Posta e Kosovës lanson pullat postare kushtuar mbrojtjes së ambientit

Posta e Kosovës, gjatë ditës së sotme ka lansuar pullat postare kushtuar mbrojtjes së ambientit.

Sipas njoftimit, ky emision i pullave postare bartë mesazhet për rëndësinë e ambientit të pastër, rrezikun e ndotjes nga qeset plastike dhe formën edukative të përdorimit të materialeve të reciklueshme.

Pjesë përbërëse e këtij emisioni është edhe Zarfi i Ditës së Parë, i cili do të qëndrojë në qarkullim postar deri në konsumimin e plotë.

Posta e Kosovës, përmer Filatelisë së saj, vazhdon me përkrahjen e iniciativave për të mirën e qytetarëve, si dhe për promovimin e shtetit të Kosovës nëpër botë./KultPlus.com

Posta e Kosovës, vë në qarkullim emisionin e pullës postare “Qytetet e Kosovës – Istogu”

Posta e Kosovës, nga sot vë në qarkullim emisionin e pullës postare “Qytetet e Kosovës – Istogu”, përcjell KultPlus.

Qyteti Istog është i njohur edhe me emërtimin Burimi. Ndodhet në regjionin e Pejës, në veriperëndim të Kosovës. Është një qytet që ka ruajtur dhe synon të ruajë trashëgiminë e tij multikulturore.

Komuna e Istogut ka 46 zona kadastrale me një sipërfaqe prej 453.84 km², me 51 fshatra dhe me dy qendra ndërurbane: Gurrakocin dhe Banjën.

Ka një histori të lashtë, me gjurmë të qytetërimeve të hershme dhe objekteve arkeologjike. Është i njohur për trashëgiminë kulturore dhe historike, ku bëjnë pjesë edhe aktivitetet tradicionale, festivalet kulturore dhe manifestimet tjera dedikuar ruajtjes së trashëgimisë.

Istogu radhitet ndër vendet më të preferuara në Kosovë për tu vizituar nga turistë të shumtë vendorë dhe të huaj. Peizazhet e tij tani shfaqen edhe në pulla postare, të cilat munden t’i blejnë koleksionistët, qytetarët dhe bizneset për t’i vendosur në zarfet e tyre që do të dërgohen brenda dhe jashtë vendit.

Posta e Kosovës, përmes imazheve të pullave postare do të vazhdojë të prezantojë dhe të promovojë në gjithë botën vlerat dhe bukuritë natyrore që ka shteti i Kosovës. / KultPlus.com

Çerdhet dhe kopshtet e fëmijëve në pulla postare

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve, nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare që i dedikohet edukimit dhe arsimimit parashkollor me titull ”Çerdhet dhe kopshtet e fëmijëve”.

Me pamje të tri pullave postare, prezantohen grupmoshat e fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet sipas politikave edukativo-arsimore të vendit tonë.

Përmes lojës dhe aktiviteteve të ndryshme në çerdhe, të vegjlit tanë fillimisht zhvillojnë shkathtësitë bazike të jetës, socializohen dhe njihen me disa koncepte bazë, përfshihen në eksperienca të reja, në sajë të aktiviteteve që mund të mos i kenë provuar më parë.

Posta e Kosovës, me imazhet e këtyre pullave postare afirmon të drejtat e fëmijëve të mbarë botës dhe vazhdon të promovojë vlerat e Republikës së Kosovës, në të gjithë lëmenjtë e jetës! / KultPlus.com

Dy personalitete të shquara në pulla postare të Kosovës


Në kuadër të tematikës “Personalitete të shquara”, Filatelia e Postës së Kosovës emetoi sot dy pulla postare me imazhet e ndritura të personaliteteve të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare: Ernest Koliqi dhe Ali Podrimja.

Ernest Koliqi u lind më 20 maj 1903, në Shkodër. Ishte poet, mësues, eseist, përkthyes, gazetar dhe dramaturg. Ai dha kontribut të çmuar në krijimtarinë letrare shqiptare dhe në përkthime të veprave nga letërsinë botërore. Për arsimin kosovar, Dr. Koliqi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet 1939/41, kur si ministër i arsimit të Shqipërisë dërgoi një kuadro arsimor prej 200 mësimdhënësve, të cilët hapën qindra shkolla shqipe në trojet shqiptare në ish Jugosllavi. Veprimtaria dhe angazhimi i tij ishin të pandalshme, derisa u nda nga jeta më 17 janar 1975.

Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942, në Gjakovë. Ishte shkrimtar dhe autor i dhjetëra vëllimeve me poezi të vlerësuara ndërkombëtarisht. Si mjeshtër i rrallë i përdorimit të simbolikës dhe metaforës, arriti që te lexuesi t’i bartë edhe ndjenjat më komplekse dhe imazhet e pasura, prandaj me plot të drejtë cilësohet si përfaqësues më tipik i poezisë së sotme shqiptare. Krahas kontributit në letërsi dhe kulturë, Podrimja shquhej edhe për angazhimin e tij shoqëror e politik, andaj vlerësohej në të gjitha trojet shqiptare. Ai kështu vazhdoi deri në frymën e fundit të jetës së tij, më 21 korrik 2012.

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj për mbi dy dekada po vazhdon të nderon dhe promovon në gjithë botën me pulla postare personalitete të shquara kombëtare dhe miq ndërkombëtar, që kanë lënë gjurmë të pashlyera në shërbim të atdheut tonë, në shumë fusha të ndryshme. /KultPlus.com

Posta e Kosovës në mbështetje të gruas, zbukuro dërgesën tuaj me pamjen e bukur të këtyre pullave postare

Në vendin tonë, roli i gruas është dhe mbetet jetik në funksionimin e çdo segmenti të jetës shoqërore, prandaj Filatelia e Postës së Kosovës ndër vite ka lansuar emisione të pullave postare në mbështetjen dhe promovimin e të arriturave të grave në histori.

Kjo nismë ka filluar nga lansimi i pullës së parë “Melihate Qena” në vitin 2010 e deri tek lansimi i viteve të fundit “Dua Lipa” dhe Rita Ora”.

Posta e Kosovës bën thirrje që të zbukuroni dërgesat tuaja me pamjen e bukur të këtyre pullave postare. / KultPlus.com

Lëshohet në qarkullim emisioni i pullave postare “Shekulli i teknologjisë”

Posta e Kosovës, nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare ”Shekulli i teknologjisë”, përcjell KultPlus.

Vet emërtimi i tematikës prezanton zhvillimin e hovshëm të teknologjisë informative, e cila në të përditshmen tonë është bërë e pazëvendësueshme.

Qasja e shpejt në informacione të ndryshme dhe përpunimi i tyre ka afruar botën, ndërsa punën e njeriut po e lehtëson përmes inteligjencës artificiale, e cila po e karakterizon të sotmen.

Pamjet e dy pullave postare prezantojnë pjesën aplikative të teknologjisë në disa sfera të jetës. Kosova është një vend ku ka rini të përgatitur dhe sot ofron shërbime të avancuara në fushën e teknologjisë, e është një ndër top shtetet Evropiane që ka arritur mbulueshmëri të 100% të vendit me internet të shpejtë. 

Përpos dy pullave postare me pamje dhe vlera të ndryshme nominale, janë përgatitur edhe Zarfet e Ditës së Parë me vulë adekuate, të cilat tanimë janë në shitje për të gjithë koleksionistët, qytetarët dhe bizneset, që kur dërgojnë zarfe duan ta paraqesin shtetin tonë edhe përmes imazheve të këtyre pullave.

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj vazhdon të jetë promovuese e vlerave të vendit tonë dhe zhvillimeve që karakterizojnë shekullin, në të cilin jetojmë. / KultPlus.com

Lëshohet në qarkullim pulla postare “Lojërat Evropiane – Krakow 2023”

Posta e Kosovës, nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Lojërat Evropiane-Krakow 2023”, përmes së cilit do t’i përkrah sportistët e Republikës së Kosovës që do të marrin pjesë në këtë ngjarje sportive evropiane.

Lojërat Evropiane të vitit 2023, do të mbahen në rajonin Krakow dhe Malopolska të Polonisë. Është hera e tretë që Komiteti Olimpik i Kosovës dërgon sportistë kosovarë në lojërat evropiane, pas Baku 2015 dhe Minsk 2019.

Pamjet e dy pullave postare prezantojnë simbolikisht sportistët kosovarë që do të përfaqësojnë vendin tonë në disa nga disiplinat sportive. Ndërkaq, blloku filatelik me gërshetimin e artefaktit të “Vrapueses së Prizrenit” që daton rreth viteve 520 -500 p.e.s., si dhe njërës nga sallat më të mëdha të lojërave, paraqet prezantimin atraktiv të lashtësisë së kultivimit të atletikës në vendin tonë.

Ky emision i pullave postare do të jetë në qarkullim postar dhe në dispozicion të konsumatorëve deri në konsumin e plotë.

Filatelia e Postës së Kosovës, në vazhdimësi afirmon arritjet e sportistëve tanë, të cilët me talentin e tyre po na bëjnë krenar, duke e lartësuar flamurin e shtetit të Kosovës kudo që po marrin pjesë nëpër botë. / KultPlus.com

Lëshohet në qarkullim pulla postare, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”

Filatelia e Postës së Kosovës nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’”.

Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, i vendosur 15 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, është një aeroport ndërkombëtar i frekuentuar nga më se 2.0 milionë pasagjerë në vit dhe paraqet portin e vetëm të hyrjes për udhëtarët ajrorë në Kosovë. 

Emërtimin e mori në nderim të heroit kombëtar Adem Jashari, themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pista është ndërtuar në vitin 1965 dhe është shfrytëzuar kryesisht si aeroport ushtarak, ndërsa në vitin 1985 aeroporti është pajisur në përputhshmëri me standardet e ICAO-së. Deri në muajin qershor të vitit 1999, aeroporti ka pasur vetëm trafik të brendshëm, por që nga ajo kohë, ka arritur të krijojë lidhje të rregullta për udhëtarë, si dhe për shkëmbim të mallrave.

Me ndërtimin e terminalit të ri të aeroportit të Prishtinës në Sllatinë në vitin 2013 dhe pas certifikimit me standardet më të larta evropiane në vitin 2018, aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, është edhe një urë lidhëse më e afërt e bashkatdhetarëve tanë me atdheun, si dhe mundësi e mirë e transportit ajror për vizitorët e tjerë nga e tërë bota.

Emisioni përbëhet nga një pullë postare dhe zarfi i ditës së parë që do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë. / KultPlus.com

Lëshohet në qarkullim emisioni i pullave postare “Evropa 2023-Paqe”

Me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Evropa 2023 – Paqe”.

Thirrja për paqe padyshim i referohet krizave të shumta globale që kanë shkaktuar viktima, shkatërrim dhe migrim të miliona individëve në mbarë globin si rezultat i luftës, persekutimit dhe shkeljes së të drejtave themelore të njeriut.

Prandaj, jo rastësisht, Europa Cept, si temë e përbashkët për vitin 2023, ka përcaktuar temën “Paqe”.

Përcjellja e mesazhit të paqes këtë herë nga artistët kosovarë bëhet përmes krijimit të formave artistike me palosje letre, origami.

Shfaqja e pëllumbit të paqes, që kërkon lirinë nga konfliktet dhe kaosi, por edhe mbështetjen për njëri-tjetrin, pasqyrojnë çelësin e botës në të cilën duam të jetojmë.

Emetimi i pullave postare përbëhet nga pulla postare, blloku filatelik dhe zarfi i ditës së parë që do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë. / KultPlus.com

Lëshohet në qarkullim pulla postare “Hidroelektrana e Prizrenit”

Sot, Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare të titulluar “Hidroelektrana e Prizrenit”.

Historia e elektrifikimit në Kosovë ndërlidhet me Hidroelektranën e parë në vend, të ndërtuar në vitin 1929 në Prizren. Ky elektrifikim, krijoi mundësitë të reja zhvillimore në Kosovë në lëmin ekonomike dhe kulturore.

Hidroelektrana e Prizrenit për dyzet e katër vjet furnizoi qytetarët me energji elektrike. Në vitin 1975 objekti është shndërruar në muze dhe bënë pjesë si aset i trashëgimisë sonë kulturore, me status të monumentit me mbrojtje të përhershme.

Ky emision i pullave postare përbëhet nga një pullë postare dhe Zarfi i Ditës së Parë, ndërsa në qarkullim postar do të jetë deri në konsum të plotë.

Filatelia e Postës së Kosovës, do të kujdeset si çdoherë t’i shpalosë në gjithë botën vlerat e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Pulla postare “25-vjetori i Epopesë së UÇK-së”

Filatelia e Postës së Kosovës, në shenjë nderimi të figurave të ndritura nga historia moderne e Republikës së Kosovës, komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve të tjerë për liri, më 5 mars 2023 vë në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull “25-vjetori i Epopesë së UÇK-së”.

Emisioni i pullave postare përbëhet nga një pullë postare me nominale €2.10, të shtypur në suvenir tabak të dizajnuar, Zarf të Ditës së Parë dhe Vulë të Ditës së Parë, me qarkullim deri në konsum të plotë.

Motivi i pullës postare që mban portretin e Shabanit, Ademit dhe Hamzë Jasharit, në sfond ka shqiponjën dykrenore, që në mënyrë artistike shndërrohet në numrin e përvjetorit të rënies heroike dhe sakrificës së jashtëzakonshme të familjes Jashari. Ky motiv njëkohësisht paraqet edhe shenjën mbrojtëse të të gjitha aktiviteteve të parapara në kuadër të manifestimit të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Si çdo herë, Filatelia e Postës së Kosovës do të angazhohet që përmes imazheve të pullave postare të afirmojë me krenari vlerat tona kombëtare në të katër anët e botës./ KultPlus.com

Nga sot, Xhubleta në Pullat Postare të Kosovës

Sot, Filatelia e Postës së Kosovës, lëshoi në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare të titulluar “Nga Trashëgimia – Xhubleta”, e cila u përfshi në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në nevojë për mbrojtje urgjente nga UNESCO në vitin 2022.

Xhubleta, veshja tradicionale me origjinë të lashtë, tipike për gratë e Shqipërisë së Veriut, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, është një fund popullor i valëzuar, në formë zileje që përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Ajo mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.

Në shek. XVIII xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: e zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinet, xhoka, kërdhokulla, paraniku, kallmat e shputat, etj. Xhubleta është një fund në trajtë kambane, që vjen e valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e prapme.

Xhubleta e Malësisë së Madhe është trashëgimi e qartë e kulturës sonë Iliriane, nëpërmjet së cilës ne paraqesim historinë e humbur të kombit tonë që malësorët tanë e përcollën deri në vitet 1950 -1960, pra është e vetmja që jep identitetin e kombit shqiptar nëpërmjet motiveve, ku emblema më e dukshme për të gjitha është shqiponja.

Filatelia e Postës së Kosovës, kësaj radhe nga thesari i etnologjisë na sjell imazhin e bukur të Xhubletës në pulla postare, përmes të cilave do të promovojë kudo nëpër botë vlerat e trashëgimisë kulturore dhe materiale të pafundme që ka atdheu ynë./ KultPlus.com

Lëshohet në qarkullim pulla postare “Shtëpitë shkolla”

Posta e Kosovës, sot ka lëshuar në qarkullim të jashtëzakonshëm emisionin e pullës postare me titull “Shtëpitë shkolla”, përcjellë KultPlus.

Sivjet u mbushën plot 30 vjet nga dita e themelimit të Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri“, e cila pati rolin ministror mbi funksionimin e sistemit të pavarur të arsimit të Kosovës, pasi që policia serbe rrethoi shkollat, duke mos lejuar mësimdhënësit dhe nxënësit të hyjnë në ndërtesa.

Mësimdhënësit shqiptarë kishin refuzuar të jepnin mësim me kurrikulën e re serbe, kështu që shteti pushtues i shkarkoi ata nga puna. Drejtorët shqiptarë të shkollave u zëvendësuan më drejtorë serbë. Nxënësit dhe studentët shqiptarë – 400,000 gjithsej – nuk shkuan në shkollë deri në janar 1992.

Për mbijetesën e arsimit shqip në Kosovë, familjet patriotike arsimdashëse hapën 3,200 shtëpitë e tyre, bodrume dhe garazhe private, që u shndërruan në shkolla të improvizuara për strehimin e mbi 100,000 nxënës të shkollave të mesme dhe studentë shqiptarë.

Filatelia e Postës së Kosovës, përmes imazhit të pullës postare, nderon dhe kujton të gjithë arsimtarët, drejtorët e shkollave, pronarët e shtëpive dhe hapësirave për mësimdhënie, prindërit e gjeneratave të viteve 90-ta, nxënësit për kontributin, qëndresën dhe sakrificën e tyre në ruajtjen dhe mbrojtjen e substancës së arsimit shqip dhe të identitetit kombëtar. / KultPlus.com

Posta e Kosovës promovon Pullën Postare me figurën e Dua Lipës

Posta e Kosovës do të promovoj nesër Pullën Postare “Dua Lipa”, përcjellë KultPlus.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje do të jetë edhe vetë Dua Lipa dhe Dukagjin Lipa.

Ndërsa nga Posta e Kosovës pjesëmarrës do të jenë: Fakete Kadiu – Ud. Kryshefe Ekzekutive e Postës së Kosovës, Kamber Demaku – Shef i Administratës dhe Protokollit, Kryesuesi i komisionit për aprovimin e pullave postare/MZHE dhe pjesëmarrës tjerë/Filatelia e Postës së Kosovës. / KultPlus.com

Lëshohen në qarkullim pullat postare të titulluar “Evropa 2022 – Tregime dhe Mite”

Me rastin e Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës lëshoi në qarkullim të rregullt emisionin e pullave postare të titulluar “Evropa 2022 – Tregime dhe Mite”, të cilat prezantojnë traditat popullore, si trashëgimi gojore nëpër kohëra të përcjella nga njëri brez te tjetri.

Skulptura e trishtë e një gruaje paraqet legjendën e Rozafës, e cila u sakrifikua që kalaja të qëndronte, e të mos prishej në vazhdimësi. Kërkesa e saj për t’ia lënë gjysmën e trupit jashtë murit të kalasë që ta ushqente dhe të kujdesej për fëmijën e vogël, është pikërisht ajo që e bëri të veçantë këtë kala.

Edhe sot e kësaj dite, në kopshte e në ara fshatarët vendosin një shëmbëlltyrë njeriu: me trup, krahë, këmbë dhe kokë, të veshur me rroba, më shpesh me rrecka. Gogomeli vihej për të pasur prodhime të mbara, por edhe për të trembur dëmtuesit e të mbjellave. Quhet edhe Plaku i Kopshtit, Plaka e Kopshtit, Nusja e Kopshtit, Surrati i Arës, Coli (Picar) etj.

Ndërsa, pamja e bllokut paraqet mitin për shkundjen e plakave. Sipas gojëdhënave, një plakë kishte shkuar në mal me bagëti për ta shijuar motin e mirë e të ngrohtë, me diell të pranverës së hershme. Ajo po përshëndetej me dimrin, kur dimri kishte kërkuar ditë hua nga shkurti, për ta ngrirë plakën që po e ngacmonte. Kështu që nga ajo kohë e hershme akoma buron ujë nga shkëmbi në formë të një plake, për të cilin thuhet se janë “lotët e plakës”.

Posta e Kosovës, përmes këtyre pullave postare të Filatelisë së saj, prezanton me krenari para botës trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë, si dhe promovon Republikën e Kosovës. / KultPlus.com

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pulla të reja postare (FOTO)

Nga sot, Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim të rregullt emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Flora – Bimët shëruese”, me imazhet e katër bimëve që zhvillohen në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Në këtë emision të ri , hyjnë bimët si:

Shtogu-bresa: – Shtogu rritet si kaçubë apo dru në lartësi prej 3 deri në 10 metra. Lulet janë të grumbulluara në formë kurore, kanë ngjyrë të bardhë me nuancë të verdhë. Nga lulet zhvillohen kokërrzat (frutat), në fillim të gjelbra, pastaj me ngjyrë gështenje në të kuqe dhe në fund bëhen të zeza. Kokërrzat janë të vogla dhe të lëngshme. Lulet kanë erë të këndshme të fortë, erë kjo që në gjendje të thatë është më e butë. Frutat e freskëta kanë shije të pakëndshme, kurse të përgatitura si komposto, janë të shijshme.

Dëllinja e kuqe: – Dëllinja mund të krahasohet me një thesar të çmuar vlerash për organizmin. Kokrrat e saj janë përdorur gjerësisht për të detoksifikuar organizmin, përmirësuar tretjen, paraqitjen e lëkurës dhe jo vetëm. Ajo konsiderohet si një bimë e rrezikuar nga zhdukja dhe shumë shkencëtarë kanë kërkuar hapa konkretë për mbrojtjen e saj.

Rrush arusha: – Shkurre e shtrirë 30 – 50cm me gjethe të plota, të qëndrueshme gjatë dimrit, 12 – 30 x 4 – 12mm. Lulet (petalet) e bardha, me një ngjyrë trëndafili. Fruta kur piqet është e kuqe. Lulëzon nga maji deri në qershor. Në Kosovë e përhapur kryesisht në vendet me diell, në kullota e shkëmbinj të zonës subalpine dhe alpine të Maleve të Sharrit dhe Alpeve Shqiptare.

Burdullaku: – Çdo pjesë e kësaj bime është e ngrënshme—lulet, gjethet, kërcelli, madje edhe farat, sepse kjo perime nuk përmban vetëm kalcium, por edhe minerale të tjera të rëndësishme për kocka të forta. Ajo përmban edhe mangan, magnez dhe hekur.

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj për çdo vit emeton pulla postare me bukuritë natyrore të vendit tonë me qëllim të promovimit të tyre kudo nëpër botë. / KultPlus.com

Ekspozita e pullave postare, nis krijimi i muzeut të postës shqiptare

Pulla postare në autenticitetin e saj, është një aset kombëtar përmes historisë dhe trashëgimisë kulturore që sjell filatelia.

Në ambientet e postës shqiptare sapo është hapur një hapësirë për ekspozimin e objekteve të vjetra postare, pullës postare dhe objekteve filatelike që nga periudha e ndërtimit të shtetit Shqiptarë, me shpalljen e Pavarësisë deri në ditët e sotme.

Qëllimi është krijimi i “Muzeut të Postës Shqiptare” i cili mëton të shërbejë si një hapësirë e dedikuar ndaj vlerave kulturore dhe historike, të periudhave të ndryshme të shtetit shqiptar.

Sipas tyre, kjo hapësirë do të shërbejë edhe si një ambient rekreacioni e turesh për vizitorë e takime mes brezave. Por njëkohësisht duke dhe karakterin ekonomik përmes biletarisë dhe blerjes së objekteve filatelike nga ana e koleksionistëve apo të interesuarave të tjerë./KultPlus.com

OKB lëshon tri pulla për paqen me imazhin e John Lennon

Administrata Postare e OKB -së (UNPA) ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Paqes duke lëshuar pullat e reja që shfaqin ikonën e muzikës dhe aktivistin e paqes, John Lennon, transmeton KultPlus.

Pullat përfshijnë tekstin e himnit klasik të John Lennon për paqen botërore, “Imagine”, së bashku me nënshkrimin e tij, dhe tre portrete të ndryshme fotografike të ish-këngëtarit të grupit Beatles në fazat e mëvonshme të jetës së tij.

Ky vit shënon gjithashtu 50 vjetorin e regjistrimit të “Imagine”, i cili konsiderohet si kënga më e suksesshme e karrierës solo të Lennon.

Kënga është interpretuar në disa nga ngjarjet më të mëdha në botë, duke përfshirë koncerte për paqen, festimet e Vitit të Ri dhe Lojërat Olimpike – gjithmonë një mesazh shpresëdhënës gjatë kohëve shqetësuese.

“Tekstet e saj na inkurajojnë të lëmë mënjanë të gjitha dallimet dhe të bashkohemi për të imagjinuar një botë paqeje, pa lakmi, uri ose barriera që ndajnë njerëzit dhe kombet” vuri në dukje OKB./KultPlus.com

Përurohet pulla postare për Besim Sahatçiun dhe Leze Qenen, Rita Ora: Më vjen keq që nuk jam sot në Kosovë

Familja Sahatçiu dhe Qena i kanë dhuruar përherë artistë të mëdhenj vendit tonë. Ndërsa sot në përkujtim të dy ikonave të artit, regjisorit Besim Sahatçiu dhe aktores së madhe Leze Qena, Posta e Kosovës ka përuruar pullën postare me figurat e këtyre dy personaliteteve të shquara të artit skenik, shkruan KultPlus.

Të pranishëm në këtë eveniment përveç përfaqësuesve të familjeve që ishin Besnik Sahatçiu-Ora dhe Argjenda Qena, ishin edhe kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi , Drejtori i Qendrës kinematografike, Arben Zharku, ish-Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, gjithashtu edhe artistët si Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu, e shumë figura të tjera.

Përveç pullave postare të cilat pritet të jenë një lloj ambasadori përfaqësues i Republikës së Kosovës nëpër botë, në këtë event u prezantua edhe një dokumentar me fotografi dhe video të shkurtra të këtyre dy ikonave të skenës të cilat përveç  se na kthyen në kohë dhe e paraqitën një copëz të vogël nga krijimtaria e bujshme e këtyre dy artistëve përçuan te publiku një emocion mallëngjimi për këta dy artistë të mëdhenj.

Besim Sahatçiu dhe Leze Qena nuk janë në mesin tonë por vetëm fizikisht sepse puna dhe vepra e tyre e mirëfilltë artistike do të na përcjell përherë ne dhe gjeneratat pasuese. Tutje në këtë ngjarje u dhuruan edhe disa dhurata, pra ishin pulla postare të shndërruara në pllaketa të cilat ju dhuruan përfaqësuesve të të dy familjeve, Qena dhe Sahatçiu, Drejtorit të Qendrës kinematografike Arben Zharkut dhe drejtorit te fotografisë Afrim Spahiut, njëherësh edhe bashkautor i dokumentarit të prezantuar sot për nder të këtyre dy ikonave skenike.

Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi në fjalimin e tij hyrës falënderoi të pranishmit dhe shprehi privilegjin që këto pulla postare i janë shtuar filatelisë së tyre.

“Vërtetë është një privilegj i madh për Postën e Kosovës dhe për mua personalisht që filatelisë sonë, sot i janë shtuar dy pulla me imazhe e dy ikonave të kulturës sonë, regjisorit Besim Sahatçiu dhe aktores Leze Qena”, tha Smakiqi i cili tutje falënderoi në veçanti familjen Sahatçiu dhe Qena që ishin prezentë dhe premtoi që Posta e Kosovës sikurse në vitet e kaluara edhe në të ardhmen do të kujdeset që personalitetet tona të shquara të kulturës t’i nderoj edhe përmes pullave postare.

Përfaqësuesit e familjeve, djali i regjisorit, Besnik Sahatçiu dhe vajza e aktores Leze Qena, përveç zgjedhën që përveç falënderimit drejtuar Postës së Kosovës për nderin që u është bërë këtyre dy ikonave vendosën të mos flasin më shumë sepse për dy artistë të mëdhenj sikur Lezja dhe Besimi, sado të flasësh, prapëseprapë fjalët nuk arrijnë të përshkruajnë veprën e tyre madhore që ata lanë prapa për artdashësit.    

Ndërsa në pamundësi për të qenë pjesëmarrëse në këtë ngjarje, artistja me famë botërore Rita Ora njëherësh edhe mbesa e regjisorit të madh Besim Sahatçiu, përshëndeti dhe falënderoi Postën e Kosovës për nderin që ia bënë gjyshit të saj, ndër të tjera Rita tha: “Jam shumë e lumtur që Posta e Kosovës po e respekton gjyshin tim Besim Sahatçiu me pullë postare për suksesin në film në Kosovë. Më vjen keq që nuk jam sot në Kosovë, ju dua shumë të gjithëve”, u shpreh Rita.

Posta e Kosovës nderoi gjithashtu edhe Ritën si ambasadoren të Kosovës në botë me një kartolinë me këto pulla postare.

Krejt në fund të pranishmit ishin të ftuar që të merrnin pjesë në një koktej rasti të organizuar për ndrë të kësaj ngjarjeje.  / KultPlus.com

Pullë postare për punonjësit shëndetësor që kanë humbur jetën nga Covid-19

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka prezantuar pullën postare, dedikuar personelit shëndetësor që kanë humbur jetën gjatë ballafaqimit me Covidin-19.

Në prezantimin e saj ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se mundi dhe sakrifica e bërë nga personeli shëndetësor janë munduar t’i vlerësojnë përmes kësaj pulle postare, transmeton KultPlus.

Ai ka shtuar më tej kërkesën e tij që të mos mbingarkohen institucionet shëndetësore.

Ndërsa përfaqësuesi nga Posta e Kosovës, ka thënë se personeli shëndetësor e meriton emrin heronj. Pulla postare mban emrin” “Heronjtë mantelbardhë”,

Gjithashtu, mirënjohjet u janë akorduar mjekëve dhe infermierëve që ishin prezentë. Mbi 30 punëtorë shëndetësorë në Kosovë kanë vdekur në krye të detyrës gjatë pandemisë. / KultPlus.com

Posta e Kosovës lanson pullat postare, ‘Bukuritë natyrore të Kosovës’

Nga sot, Posta e Kosovës lëshon në qarkullim emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare, të titulluar “Bukuritë natyrore të Kosovës”.

Republika e Kosovës, ka shumë bukuri natyrore me pyjet e dendura, liqenet akullnajore, shpellat dhe ujëvarat, të cilat krijojnë një mjedis magjepsës dhe mjaft atraktiv për vizitorë të shumtë vendor dhe ndërkombëtar. 

Pamjet e këtyre dy pullave postare, prezantojnë bukuritë e dy liqeneve malore në pjesën perëndimore të Kosovës, Liqenin e Kuqishtës, i cili ndodhet në Bjeshkët e Nemuna me lartësi mbidetare 1,970 metra, si dhe Liqenin e Gjeravicës, në majën e Bjeshkës së Gjeravicës me lartësi mbidetare rreth 2,200 metra.  

Filatelia e Postës së Kosovës këtë radhë e prezanton shtetin e Kosovës përmes bukurive natyrore të prezantuara në këto dy pulla postare, të cilat janë vepa të autorit Mensur Gashi, që ia ka dhuruar Postës së Kosovës për të qenë në interes promotiv të shtetit tonë. / KultPlus.com

Promovohet pulla postare “Heroinat e Kosovës”, i kushtohet grave kosovare që sakrifikuan për lirinë e Kosovës

Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim emisionin e pullave postare me titull “Heroinat e Kosovës”, kushtuar grave të Kosovës që sakrifikuan jetën e tyre në rrethana të ndryshme për lirinë e Kosovës.

Në promovimin e mbajtur në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën patronatin e Kryeparlamentares, Znj. Vjosa Osmani – Sadriu, mori pjesë U.D. Kryeshefja Ekzekutive, Vjollca Shala Mulaj me bashkëpunëtorë, si dhe përfaqësues të shoqatave të grave, gratë deputete, ambasadorë si dhe mysafirë të tjerë.

Kryeparlamentarja Znj. Vjosa Osmani ka falënderuar Postën e Kosovës, duke vlerësuar pullën postare kushtuar heroinave të Kosovës, ajo tha se: “Është e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të jetë imazhi që e kanë ndërtuar heroinat tona. Ju e keni parë që gjatë historisë pullat postare u janë kushtuar figurave nacionale. Shoqëria jonë ka injoruar për një kohë të gjatë sakrificën e tyre gjatë luftës, por edhe guximin e pashembullt që kanë treguar në luftën e fundit”.

Në fjalimin e saj, U.D. Kryeshefja Ekzekutive, Znj. Vjollca Shala Mulaj tha se: “Ky emision i pullave postare që po e promovojmë sot është i veçantë, sepse mishëron sakrificën dhe njëherësh krenarinë e gruas shqiptare nëpër shekuj, sidomos vuajtjet biblike të shumë vajzave dhe nënave që përjetuan tmerrin e dhunimit”.

Triumfin dhe sakrificën e këtyre heroinave e pasqyron në vepër artistike edhe autori ka përshtatur dizajnin në imazhin e kësaj pulle postare, ‘’Heroinat e Kosovës’’, përmes të cilës Filatelia e Postës së Kosovës promovon vlerat tona historike, kulturore dhe kombëtare. / KultPlus.com

Seria e rrallë e pullave të postës që SHBA emetoi për Shqipërinë më 1943

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Nëntor të vitit 1943 kanë nxjerrë një edicion të veçantë me pulla të dedikuar për Shqipërinë. Bëhet fjalë për një seri me rreth 15 mijë pulla në të cila jepen imazhe dhe mesazhe në ndryshme për vendin e shqiponjave.

Në serinë e printuar nga “American Bank Note Company” që mban numrin # 918 është pjesë e Serisë së Vendeve të Mbyllura, e cila nderon secilin prej kombeve të pushtuara nga fuqitë e Boshtit gjatë Luftës së Dytë Botërore.  

Në pulla paraqitet flamuri i Shqipërisë, i cili përmban një sfond të kuq me një shqiponjë të zezë dykrenare në qendër të saj. Ajo bazohet në vulën e Gjergj Skënderbeut, i cili udhëhoqi revoltën e shekullit të 15-të kundër Perandorisë Osmane, duke sjellë disa rajone të Shqipërisë një periudhë pavarësie.

Ndërsa në një pullë tjetër shkruhet “Përshendetje Shqipëri. Shqiponja e lirisë ngre shpatën e drejtësisë”

Në shpjegimin që shoqëron materialin për këtë seri pullash shkruhet: “Më 7 Prill 1939, Italia e Benito Mussolinit  pushtoi Shqipërinë, kjo e bëri Shqipërinë të ishte një nga vendet n e para që u pushtua nga fuqitë e Boshtit në Luftën e Dytë Botërore. Musolini e pa pushtimin e Shqipërisë si pjesë të ëndrrës së tij për të krijuar një Perandori Romake. Vitin pasues, Mussolini përdori bazën shqiptare për të sulmuar Greqinë, por u mund, duke çuar në pushtimin grek në Shqipërinë e Jugut. Në vitin 1942, u formua Fronti Nacionalçlirimtar Shqiptar, i përbërë nga grupe nacionaliste dhe komuniste. Shqiptarët luftuan me sukses me italianët, por në shtator 1943, parashutistët gjermanë filluan të pushtonin kryeqytetin shqiptar të Tiranës. Shqipëria u çlirua më 28 nëntor 1944, një nga kombet e fundit që largoi gjermanët nga vendi i tyre.

Këto Pulla sollën shpresë për të kapërcyer vendet e Luftës së Dytë Botërore

Pasi mori disa dizajne nga artistë që menduan se pullat aktuale postare në SHBA ishin jo tërheqëse, Presidenti Franklin Roosevelt filloi të merrte parasysh llojet e pullave që ai donte të lëshonte. Ai u përpoq t’i tregonte botës se Amerika ishte në këtë luftë për të arritur paqen në botë, jo dominimin ushtarak. Me këtë në mendje, Presidenti sugjeroi që SHBA të lëshonte një seri pullash që përshkruajnë flamujt e të gjitha kombeve të tejkaluara në Evropë.

Në kufirin përreth secilit flamur, Roosevelt sugjeroi të pikturonte Phoenix – një simbol antik i rilindjes. Ai besoi “Kjo mund t’u thotë atyre që vuajnë viktimat në Evropë se ne po luftojmë për rigjenerimin e tyre.” Ana tjetër e secilit flamur paraqiste një grua të gjunjëzuar “duke thyer prangat e shtypjes”.

Kur erdhi koha për të shtypur pullat, Byroja e Gdhendjes dhe Shtypjes nuk ishte në gjendje të shtypte ngjyrat e shumta të nevojshme për secilin flamur, kështu që Kompania Amerikane e Shënimeve mori një kontratë të veçantë për këtë seri.

Për më tepër, u zgjodh një prerje 5 – – kursi i huaj për postat e klasit të parë – në mënyrë që pullat të mund të përdoren në postën jashtë shtetit. Pullat u shtypën në sasi relativisht të vogla dhe ishin shumë të kërkuara sa më shpejt që të lëshoheshin, me rezervat në të gjithë vendin duke mbaruar pothuajse sa më shpejt që ato të lëshoheshin”./dispaorashqiptare/ KultPlus.com

Filatelia e Kosovës lëshon në qarkullim pullat postare “30 Vjetori i Deklaratës Kushtetuese”

Me rastin e shënimit të 30 Vjetorit të Deklaratës Kushtetuese, Filatelia e Kosovës nga sot emeton emisionin e ri të pullës postare titulluar: “30 Vjetori i Deklaratës Kushtetuese”, përcjellë KultPlus.

“Përmes kësaj pulle postare, nderojmë guximin e delegateve të Kuvendit të Kosovës, të cilët në kushte jashtëzakonisht të vështira okupimi, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të ish federatës jugosllave”, thuhet në njoftim.

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës, pas dy muaj më, 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.

Pas këtij akti, populli ynë vazhdoi përpjekjet për liri e pavarësi përmes politikës paqësore, ndërsa çlirimi i Kosovës u arrit më 12 qershor 1999 falë sakrificës së popullit me luftë çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja dhe të mbështetur nga NATO-ja. Nga 17 shkurti 2008 kemi shtetin e pavarur dhe sovran të Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht nga më se 116 shtete. / KultPlus.com