Presidentja Osmani në takim me Avokatin e Popullit flasin për gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelajn, me të cilin diskutuan për gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut në vend dhe sfidat me të cilat po përballen qytetarët.

Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për garantimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët.

“Ajo theksoi se institucionet duhet të jenë të përkushtuara në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, si mjet kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e të drejtave të njeriut”, shkroi Presidenca, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, Avokati i Popullit bëhet e ditur se e informoi Osmanin për çështjet më të shpeshta që adresohen në këtë institucion.

“Të dy palët u pajtuan për domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut në Kosovë”, u tha në njoftim.

Presidentja Osmani: Në rrugën euroatlantike të Kosovës, mbështetja e partnerëve është jetike

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se gjatë vizitës në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pati një tryezë diskutimi me diplomatë dhe ekspertë lidhur me synimet strategjike të politikës së jashtme të Kosovës.

Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se aty u diskutua përfshirë anëtarësimin në NATO, si dhe përkushtimin për forcimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara.

“Në rrugën e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike, mbështetja e partnerëve e aleatëve tanë është jetike”, ka thënë Osmani. 

Presidentja Osmani: Kosova kurrë në historinë e vet se ka sulmuar asnjë vend 

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka mbajtur një ligjeratë në Universitetin “John Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë fjalimit të saj, ajo preku shumë tema me rëndësi të veçantë.

Osmani deklaroi se kurrë në histori të vetën Kosova nuk e ka sulmuar asnjë vend.

“Ne vetëm e kemi mbrojtur vetën. Për shekuj ne kemi kaluar nëpër shumë sakrifica”, deklaroi ajo para profesorit të njohur Edward Joseph njofton Klankosova.tv.

E para e vendit theksoi se në vitet në vazhdim Kosova planifikon ta dyfishojë buxhetin për mbrojtjen.

“Ne planifikojmë që ta bëjmë këtë para vitit 2035. Kjo sepse është nevojë strategjike e vendit për të ofruar stabilitet dhe siguri në rajon”, deklaroi Osmani.

Tutje ajo përmendi edhe potencialet e shumta të zhvillimit, duke theksuar se rinia e Kosovës ka përgatitje të mëdha, në veçanti në sektorin e teknologjisë informative.

“Po ashtu shto faktin se ne e kemi popullsinë një ndër më të renë jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë”, tha ndër të tjera shefja e shtetit Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani në Washington: Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me ShBA-në

Presidentja Vjosa Osmani është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një postim në Facebook, ajo ka deklaruar se është takuar me Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Brendan Hanrahan, në Departamentin e Shtetit.

Osmani shtoi se me Hanrahan ritheksuan përkushtimin për thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyçe si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë”.

“Qëndrojmë krah për krah me SHBA-të në vlera, në vizion dhe në veprim”, u shpreh Osmani.

Kryeministri Kurti pas takimit me Presidenten Osmanin: T’i japim shans konsensusit

Kryeministri në detyrë, njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas takimit rreth dy orësh me presidenten Vjosa Osmani ka thënë se do të bëjnë çmos për konstituimin e kuvendit brenda periudhës së paraparë 30 ditore nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, idenë e konsensusit apo kompromisit ta realizojmë këtë gjë në mënyrë që më pastaj të kalojmë tek formimi i qeverisë së re që i përgjigjet kuvendit të ri te Republikës. Diskutuam gjerë e gjatë. I përmendëm të gjitha elementet përbërëse dhe tash zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive të tjera politike, e mbase në fund mund të shohim nëse kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë. Besoj se duhet t’i japim shansin edhe takimeve tjera dhe në fund të shohim se cili progresi për të cilin jemi të interesuar që të gjithë”, ka thënë Kurti.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor i obligoi deputetët ta konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit brenda 30 ditësh. 

Presidentja Osmani: 2 Korriku, dita kur u hodhën themelet e Republikës së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot 2 Korrikun e vitit 1990, një ndër datat më të rëndësishme të historisë së vendit.

Presidentja Osmani ka thënë së 2 Korriku i vitit 1990, ishte dita kur u hodhën themelet e Republikës së Kosovës.

“Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë

Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë.

Kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themel i shtetësisë sonë.

Nderim i përhershëm për delegatët e 2 Korrikut, trasuesit e ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Refugjatët nuk janë numra, ata janë histori mbijetese, force dhe shprese

Presidentja Vjosa Osmani, në Ditën Botërore të Refugjatëve, ka thënë se ishte edhe vet refugjate në kohën e Sllobodan Millosheviqit, kur u zhvillua lufta e fundit në Kosovë.

Në një shkrim në platformën X, Osmani ajo ka shtuar se nuk do të harrojë kurrë se çfarë është të jesh refugjat.

“Refugjatët nuk janë numra. Ata janë histori mbijetese, force dhe shprese. Isha refugjate gjithashtu, ashtu si shumica dërrmuese e popullit të Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë tona përmes veprimeve gjenocidale të Millosheviqit”.

“Në Ditën Botërore të Refugjatëve, duhet t’i kujtojmë vetes se askush nuk dëshiron të jetë refugjat, por kushdo mund të bëhet i tillë. Ne kujtojmë se çfarë do të thotë të humbasësh shtëpinë, sigurinë, zërin tënd. Ne betohemi të mos harrojmë kurrë”, ka thënë Osmani. 

Presidentja Osmani përkujton Nekibe Kelmendin në 14-vjetorin e ndarjes nga jeta

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Nekibe Kelmendin në 14-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta, duke e vlerësuar si një figurë të shquar të historisë së re të vendit.

“Nekibe Kelmendi ishte avokate e palodhur për të drejtat e njeriut, aktiviste politike e guximshme dhe bashkëpunëtore e afërt e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Ajo ishte një zë i fuqishëm për drejtësi në kohët më të errëta për Kosovën”, shkruhet në njoftimin e presidencës në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

“Pavarësisht dhembjes personale nga humbja tragjike e bashkëshortit dhe dy djemve të saj, të vrarë nga regjimi gjenocidal serb, ajo qëndroi stoike dhe nuk hoqi dorë nga angazhimi për liri, dinjitet dhe drejtësi.

Znj. Kelmendi dha një kontribut të jashtëzakonshëm në proceset e shtetndërtimit, përfshirë hartimin e Kushtetutës së parë të Republikës së Kosovës dhe shumë procese të tjera shtetformuese.

“Kujtimi për të do të jetojë gjithmonë si frymëzim për të gjithë ata që besojnë në paqe, drejtësi dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë”, shkruhet tutje në njoftim.

Presidentja Osmani: Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Kurban Bajramin: Ajo tha se Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh.

“Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ju përcjell urimet më të përzemërta për paqe, harmoni dhe begati në çdo familje. Kjo festë shpërfaqë shpirtin e solidaritetit, na kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit”, thuhet në urimin e saj.

Sipas saj, Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve,  dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh.

“Në këtë ditë të veçantë, uroj që në secilën shtëpi të mbizotërojë gëzimi, shëndeti dhe dashuria. Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë”, tha Osmani.

Presidentja Osmani priti në takim sopranon me famë botërore, Ermonela Jaho

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim sopranon me famë botërore, Ermonela Jaho, e cila më 8 qershor do të mbajë një koncert në Kosovë.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të Jahos në promovimin e artit dhe kulturës shqiptare në skenat më prestigjioze ndërkombëtare. Ajo theksoi se prania e Jahos në Kosovë është nder dhe inspirim për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë që ndjekin ëndrrat në fushën e muzikës.

Sipas Presidentes Osmani, arti është nga format më të fuqishme të përfaqësimit të identitetit dhe dinjitetit të një shteti në arenën ndërkombëtare. Ajo theksoi se përmes figurave si Ermonela Jaho, bota mëson për vlerat, shpirtin dhe historinë tonë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëton për në SHBA, merr pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në qytetin Dayton.

E para e shtetit të Kosovës, do të qëndrojë në Amerikë me ftesë të Kongresit Amerikan.

Ky sesion sivjet shënon edhe 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit për Bosnjën dhe Hercegovinën, prandaj edhe e tërë ngjarja do t’i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin perëndimor. Në këtë ngjarje të rëndësishme marrin pjesë edhe Presidentë të vendeve të tjera nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, BE-së e SHBA-ve.

Bëhet e ditur se në agjendë të presidentes Osmani janë një sërë aktivitetesh, përfshirë fjalime në darkën kryesore si dhe në panele, e poashtu takime me delegacionet pjesëmarrëse.

Presidentja Osmani pret në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë në nevojën për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Presidentja Osmani dhe ambasadori Hargreaves rikonfirmuan përkushtimin e ndërsjellë për forcimin e raporteve bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët si ekonomia dhe mbrojtja, ashtu siç edhe ka patur dakordim gjatë vizitës së fundit në Kosovë të Sekretarit të Jashtëm britanik, David Lammy.

Një pjesë e takimit iu kushtua Procesit të Berlinit, të cilën kësaj radhe do ta organizojë Mbretëria e Bashkuar. Presidentja Osmani ritheksoi nevojën që në agjendën e këtij procesi të prioritizohet çështja e personave të zhdukur me dhunë, si një detyrim moral dhe ligjor që nuk mund të injorohet në kuadër të paqes së qëndrueshme në rajon.

Gjithashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të mëtejshëm në kuadër të agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS), duke parë mundësitë për një rol edhe më aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të rolit të grave në proceset paqësore dhe vendimmarrëse.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, si dhe për kontributin e saj në avancimin e proceseve demokratike dhe integrimin në organizata ndërkombëtare./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me ambasadorin e ri të OSBE-së në Kosovë

Presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim njoftues ambasadorin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, të cilit i uroi mirëseardhje të përzemërt dhe suksese në mandatin e tij të ri.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për partneritetin e gjatë dhe të qëndrueshëm që OSBE-ja ka ndërtuar me institucionet dhe qytetarët e Kosovës, njofton Klankosova.tv.

Në një postim në Facebook, ajo theksoi rolin kyç që ky mision ka pasur në forcimin e demokracisë, promovimin e qeverisjes së mirë dhe avancimin e sundimit të ligjit në vend.

Presidentja ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në, veçanërisht në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Më tej, Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe përkrahjen e grupeve të margjinalizuara.

Presidentja Osmani takon diplomaten amerikane, flasin për sigurinë dhe formimin e institucioneve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Osmani dhe Prattipati, në takim diskutuan zhvillimet e fundit në vend, situata e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe ecuria e formimit të institucioneve të reja.

“Gjithashtu, gjatë takimit u trajtuan edhe një sërë çështjesh të tjera që lidhen me marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në fushat me interes të përbashkët, në veçanti fushën e mbrojtjes, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Presidencës transmeton Klankosova.tv.

Presidentja Osmani përkujton Betejën e Çabratit: Piedestal i qëndresës dhe lavdisë

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar sot Betejën e Çabratit, në të cilën betejë kanë rënë heroikisht 26 luftëtarë të UÇK-së, janë vrarë mizorisht 100 banorë dhe janë rrëmbyer me dhunë mbi 300 të tjerë.

Presidentja Osmani ka thënë se Beteja e Çabratit është piedestali i qëndresës dhe lavdisë.

“Në ballë të historisë, aty ku gjaku i lirisë u bë flamur, qëndruan vajzat dhe djemtë e Brigadës 137 “Gjakova”, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me zemër e besë, ata mbrojtën Gjakovën nga barbaria e regjimit gjenocidal serb.

Në atë betejë të lavdishme ranë heroikisht 26 luftëtarë të UÇK-së, u vranë mizorisht afër 100 banorë dhe u rrëmbyen me dhunë mbi 300 të tjerë.

Çabrati është betim për liri, kujtesë e përhershme dhe thirrje për drejtësi.

Lavdi dëshmorëve! Nderim për të rënët! Drejtësi për të pagjeturit!”, ka thënë Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Partneriteti i Kosovës dhe Malajzisë po bëhet më i fortë

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova dhe Malajzia janë një partneritet që e ka zanafillën në ditët më të vështira për Kosovën, kur Malajzia na doli në krah.

Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se partneriteti mes dy shteteve dita ditës po bëhet më i fortë dhe më domethënës.

“Kjo vizitë ishte jo vetëm një mikpritje e nderim për Kosovën që nuk do të harrohet, por edhe një premtim i qartë që i shërben zhvillimit dhe fuqizimit të ndërsjellë”.

“Faleminderit! Terima Kasih!”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani dhe shefi i EULEX-it diskutojnë për sigurinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

Në takim, Osmani dhe Barbano diskutuan për zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në vend.

“Të dy palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, në kuadër të mandatit teknik të këtij misioni për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie”, thuhet në njoftimin e Presidencës transmeton Klankosova.tv.

E para e shtetit, me këtë rast rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të vendit për bashkëpunim konstruktiv me EULEX-in, në funksion të forcimit të rendit kushtetues dhe të sundimit të ligjit.

Presidentja Osmani kujton masakrën e Mejës: Çdo person i vrarë dhe i zhdukur, është betim i yni për drejtësi

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën e Mejës, ku 376 shqiptarë u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Presidentja Osani ka thënë se çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i tyre për drejtësi.

“Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet. Çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi”, ka shkruar Osmani.

“Në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet. Kujtimi për martirët e Mejës do të jetojë përjetë në zemrat tona. Lavdi jetës dhe sakrificës së tyre!”

Presidentja Osmani përshëndetet me presidentin Trump para ceremonisë së varrimit të Papa Françeskut

Presidentja Vjosa Osmani tashmë ka arritur në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan.

E para e shtetit të Kosovës para fillimit të ceremonisë së varrimit të Papa Françeskut është përshëndetur me presidentin amerikan Donald Trump dhe Zonjën e Parë Melania Trump, para fillimit të ceremonisë së varrimit të Papës.

Papa Françesku vdiq në moshën 88 vjeç pasi pësoi një goditje në tru të hënën e Pashkëve, vetëm një ditë pasi u shfaq në të njëjtin shesh për t’u ofruar një bekim besimtarëve në pikën kulmore të kalendarit të krishterë.

Presidentja Osmani merr pjesë në varrimin e Papës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në varrimin e Papa Françeskut.

Ajo do të jetë në mesin e shumë liderëve botëror që do të jetë e pranishme në ceremoninë mortore të Atit të Shenjtë.

Kjo u konfirmua nga Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes.

“Tashmë e kemi konfirmuar te autoritetet shtetërore në Vatikan se Presidentja Osmani, si Kreu i Shtetit, do ta udhëheqë delegacionin e Kosovës në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut”, deklaroi Kupina.

Papa Françesku do të varroset të shtunën më 26 prill, në Bazilikën “Santa Maria Maggiore”, në Romë.

Ceremonia e varrimit pritet të nis nga ora 10:00.

Ai vdiq dje në moshën 88-vjeçare pas një sulmi në tru dhe problemeve me zemrën.

Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e masakrave të Grashticës, Nakaradës, Dragaqinës dhe Sopijës

Presidentja Osmani ka përkujtuar përvjetorin e masakrave të Grashticës, Nakaradës, Dragaqinës dhe Sopijës.

Presidentja Osmani tha se në të njëjtën ditë, në pjesë të ndryshme të Kosovës, forcat kriminale serbe vranë me gjakftohtësi dhjetëra civilë të pafajshëm, duke lënë pas vetëm dhimbje, kujtime dhe thirrjen për drejtësi, e cila nuk ka pushuar asnjëherë.

“Në Grashticë të Prishtinës, nga një kolonë e gjatë e të zhvendosurve nga fshatrat e Gollakut që po përpiqeshin të shpëtonin, u vranë mizorisht 60 burra. Trupat e tyre u hodhën në lumë, një përpjekje makabre për t’i zhdukur gjurmët e krimit”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në Nakaradë të Fushë Kosovës, 16 burra dhe djem të familjes Mirena u ndanë nga të afërmit e tyre dhe më pas u vranë brutalisht.

Në Dragaqinë të Suharekë, 11 civilë shqiptarë u torturuan mizorisht e më pas u hodhën në pus, i cili u mbush me mbetje ndërtimore. Krimi u mbulua fizikisht, por kurrë nuk u harrua.

Ndërkaq në Sopijë të Suharekës, u vranë 7 anëtarë të familjes Ilazi dhe një i familjes Sopa, viktima të një dhune që synonte zhdukjen e tërë brezave.

“Këto nuk janë vetëm ngjarje të së kaluarës. Janë plagë të gjalla në kujtesën e Kosovës. Plagë që kërkojnë drejtësi. Plagë që na obligojnë të mos harrojmë kurrë.

I përhershëm qoftë kujtimi për martirët!”, ka thënë Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Osmani për vdekjen e Papa Françeskut: Një zë i dhembshurisë, përulësisë dhe drejtësisë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Papa Françeskut.

Presidentja Osmani ka thënë se populli i Kosovës i bashkohet miliona njerëzve anembanë botës në zi për vdekjen e Shenjtërisë së Tij.

“Papa Françeskut – një zë i dhembshurisë, përulësisë dhe drejtësisë në kohën tonë”, deklaroi Osmani.

Ajo theksoi se trashëgimia e Papa Françeskut, do të jetojë në jetët e panumërta që ai preku.

“Ne qëndrojmë me të gjithë ata që përcjellin mesazhin e tij të qëndrueshëm të shpresës, paqes dhe dinjitetit njerëzor”, theksoi e para e shtetit të Kosovës.

Presidentja Osmani viziton Nënën Stanë për Pashkët: Tre djem e vajza iu bashkuan UÇK-së

Presidentja Vjosa Osmani për festën e Pashkëve, ka vizituar Nënën Stanë Gashi dhe familjen e saj në Peshter të Brusit.

Osmani thotë se gjatë luftës, Nënë Stanë Gashi dhe familja e saj hapën zemrën e shtëpinë për qindra luftëtarë të lirisë, derisa edhe tre djem dhe vajza e Nënës Stanë iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Për festën e Pashkëve, në frymën e dashurisë, respektit dhe shpresës, familja jonë vizituam Nënën Stanë Gashi dhe familjen e saj në Peshter të Brusit. Para pak muajsh kisha nderin që Nënën Stanë ta dekoroj me medaljen presidenciale “Shën Tereza”, sepse kjo nënë, dëshmoi në kohët më të rënda, se është simbol i qëndresës, humanizmit dhe dashurisë për atdheun”, tha ajo.

Teksa përmendi se gjatë luftës, ajo dhe familja e saj hapën zemrën e shtëpinë për qindra luftëtarë të lirisë, derisa edhe tre djem dhe vajza e Nënës Stanë iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Përulje e thellë dhe nderim për këtë familje madhështore, e cila mishëron krenarinë e malësisë dhe zemrën e pashoqe të Nënës Stanë, nënës së luftës për njerëzoren, lirinë dhe paqen. Pashkë të bardha e të bekuara për të gjithë”, tha ajo.

Presidentja Osmani kujton viktimat e masakrës së lagjes së Kovaçëve

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka përkujtuar viktimat e masakrës së lagjes së Kovaçëve në Mitrovicë.

Ajo shkruan se kujtesa për ta është detyrim moral dhe mbetet përkushtim ndaj së vërtetës dhe drejtësisë reale, transmeton klankosova.tv.

Më 14 prill 1999, forcat paramilitare serbe masakruan mizorisht 31 banorë të lagjes së Kovaçëve në Mitrovicë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. U masakruan në shtëpitë dhe rrugët e tyre, në lagjen e tyre, aty ku duhej të ndiheshin të sigurt. Këta burra, gra e fëmijë do të kujtohen përherë. Kujtesa për ta është detyrim moral dhe përkushtim ndaj së vërtetës dhe drejtësisë. Krimet e tilla nuk harrohen, ndërkaq drejtësia për ta mbetet synim i vazhdueshëm i yni.