5 gushti i një legjende: Lindja e njeriut që eci në Hënë

Sot, më 5 gusht, kujtojmë lindjen e një prej figurave më frymëzuese të shekullit XX, Neil Armstrong, astronauti amerikan që hyri në histori si njeriu i parë që hodhi këmbën në Hënë.

I lindur në Wapakoneta të Ohajos në vitin 1930, Armstrong mishëroi ëndrrën njerëzore për të kapërcyer kufijtë tokësorë dhe për të prekur të panjohurën. Fjalët e tij të famshme, të shqiptuara më 21 korrik 1969 gjatë misionit historik Apollo 11 – “Ky është një hap i vogël për njeriun, një hap gjigant për njerëzimin” – jehuan përtej të gjithë kufijve dhe u bënë një simbol i përparimit shkencor, guximit dhe bashkimit global përtej dallimeve, transmeton KultPlus.

Para se të bëhej astronaut, Armstrong ishte një pilot testimi dhe inxhinier aeronautik i përkushtuar, me mbi 2,400 orë fluturimi në avionë eksperimentalë. Ai mbeti gjithmonë i përulur, duke shmangur famën dhe duke e lënë veprën e tij të flasë në vend të fjalëve.

Neil Armstrong nuk ishte thjesht një astronaut, ai ishte një simbol i kurajës për të sfiduar të panjohurën, i përkushtimit për shkencën dhe edukimin, dhe i mundësisë që ka njerëzimi për të arritur të pamundurën kur punon së bashku. Në këtë përvjetor të lindjes së tij, e kujtojmë me nderim dhe mirënjohje, si një pionier të hapësirës, si një figurë të përjetshme të historisë moderne, dhe si një frymëzim që vazhdon të jetojë në zemrat e atyre që ëndërrojnë përtej yjeve./KultPlus.com

Dalin në ankand gjërat personale të Neil Armstrong

Të apasionuarit pas hapësirës, të magjepsur pas aventurës në Hënë të astronautit të NASA-s, Neil Armstrong, shpenzuan më shumë se 4 milionë dollarë apo 3.5 milionë euro, vetëm në ditën e parë të një ankandi të rrallë të sendeve personale të Armstrongut.

Më 20 korrik 1969, Armstrong, që udhëhoqi misionin “Apollo 11”, u bë i pari njeri që eci në Hënë. Ankandi është shitja e parë e madhe e të dhënave të tij personale dhe vjen në mesin e një kërkese në rritje nga koleksionistët, për shkak edhe të afrimit të përvjetorit të 50 të shkeljes së njeriut në Hënë, transmeton tch.

Kostume fluturimi, medalje, flamuj dhe fotografi ishin mes sendeve që dolën nën çekiç, duke i dhënë fansave të hapësirës mundësinë për t’u bërë zotër të një copëze historie.

Objekti i shitur më shtrenjtë deri më tani është një stemë që mbante imazhin e modulit hënor “Apollo 11”, stemë kjo që u shit për 468.500 dollarë. Kostumi i fluturimit, i veshur nga Armstrong gjatë programit “Gemini”, u shit për 87 mijë dollarë.

Një tjetër send i shitur në ankand ishte një zarf i nënshkruar nga Armstrong, astronauti Buzz Aldrin dhe pjesëtari tjetër i ekuipazhit, Michael Collins. Zarfi ishte një lloj garancie, që pjesëtarët e familjeve mund ta shisnin, nëse astronautët nuk do të ktheheshin në tokë. Zarfi u shit për 18.750 dollarë.

Ankandi, ndërkohë, vazhdon edhe për një ditë tjetër./ KultPlus.com

Publikohet paraqitja e re e shkurtër e filmit biografik për Neil Armstrong

Është publikuar paraqitja e re e shkurtër e dramës biografike, “First Man”, në të cilën Ryan Gosling luan rolin e Neil Armstrongut, njeriut të parë që ka shkelur në Hënë.

Regjinë e këtij filmi e ka bërë Damien Chazelle, i cili në vitin e kaluar e fitoi çmimin Oscar me “La La Land”.
Në projektin e ri, ai është përpjekur të tregojë se si është dukur një prej misioneve më të rrezikshme në histori të njerëzimit.

Nderin për ta portretizuar legjendarin Armstrong, i cili eci në Hënë në vitin 1969, e ka Ryan Gosling, i cili po ashtu ka luajtur në filmin e Chazelle, “La La Land”.

Krahas tij, në “First Man” luan edhe Claire Foy (në rolin e gruas së Armstrongut, Janet), pastaj Pablo Schreiber, Christopher Abbott, Ciaran Hinds, Ethan Embry dhe shumë të tjerë.

Filmi i zhanrit dramë do të jepet premierë më 12 tetor në Amerikë, ndërsa më pas do të nisë shfaqja nëpër kinema në të gjithë botën.

“Blade Runner 2049” është filmi i fundit në të cilin ka aktruar Gosling e që është lansuar në vitin 2017. / KultPlus.com