Përkujtohet Ndrek Shkjezi, aktori që ndërtoi karaktere të paharruara

Më 4 prill të vitit 1922 lindi Ndrek Shkjezi, themelues i teatrit shqiptar dhe aktor i skenës e ekranit.

Pas mbarimit të shkollës shtatëvjeçare do të fillonte të luante në kitarë apo të këndonte në një orkestrinë të vogël. Më vonë do të interpretonte dhe role të vogla në trupa teatrale joprofesioniste. Largohet nga Shkodra menjëherë pas mbarimit të luftës dhe në vitin 1945 së bashku me artistët Naim Frashëri, Kadri Roshi dhe Mihal Popin do të themelonte Teatrin e Shtetit, që më vonë do të quhej Teatri Popullor (sot Teatri Kombëtar).

Në teatër ka luajtur rreth 100 role: tek “Cuca e maleve” e Loni Papës, “Deputeti”, “Fytyra e dytë”, “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës, “Hamleti” i Shekspirit, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e Piro Manit (Artist i Popullit), “Gjido” etj.

Në kinematografi ka luajtur në më se 30 role të ndryshëm. Kështu, mund të përmendim rolin e tij të parë, atë të Jakobinit në filmin “Skënderbeu”, që do të jetë edhe filmi i parë Kinostudios “Shqipëria e re”, në bashkëpunim me Kinostudion Ruse “Mosfilm”. Më tej do të vazhdonin rolet e tij në filmat “Debatik” në vitin 1961, “Plagë të vjetra” në vitin 1969, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 1978, në vitin 1978 në filmin “Radiostacioni”, në filmin televiziv “Kur hidheshin themelet” në vitin 1984, në vitin 1986 “Kur vjen një ditë” etj.

U nda nga jeta në vitin 2000. Për meritat e tij artistike Ndrekë Shkjezi është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri”, dhe në vitin 1989 me titullin “Artist i Merituar”./ atsh / KultPlus.com

Përkujtohet në 100 vjetorin e lindjes aktori Ndrek Shkjezi

Si sot më 4 prill 1922 në Shkodër lindi aktori Ndrek Shkjezi. Ai ka qenë ndër bashkëthemeluesit e Teatrit të Shtetit në vitin 1947, ku edhe ka dhënë kontributin e tij në skenën e këtij teatri deri në vitet ’80.

I njohur edhe në kinema me rolin e tij të parë të vitit 1953, tek filmi “Skënderbeu” dhe jo vetëm, përmendim, shfaqjet “Cuca e maleve”, “Prefekti”, “Mëngjese lufte”, “Një djalë dhe një vajzë”, “Radiostacioni”, “Shoku ynë Tili” e shumë të tjerë, janë veprat ku Ndrek Shkjezi ka lënë gjurmë me karakterin e spikatur të personazheve, të cilat do të mbeten në memorien e kinemasë dhe teatrit tonë.

Aktori është ndarë nga jeta në vitin 2000. Për meritat e tij artistike Ndrek Shkjezi është vlerësuar me urdhrin “Naim Frashëri” dhe në vitin 1989 ka marrë titullin “Artist i Merituar”, të cilin Arkivi Qendror Shtetëror e publikoi sot, duke e kujtuar kështu në ditën e tij të lindjes. / KultPlus.com