për planifikimin e ekspozitës “Nga lufta në liri: çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe media”.
Përmes një njoftimi në “Facebook”, BKK bën me dije se takimi u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për këtë ekspozitë ndërinstitucionale, e cila do të organizohet me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Ekspozita synon të pasqyrojë rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë përmes dokumenteve arkivore, kujtimeve, mediave të kohës dhe eksponateve muzeale.
“Pjesëmarrësit riafirmuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional në funksion të ruajtjes, dokumentimit dhe promovimit të kujtesës historike”, thuhet në njoftimin e BKK-së.
