Përpjekjet e vlefshme të një atdhetari për pasunimin e gjuhës shqipe

Nga Pjeter Logoreci

Një bisedë në Tiranë me një njohëse të gjuhës shqipe, u bë shkak që unë të kërkoja në Austri materiale apo informacione mbi vepren dhe kontaktet e albanologut, gjuhëtarit dhe etnografit Dom Nikollë Gazulli.

Dija vetëm që Gazulli ishte një nga studentët shqiptarë që studiuan në Austri dhe kisha dëgjuar për kalvarin e vuajtjeve që i shkaktoi atij rregjimi komunist.

Në Austri mundësitë e kërkimit të dokumentave të vjetër mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarve janë të mëdha, por duhet ditur se si dhe ku duhet kërkuar. Nganjëherë legjislacioni përkatës bëhet pengesë për të pasur rezultatet maksimale në kërkime. Kështu më ndodhi edhe në rastin Gazulli, ku materialet që arkiva dispononte për te, nuk mund të skanoheshin, kopjoheshin apo të hidheshin në një CD, pasi nuk ishin mbushur 70 vite nga vdekja e personit të cilit i përkisnin (Norbert Jokl-it). Më duhej një autorizim i veçantë nga një trashegimtar i familjes së tij që ti nxirrja materialet nga arkiva.

Në bibliotekën kombëtare të Austrisë në Wien, ruhej korespondenca që albanologu i shquar Norbert Jokl kishte pasur me përsonazhe të ndryshëm shqiptarë, por jo vetëm, të cilët ishin të interesuar për Shqipërinë, gjuhën dhe zakonet e saj. Në këtë fond gjindej dhe një lidhje e letrave origjinale, pra korespondenca në mes priftit shkencëtar dhe albanologut Jokli, e cila përmblidhej në rreth 125 faqe të shkruara kryesisht me makinë shkrimi por edhe me shkrim dore nga Dom Nikollë Gazulli. Periudha kohore kur janë shkruar këto letrat i përket viteve 1930, 1931 dhe 1932. Për të pritur përgjigjet e mikut të tij nga Austria, famullitari Gazulli përdorte adresen: Nikollë Gazulli, meshtar / Famullitar i Riollit. Te Nush Coba – Serreq ndë Shkoder.

Lidhja në formë libri e letrave, e cila është e skanuar nga arkiva me mjetet më moderne, përmban 7 letra që Nikollë Gazulli i ka dërguar Joklit si dhe një numër faqesh plot me fjalë shqipe, fraza shqipe dhe interpretime të fjalëve, frut i kërkimeve shumë vjeçare të klerikut. Pjesa e fjalorthit prej 117 faqesh që i është dërguar me 5 letrat shoqëruese, mban mbishkrimin “Gazulli, Mbledhje Fjalësh”. Nuk dihet numri i fjalëve të cilat janë të rreshtuara me rend sipas gërmave, por dihet (siç shkruhet në letrën e parë) që …..“me 12 dhetuer 1928, kur ishe famullitar në Jueshe afër Shkodret, mue mu dogj qela me gjithë ç’ pata e ashtu u shkrij edhe mundi i sa vjetëve; ç´pata mbledhë fjalë e shumë gojdhana përmbi fise shqiptare të verit, qi vetëm prej skamit nuk muejta me i botue.” . Së bashku me letrat janë edhe disa fletë “qortime” dhe “shtesa” të cilat janë vendosë më vonë, në veçanti.

Siç kuptohet ndër letrat, sipas kërkesës së priftit, Jokl-i i ka dërguar atij herë pas here edhe libra të ndryshëm, fjalorë enciklopedikë në frengjisht apo gjermanisht …“qi me vyejnë me caktue domethanien e fjalëve shqipe”.
“U lutem shumë për bibliothekë mos me m´lanë mangut, në kjoftë se nuk Ju bjen tepër randë (pse me JU randue s´due asnji fije) pse mue m´asht djegë edhe shka pata; ktu mandej e dini mirë qi nuk asht si nd´Austri qi m´u gjetë libra për përdorim pa i ble, mandej me i ble lypen të holla, qi te un s´gjinden, mbasi ma shpune kuleten: rrnoj me nji popull të mirë fort, por qi nuk i del m´u ngij me bukë kollomoqe….”

Dom Nikolla kërkon mendimin e Jokl-it për sa i përket interpretimeve të tij si dhe mbledhjes të këtyre fjalëve: …“Kuer të Ju daline ngae, s´keni m´u kursye pa ma çfaqe me nji leter përshtypjen qi po Ju ban këjo mbledhje e emja; ….besoj qi nji mbledhje të mirë fort e ka edhe At Bernardin Palaj…..qi s´kishte me u kursye me jua çue…”
Ndërsa në letren e fundit, Gazulli i shpreh bindjen Jokl-it që….” …këtu pritet me pa-durim fjalori Juej qi ka me kenë si gur themeli për nji giuhë shqipe t´arsyeme….”

Duke qenë se personin, që më kërkoj që ti gjeja këto letra me mbledhje fjalësh të Dom Nikolle Gazullit për ti botuar, nuk arrij ta kontaktoj më dhe unë personalisht nuk jam specialist i fushës së gjuhësisë, mendova që këto materiale ti bëj të njohura për lexuesit shqiptar, botuesit e ndryshëm, si dhe studiuesit e gjuhës shqipe, në mëndyrë që këto perla të shqipes të gjejnë mundësinë e botimit.

Një vështrim i shkurtër mbi jetën e Dom Nikollë Gazullit.

Kleriku katolik Dom Nikollë Gazulli lindi në fshatin Dajç të Zadrimës në Lezhë rreth vjetit 1895. Ai ishte pjesë e familjes së njohur – GAZULLI – e cila qysh në mesjetën e herëshme përmendej për disa figura me vlerë në lëmin e teologjisë, artit ushtarak apo diplomacisë. Shkruhet së mësimet fillestare i mori në shkollën e fshatit e cila ishte hapur nga Dom Ndre Mjeda në vjetin 1902.

Më vonë u bë pjesë e kolegjit Françeskan në Shkodër nga ku me shumë të tjerë u dërgua në Insbruk të Austrisë për të studiuar teologji dhe filologji. Me mbarimin e studimeve largohet për në Romë ku në vitin 1917 shugurohet meshtarë. I realizohet dëshira që të kthehet në atdhe ku krahas punës si prift katolik, fillon të merret me studimin dhe prejardhjen e gjuhës shqipe duke mbledhur, studiuar dhe analizuar qindra fjalë të rralla, shprehje popullore, pjesë dialektore apo të dhëna zakonore të vendeve ku sherbeu.

Kryesisht sherbeu si udhehëqes shpirtëror në Malsinë e Madhe (famullia Shkrel) ku u përballua me ngjarje reale apo gojëdhëna të dala nga populli, që i shërbyen si objekt i shkrimeve apo studimeve të tija të cilat përpara se ti botonte i konsultoi me albanologun Norbet Jokl, Eqerem Çabejn, Ndre Mjeden, Gjergj Fishten, Justin Rrotën. Veprën e tij e mblodhi në dy vëllime, Fjalorth i ri që u botua në vitin 1941 dhe Fjalori Onomastik i cili u botua me pjesë në revisten e kohës Hylli i Dritës. Gazulli shkruante nën pseudonimin Gelasius dhe zotëronte gjuhën gjermane, italishten, latinishten, sllavishten.

Lexonte në gjuhen turke dhe franceze. Mbledhjet dhe studimet e tij u vlerësuan shumë nga albanologu austriak Jokl me të cilin kishte korespondencë të rregullt. Më vonë, fjalët e mbledhura ndër zonat e malsisë së madhe ku ai jetoj si dhe etimologjia e tyre, i shërbyen gjuhëtarit austriak për ti përmbledhur në veprën e tij për Etimologjinë e gjuhës shqipe. Mendohet që në mbledhjen dhe gjurmimet e tij, i ndihmuen dhe koleget At Mark Harapi, At Aleksandër Sirdani, At Nikollë Suma, të cilët për fjalorin onomasitk mblodhën materiale gjuhësore që nga Malsia e Madhe deri në Fier, nga Malësia e Gjakovës deri në malin e Shpiragut, nga Iballa e Pukës deri në Shëngjergj të Tiranë. Së bashku me të vellaun Gjonin ishin aktiv në lëvizjen kundër Zogut në Malsinë e madhe në vitin 1927. Ndërsa Gjoni denohet me vdekje, Dom Nikolla denohet me 4 vite burg.

Për arsye të luftës por edhe për të ju shmangur përndjekjes klasore gjatë rregjimit komunist ai qëndron si klerik në malësitë e veriut ku në marsin e vitit 1946 vritet nga forcat e sigurimit në shpellën e Shkrelit (ku ishte fshehur për ti shpëtuar ndjekjes). Prehet në kishën e këtij fshati pasi u rivarros nga besimtarët e malsisë të cilët i sollën eshtrat e tij nga vendi ku i mbanin të fshehura.

(Referencat nga libri: Studentët shqiptar të Austrisë) / KultPlus.com

Përshkrimi i fotografive:

Foto 1: Letra e Gazulllit dërguar Norbert Joklit, faqe 1.

Foto 2: Letra e Gazullit dërguar Norbert Joklit, faqe 2.

Foto 3: Letra e dytë e Gazullit dërguar Norbert Joklit.

Foto 4: Albanologu Norbert Jokl.

Mbi jetën e veprën e atdhetarit Kolë Rrota në Vjenë

I dekoruar, në vitin 1917 me Kryqin e Artë të Kurorës nga Madhërija e Tij Perandori Karl, për punën e tij shëmbullore si mësues e aktivist në Vjenë dhe Koloninë Shqiptare në Zarë.

Nga Pjeter Logoreci

Ndër ditët e tetorit të vjetit 2010, ndërsa isha i angazhuar me nxjerrjen dhe riatdhesimin e eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, nga varreza qëndrore e Vjenës në kishën e Shën Luçisë në Durrës, rashë në kontakt me disa dokumenta që i shihja për herë të parë, të cilat me ngjallën kureshtjen për ti analizuar dhe për tu informuar më shumë rreth tyre.

Për të përfunduar dokumentacionin e transferimit të eshtrave jashtë Austrisë, duheshin kryer disa formalitete e proçedura shtetërore të veçanta nga administrata austriake. Së pari duhej që të kontrolloheshin regjistrat e inventarit të varrezës qëndrore (sipas datlindjes apo ditës së vdekjes së Kaçorrit), e në mënyrë të veçantë, libri i inventarit të bllokut ku gjindej varri i shqiptarit, ndër faqet e të cilit u gjend një dokument (vertëtim / mandat pagesë) që vërtetonte pagesen e taksës për jetë, të asaj copë tokë ku ishte varrosur atdhetari Nikollë Kaçorri.

Sipas ligjit austriak, për çdo copë tokë të përdorur si varr, administratës së varrezave, i duhej paguar taksa e truallit, përndryshe ky truall i jepej në përdorim përsonave të tjerë për varrime. Për këtë arsye, gjë që vërtetohej nga dokumenti origjinal që kisha përpara, këtë taksë të dëtyrueshme për varrin e atdhetarit shqiptar Nikollë Kaçorri, e kishte paguar me datën 31 Maj 1917, Z. Nikolaus Rotta me profesion mësues i gjuhës shqipe në Vjenë, i cili kishte nënshkruar kontratën për të paguar shumën mujore prej 100 Krone-sh. Ky akt i pashoq njerëzor e atdhetar, më nxiti të bëj kërkime të matejshme për të mësuar se kush ishte Nikolaus Rotta, për tu informuar mbi jeten e tij. Sipas dokumenteve dhe informacioneve të bashkohësve, Kola pat shumë kontakte dhe kujdesej për Imzot Nikollë Kaçorrin gjatë qëndrimit të tij për kurim në Sanatorium në Vjenë si dhe ndihmoj shumë në organizimin e ceremonisë funebre të ish nënkryetarit të qeverisë së parë Shqiptare, Kaçorrit.

Nikolaus Rotta ose Kolë Rrota, i lindur në qytetin e Shkodres me 22 gusht 1880, ishte djali i parë i familjes me tradita qytetare e atdhetare të Gjush Rrotës. Shtëpia prindore, ku u lind Kola, ndodhej asokohe në rrugicën e Gurakuqëve, mu përballë shtëpisë ku jetonte Luigj Gurakuqi, me të cilin Kola e vëllezërit e tij kaluan fëmijërinë e patën miqësi vëllazërore. Nëna e Kolës, Marie Vjerdha, bijë nga një familje e njohur shkodrane, ndikoj shumë në edukimin atdhetar të 4 vllezërve. Kola ishte ma i madhi ndër vëllezërit. Mbas Kolës erdhën në jetë Simoni, Ndoci (At Justini) e Gjoni, të cilët Gjushi si burrë arsimdashës i shkolloj. Kolën e dërgoj së pari në Kolegjin Françeskan të Shkodres, e më pas në Kolegjin Jezuit të Shën Françesk Saverit të këtij qyteti. Sipas shënimeve që ka lënë nipi i tij, i ndjeri Rafael Rrota, prindët e dërguan Kolen, në fillim të shekullit të 20, në Klagenfurt të Austrisë ku ai kreu studimet e larta.

Vitet mbas studimeve e gjejnë Kolën mësues ndihmës të gjuhës shqipe në shkollën e Mati Logorecit në Prizren (1905) e më vonë, me kërkesën e Ministrisë së Jashtme të Austrisë, vëndoset si mësues në mes arbëreshëve të Zarës (Dalmaci), ku kishin punuar më parë Pashkë Bardhi dhe Ndue Paluca. Nga viti 1913, Kola punoj si ndihmës i Gjergj Pekmezit, i cili ishte asokohe këshilltar në Ministrinë e Jashtme të Austrisë për çështjet shqiptare, si dhe këshilltar e kujdestar i shqiptarëve që studionin në Austri apo që vinin në Vjenë për nëvoja të ndryshme shëndetësore.

Në Austri, Kola kishte mjaft njohje dhe kontakte me studiuesit gjermanishtfolës të gjuhës shqipe si M. Lambertz, A. Stotz, F. Manek. Ai ishte shumë aktiv në jetën politike, kulturore e sociale të komunitetit studentor si dhe ishte një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të shoqërisë “Dija” që u krijua me 27 dhjetor të vitit 1904 në Vjenë nga Gjergj Pekmezi e Hilë Mosi. Kola shkruante në “Kalendarin e Shoqërisë” nën inicialet K.R. Ai ishte i apasionuar mbas folklorit shqiptarë dhe mblidhte thënie të urta e fjalë të reja nga krahinat e ndryshme të Ballkanit ku banonin shqiptarë etnike. Në maj të vjetit 1913, gjatë kohës që ndodhej në Borgo Erizzo, Kola përfundoj së punuari librin e tij “Albanische Sprüche und Redensarten” i cili përmban 800 fjalë të urta, si dhe shprehje popullore shqipe. Libri që ishte frut i nji pune shumë vjeçare, ka 56 faqe, është punuar në gjuhën shqipe e gjermane dhe u botua në Vjenë në vitin 1914.

Në fundin e vitit 1917, Kolë Rrota dekorohet nga Madhërija e Tij Perandori e Mbreti Karl me Kryqin e Artë të Kurorës, për aktivitetin e tij si mësues e aktivist i dalluar në Vjenë si dhe në Koloninë Shqiptare në Zarë. Gazeta “Vllaznija” e Vjenës e datës 2 dhjetor 1917 shkruan me këtë rast: “Madhnija e Ti Perandori e Mbreti Karl e nderoj bashkëpuntorin t´onë Professor Kolë Rroten me Kryq t´artë të meritimit me Kunorë. Jo vetëm tash në Vjenë si profesor i gjuhës shqipe n´Institut të Gjuhëve të lemit të Lindjes, por edhe ma përpara si mësues i Kolonisë Shqiptare n´Arbëreshë afër Zadre (Zara) ku Rrota u përpoq kurdoherë për të mirën e popullit të vet, qi e ka aq fort për zemër. Po e përgëzojmë pra zemërsisht bashkëpuntorin t´onë për këtë nishan (medalje) të bukur e me ne kanë me u gzue për të saktë të gjithë ata që kanë nderin me e njoftë mikun e bashkëpuntorin tonë”.

Mbas këtij lajmi, po në këtë gazetë, vjen falenderimi që Kola shkruan për bashkëatdhetarët me 8 dhjetor e që u botua me 11 dhjetor 1917:… Mbassi mjerisht s´po jam i zoti me u falë nderi veçanërisht gjithë atyne miqve, dashamirëve e nxansave, qi patnë mirësinë me m´përgëzue në rasë të nderimit t´em, po u lutem me i pelqye në ktë mënyrë falnderjet e mija ma të nxehtat e ma të përzemërtat për kujtim të dashtun qi kanë për mue. Nji falenderje të veçantë drejtimit të “Vëllaznisë” e “Postës së Shqipnisë”.

Me angazhimin e Gjergj Pekmezit në Komisinë Letrare të Shkodres, Kola zuri vendin e tij duke dhënë mësimin e gjuhës shqipe në Institutin Diplomatik të Vjenës, deri mbas luftës së parë botërore. Në vitin 1922, me hapjen e konsullatës së parë shqiptare në Vjenë, Kola u emrua Sekretar i Konsullatës ndërsa Konsull ishte Gjergj Pekmezi, i cili qëndroi në këtë detyrë deri në vjetin 1924, kur u zëvendësue nga Konsulli i ri Nush Bushati. Aktiviteti i Kolës në Konsullatë vazhdoj deri me 1926. Mbas këtij viti, ai vendos të kthehet në atdhe për të ju kushtuar jetës private e familjes. Mbas emrimit të Gjergj Pekmezit si Profesor për gjuhën shqipe në Institutin për gjuhët Indogjermane në Universitetin e Vjenës në 1928-të, Kolë Rrota kthehet përsëri në Austri, por kësaj rradhe me detyrën e Konsullit të Shqipnisë në Vjenë, si edhe merr përsipër kujdesjen ndaj shqiptarëve që studionin e kuroheshin në Austri.

Me vdekjen e Gjergj Pekmezit në 1938-ten, Kolë Rrota ngarkohet me drejtimin e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Institutin e gjuhëve Indogjermane në Universitetin e Vjenës deri sa doli në pension, mbas mbarimit të luftës së dytë botërore. Edhe mbas daljes në pension ai vazhdoj të ishte aktiv duke shkruar artikuj e studime mbi gjuhën shqipe. Kola ka vazhduar të mbajë kontakte të rregullta me familjen e tij në Shkodër me anë të letërkëmbimit, që nga viti 1960. Nipi i tij Rafaeli, i biri i piktorit të shquar Simon Rrota ka shkruar: “Unë Rafaeli kam vazhdue me pasë letërkëmbim me axhën Kolë, tue fillue nga mesi i vitit 1960, mbasi në atë periudhë baba Simon nuk ishte në gjendje me i shkrue. Në letrat qi unë i dërgojshe atij, e vejshe në dijeni mbi ecurinë e smundjes së babës Simon, e ma vonë me 1964-en e informojshe edhe për axhën, Pater Justinin. Në përgjigje të letrave, ai më falenderonte gjithmonë e më porosiste qi mos me e harrue atë, mbasi ishte në moshë të madhe. Letra e fundit e axhës Kolë mban datën 10.02.1965, vetëm 5 ditë para se të vdiste.

Gjatë qëndrimit të përhershëm në Austri, Kola udhëtoj vetëm 4 herë për në Shqipëri. Të parën herë në qeshor të 1905-sës, për të vizituar familjarët mbas tërmetit katastrofal që ra në Shkodër. Në vitet 1929 e 1932, ai erdhi me shërbime në Tiranë, si punonjës i Ministrisë së Jashtme, e të katertën herë më 28 nëntor 1937, i ftuar nga shteti shqiptar në funksionin e Konsullit në Austri për kremtimin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë. Kola ishte martuar dy herë. Gruaja e tij e parë Maria Jiriczek vdiq në vjetin 1940 e dëshprueme nga humbja aksidentale e djalit të vetëm që e pat me burrin e parë. Ai kaloj disa vjet në vetmi deri sa vendosi të martohej për së dyti me Marianne-n, e cila ka vdekë 3 vjet mbas tij. Kola nga të dy martesat nuk ka pasur fëmijë. Ai vdiq në Vjenë me 15 shkurt 1965 në moshën 85 vjeçare. U varros në varrin e familjes së bashkëshortes Maria Jiriczek.

Madhështia, personaliteti e atdhetarizmi i Kolës Rrotës me zgjuan dëshirën për të lokalizuar dhe vizituar varrin e tij, një ndërmarrje shumë e vështirë që më kushtoj përpjekje disa vjeçare. Por këmbëngulja më shpërbleu dhe pas shumë pengesash, me orientimin e administratës qëndrore të varrezave të Vjenës, në vitin 2011 gjeta dhe isha i pari shqiptar që vizitoj varrin e atdhetarit Kolë Rrota. Varri ndodhet në varrezën e famëshme në Grinzing, në Gruppin 8, Radhën 1, Numërin 5.

Vjenë, me 16.04.2020 / KultPlus.com

Përshkrimi i fotove:

Kolë Rrota me gruan e parë Marien dhe të birin e saj.

Anëtarë të shoqërisë “Dija” në Vjenë. Në mes Gjergj Pekmezi, nga e majta e tij Anton Paluca, nga e djathta e tij në këmbë Kolë Rrota

Pjeter Logoreci pranë varrit të Kolë Rrotës ne Vjenë.

Kopertina e librit të Kolë Rrotës

Fatura e taksës së Imzot Kaçorri