A jemi fëmijë nënash të dhunuara?

(KultPlus ua sjell shkrimin e Bajram Mjekut, i cili konsiderohet si shkrim që ka zgjuar shumë debat. Shkrimi është botuar në KultPlus në vitin 2018, mirëpo për lexuesit tanë po e risjellim edhe njëherë.)

Nga Bajram Mjeku

Vite më parë, me disa miq të mi hapëm një debat: Pse ne shqiptarët jemi kaq të mërrolur e depresivë, kaq agresivë e anarkistë dhe pse të shumtën e rasteve dukemi të traumatizuar e të trishtë?

Pasi isha vrojtues i bisedës për disa minuta, më në fund shpreha mendimin tim. Thashë se gjenerata ime dhe të gjitha gjeneratat paraardhëse janë fëmijë të lindur nga nënat e dhunuara dhe shtova se nënat tona janë dhunuar në mënyrë sistematike nga baballarët tanë. Thashë po ashtu se deri te brezi i lindur i fëmijëve të viteve 70-të, shumica e shqiptarëve janë dëshmitarë kur në një dhomë dhe në mënyrë sistematike prindërit tonë kanë kryer akte seksuale në prani të fëmijëve të tyre dhe po ata fëmijë që sot janë burra e gra, ishin dëshmitarë të dhunimit sistematik të nënave pikërisht nga baballarët e tyre.

Kjo temë që vazhdon të jetë tabu në shoqërinë shqiptare, shumëkush me të drejtë shtron pyetjen: Si dhe pse këto dhunime ndodhën deri në gjeneratën e brezit të viteve 70-të dhe pse kjo “prerje” sipas meje nisi të ndodh në fillim të kësaj dekade? Megjithëse dhunime të këtilla kanë ndodhur edhe më vonë, mendoj se kjo dukuri primitive nisi të zvogëlohej ndjeshëm, veçanërisht mbas hapjes së Universitetit të Prishtinës. Në këtë institucion të lartë dhe tepër të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, ishte e natyrshme që studentët e të dyjave gjinive të pëlqeheshin me veti dhe të krijonin një model të favorshëm jetese për dallim nga prindërit e tyre, gjithsesi më të emancipuar përkrah rrethanave të kohës. Që nga gjenerata e fëmijëve të lindur mbas hapjes së Universitetit të Prishtinës, shohim një gjeneratë më të bukur dhe më të buzëqëshur, më proevropiane e më të civilizuar, por edhe më pak e kompleksuar e paragjykuese.

Seksi si akt dhe si nevojë biologjike, asnjëherë nuk është kryer me vullnetin e të dyja palëve te bashkëshortët shqiptarë, pra akti seksual ka ndodhur vetëm atëherë kur kanë ndjerë nevojë baballallarët, por jo edhe nënat tona. A nuk është dhunim, kur baballarët tanë të paemancipuar e primitivë dhe pa vullnetin më të vogël të palës tjetër, kanë hyrë drejtpërdrejtë dhe në mënyrë agresive në akt seksual vetëm sa për t’i shfryer epshet e tyre? Më keq se kjo, dhuna seksuale ka ndodhur në prani të fëmijëve të tyre, pavarësisht arsyetimeve tona se e gjithë kjo ndodhi për mungesë kushtesh elementare në familjen shqiptare.

Nga kureshtja për të studiuar sa më shumë nga fusha e psikologjisë, nga psikanalisti Sigmund Freud kam lexuar se në rast se fëmijët janë të pranishëm në të njëjtën hapësirë ku prindërit e tyre kryejnë aktin seksual, atëherë kjo situatë është më e rëndë se sa t’i ekspozosh të njëjtit fëmijë përballë një masakre. Sot, këta burra e gra, fëmijë të dikurshëm dhe dëshmitarë të akteve seksuale të prindërve të tyre, janë ministra e deputetë, kryeministra e presidentë, diplomatë e udhëheqësh korporatash, që kur Kosova u bë e lirë dhe e pavarur. Dhe, jo rastësisht Kosova është katandisur në këtë gjendje të rëndë e bizare dhe të papranueshme për realitetin e kohës. Në këtë mes bën përjashtim themeltari i pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Duke qenë afër Tij për një dekadë, them me bindje se udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës kishte një “fat” në fatkeqësi. Ishte ende në barkun e nënës, kur babai i tij u vra gjatë Luftës së Dytë Botërore, prandaj ishte më tolerues e më paqësor, më i durueshëm e më mendjehapur, më intelektual dhe më i emancipuar nga gjithë brezi i tij.

Vështruar në këtë kontest, por edhe nga disa rrethana tjera, vendi ynë jo rastësisht po kalon nëpër fazën më të rëndë, edhe dhjetë vjet mbas shpalljes së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur. Kosova duhet të lirohet nga fëmijët e nënave të dhunuara dhe duhet të udhëhiqet nga gjenerata postkomuniste, më saktë nga gjenerata që kur u themelua Universiteti i Prishtinës e më vonë.

Kur në vitin 1956, familja e koreografit të shquar shqiptar Angjelin Preljocaj vendosi të ikte nga Shqipëria staliniste dhe derisa prindërit e tij një natë dimri nisën të kapërcenin kufirin për t’u strehuar në Kosovë, nëna e tij ishte shtatzënë me Angjelinin. Derisa levizte nga një gërgje në tjetrën për t’u fshehur nga rojat e dyfishta të kufirit; ushtarët shqiptarë e jugosllavë dhe nga lëvizjet tektonike derisa ajo kapërcente kufirin, në barkun e saj nisi të krijohej embrioni i valles dhe koreografi i ardhshëm Angjelin Preljocaj. Tash tridhjetë vjet, Angjelin Preljocaj është anëtar i Operës Nacionale në Paris dhe me lojën e tij mahnit artdashësit e gjithë botës. / KultPlus.com

Bajram, urime Bajrami!

Nga Bajram Mjeku

Kur isha fëmijë, festat e Bajramit i kam pritur me njëfarë makthi. Kisha ndjesinë se familjarët dhe miqtë, festën e Bajramit më uronin ndryshe nga të tjerët, sigurisht për shkak të emrit dhe disi ndjehesha ngushtë kur më uronin:
– Bajram, urime Bajrami!
Vetëm lidhja me Nanën e ndjerë, nuk ndryshonte asnjëherë dhe përqafimin e saj të gjatë, do ta ndjejë edhe nesër. Këtë ndjesi përqafimi e kam bartur edhe te fëmijët e mi. Jam i bindur se Ditën e Bajramit e përjetoj ndryshe nga të tjerët. Përveç si festë e konsideroj edhe si ditë gjykimi për veten! E kam lënduar dikën gjatë vitit? E kam bërë ndonjë gabim? E kam ndihmuar dikën? I kam dikujt ndonjë borxh e kështu me radhë…
Vitin e kaluar, një mik më ftoi për lutjet e Bajramit të Madh në njërën nga xhamitë e Prishtinës dhe ishte hera e parë që e vizitoja xhaminë e propozuar nga ai. Midis besimtarëve pashë edhe figura publike, për të cilët u ndjeva mirë, derisa imami i xhamisë ishte mik i familjes time.
Mbas procesionit të lutjeve, isha kurioz të dëgjoja ligjëratën e tij, pastaj cilën temë e kishte përzgjedhur për këtë ditë të veçantë, por edhe për mënyrën si do t’i qasej besimtarëve.
Ligjërata e tij e monotonshme dhe stereotipe zgjati më shumë se gjashtëdhjetë minuta dhe kur e bëra një sinopsis, nuk mund t’i përmblidhja as gjashtëdhjetë fjalë me vlerë. Foli edhe për humanizmin, i cili tingëllonte sa për kortuazi, pasi për këtë fushë nuk kishte elokuencë të mjaftueshme dhe kur besimtarët nisin të përshpërisin midis tyre, është shenjë se diçka nuk është duke shkuar mirë me Imamin!
Sapo mbaroi ligjërata dhe pasi ia uruam Bajramin njëri-tjetrit, Imamit ia shpreha dëshpërimin tim për ligjëratën e lodhtë dhe për temën e stërvjetëruar e imagjinare të dëgjuar mijëra herë që nga koha e gjyshërve tonë. Gjatë ligjëratës, Imami gjithë temën e inskenoi në shkretëtirat arabike dhe në betejat e përgjakshme midis të dërguarve të Zotit dhe “kufarëve”, siç shprehej ai, derisa ne të pranishmit mbetëm zë i humbur në shkretëtirë! I thashë se në këtë ditë të madhe, më mirë do të ishte të flisje për anën humane, pasi shqiptarët po bëhen gjithnjë e më johumanë, se Kleri mysliman ende mendon se shqiptarët janë po ata shkretanë që ishin dikur nën Perandorinë Osmane, se janë të manipulueshëm dhe të paditur në çështje të fesë, se besimtarët ende i trajtoni si të mjerë dhe analfabetë të frikshëm dhe krejt në fund se duhet të reformoheni me ide të reja konform kohës në të cilën jetojmë.

* * *
Në vitet njëzetë të shekullit nëntëmbëdhjetë, Kisha Katolike veçanërisht në Kontinentin e Vjetër u gjend në krizë të thellë, pasi besimtarët nuk i frekuentonin shumë, në veçanti Meshën e së Dielës. Kleri katolik i shqetësuar për këtë, iu drejtua Vatikanit dhe kërkoi dalje nga kjo situatë. Selia e Shenjtë për t’i kthyer besimtarët në Shtëpinë e Zotit, ndërmori hapa të guximshëm. Kërkoi që Kisha Katolike të lirohej nga konservatorizmi, pastaj lejoi që kishat të ofronin shujta për njerëzit në nevojë, si dhe lejoi organizimin e aktiviteteve për të rinjtë, edhe kur nuk kishin të bënin asgjë me fenë. Brenda një kohe të shkurtër, Kishës Katolike iu rikthye shkëlqimi që kishte nisur t’i zbehej prej kohësh.
Kleri mysliman, nuk mjafton të krenohet me rreth 1.200 xhami të ngritura në Kosovë, por duhet të reformohet thellë dhe të ketë qasje të reja e ide kreative, konform kohës në të cilën jetojmë. Edhe më pak mund të krenohet me fillimin e ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, derisa dyert e xhamive hapen vetëm për lutjet e së premtes dhe për një javë mbeten të kyçura nën dry.
E kur e kemi fjalën për ngritjen e xhamive të reja, kjo i bie njësoj siç kemi ngritur dhjetëra shkolla të reja, me qëllim përfitimi të votës popullore, pa investuar në cilësinë e arsimit. Më keq se kjo, pa llogaritur se në dhjetëra shkolla në të cilat janë bërë investime milionëshe, klasët e tyre kanë mbetur të frikshme me vetëm nga një nxënës!
Me fat Bajrami i Vogël njerëz të mirë. Paqja e begatia mbretërofshin gjithmonë në familjet tuaja! / KultPlus.com