“Unë nuk besoj në Zot dhe unë nuk jam ateist”

Pjesë nga ditarët sekret të Albert Camus (Albert Camus: Tagebücher 1935-1951, Tagebücher 1951-1959)

“Vështirësitë e vetmisë janë rraskapitëse për t’u trajtuar.”

“Liria është e drejta për të mos gënjyer.”

“Është fatkeqësia ime dhe ndëshkimi im që të mos e shijoj atë që kam.”

“Përse unë jam artist e jo filozof? Sepse unë mendoj për fjalët dhe jo për idetë.”

“Kalipso ia ofron Odiseut mundësinë të zgjedhë mes pavdekësisë dhe atdheut. Ai e refuzon pavdekësinë. Aty, ndoshta, është gjithë kuptimi i Odisesë.”

“Nëse bota do të ishte e kuptueshme, nuk do të kishte Art. Nëse bota do të ishte e kuptueshme, unë nuk do të shkruaja.”

“Marksizmi është një filozofi e procesit gjyqësor, por pa jurisprudencë.”

“Në kohëra të revolucioneve vdesin më të mirët.”

“Bota absurde mund të justifikohet vetëm estetikisht.”

“Ai që nuk jep asgjë, nuk ka asgjë. Fatkeqësia nuk është të mos dashurohesh nga ndokush, por të mos dashurosh.”

“Së pari, njeriu s’e do askënd. Pastaj ai i do të gjithë në përgjithësi. Më vonë i do vetëm disa, e pastaj vetëm një.”

“Përse pi njeriu? Sepse aty gjithçka merr një kuptim. Gjithçka është e rregulluar sipas një linje më të lartë.”

“Unë nuk besoj në Zot dhe unë nuk jam ateist.”

“Ka rastësi që zgjasin gjatë tërë jetës.”

“Gjithmonë ka një filozofi për mungesën e guximit.”

“Çdo doktrinë artistike është një alibi dhe, falë artistit, kufijtë e saj justifikohen.”

“Parisi, ku dielli është një luks, ku vdekja është tmerrësisht e shtrenjtë, ku, pa një konto bankare, nuk ka asnjë pemë. Parisi, që dëshiron ta mësojë botën.”

“Zanati im është të shkruaj libra dhe të luftoj, kur liria e familjes sime dhe popullit tim kërcënohet. Asgjë tjetër.”

“Unë nuk mund të jetoj gjatë së bashku me njerëzit. Mua më nevojitet vetmia, një pjesë e përjetësisë.” Virtual Sophists / KultPlus.com

Letër për mësuesin

Nga: Albert Camus
Përktheu: Leonora Buçinca

“I nderuar z. Germain,

Kam pritur të shuhet rrëmuja që më ka rrethuar këto ditë para se të vij t’ju flas me gjithë zemër.

Më kanë bërë një nderim shumë të madh (dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi – N.d.R.) të cilin as nuk e kërkova, as nuk e kujtova. Por, kur më erdhi lajmi, mendimi im i parë, pas mendimit për nënën time, ishte për ju.

Pa juve, pa atë dorë të dashur që ju i ofruat një fëmijës së varfër, që ai isha unë, pa mësimin dhe shembullin tuaj, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga gjithë këto.

Unë nuk e mbivlerësoj këtë lloj nderi, por kjo është, të paktën, një mundësi për t’ju treguar se çfarë ishit dhe vazhdoni të jeni për mua dhe për t’ju siguruar se përpjekjet e juaja, puna juaj dhe bujaria që ju keni mbjellë, janë gjithmonë të gjalla në një nga nxënësit tuaj i cili, pavarësisht prej moshës, nuk ka pushuar së qeni nxënësi juaj mirënjohës.

Ju përqafoj me gjithë forcën time.”

(Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)