Baleti Kombëtar fillon provat gjenerale të shfaqjes ‘Rebounds. A BasketBallet’

Sot, Baleti Kombëtar i Kosovës ka nisur provat gjenerale për premierën e parë të vitit 2024, “Rebounds. A BasketBallet”, me koreografi të Friederike Lampert & Jochen Roller, shkruan KultPlus.

Muzika e shfaqjes premierë “Rebounds. A BasketBallet” është realizuar nga Ohad Talmor.

Shfaqja para publikut do të jepet me datat 15.02.2024 dhe 16.02.2024, në Atelienë e Pallatit të Rinisë duke filluar ora 20:00./ KultPlus.com

BKK dhe EUPL promovojnë veprën ‘Kësulkuqja-përrallë për të rritur’ të Ag Apollonit

Nesër do të promovohet vepra e Ag Apollonit “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, nën patronatin Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL).

Promovimi i veprës së Ag Apollonit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovë, që do të organizohet nën patronatin Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë, përbëhet nga një lexim, diskutim dhe një bisedë me autorin fitues të këtij çmimi.

Ag Apolloni me romanin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”, në muajin prill të këtij vitit, në një ceremoni solemne të organizuar në Panairin e Librit në Leipzig, nga Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL), është nderuar me çmimin – “Special Mention”.

Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL), është i mbështetur nga programi Evropa Kreative i Bashkimit Evropian dhe është një iniciativë vjetore për të njohur shkrimtarët më të mirë të letërsisë në zhvillim në Evropë.

Çmimi synon të vërë në qendër të vëmendjes krijimtarinë dhe pasurinë e larmishme të letërsisë bashkëkohore evropiane, të promovojë qarkullimin e letërsisë brenda Evropës dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare të kësaj letërsie.

Fituesit e përzgjedhur promovohen me synimin për të arritur një audiencë më të gjerë dhe ndërkombëtare dhe për të prekur lexuesit përtej kufijve kombëtarë dhe gjuhësorë.

Ngjarjet e tilla nga Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL), organizohen, gjithashtu, në vendet e origjinës së autorëve, me qëllim që të rrisin lexueshmerinë e autorëve në vendet e tyre të lindjes.

Konsorciumi i Çmimit të Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL), përveç mbështetjes financiare dhe organizative për promovimin e veprës së Ag Apolloni, këtë ngjarje do ta publikojë në faqen e internetit të EUPL (http://www.euprizeliterature.eu/) si dhe në kanalet e mediave sociale të EUPL: Twitter (@EUPLPrize), Facebook (https://www.facebook.com/EUPLPrize/) dhe Instagram. / KultPlus.com

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës në New York me shfaqjen ‘Shtegtimi’

New York-u është destinacioni i radhës i ‘Shtegtim’ të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, Fatmir Smani dhe Aulonë Nuhiu, kanë udhëtuar për herë të parë në Amerikë, për ta prezantuar para publikut amerikan, shfaqjen “Shtegtimi” me koreografi nga Antonio Fini, në kuadër të Festivalit “Fini Dance Festival & Awards”

Sot, me datë 31 gusht, nga ora 20:00 balerinët e Kosovës do t’i japin ngjyrime të veçanta skenës së teatrit “Alvin Ailey American Dance Theater”, në Manhattan të New York-ut.

Kujtojmë që premiera e shfaqjes ‘Shtegtimi’ u dha në Itali në korrik të këtij viti, në turneun një javor të trupës së Baletit Kombëtar./KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës sonte do të performojnë në Austri shfaqjen ‘Correr o Fado’

Në këtë pasdite qyteti i Austrisë, Graz do të mirëpresë Baletin Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Trupa e Baletit do të interpretojnë shfaqjen “Correr o Fado”, në koreografi nga Daniel Cardoso.

BKK-ja do të jetë e pranishme tre ditë rradhazi në Austri në kuadër të Festivalit “Bühnenwerkstatt Int.Festival”.

Pas këtij turneu, Baleti i Kosovës do të niset menjëherë në kryeqendrën e botës në Amerikë, për performancën “Shtegtimi”./KultPlus.com

Hapet ekspozita e librave të vjetër dhe të restauruar nga Sektori i Konservimit dhe Restaurimit të BKK-së

Sot u bë hapja e ekspozitës së librave të vjetër  dhe të restauruar nga Sektori i Konservimit dhe Restaurimit të Bibliotekes Kombëtare të Kosovës, nga Blerta Krasniqi, shkruan KultPlus.

Në ekspozitën që kishte zënë vend në koridorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës fjalën e mori vetë Kransiqi e cila e filloi fjalimin duke treguar për përzgjedhjen e librave dhe rëndësinë e tyre.

“Librat e përzgjedhur kanë pasur një rëndësi të  madhe, dhe është dashur kohë për restaurimin  e tyre, librat e përzgjedhur janë libra të vjetër dhe libra shume të rrallë.Përzgjedhja e këtyre librave i takon kryesisht shekullit te XVII dhe gjysmës së parë të shekullit te XIX, janë libra me përmbajtje të ndryshme historike, etnografike historike, arkeologjike dhe artistike”, u shpreh ajo.

Libri të cilin e veçon Krasniqi është “Histori e Skënderbeut”, lloje të ndryshme të abetareve pastaj librave me poezi , histori dhe gjeografi, kryesisht rreth popullit shqiptar.

Në Biblioteken Kombetare gjendet kryesisht material me natyrë organike i cili dëmtohet lehtë dhe duhet të restaurohet. Këto materiale përbëjnë libra, fotografi me ngjyra dhe në raste të rralla kemi të bejmë edhe me kopertina nga druri.

Ajo ndër të tjera na tregon se çfarë roli luan një konservator.

“Konservatori përpos të gjitha njohurive bibliotekare duhet të ketë aftesi edhe të punëve të tjera teknike, estetike dhe artistike. Pra konservatori gjithmonë gjatë punës së tij është në luftë me të gjitha llojet kundër shkatërrimit të materialeve të cilat kanë vlerë kulturore, dhe gjithmonë në mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Kur flasim për trashëgiminë kulturore gjithmonë mendja do të na shkojë tek ato grupe materialesh të cilat kanë vlerë historike, artistike, arkeologjike etj. Konservimi sa është proces profesional po aq është edhe proces human ngase i përfshinë te gjitha format e pengimit të shkatërrimit te të gjitha formave biblotekare, pra me nje fjalë nuk lejon humbjen e trashëgimisë sonë kulturore”, tha mes tjerash Krasniqi.

Dëmtuesit e materialeve biblotekare kyesisht i takojnë natyrës kimike, fizike e biologjike por në raste të rralla ato janë edhe nga fatekeqesitë elementare nga vershimet, zjarret por edhe lufterat.

Konservatori pra, puna e tij është mjaft e veçantë dhe delikate sepse materialet të cilat restaurohen janë të ndjeshme të thyeshme duke pasur parasysh se ato janë të vjetra.

“Disa nga materiale të cilat bëjnë pjesë në restaurimin i kemi ekspozuar, jane në një kënd të tavolinës, dhe ato janë: brusha, pinceta, pej, kemi dhe letra japoneze me trashësinë e ngjyrave të cilat i përshtatin. Proceset e restaurimit janë të shumta dhe varësisht nga dëmtimi bëhet edhe restaurimi i tyre”, u shpreh po ashtu Krasniqi teksa fliste për proceset e restaurimit.

Krasniqi e përfundoi fjalimin e saj duke thënë “ se kjo ekspozitë do të na bëjë të vleresojmë rëndësinë e librit të rrallë e të vjetër dhe restaurimin në bibliotekën tonë kombëtare”./ KultPlus.com

Lexime feministe në shënim të muajit të Historisë Zezake në BKK

Në shënim të muajit të Historisë Zezake, këtë të martë me datë 28 shkurt do të diskutohet kapitulli i dytë “Feminizimi” i librit “Abolicion. Feminizëm. Tani” nga mendimtaret dhe aktivistet Angela Y. Davis, Gina Dent, Erica Meiners dhe Beth Richie, përcjell KultPlus.

Në këtë kapitull, autoret ritheksojnë edhe njëherë rëndësinë e pashoq të feminizmit abolicionist në çrrënjosjen e sistemeve shtypëse. Duke ofruar shembuj të ndryshëm të organizimeve politike, autoret kritikojnë ato organizime të cilat e konsiderojnë shtetin dhe sistemin e burgosjes si aleat në luftën kundër dhunës, gjithmonë duke insistuar se një botë më e drejtë dhe e sigurtë është e mundur vetëm nëse mjetet tona politike kundër dhunës janë radikale.

Autoret gjithashtu prezantojnë një ndërlidhje midis dhunës së ushtruar nga shteti dhe dhunës që zhvillohet në marrëdhënie intime, midis burgjeve dhe kontrollit mbrenda familjeve dhe midis organizimeve lokale e globale.

Diskutimi do të mbahet në amfiteatrin e vogël të Bibliotekës Kombëtare duke filluar nga ora 17:30. / KultPlus.com

Së shpejti në BKK shpaloset ekspozita me karakter bamirësie, “Art për të gjithë”

‘Education Code’ përmes projektit “Art për të gjithë” organizon ekspozitën e veprave të artit figurativ të punuara nga nxënësit e shkollave fillore të Prishtinës.

Veprat e këtyre artistëve nga Komuna (të cilët vijnë nga familjet të cilat jetojnë nga skemat sociale), do të paraqiten në ekspozitën e quajtur “Art Për të Gjithë” dhe do të jenë në shitje. Të hollat e mbledhura nga veprat e shitura do të dedikohen po për ata artistë dhe nxënës të tjerë të cilët janë nga po ajo kategori. Kjo do të ju ndihmojë atyre që të marrin pjesë në eventet e radhës të organizuara nga shkollat së bashku me fëmijët e tjerë siç janë vizitat në Brezovicë dhe të aktivitete të tjera të cilat shkollat do të organizojnë dhe të cilat janë të papërballueshme për ta.

Ekspozita mbahet më 16 Shkurt 2023 në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, nga ora 10:00 deri në orën 16:00.

Çmimi bazë për çdo vepër do të jetë 30 euro. / KultPlus.com

Në kuadër të 15 vjetorit të Pavarësisë, Baleti Kombëtar i Kosovës vjen me dy shfaqje

Në kuadër të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, do të interpretoj në dy qytete të Kosovës.

Më datë 15 shkurt luhet shfaqja “Sisters” me koreografi nga Mehmet Balkan në “Teatrin e Qytetit” në Gjilan, duke filluar nga ora 20:00.

Ngjarja tjetër mbahet më 18 shkurt. Është pikërisht shfaqja “Exil” me koreografi nga Eno Peçi që do të luhet në shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë me fillim nga ora 19:00. / KultPlus.com

Balerini i gjeneratës së parë, Elez Nikçi: Me dërrasat e teatrit do të dëshiroja që ta mbuloja amshimin e mendimit tim

Era Berisha

I lindur më 18 tetor të vitit 1953, në Shtupeq të Madh, përkatësisht në Rugovë të Pejës, balerini Elez Nikçi ka vulosur gjurmët e tij nëpërmjet gjuhës së baletit. I përket brezit të parë që u kualifikua për artin mjeshtëror të baletit në Shkollës e Mesme të Baletit në Shkup, dhe si i tillë ka bartur mbi supe peshën e të qenurit solisti kryesor i baletit bartës i të gjitha roleve kryesore. Kreativ, atraktiv dhe unik në stilin e tij, 1968-ta do të bëhej viti kur ai do niste rrugëtimin e tij drejt shndërrimit në një yll, shuarja e së cilit nuk do të ndodhte asnjëherë, shkruan KultPlus.

I njohur për formën e tij prej shpate, këmbët e tij kanë arnuar role artistike nga më të ndryshmet, role këto që u bënë kryevepra gjithandej nëpër skena vendore dhe jugosllave deri në Dubrovnik, Slloveni, Novi Sad e tutje. Shfaqjet si: “Legjenda mbi ngadhënjimin“ (Armiku), “Sokoli dhe Mirusha“ (Sokoli), “Halili dhe Hajria“ (Halili), “Vallja pranverore“ (I fejuari), “Bolero dhe Shtrausiana“, “Interplay“, “Coppelia“ (Kopelius), “Era dhe Kolona“ (Armiku), “Kënga e Rexhës“ (Rexha),“Romeo dhe Xhulieta“ (Tibajli, Dali, Antoni), “Besa“ (Korbi), “Carmen“ (Torero), “Zef LushMarku“, “Don Kishoti“ (Don Kishoti), “Peter Pani“ (Kapiten Kuku), “Loja e Sizifit“, “Fyelltari“ dhe “Tranzicioni 2“, do të rrumbullakonin globin e tij që tregon për përkushtimin e pashoq e të pashlyeshëm përgjatë viteve.

Si një pishtar në një rrugë të errët, balerini Nikçi ka ngelur i pazëvendësueshëm në artin skenik. Qëndisja e tij në kujtimet e shumë njerëzve ka ndodhur krejt lehtazi. Rolet e tij kanë qenë të shkrira si qiri në secilën skenë që ka prekur, dhe kësisoj me një ndjeshmëri të lartë, ka hyrë në arkivin e baletit nacional, nëpërmjet së cilit do të mbahet mend gjatë.

Në bjeshkët e Rugovës ka hedhur hapat e tij të parë. Tokat me gropa, të larta e të rrëshqitshme duket se e kanë skalitur qysh në fëmijëri. Por, aty e ka mësuar edhe vallen, në një atmosferë kënge e vallesh diversive, dhe kësisoj ka gjetur ritmin e tij të parë, një ritëm që do ta kapërdinte për gjithë jetën. Në historinë e tij gjejmë qindra palë këpucë të shterura të cilat kanë krijuar art. Shpirti i tij artistik na del edhe në të shprehurit e tij, por më së miri e shohim në lëvizjet e trupit. Gjithçka është teatrale, e realizuar në skenë së bashku në ndërlidhje me kostumet, dizajnin skenik dhe ndriçimin. Në balet asgjë nuk krijohet instinktivisht, ngaqë trupi shkon kundër natyrës së vetë.

Në pamje, kjo degë e artit duket e bukur, marramendëse dhe e paparë. Ka një shtrirje të gjerë që rrëmben shpirtin e atij që e shikon dhe e përjeton. Kthimi i ijëve, këmbëve nga jashtë, kërcimet në ajër në sfidë me gravitetin, piruetet e shumta dhe balancimi i peshës në gishta të këmbëve, nga jashtë duken krejt të lehta, por kërkohet ushtrime e stërvitje të shumta vjeçare, për të arritur në perfeksionim. Ka edhe shumë flluska si dhe këmbë të gjakosura që bëhen pjesë konstante e jetës së një balerini/e, dhe zgjedhja e këtij udhëtimi, nuk ka tjetër çka të dëshmojë pos pasionit e dashurisë me bollëk për këtë profesion. Zgjedhja, nënkuptonte një jetesë me dhimbje të vazhdueshme e cila patjetër që me prekje të skenës, do të bëhej një jetë mbretërore, aty ku jorealja dukej e mundur.

Rrëfimi i balerinit Nikçi peshohet në të dy anët jetësore, të mirat e të këqijat. Ai ka qenë nxënës i profesoreshës së njohur, Tatjana Petkovska, e cila konsiderohet një emër i lartë në dimensionin artistik e pedagogjik. Nëpërmjet mësimeve të saj, është arritur të krijohet një brez artistësh që sipas Nikçit, kanë jetësuar gjininë e panjohur të baletit, ndër ne. Kontributi i saj i dhënë për të krijuar afërsinë me grupin e Kosovës, ka qenë kulmor.

Më 1972, balerini Nikçi me kolegët e tij që ishin pjesëtarë të asaj gjenerate, kishin në krye Ahmet Brahimajn, ish-drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët së bashku u kthyen për t’u bërë pjesë e Teatrit Popullor Krahinor. Angazhimi i tyre u bë pika kyçe për ringjalljen e skenës së baletit pas luftës në Kosovë. Kanë hasur në ngjarje të llojllojshme, në situata të vështira në punë pa kushte, e njashtu përjetuan edhe ndërhyrjet politike që çuan deri në mbyllje totale të Teatrit.

Për shfaqjen e parë që u vu në skenë nën emërtimin “Motivet kosovare” e tek ajo e fundit, për mosnënshtrimin e trupës së baletit kundrejt synimeve politike deri tek rikthimi i tyre në skenë, për trofetë e shumta, për pjesëmarrjen në ceremoninë e Baletit Kombëtar të Kosovës kur shënoi 50-vjetorin si dhe për dëshirën që ta mbulojë amshimin e mendimeve të tij në dërrasat e teatrit, është rrëfyer balerini Elez Nikçi në një intervistë ekskluzive për KultPlus, të cilën e keni rastin ta lexoni më poshtë.

KultPlus: Fillimisht, a mund të na tregoni se si ju lindi dashuria për baletin?

Elez Nikçi: Dashuria ime ka lindur në bjeshkët e Rugovës. Bjeshka nuk është tokë e rrafshët ku këmba mëson të ecën vetëm në një ritëm. Atje, duhet përballesh më forcën e shkëmbinjve, me erërat e forta, me dimrat e mëdhenj, me rrebeshet dhe furtunat e shirave, ndërsa, një valltar – artist duhet luaj vallen për t’i përballur të gjitha këto të papritura. Kështu mendoj se ka lindur dëshira e të parëve të mi për vallen, pastaj, ajo dëshirë dhe ai pasion është shartuar dhe në mua.

KultPlus: I përkisni Gjeneratës së Parë të Baletit të Kosovës. Si e përshkruani këtë ndjenjë, pra që keni nisur diçka që s’ka ekzistuar më parë në Kosovë, si fushë e artit?

Elez Nikçi: Nuk përshkruhet ndjenja e asaj kohe në këtë kohë. Po të më kishit pyetur atëherë do të ju përgjigjesha në nota të sakta. Por ju s’keni qenë të lindur në atë kohë kur lindi Baleti.

Sot, ua them se ka qenë rrugëtim për të cilën i kemi shtjerr me dhjetëra e dhjetëra palë këpucë për të arrirë në këtë stad artistik ku sot qëndron Baleti i Kosovës.

KultPlus: Së bashku me kolegët, keni ringjallur skenën e baletit. Nëpër çfarë rrethana, situata e momente keni kaluar, për të arritur aty ku keni pas dëshirë?

Elez Nikçi: Të llojllojshme ishin, situata të mira, shfaqje të pranueshme, të qëndrueshme, të vyeshme për kohën dhe për situatën. Ndërsa situatat e vështira në punë pa kushte, situatat dhe ndërhyrjet politike deri në mbyllje totale të Teatrit nuk do dëshiroja fare që t’i potencoja, meqë ato janë të ditura.

KultPlus: Shkupi u përzgjedh si qyteti më i duhur për të studiuar ngaqë qe më afër Beogradit. Pse ndodhi kjo?

Elez Nikçi: Shkupi ishte afër dhe kishte mundësi reale, sikundër që, dikush nga administrata e Kosovës e përcaktoj si lokacion studimor Shkupin, në marrëveshje me administratën e tyre meqë ishim brenda gjeografisë së përbashkët të ish Jugosllavisë.

KultPlus: A mund të na shpalosni se si ka ecur edukimi juaj me profesoreshën e njohur Tatjana Petkovska?

Elez Nikçi: Ishte dhe ngelet emër kult në dimensionin artistik dhe në atë pedagogjik.

Ka krijuar një brez artistësh të cilët e jetësuan këtë gjini të panjohur ndër ne. Asaj i jemi mirënjohës për kontributin e dhënë dhe për afërsinë e krijuar me grupin e Kosovës.

KultPlus: “Motivet kosovare”, ka qenë shfaqja juaj e parë. Çfarë mbresa i keni lënë publikut të asaj kohe?

Elez Nikçi: Kanë shkruar për secilën pjesë artistike. Jemi vlerësuar prej strukturës së kritikës.

Janë në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, të gjitha gazetat që dëshmojnë dhe dëftojnë se kush ishim ne në skenë dhe në këtë shfaqje që ju e potenconi. Më kanë veçuar vazhdimisht mua dhe kolegët e mi. Kemi qenë unik në proces të punës andaj them se kemi arritur diçka të një rëndësie kapitale, konsideroj.

Fotografia: E.I – (50 vjetori i Baletit Kombëtar të Kosovës)

KultPlus: “Sokoli dhe Mirusha”, “Këngën e Rexhës”, “Kush e Solli Doruntinën”, “Halili dhe Hajrija”, janë disa nga shfaqjet ku ishit edhe ju pjesë. Na tregoni më shumë rreth këtyre shfaqjeve.

Elez Nikçi: Kompozitorët dhe koreografët janë ata që meritojnë të veçohen, të përmenden, të falënderohen nga ne dhe nga njerëzit që kanë përfaqësuar kulturën dhe politikën.

Janë ngjarje që kanë krijuar megjithatë një epokë të rëndësishme për kohën që po flasim.

 KultPlus: Gjatë fundit të viteve ’80 balerinët u dëbuan nga Teatri. Si e pritët këtë vendim?

Elez Nikçi: Qëllimi ishte që të zhbëhej kultura, ndërsa, synimi i tyre ishte i përmasave të luftës së dytë botërore, luftë për territor dhe për rivendosje të popullsisë.

Ne u dëbuam ngaqë nuk pranuam që të nënshtroheshim. Por, më mirë që dolëm nga skena, ndryshe do të mbeteshim banorë nëpër stacione të trenave të Evropës.

KultPlus: A ju shuan shpresat që ju nuk do të performonit më asnjëherë në skenë?

Elez Nikçi: Ishte e vështirë ndarja nga skena. Ishte sikur të ndaheshim nga familja, nga fëmijët dhe nga brezi im. Por, shpresë kishim që nuk do të shuheshim. Akoma përtej kishim besim të fortë se do të riktheheshim. Dhe kjo ndodhi – u rikthyem!

KultPlus: Keni menduar ndonjëherë që të hiqni dorë së luftuari për krijimin e baletit kosovar?

Elez Nikçi: Jo, asnjëherë nuk më ka shkuar nëpër mend që të dëboj vetveten nga shpirti im. Baleti është shpirti, ndjenja, lëkura e skenës dhe vizionit tim artistik. Andaj, e veçoj skenën si të pandarë me mua. Ndërsa, me dërrasat e teatrit do të dëshiroja që ta mbuloja amshimin e mendimit tim.

KultPlus: Si gjetët forcën që së bashku me koreografin e ndjerë Ahmet Brahimaj, të rindërtoni skenën e baletit kosovar?

Elez Nikçi: Kemi bashkërenduar me të në mënyrë perfekte. E kam mbështetur në kohën e duhur dhe të nevojshme kur është dashur që ta rikthenim baletin në kondicion të mirë skenik. Ai u kthye nga Kanadaja, ndërsa unë isha duke punuar në presidencë. Ai ka vazhduar punën suksesshëm si drejtor deri në pensionim, ndërsa unë isha pjesë e pandashme e rrugëtimit artistik. Dhe ja arritëm!

KultPlus: “Fyelltari”, është shfaqja juaj e fundit. Por realisht, cilat ishin ndryshimet që keni hasur pas disa vitesh mungesë?

Elez Nikçi: S’ka ndryshime për Baletin.

Në Balet ka një moshë rinore kur je i pari në hezin skenik – je solist dhe personazh për vepra të mëdha. Ndërsa, koha vetvetiu pastaj të ‘eliminon’, po flas për moshën të cilën nuk mund ta ndalim.

Pra, ne arritëm në një moshë kur krijuam brezin e ri që janë pasardhës të misionit dhe vizionit tonë. Ne u pensionuam, por ishim prapë aty pari. Jemi dhe sot me Baletin. Më ftojnë, më respektojnë, jemi familje e madhe, konsideroj.

KultPlus: Nëse do të ktheheshit në kohë, çfarë do të kishit bërë ndryshe?

Elez Nikçi: Ne s’kemi bërë gabime në sendërtimin e qëllimit tonë. Kemi punuar mirë dhe kemi krijuar gjëra të mira dhe të rëndësishme për kohën. Jemi vlerësuar me çmime dhe trofe nëpër rajon dhe në vende tjera.

Vetëm një gjë që më ngelet peng në jetë është hapësira skenike (ngrehina, shtëpia) për Baletin, e që nuk është ndërtuar akoma.

KultPlus: Ishit pjesëmarrës në ceremoninë e Baletit Kombëtar të Kosovës kur shënoi 50-vjetorin. Si ishte kjo ndjenjë për ju?

Elez Nikçi: Ka qenë emocion i veçantë. Po flisja në emër të brezit tim. Kishte shumë pjesëmarrës. Më kujtonin kohërat tjera në një kohë dhe situatë jubilare. E veçoj këtë festë dhe këtë mbrëmje pa masë. Gjërat më të mira që ja dua familjes sime, ia dedikoj edhe Baletit të Kosovës.

KultPlus: BKK nuk ka akoma një shtëpi të veten. Si e vlerësoni ju punën e MKRS-së për këtë fushë arti?

Elez Nikçi: Uroj që do ta ndërtojnë ndërtesën e Teatrit të Baletit.

Megjithëse, kam dyshimet e mia personale për faktin që është mbyllur TKK pa u bërë asnjë zgjedhje konkrete dhe alternative për Baletin e Kosovës. Akoma asnjë tullë askush nuk e ka vënë në TKK deri më sot. Viti shkoj. Çfarë është kjo punë unë se kuptoj. Ka afërsisht 1 vit që është mbyllur pa filluar asnjë hap konkret në renovimin e Teatrit. / KultPlus.com

Fotografia: E.I – (50 vjetori i Baletit Kombëtar të Kosovës)

BKK ka përmbyllur sot bashkëpunimin tre javorë me mjeshtrin e baletit, Vladimir Shuvalov

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka përmbyllur sot bashkëpunimin tre javorë me mjeshtrin e baletit, Vladimir Shuvalov, përcjell KultPlus.

Shyvalov i lindur dhe shkolluar në Kiev të Ukrainës, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Kroaci, ka lënë vulën e vet tek shumë trupa dhe balerinë nëpër botë, të cilët kanë pasur fatin të marrin mësime nga maestro Shuvalov.

Baleti Kombëtar i Kosovës, ndër vite ka zhvilluar bashkëpunime me artistë me renome, të cilët kanë zbarkuar në Prishtinë për të dhënë kontributin e tyre të çmuar në funksion të BKK dhe balerinëve. / KultPlus.com

Nesër hapet ekspozita ‘Qendra Rinore Ideale’ në BKK

Këshilli Rinor Kosovar (KYC) si organizatë e cila funksionon që nga viti 1999 me qëllim ngritjen e cilësisë së arsimit në vend dhe angazhimin e rinisë nëpër aktivitete jashtë-shkollore gjithmonë ka aspiruar të veprojë dhe të ndërtojë një shoqëri civile përmes krijimit dhe mbështetjes së organizatave rinore, angazhimit të të rinjve dhe grave në proceset e ndryshimit, zhvillimit të kapaciteteve të tyre, përfaqësimit të zërit të tyre, promovimit të edukimit të vetëorganizuar dhe mbështetjes së zhvillimit të politikave rinore, përcjell KultPlus.

KYC në rrjedhën e implementimit të këtyre aktiviteteve fuqizuese, nesër në hapësirën e Bibliotekës Kombëtare do të vendosë një maketë artistike e cila do të paraqesë një shembull se si duhet të duket një qendër rinore për të rinjtë e komunës së Prishtinës. Punimi ka për qëllim të promovojë nevojën e hapësirave rekreative për të rinjtë dhe shërbimet që atyre ju nevojiten në to.

Ngjarja fillon prej orës 12:00. / KultPlus.com

Hapet “Kthim”, për herë të parë ekspozohet puna e 20 artistëve të rinj që ndërlidhin njerëzoren me digjitalen

Era Berisha

Artistët si: Antika Veseli, Arbreshë Qerimi, Arjeta Bislimi, Azra Ibrahimi, Besarta Hoxha, Djellza Berisha, Djellza Hyseni, Doresa Zulfaj, Emine Dajaku, Erblina Mahaj, Erion Kllokoqi, Erleta Krasniqi, Era Goga, Fitim Haziri, Flamur Bilalli, Jon Rexhaj, Krenare Sylejmani, Leonita Muja, Reita Rrecaj dhe Rinor Daut, kanë ekspozuar sot punën e tyre unike nëpërmjet ekspozitës nën emërtimin “rETurN” apo “Kthim” me kuratore Majlinda Kelmendin, një ekspozitë kjo që synon t’u japë mundësi artistëve të rinj për t’u promovuar në skenën e artit, shkruan KultPlus.

Sot duke filluar nga ora 18:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur një numër të madh të artdashësve, të cilët kanë mbushur katin e dytë qosh më qosh. Një atmosferë e ngrohtë dhe në të njëjtën kohë diversive, është krijuar nëpërmjet gjithsej 20 pikturave të cilat kishin zënë vend në një formë të gjysmë hënës.

“rETurN” apo “Kthim”, ka shpalosur një punë intensive nëpërmjet përçimit të botës intensive e të brendshme të këtyre studentëve që ëndërrojnë vazhdimisht, me ç’rast ngjyrat tejet ekspresive e kanë pikturuar atë ndjesi më së miri. Bota në shpirtin e tyre ka dalë përtej në pikturë dhe ka lëvizur nëpërmjet figurave abstrakte, këndshëm të krijuara. Tema me motive të ndryshme kanë prekur çdo cep, dhe kjo lehtazi admirohej nga gjithsecili i pranishëm.  

Impulsi krijues i tyre është shfaqur në mënyrë të jashtëzakonshme. Ndonëse, në dimensione e teknika të ndryshme si në akrilik, vaj në pëlhurë, akuarel në letër, mix media e shumë të tjera, secila pikturë dëshmon një seriozitet të pakrahasueshëm. Me këtë projekt artistik, është synuar krijimi i një atmosfere miqësore që ka bërë bashkë artin dhe të pranishmit, dhe kësisoj ka rindërtuar një vetëbesim të nevojshëm. Interesi është zgjuar, dhe dialogët veçse kishin filluar në mesin e audiencës.

Ekspozita përbëhet nga vepra të artistëve të rinj të realizuara në vitin 2022 dhe të pa ekspozuara më parë. Po ashtu, ekspozita shërben si një shprehje e artit konceptual në vend si dhe mund të shihet si një kontribut në diskutimin e vazhdueshëm të rëndësisë së artit konceptual në vazhdimësi.

Kuratore dhe ideatore e këtij projekti është Majlinda Kelmendi e cila sot bëri hapjen e kësaj ekspozite që sipas saj, me heshtjen e vetë, flet shumë.

“Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në ekspozitën e përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në mesin e artdashësve, kolegëve, studentëve, familjarëve po e hapim këtë ekspozitë. Kjo është një ekspozitë që në dukje duket në heshtje me këto punimet e vendosura por të cilat flasin me heshtjen e tyre. Në fakt, prapa tyre është një punë e madhe e studentëve dhe këtu shfaqet vetëm dyzet për qind e punës së tyre për shkak se ata kanë punuar një kohë të gjatë dhe në bashkëpunim, kemi nxjerr më të mirën tonë”, thotë Kelmendi.

Sipas saj, vetë titulli “Kthimi” është diçka që është e rëndësishme për artistët por edhe për gjithë të tjerët.

“Momentalisht kemi disa dilema në lidhje me njerëzoren dhe digjitalen. Pikërisht kjo temë i ka provokuar ata për t’i sjell këto punime ku herë-herë do shihni nudo të cilat janë të trajtuara në mënyrë abstrakte dhe moderne e herë të tjera do të shihni elemente digjitale nëpër punën e tyre. Pjesa hulumtuese që ata kanë bërë, për mua është shumë gjë e vyer dhe kjo ka qenë arsyeja dhe motivi për të ndërmarrë këtë punë. Tanimë fjalët nuk janë shumë të rëndësishme sa puna e tyre. Që kur e kanë nisur në fillim këtë projekt me kërkesë të studentëve, qëllimi ka qenë gjithmonë mbështetja e të rinjve për shkak të situatës që është pak më e vakët në shoqërinë tonë dhe e kam parë me sytë e mi se sa entuziazëm kishte në sytë e tyre. Faleminderit që jeni këtu dhe ju sugjeroj t’i shijoni këto piktura”, përfundon Kelmendi.

Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës – Drejtoria për Kulturë. / KultPlus.com

Nesër në BKK hapet ekspozita ‘Kthim / rETurN’

Nesër në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga ora 18:00 do të hapet ekspozita ‘Kthim / rETurN’ me kuratore Majlinda Kelmendi përcjell KultPlus.

Ekspozita ‘Kthim / rETurN’ do të bëjë bashkë punën e artistëve: Antika Veseli, Arbreshë Qerimi, Arjeta Bislimi, Azra Ibrahimi, Besarta Hoxha, Diellza Berisha, Diellza Hyseni, Doresa Zulfaj, Emine Dajaku, Erblina Mahaj, Erion Kllokoqi, Erleta Krasniqi, Era Goga, Fitim Haziri, Flamur Bilalli, Jon Rexhaj, Krenare Sylejmani, Leonita Muja, Reita Rrecaj, Rinor Dauti.

 Ndërkaq ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë./ KultPlus.com

Promovimi i doracakut “Gratë dhe gjinia” këtë të mërkurë në BKK

Doracaku “Mësimi i historisë me perspektivë gjinore: GRATË DHE GJINIA” NË DY DEKADAT E FUNDIT TË SHEKULLIT XX NË KOSOVË”, shpaloset këtë të mërkurë, duke filluar nga ora 14:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, përcjell KultPlus.

Ky doracak, ka në fokus perspektivën gjinore në historinë e re të Kosovës, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe njohjen e gjinisë si kategori analitike në mësimin e historisë dhe pjesëmarrjen e grave në procese dhe ngjarje të rëndësishme historike në fund të viteve ’80 dhe ‘90-të shekullit XX.

Doracaku përbëhet prej pesë kapitujve, duke përfshirë prezantimin, materialin bazë, si dhe udhëzime metodologjike për përdorimin e materialit:

Kapitulli I. Gjinia, gratë dhe konflikti në Kosovë 1989-1999

Kapitulli II. Institucionet paralele/ të pavarura: Mobilizimi qytetar dhe jeta e përditshme

Kapitulli III. Aktivizmi i grave në vitet e 1990-ta

Kapitulli IV. Zhvendosja e paradigmës së rezistencës

Kapitulli V. Mësimi i historisë me perspektivë gjinore

Ky projekt realizohet nga forumZFD – Programi në Kosovë dhe Shoqata e Mësimdhënësve të Historisë së Kosovës, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). / KultPlus.com

Më 5 dhjetor në BKK hapet ekspozita ‘Identiteti’ nga Dashamir Gurabardhi

Më 5 dhjetor në Prishtinë do të hapet ekspozita ‘Identiteti’ nga autori Dashamr Gurabardhi, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga ora 11:00.                                            

Dashamir Gurabardhi ka ligjëruar lëndët e vizatimit, grafikës, pikturës në Shkollën Artistike ‘Jan Kukuzeli’, Durrës. Në ShBa ka punuar për vite me radhë si artist në kompaninë ‘Stickley, Audi and Company’, ndërsa tani punon si piktor i lirë midis ShBA-ve dhe Shqipërisë, ka ka marrë pjesë në një numër ekspozitash të ndryshme./ KultPlus.com

Nesër prezantohet libri “Lulja e Vlorës” nga Anna Kohen, shpaloset historia e një familje hebreje në Shqipërinë komuniste

Nesër me fillim nga ora 12:00 do të bëhet prezantimi i librit “Lulja e Vlorës” nga autorja Anna Kohen, përcjell KultPlus.

Ngjarja organizohet nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare (AIIS), dhe do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

“Lulja e Vlorës” është libri autobiografik i një autoreje hebreje e lindur në Vlorë dhe historia e një familje hebreje në Shqipërinë komuniste. / KultPlus.com

“Ngjyrat e dashura të Akilit”, shpaloset ekspozita e parë e Akil Dashevcit në BKK

Mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është shpalosur ekspozita e Akil Dashevcit.

Përmes ekspozitës së tij të parë “Ngjyrat e dashura të Akilit”, ai ka sjell vepra të shkëlqyeshme artistike.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tutje ka njoftuar se Qeveria e Kosovës po punon vazhdimisht për të mundësuar sa më shumë aktivitet dhe integrim shoqëror për personat me aftësi të kufizuara. / KultPlus.com

Ka filluar realizimi i bashkëpunimit mes Baletit të Kosovës dhe Universitetit të Arteve në Zurich

Bashkëpunimi në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Universitetit të Arteve të Zurich-ut, ka filluar të marrë jetë, pas marrëveshjes së nënshkruar muajin që shkoj, në mes të BKK dhe ZHdK.

Andrei-Nicolae Cozlac, është balerini-pedagogu i parë që ka ardhur në Prishtinë, për të filluar kështu bashkëpunimin në mes të BKK dhe ZHdK, bashkëpunimin i cili në fushën e kërcimit, do të jetë shumëdimensional. / KultPlus.com

Tatjana Petkovska, pjesë e historisë së nismës për të patur një institucion si Baleti Kombëtar i Kosovës

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, i shoqëruar nga Marsel Çollaku, njëri nga balerinët e gjeneratës së parë të balerinëve që kanë diplomuar në vitin 1972, ka vizituar sot në Shkup, ish-Drejtoreshën e Shkollës së Baletit në vitet 1968 – 1972, Tatjana Petkovska, për nder të 50 vjetorit të themelimit të BKK, për t’i shprehur mirënjohje për punën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që ka ofruar për edukimin e brezit të parë të balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Tatjana Petkovska ka qenë Drejtoreshë e Shkollës së Baletit në qytetin e Shkupit, kur gjenerata e parë e balerinëve të Kosovës, nga viti 1968 deri në 1972, u shkolluan në fushën e baletit, për çka, Petkovska dha kontribut të jashtëzakonshëm.

Petkovska, për arsye shëndetësore, nuk e kishte të mundur të jetë e pranishme në Prishtinë, në dt 09.10.2022, kur edhe u festua 50 vjetori i Baletit Kombëtar të Kosovës, por kontributi i saj i çmuar nuk u harrua, përkundrazi mbetet pjesë e historisë së nismës për të patur një institucion si Baleti Kombëtar. / KultPlus.com

Në BKK promovohet romani grafik ”Kthimi në Kosovë”

Të premten në Bibliotekën Kombëtare, u promovua romani grafik “Kthimi në Kosovë”. “Kthimi në Kosovë”, nga autorët Gani Jakupi dhe Jorge Gonzalez vjen në gjuhën shqipe disa vjet pas publikimit në gjuhën franceze.

Libri sjell një rrëfim ndryshe për luftën në Kosovë, ilustruar mjeshtërisht nga Gonzalez, dhe shkruar nga Jakupi. Në promovimin e librit pjesëmarrës ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili vlerësoi lart romanin grafik. Rama ka premtuar mbështetje për autorët që librin ta sjellin për lexuesit edhe në gjuhën angleze.

Librin “Kthimin në Kosove”, mund ta gjeni në librarinë “Dukagjini”, në kryeqytet. Promovimi i këtij libri shënoi njëherit ndryshimin e kursit të festivalit të romanit grafik “Gran Fest”.

Organizatorët kanë theksuar se tash e tutje, “Gran Fest”, dhe ProArte do të sjellin botime origjinale, punëtori, dhe master class. Në nëntor të këtij viti pritet publikimi i botimit origjinal të romanit “Te nemurit” nga Shpend Kada dhe Valdet Gashi. Ndërsa në dhjetor në kuadër “Gran Fest” në kryeqytet do të vjen artistja nga Brukseli, Judit Vanistendael.

Festivali i romanit grafik në fund të këtij viti do të zbuloj emrat e artistëve pjesëmarrës në edicionin e vitit 2023, që do të jenë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Korenë e Jugut, Brazilin dhe Turqinë. / KultPlus.com

Historiani Ragip Zekolli do të prezantohet me ekspozitën “Mos harro” në BKK

Më 17 tetor do të hapet ekspozita e radhës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Historiani Ragip Zekolli do të prezantohet me ekspozitën “Mos harro”, e cila kryesisht do të ketë përmbajtje nga lufta e fundit në Kosovë.

Ekspozita do të përmbajë: dhunën, terrorin dhe gjenocidin serb në Kosovë, luftën çlirimtare të UÇK-së në Kosovë, përkrahjen e NATO-së dhe bashkësisë ndërkombëtare, plagën e të pagjeturve në luftën e fundit dhe krijimin e institucioneve shtetërore.

Ekspozita do të hapet në orën 11:00, dhe do të zgjasë 10 ditë, pra, deri më 27 tetor. /KultPlus.com

Kryetari Rama: Trupa e mrekullueshme e Baletit Kombëtar të Kosovës, vazhdon të mbetet imazhi më përfaqësues i kulturës

Gjysmë shekulli punë, dedikim, sakrificë e Baletit Kombëtar të Kosovës, u manifestuan mbrëmë me një organizim që erdhi përplot emocion, në datën që shënoi një përvjetor jubilar të një institucioni që i dhuroi shumë Kosovës për kaq vite jetë, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka theksuar se trupa e mrekullueshme e Baletit Kombëtar të Kosovës, vazhdon të mbetet imazhi më përfaqësues i kulturës, civilizimit dhe sakrificës së shoqërisë tonë.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Mbrëmë u shënua 50-vjetori i themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës 🩰
Balerinët nga Baleti Kombëtar i Kosovës dhe ata të Teatrit të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, nën përcjelljen e Orkestrës së Filharmonia e Kosovës, sollën në skenë shfaqjen “Halili e Hajria”, që është edhe vepra e parë e baletit shqiptar.
Në një skenë të improvizuar, larg skenës, sallës dhe kushteve që meritojnë këta artistë, të cilët me gjenerata mbajtën gjallë baletin e Kosovës, dëshmuan dhe njëherë vullnetin dhe profesionalizmin që i karakterizon.
Trupa e mrekullueshme e Baletit Kombëtar të Kosovës, vazhdon të mbetet imazhi më përfaqësues i kulturës, civilizimit dhe sakrificës së shoqërisë tonë! / KultPlus.com

50 vjet histori, Baleti Kombëtar i Kosovës falënderon artdashësit për kontributin e dhënë (FOTO)

Me rastin e 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, BKK-ja ka falënderuar të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre në këtë datë të rëndësishme, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni postimin e tyre të plotë:

Falënderim e mirënjohje për të gjithë ata që ishin të pranishëm në shënimin e 50 vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Kjo datë e rëndësisë së veçantë për institucionin e BKK, u bë edhe më madhështore me praninë e një numri jashtëzakonisht të madh art-dashësish dhe dashamirësh të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Falënderim e mirënjohje për të gjithë ata që në forma të ndryshme kontribuuan që Baleti Kombëtar i Kosovës, të festoj ditëlindjen e 50të.

Respekt e mirënjohje për:

– Balerinin dhe ish-Drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, z.Ahmet Brahimaj

– Gjeneratën e parë të balerinëve të Kosovës, që ishin themeltarë të baletit në Kosovë.

– Gjeneratën e re të balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët me punë e përkushtim, kanë arritur të shkëlqejnë në skenat vendore e ndërkombëtare.

– Koreografët dhe asistent-koregrafët, të cilët me kreativitetin e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën kulturore të vendit tonë.

– Kostumografëve, skenografëve, fotografëve dhe dizajnerëve të cilët e kanë pasuruar çdo shfaqje të Baletit Kombëtar të Kosovës, me kreativitetin e tyre.

– Stafin teknik-artistik, të cilët me punë e përkushtim kanë dhënë kontributin e tyre për shfaqjet e BKK në këto 50 vite.

Falënderim të posaçëm për:

Alisa Gjonin, e cila morri përsipër pjesën artistike të kësaj nate dhe vënien në skenë të baletit të parë shqiptarë “Halili dhe Hajria”

Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, Drejtorin e këtij Institucion z.Baki Jashari dhe organizatorin Dardan Noka, të cilët i dhanë përmasa spektakulare 50 vjetorit të BKK.

Dirigjentin Gridi Kraja, i cili me mjeshtri udhëhoqi orkestrën dhe balerinët në skenë, për të funksionuar në formë unike.

Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë, përkatësisht balerinët e TOB, të cilët pasuruan shfaqjen “Halili dhe Hajria” me prezencën e tyre. Drejtoreshën e TOB znj.Abigeila Voshtina, për bashkëpunimin e treguar për këtë ngjarje.

Mirupafshim në ngjarjet e radhës!

Fotografitë: E.I / KultPlus.com