Dalin në ankand gjërat personale të Neil Armstrong

4 Nëntor, 2018 - 9:30 am

Të apasionuarit pas hapësirës, të magjepsur pas aventurës në Hënë të astronautit të NASA-s, Neil Armstrong, shpenzuan më shumë se 4 milionë dollarë apo 3.5 milionë euro, vetëm në ditën e parë të një ankandi të rrallë të sendeve personale të Armstrongut.

Më 20 korrik 1969, Armstrong, që udhëhoqi misionin “Apollo 11”, u bë i pari njeri që eci në Hënë. Ankandi është shitja e parë e madhe e të dhënave të tij personale dhe vjen në mesin e një kërkese në rritje nga koleksionistët, për shkak edhe të afrimit të përvjetorit të 50 të shkeljes së njeriut në Hënë, transmeton tch.

Kostume fluturimi, medalje, flamuj dhe fotografi ishin mes sendeve që dolën nën çekiç, duke i dhënë fansave të hapësirës mundësinë për t’u bërë zotër të një copëze historie.

Objekti i shitur më shtrenjtë deri më tani është një stemë që mbante imazhin e modulit hënor “Apollo 11”, stemë kjo që u shit për 468.500 dollarë. Kostumi i fluturimit, i veshur nga Armstrong gjatë programit “Gemini”, u shit për 87 mijë dollarë.

Një tjetër send i shitur në ankand ishte një zarf i nënshkruar nga Armstrong, astronauti Buzz Aldrin dhe pjesëtari tjetër i ekuipazhit, Michael Collins. Zarfi ishte një lloj garancie, që pjesëtarët e familjeve mund ta shisnin, nëse astronautët nuk do të ktheheshin në tokë. Zarfi u shit për 18.750 dollarë.

Ankandi, ndërkohë, vazhdon edhe për një ditë tjetër./ KultPlus.com

Të ngjajshme