Presidentja Osmani përkujton Nekibe Kelmendin në 14-vjetorin e ndarjes nga jeta

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Nekibe Kelmendin në 14-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta, duke e vlerësuar si një figurë të shquar të historisë së re të vendit.

“Nekibe Kelmendi ishte avokate e palodhur për të drejtat e njeriut, aktiviste politike e guximshme dhe bashkëpunëtore e afërt e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Ajo ishte një zë i fuqishëm për drejtësi në kohët më të errëta për Kosovën”, shkruhet në njoftimin e presidencës në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

“Pavarësisht dhembjes personale nga humbja tragjike e bashkëshortit dhe dy djemve të saj, të vrarë nga regjimi gjenocidal serb, ajo qëndroi stoike dhe nuk hoqi dorë nga angazhimi për liri, dinjitet dhe drejtësi.

Znj. Kelmendi dha një kontribut të jashtëzakonshëm në proceset e shtetndërtimit, përfshirë hartimin e Kushtetutës së parë të Republikës së Kosovës dhe shumë procese të tjera shtetformuese.

“Kujtimi për të do të jetojë gjithmonë si frymëzim për të gjithë ata që besojnë në paqe, drejtësi dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë”, shkruhet tutje në njoftim.

Në Ditën e Gruas, Posta e Kosovës nderon me pullë postare figurën e Nekibe Kelmendit

Me rastin e shënimit të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Filatelia e Postës së Kosovës përmes pullës postare ka nderuar figurën e veprimtares së shquar për të drejtat e njeriut dhe ish-ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi.

Nekibe Kelmendi (1944–2011) ishte një juriste dhe politikane e përkushtuar, e cila gjithë jetën e saj ia kushtoi mbrojtjes së të drejtave të njeriut. E njohur si një nga zërat më të fuqishëm në mbrojtjen e viktimave të dhunës, ajo la një gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

Pas luftës, si Ministre e Drejtësisë, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, duke punuar pa u lodhur për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve.

Në vitin 1999, përjetoi njërën nga tragjeditë më të rënda familjare, kur forcat serbe rrëmbyen dhe ekzekutuan bashkëshortin dhe dy djemtë e saj. Megjithatë, ajo e shndërroi dhembjen në forcë, duke vazhduar me përkushtim të palëkundur mbrojtjen e viktimave të dhunës dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.

Jeta dhe vepra e Nekibe Kelmendit mbeten një frymëzim për brezat e rinj, si një simbol i forcës, guximit dhe përkushtimit për drejtësi.

“Ky emision përbëhet nga pulla postare me nominale €1.30, si dhe Zarfi i Ditës së Parë, ndërkaq në dispozicion të qytetarëve do të jetë nga sot deri në konsum të plotë”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës./ KultPlus.com