Ekskluzive: Adem Jashari, tonelata peshë gurë e dashuri, në një projekt të Destan Gashit (FOTO)

Realizimi i figurës së heroit, të cilin autori nga ana figurative do ta paraqesë mbi flakët dhe tymin e luftës me armikun, është një risi e ide revolucionare në artin e skulpturës, që autorit Destan Gashi i vjen në fantazi si rezultat i dashurisë që ai ka për heroin dhe sakrificën e tij për atdheun.

Nga Pjeter Logoreci

Nji vizitë në atelienë e skulptorit Destan Gashi në Himberg të Austrisë, ka kurdoherë të paprituna të kandëshme. Shkoj shpesh, sidomos kur ai vendosë me fillue nji projekt të ri, nji vepër të re. Mbas shumë ditësh larg mikut tim të artit, për arsyet e pandemisë që përfshiu botën, sot ishte nji ditë e veçantë mbushun me emocione e bukuri arti.

Nga telefonatat me Destanin, isha informue që, ai gjatë kohës në izolim  mendonte për të realizue një dëshirë që i sillej në kokë me vite: me gdhendë në gurë figurën e heroit të kombit Adem Jashari…. , por disi ndryshe, në një formë tjetër nga sa jemi msue me e pa ndër plot vepra të tjera që ka për te. Kur ma tregoj projektin, u befasova nga ideja e konceptimit, nga mëndyra se si artisti Destan Gashi do ta paraqiste heroin e tij, heroin tonë. Po ashtu të veçanta do të ishin edhe përmasat e veprës si dhe mendimi “me e pasë” këtë personazh / gurë, krejt për vehte.

Ideja, për me e vendosë, jo ndër salla pompoze e akademi të mbyllura por, në oborrin e shtëpisë së tij në fshat/Kosovë, me preku thellë, mbasi mu duk një akt i përveçëm e pasionant.  Nuk ka si të jetë ndryshe kur zemra rreh fort për atdheun, për historinë e dhimbshme të tij.

Në atelie, u gjenda përballë një modeli si dhe një guri gjigand prej shtufi (Sandstein), nga i cili do të dilte vepra. Tonelatat e përmasat e gurit sikur më tregonin peshën që heroi Adem Jashari ka në zemrën e skultptorit Gashi.

Vepra, proçesi i të cilës sapo ka fillue, ka përmasat 1m x 1.20m, do të qëndrojë dhe ekspozohet në atelienë e tij në Himberg, ndërsa projekti i dytë dhe më i veçantë do të jetë: një punim i dytë i kësaj figure, por me mermerë të kuq Kosove, në përmasat 2.40m x 1.80m  dhe do të jetë pjesë e ambienteve të shtëpisë së skulptorit në Kosovë.

Realizimi i figurës së heroit, të cilin autori nga ana figurative do ta paraqesë mbi flakët dhe tymin e luftës me armikun, është një risi e ide revolucionare në artin e skulpturës, që autorit Destan Gashi i vjen në fantazi si rezultat i dashurisë që ai ka për heroin dhe sakrificën e tij për atdheun.

Më poshtë po paraqes disa foto që realizova sot në atelienë e Destanit në Himberg, për të informue lexuesit për këtë vepër me vlerë që do të kemi së shpejti.

Nuk është hera e parë që shkruej për punën dhe artin e mrekullueshëm e të vlerësuem të Destanit, por me këtë vepër ai ka zgjuar ndjenjat e  zjarrta të shpirtit tim për këtë hero të shqiptarisë./KultPlus.com

Shtëpia e Pashko Vasës në Shkodër (FOTO)

Nga Pjeter Logoreci

Para pak kohe, duke shkelë për  një vizitë, në prakun e shtëpisë – muze të atdhetarit shkodran Pashko Vasa, mu kujtuan fjalët që më thoshte frati françeskan, atdhetari Ambroz Martini, gjatë takimeve të këndëshme herë pas heret tek ai.

  „Gropa e Shkodres ka pas nxjerrë burra që mateshin me bjeshkët, …. e fillonte me përmendë një varg të gjatë atdhetarësh që ja kushtuan apo e flijuan jetën për atdheun dhe lirinë e tij… Njerëz të thjeshtë, trima malsie, intelektual të shkolluar në perëndim e që u kthyen në atdhe për të dhënë kontributin e tyre,…. zyrtarë me origjinë shqiptare që punuan në administratat e vendeve të ndryshme, por që nuk e harruan kurrë vendin… e rreshti vazhdonte gjatë me emra trimash e personalitetesh të njohur të cilëve ne i detyrohemi për lirinë e trojeve tona. Ndër to rreshtohej emri i Pashko Vasës, burrit i cili dha ndihmesë të madhe, në shumë drejtime në të mire të atdheut.

“O moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush të ka qitë me krye n’hi?? ….nuk ka vajzë e as djalë shqiptarit, që nuk i ka shqiptue ose ndigjue nji herë këto vargje kushtrimi, që nuk i ka dhëmbur shpirti nga kjo ofshamë e dala nga gjoksi  i njeriut që digjet për atdhe. E jo vetëm këto vargje, por edhe aktiviteti diplomatik, artistik e patriotik, e rritën ndër vite figurën shumëdimensionale të Pashko Vasës.

Pak mbi familjen e Pashko Vasës.

Lindi me 17 shtator 1825, nga prindët Roza dhe Hile Vasa. Pat edhe një vëlla, Nikollën dhe një motër që quhej Gonxhe. Bir i një familje me tradita qytetare e kulturë të gjërë, që zotëronte emër të mirë dhe pasuri në qytetin e Shkodres, Pashko-ja mësimet fillestare i mori në Shkodër, e qysh i ri, i prekur nga problemet e mprehta sociale të kohës si dhe gjendja e mjerë e atdheut, ai fillon të reagoje duke shkruar në disa gjuhë.

Pashko, fliste dhe shkruante në frengjisht, italisht, greqisht, turqisht, arabisht, serbisht dhe anglisht. U martua në vjentin 1855 me një grua shkodrane të cilës nuk i dihet emri (sipas Vehbi Balës), me të cilën pat Rozën, Linden, Marien, një djalë të quajtur Lerish dhe Silven. Si gruaja Roza ashtu edhe 4 nga fëmijët,  vdiqën të rinj.  Pashko u martua për së dyti me Katerina Bonatin (të cilën meqenëse ishte ortodokse e quanin “grekja”) e cila po ashtu  vdiq shpejt nga tuberkulozi. E bija e Pashkos, Roza, u martua me një shtetas turk me origjinë armene të njohur si KUPELIAN dhe pat dy vajza Silven dhe Mariken.

Për herën e tretë, Pashko u martua me Berta Lerish, një grua franceze që e kish njohur në Stamboll, me të cilën pat dy djem Mikelin dhe Leonin. Djali i madh Mikeli vdiq i pamartuar në 1914-tën, ndërsa Leoni i cili pat lindë në Beirut, vdiq rreth viteve 30-të, duke lenë një vajzë që jetoj deri vonë në Francë.

Me 18 qeshor 1883, Pashko Vasa emrohet guvernator i Libanit. Vitet e fundit të jetës , ai ka vuajtur nga sëmundja e zemrës, por thuhet që vdiq nga gripi me 29 qeshor 1892. U përcoll në varrezën e fundit në Liban, nga miqtë e tij Filip Shiroka dhe Ismail Qemali. Eshtrat e tij dhe të gruas së tij, Katerinës, u sollën në Shqipëri nga Libani në vitin 1978 dhe janë të vëndosura në varrezat e deshmorve në Shkoder.

Shtëpia e Pashko Vasës, degë e Lidhjes së Prizrenit

Objekti kryesor që ka mbetur dhe që aktualisht na lidh me figurën e atdhetarit Pashko Vasa, është shtëpia e tij në Shkoder që ishte baza kryesore e Lidhjes së Prizrenit, sot Monument Kulture. Kjo shtëpi, që sot është e vendosur si objekt në hartën turistike të Shkodres, ka një histori të lavdishme, pasi jo vetëm ishte degë e Lidhjes së Prizrenit, vendi ku mbaheshin takimet e aktivistëve për çeshtjen kombëtare, por falë vlerave arkitekturore dhe etnografike, është pikë e preferuar e të huajve që vizitojnë vendin tonë.

Sipas dëshmive të njërzve që kanë jetuar aty, kjo shtëpi ka një histori rreth 300 vjeçare. Ajo është rinovuar e restauruar tërësisht në vitin 1977 si dhe në vitin 2013, nga shteti shqiptar. Të gjitha dyert, dyshemetë, dritaret, tavanet e çardaku, janë punuar nga restaurator profesionist sipas origjinalit, në dru. Sot është një shtëpi e kategorisë së parë dhe i është kthyer si pronë private trashëgimtarve të familjes Vasa, qysh në vitin 1971. Shtëpinë e rrethojnë muret e larta karakteristike të Shkodres dhe në oborrin e saj qëndrojnë në origjinal, pusi i gurtë, lugu prej guri i larjes së rrobave, govata prej guri e shpërlarjes së rrobave dhe shkalla prej guri të latuar.

Sipas thënieve që mblodha nga disa pjestar të familjeve shkodrane që jetojnë në afërsi të degës së Lidhjes së Prizrenit, po në shtëpi karakteristike shkodrane, si familjet Suma, Kamsi, Gjonej, Kraja, Guga, Shiroka, thuhet që edhe kjo shtëpi duhet të jetë ndërtuar në  atë periudhë. Kjo mund të dallohet nga karakteristikat e njëjta me shtëpitë e tjera shkodrane që gjinden në të njëjtën zonë, që kanë pothuajse të njëjtën arqitekturë, fasada,  strukturën e mbrendëshme e po ashtu edhe oborret. Pjesa mbrendëshme e shtëpisë është e ndarë ndër dhoma të mëdha, të cilat kanë tavane të gdhendur në dru, të një bukurie të veçantë, ballkone për qëndrimin e grave, apo raftet e futura në mur. Dhoma e ndejës ose në gjuhën popullore “oda e zjermit”, që komunikon me dhomat e tjera me anë të koridoreve të vogla të veshur në dru të gdhendur, ka dritare të mëdha druri të mbrojtura me hekura, që e mbushin me dritë dhe hapin një pamje të mrekullueshme të oborrit të stolisur me luleborën e lulevilen tradicjonale të Shkodres.

Një çardak i madh hapet në mbarim të shkallëve të gurta, ku zotërojnë  “qoshja e ndejës” dhe kandilat e shandanat karakteristik të tipit oriental. Poshtë pjesës së banuar, janë ahuret ku mbaheshin objektet e përdorimit të radhë, drutë e ngrohjes si dhe veglat për të punuar kopshtin dhe oborrin. Përpara shtëpisë është oborri me lule dhe lojrat e fëmijëve, ndërsa prapa kopshti i zarzavateve dhe pemëve frutore.

Përsëri sot, shtëpia është një pikë turistike që preferohet nga turistë nga e gjithë bota, jo vetëm për arkitekturen e veçantë, por edhe për të fjetur, pasi familja Vasa, në disa dhoma të shtëpisë, ka plotësuar kushtet normale të jetesës ku mund të flihet komod e me kujtimet e kohëve të shkuara. Shpresoj dhe uroj që bukurisë së fasadave dhe arkitekturës karakteristike të shtëpive të vjetra shkodrane, ti shtohet edhe shtëpia ku lindi dhe u rrit heroi kombëtar Luigj Gurakuqi, e cila nga moskujdesija e shtetit u rrënua. Kjo është dëshira e çdo shqiptari atdhetar dhe e çdo qytetari shkodran, pasi është identiteti ynë./KultPlus.com

SONY DSC

Mbi jetën e veprën e atdhetarit Kolë Rrota në Vjenë

I dekoruar, në vitin 1917 me Kryqin e Artë të Kurorës nga Madhërija e Tij Perandori Karl, për punën e tij shëmbullore si mësues e aktivist në Vjenë dhe Koloninë Shqiptare në Zarë.

Nga Pjeter Logoreci

Ndër ditët e tetorit të vjetit 2010, ndërsa isha i angazhuar me nxjerrjen dhe riatdhesimin e eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, nga varreza qëndrore e Vjenës në kishën e Shën Luçisë në Durrës, rashë në kontakt me disa dokumenta që i shihja për herë të parë, të cilat me ngjallën kureshtjen për ti analizuar dhe për tu informuar më shumë rreth tyre.

Për të përfunduar dokumentacionin e transferimit të eshtrave jashtë Austrisë, duheshin kryer disa formalitete e proçedura shtetërore të veçanta nga administrata austriake. Së pari duhej që të kontrolloheshin regjistrat e inventarit të varrezës qëndrore (sipas datlindjes apo ditës së vdekjes së Kaçorrit), e në mënyrë të veçantë, libri i inventarit të bllokut ku gjindej varri i shqiptarit, ndër faqet e të cilit u gjend një dokument (vertëtim / mandat pagesë) që vërtetonte pagesen e taksës për jetë, të asaj copë tokë ku ishte varrosur atdhetari Nikollë Kaçorri.

Sipas ligjit austriak, për çdo copë tokë të përdorur si varr, administratës së varrezave, i duhej paguar taksa e truallit, përndryshe ky truall i jepej në përdorim përsonave të tjerë për varrime. Për këtë arsye, gjë që vërtetohej nga dokumenti origjinal që kisha përpara, këtë taksë të dëtyrueshme për varrin e atdhetarit shqiptar Nikollë Kaçorri, e kishte paguar me datën 31 Maj 1917, Z. Nikolaus Rotta me profesion mësues i gjuhës shqipe në Vjenë, i cili kishte nënshkruar kontratën për të paguar shumën mujore prej 100 Krone-sh. Ky akt i pashoq njerëzor e atdhetar, më nxiti të bëj kërkime të matejshme për të mësuar se kush ishte Nikolaus Rotta, për tu informuar mbi jeten e tij. Sipas dokumenteve dhe informacioneve të bashkohësve, Kola pat shumë kontakte dhe kujdesej për Imzot Nikollë Kaçorrin gjatë qëndrimit të tij për kurim në Sanatorium në Vjenë si dhe ndihmoj shumë në organizimin e ceremonisë funebre të ish nënkryetarit të qeverisë së parë Shqiptare, Kaçorrit.

Nikolaus Rotta ose Kolë Rrota, i lindur në qytetin e Shkodres me 22 gusht 1880, ishte djali i parë i familjes me tradita qytetare e atdhetare të Gjush Rrotës. Shtëpia prindore, ku u lind Kola, ndodhej asokohe në rrugicën e Gurakuqëve, mu përballë shtëpisë ku jetonte Luigj Gurakuqi, me të cilin Kola e vëllezërit e tij kaluan fëmijërinë e patën miqësi vëllazërore. Nëna e Kolës, Marie Vjerdha, bijë nga një familje e njohur shkodrane, ndikoj shumë në edukimin atdhetar të 4 vllezërve. Kola ishte ma i madhi ndër vëllezërit. Mbas Kolës erdhën në jetë Simoni, Ndoci (At Justini) e Gjoni, të cilët Gjushi si burrë arsimdashës i shkolloj. Kolën e dërgoj së pari në Kolegjin Françeskan të Shkodres, e më pas në Kolegjin Jezuit të Shën Françesk Saverit të këtij qyteti. Sipas shënimeve që ka lënë nipi i tij, i ndjeri Rafael Rrota, prindët e dërguan Kolen, në fillim të shekullit të 20, në Klagenfurt të Austrisë ku ai kreu studimet e larta.

Vitet mbas studimeve e gjejnë Kolën mësues ndihmës të gjuhës shqipe në shkollën e Mati Logorecit në Prizren (1905) e më vonë, me kërkesën e Ministrisë së Jashtme të Austrisë, vëndoset si mësues në mes arbëreshëve të Zarës (Dalmaci), ku kishin punuar më parë Pashkë Bardhi dhe Ndue Paluca. Nga viti 1913, Kola punoj si ndihmës i Gjergj Pekmezit, i cili ishte asokohe këshilltar në Ministrinë e Jashtme të Austrisë për çështjet shqiptare, si dhe këshilltar e kujdestar i shqiptarëve që studionin në Austri apo që vinin në Vjenë për nëvoja të ndryshme shëndetësore.

Në Austri, Kola kishte mjaft njohje dhe kontakte me studiuesit gjermanishtfolës të gjuhës shqipe si M. Lambertz, A. Stotz, F. Manek. Ai ishte shumë aktiv në jetën politike, kulturore e sociale të komunitetit studentor si dhe ishte një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të shoqërisë “Dija” që u krijua me 27 dhjetor të vitit 1904 në Vjenë nga Gjergj Pekmezi e Hilë Mosi. Kola shkruante në “Kalendarin e Shoqërisë” nën inicialet K.R. Ai ishte i apasionuar mbas folklorit shqiptarë dhe mblidhte thënie të urta e fjalë të reja nga krahinat e ndryshme të Ballkanit ku banonin shqiptarë etnike. Në maj të vjetit 1913, gjatë kohës që ndodhej në Borgo Erizzo, Kola përfundoj së punuari librin e tij “Albanische Sprüche und Redensarten” i cili përmban 800 fjalë të urta, si dhe shprehje popullore shqipe. Libri që ishte frut i nji pune shumë vjeçare, ka 56 faqe, është punuar në gjuhën shqipe e gjermane dhe u botua në Vjenë në vitin 1914.

Në fundin e vitit 1917, Kolë Rrota dekorohet nga Madhërija e Tij Perandori e Mbreti Karl me Kryqin e Artë të Kurorës, për aktivitetin e tij si mësues e aktivist i dalluar në Vjenë si dhe në Koloninë Shqiptare në Zarë. Gazeta “Vllaznija” e Vjenës e datës 2 dhjetor 1917 shkruan me këtë rast: “Madhnija e Ti Perandori e Mbreti Karl e nderoj bashkëpuntorin t´onë Professor Kolë Rroten me Kryq t´artë të meritimit me Kunorë. Jo vetëm tash në Vjenë si profesor i gjuhës shqipe n´Institut të Gjuhëve të lemit të Lindjes, por edhe ma përpara si mësues i Kolonisë Shqiptare n´Arbëreshë afër Zadre (Zara) ku Rrota u përpoq kurdoherë për të mirën e popullit të vet, qi e ka aq fort për zemër. Po e përgëzojmë pra zemërsisht bashkëpuntorin t´onë për këtë nishan (medalje) të bukur e me ne kanë me u gzue për të saktë të gjithë ata që kanë nderin me e njoftë mikun e bashkëpuntorin tonë”.

Mbas këtij lajmi, po në këtë gazetë, vjen falenderimi që Kola shkruan për bashkëatdhetarët me 8 dhjetor e që u botua me 11 dhjetor 1917:… Mbassi mjerisht s´po jam i zoti me u falë nderi veçanërisht gjithë atyne miqve, dashamirëve e nxansave, qi patnë mirësinë me m´përgëzue në rasë të nderimit t´em, po u lutem me i pelqye në ktë mënyrë falnderjet e mija ma të nxehtat e ma të përzemërtat për kujtim të dashtun qi kanë për mue. Nji falenderje të veçantë drejtimit të “Vëllaznisë” e “Postës së Shqipnisë”.

Me angazhimin e Gjergj Pekmezit në Komisinë Letrare të Shkodres, Kola zuri vendin e tij duke dhënë mësimin e gjuhës shqipe në Institutin Diplomatik të Vjenës, deri mbas luftës së parë botërore. Në vitin 1922, me hapjen e konsullatës së parë shqiptare në Vjenë, Kola u emrua Sekretar i Konsullatës ndërsa Konsull ishte Gjergj Pekmezi, i cili qëndroi në këtë detyrë deri në vjetin 1924, kur u zëvendësue nga Konsulli i ri Nush Bushati. Aktiviteti i Kolës në Konsullatë vazhdoj deri me 1926. Mbas këtij viti, ai vendos të kthehet në atdhe për të ju kushtuar jetës private e familjes. Mbas emrimit të Gjergj Pekmezit si Profesor për gjuhën shqipe në Institutin për gjuhët Indogjermane në Universitetin e Vjenës në 1928-të, Kolë Rrota kthehet përsëri në Austri, por kësaj rradhe me detyrën e Konsullit të Shqipnisë në Vjenë, si edhe merr përsipër kujdesjen ndaj shqiptarëve që studionin e kuroheshin në Austri.

Me vdekjen e Gjergj Pekmezit në 1938-ten, Kolë Rrota ngarkohet me drejtimin e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Institutin e gjuhëve Indogjermane në Universitetin e Vjenës deri sa doli në pension, mbas mbarimit të luftës së dytë botërore. Edhe mbas daljes në pension ai vazhdoj të ishte aktiv duke shkruar artikuj e studime mbi gjuhën shqipe. Kola ka vazhduar të mbajë kontakte të rregullta me familjen e tij në Shkodër me anë të letërkëmbimit, që nga viti 1960. Nipi i tij Rafaeli, i biri i piktorit të shquar Simon Rrota ka shkruar: “Unë Rafaeli kam vazhdue me pasë letërkëmbim me axhën Kolë, tue fillue nga mesi i vitit 1960, mbasi në atë periudhë baba Simon nuk ishte në gjendje me i shkrue. Në letrat qi unë i dërgojshe atij, e vejshe në dijeni mbi ecurinë e smundjes së babës Simon, e ma vonë me 1964-en e informojshe edhe për axhën, Pater Justinin. Në përgjigje të letrave, ai më falenderonte gjithmonë e më porosiste qi mos me e harrue atë, mbasi ishte në moshë të madhe. Letra e fundit e axhës Kolë mban datën 10.02.1965, vetëm 5 ditë para se të vdiste.

Gjatë qëndrimit të përhershëm në Austri, Kola udhëtoj vetëm 4 herë për në Shqipëri. Të parën herë në qeshor të 1905-sës, për të vizituar familjarët mbas tërmetit katastrofal që ra në Shkodër. Në vitet 1929 e 1932, ai erdhi me shërbime në Tiranë, si punonjës i Ministrisë së Jashtme, e të katertën herë më 28 nëntor 1937, i ftuar nga shteti shqiptar në funksionin e Konsullit në Austri për kremtimin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë. Kola ishte martuar dy herë. Gruaja e tij e parë Maria Jiriczek vdiq në vjetin 1940 e dëshprueme nga humbja aksidentale e djalit të vetëm që e pat me burrin e parë. Ai kaloj disa vjet në vetmi deri sa vendosi të martohej për së dyti me Marianne-n, e cila ka vdekë 3 vjet mbas tij. Kola nga të dy martesat nuk ka pasur fëmijë. Ai vdiq në Vjenë me 15 shkurt 1965 në moshën 85 vjeçare. U varros në varrin e familjes së bashkëshortes Maria Jiriczek.

Madhështia, personaliteti e atdhetarizmi i Kolës Rrotës me zgjuan dëshirën për të lokalizuar dhe vizituar varrin e tij, një ndërmarrje shumë e vështirë që më kushtoj përpjekje disa vjeçare. Por këmbëngulja më shpërbleu dhe pas shumë pengesash, me orientimin e administratës qëndrore të varrezave të Vjenës, në vitin 2011 gjeta dhe isha i pari shqiptar që vizitoj varrin e atdhetarit Kolë Rrota. Varri ndodhet në varrezën e famëshme në Grinzing, në Gruppin 8, Radhën 1, Numërin 5.

Vjenë, me 16.04.2020 / KultPlus.com

Përshkrimi i fotove:

Kolë Rrota me gruan e parë Marien dhe të birin e saj.

Anëtarë të shoqërisë “Dija” në Vjenë. Në mes Gjergj Pekmezi, nga e majta e tij Anton Paluca, nga e djathta e tij në këmbë Kolë Rrota

Pjeter Logoreci pranë varrit të Kolë Rrotës ne Vjenë.

Kopertina e librit të Kolë Rrotës

Fatura e taksës së Imzot Kaçorri

Gjashtë vjet punë në arkivat e Vjenës, Pjetër Logoreci sjell librin “Histori shkodrane në fotografi”

Romeo Gurakuqi

Në kohën e “Ikjes së Madhe” të pasardhësve të familjeve shkodrane që vendosën themelet e politike dhe kulturore  të Rilindjes dhe formimit kombëtar nga qyteti i tyne i zemrës, publikut i vjen nji libër i veçantë, që përmban mesazhe kuptimplote mbi kujtesën historike dhe nevojën korigjuese dhe ripërtëritëse të ish kryeqendrës së Shqipnisë.

Albumi HISTORI SHKODRANE NË FOTOGRAFI, i konceptuem dhe i realizuem nga zotni Pjetër Logoreci, asht fryt i nji pune sistematike kërkimore disavjeçare të autorit në disa arkiva të Republikës Federale të Austrisë: në Arkivin e Shtetit Austriak, Arkivin e Bibliotekës Nacionale të Vjenës, Arkivin e Bashkisë së Vjenës, Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Vjenës dhe Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Gracit.

Të ecësh besnikërisht sot në udhën kulturore, politike, atdhetare dhe emancipuese të përcaktueme nga nji bashkësi e papërsëritshme qytetarësh dhe intelektualësh të shquem, asht nji sfidë dhe betim fisnik që e ndeshim rallë në ditët tona. Megjithate, ne e gjejmë atë të konkretizuem në aktivitetin e përditshëm të Pjetër Logorecit. Do të mjaftonte ky album, për të kuptue përkushtimin dhe betimin me veten, që autori ka ba, per me i qendrue rrugës së dikurshme të përsonaliteteve krenare të familjes së tij dhe Shkodrës së njërëzve të urtë, themeluesve të gjuhës së shkrueme shqipe, të shkollës, historisë kombëtare, bazave të politikës albanianiste dhe europianiste, lëvizjes ma të përparueme drejt mevetësimit, konceptimit të shtetformimit dhe jetës politike bazue mbi kushtetutë dhe liri.

Pa e njoftë modelin edukativ familjar dhe komunitar shkodran ku asht formue Pjetër Logoreci, nuk mund të shpjegohet, se si nji emigrant i zakonshëm në dukje, përdor oportunitetin rastësor të rezidencës për 22 vite në Austri, për t’iu kushtue zbulimit nga arkivat e vendit të drejtë protektor të Shqipnisë, të historisë kulturore, politike, sociale të Shkodrës, kryeqendrës tradicionale të Gegnisë, historisë politike të Shqipnisë, njerëzve të shquem të saj që themeluen shtetin. Asht modeli i dashnisë së pa interes për Shqipninë arbnore të europianizueme, shtysa qe ka udheheqë prej kohëve të errëta të pushtimit otoman, dhjetra e qindra familje shkodrane, në aspiraten dhe lëvizjen për emancipim kulturor, administrativ dhe politik. Janë të njejtat familje që sfiduan me qendrese të naltë intelektuale, regjimet autoritare të krijueme në vend në vitet 1920-, 1930’. Të njëjtat qe nuk u përkulen dhe e sfiduan me urtësi, në heshtje diktaturen e injorancës gjakatare. Asht pjesa e Shqipnisë së vetedijshme, minoranca e qytetnueme e dashnise së pa-interes ndaj atdheut, popullit dhe te ardhmes në progres dhe unitet të padallimtë. Asht ajo bashkësi që u nxor jashtë në heshtje dhe me djallëzi, ne vitet e tranzicionit prej vendit, duke e dobësue rrugën qytetnuese dhe normalizuese të Shqipnisë. Ajo që sot sheh nga jashtë vatrës labeate, rrugën pa krye dhe pa udhëzim atnor që ka marrë vendi.

Duke ndjekun me mundësitë e tij modeste, udhen e ideatorit te Klubit «Gjuha Shqipe” (1908), autorit të “Historise së Përgjithshme”, delegatit të Shoqnisë «Agimi» në Kongresin e Manastirit, Kryetarit të «Komisis Letrare», Kryeredaktorit të Fletores “Vullneti i Popullit”, 1929-1930, shkrimtarit dhe patriotit në za Mati Logoreci, anetarëve të tjerë të familjes së vet, nder te cilet spikat shkrimtari, gazetari i BBC, Anton Logoreci, Pjetri na sjell sot nji libër që duhet «lexue» me kujdes përmes fotove të vendosuna në nji rend tematik dhe kronologjik mjaft mirë të menduem.

Të përpilosh nji vepër për Shkodrën, nuk mund të mos thuash dy fjalë për këtë zhvillim të posaçëm të këtij qyteti, nuk mund të lësh pa shpjegue arsyet e zhvillimit të diferencuem dhe të spikatun, në aspektin e kandit të naltë të konceptimit të Shqipnisë, se lirë, të pavarun dhe të modernizueme. Rrethanat lidhen jo vetëm me faktin se ky qytet ishte ndër ato qendra urbane në Veri që i mbijetoi proceseve ruralizuese në trevat shqiptare gjatë pushtimit otoman, por se me Shkodren lidhet rihyrja graduale e Europës në Shqipni, përmes ndriçimit të vatrave mbijetuese të Arbnisë. Nji rol të posaçëm në këtë depërtim kulturor dhe rizgjues të popullsisë  ka luajtë Austria dhe ma vonë  edhe Italia.

Duhet të kujtojmë, se Austria, që nga shekullit XVII kishte marrë mbi vete të drejtat e mbrojtjes së katolikëve të Perandorisë Osmane. Në konceptin e Protektoratit të Kultit përfshiheshin ngritja dhe mirëmbajtja e kishave, arsimimi i klerit dhe mbrojtja e kongregacioneve në Shqipni. Mirëpo aktivitetin e vet në politikën e shtrirjes drejt Lindjes, Austria nuk e kufizoi vetëm në kufizat komunitare religjioze, por e shtriu për të gjithë popullsinë shqiptare, pavarësisht besimit. Pas marrjes së kësaj të drejte, që në shekullin e XVIII, Austria filloi të hapte konsullatat dhe nën-konsullatat e veta në trevat shqiptare, ndër të cilat, ajo e Shkodrës zën nji pozicion me randësi të cilësueme. Gradualisht, për shkak të këtij aktiviteti austriak, filloi gjallërimi i veprimtarisë humaniste, ngritja e institucioneve të arsimit, përkrahja indirekte e zhvillimit kombëtar dhe mbajtja me subvencionime dhe bursa mësimore e kuadrit të ri vendas. Austria sidomos që nga Kongresi i Berlinit deri në fund të Luftës së Parë Botërore e intensifikoi në nivele shumë të nalta këtë aktivitet në drejtim të formësimit arsimor, kulturore dhe mëvetësues të Shqipnisë, nga Shkodra. Për rivalitet, nga dekada e fundit e shekullit XIX, kësaj veprimtarie iu bashkue edhe Italia. E gjithë kjo veprimtari edhe u prodhua prej dy fuqive mike dhe rivale, por edhe rastisi me Rizgjimin Kombëtar të Shqipnisë.

Falë punës së palodhun të Austrisë, në Shkodër u themeluen institutet mësimore dhe kulturore të drejtueme prej Klerit Katolik, në Shkodër e në rrethet e saj. Gradualisht, në dekada, në shkollat e etërve Jezuitë dhe Françeskanë, rinia shkodrane, shkollore dhe jashtëshkollore, mori prej barinjve të kishës së financuem me mençuri nga vendi protektor, një arsimim solid shkencor dhe një edukatë të naltë morale dhe atdhetare. Jo vetëm në qytet, por edhe në viset ma të largëta të Alpeve tona, frati shqiptar ndezi kudo votren arsimore dhe kulturore arbnore, duke zgjue atdhedashuninë e ndrydhun prej shekujve të shtypjes mizore dhe duke edukue gradualisht fatosat e lirisë së ardhshme.

Ky tharm i ngjizun prej Austrisë dhe Italisë, nuk prodhoi shërbenjës të politikave të Vjenës dhe Romës; nuk prodhoi austriakë apo italianë, por veç shqiptarë të denjë të pararojës mëvetësuese në fillimin e shekullit të XX. Ishte rrjedhojë logjike e nji programi zhvillimi dhe emancipimi të gjithanshëm të kombit që dilte nga errësina.

Albumi i Pjetër Logorecit sjell pikërisht këtë kohë kur Shkodra udhëheq me arritjet e saj nën proteksion, drejton me vizion dhe stekë të naltë Shqipninë Arsimore, Gjuhësore, Letrare dhe komb-formuese. Janë vitet, kur mbas shpalljes së Kushtetutës së vitit 1908, liria e parë e arbënve e dalun në dritë vetvetiu, nuk mund të futej ma në errësinë. Janë vitet kur Malësia, Kosova dhe e gjithë Shqipnia buçet prej pushkëve të djeljmnisë së saj, të frymëzuem prej flamurit të qendisun nga shkodranët dhe të naltësuem prej Lekëve të Malësisë të drejtuem prej Ded Gjo’Lulit. Janë kohët e projektit të autonomisë dhe mëvetësisë, që ringjallën ndërkohë frikërat e krajlëve për të ndalun daljen madhështore në Adriatik të Ilirisë. Këtë kohë të madhe të Rilindjes Kryengritëse (1908-1912), të Qendresës ndaj Krajlëve (1912-1913), Shtetformimit  të parë (1912-1914), Luftës së Madhe (1914-1918) dhe administrimit të lavdishëm austro-hungarez (1916-1918), Pjetër Logoreci, përmes fotove të vendosuna në nji rend tematik na e sjell ne sot. Në këtë album gjejmë fotografi të realizueme nga grupi i gazetarëve të kuartierit të luftës në Shkoder, por edhe në të gjithë Shqipninë.

Skenat e luftës me Malin e Zi, llogoret në Tarabosh, bombardimi i qytetit, pamjet e kishave dhe shtëpijave të shembuna, trupave malazeze në rrugët e Shkodres, do na kthejnë ne, në rrëfimet e gjyshërve tonë mbi kohën e rrethimit 6 mujor të qytetit, tetor 1912 deri në prill 1913.

Fotot e delegacjonit të fisnikëve shqiptarë të primë nga Nikollë Kaçorri, në Vjenë, apo të figurave të njohtuna të atdhetarëve shqiptarë, që kanë pasë Lidhje me Vjenën, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Kolë Rrota, Gjergj Pekmezi etj., i japin nji mesazh aktual ndërgjegjës sonë të sotme të ç’orientueme, mbi nevojën e një vendosjeje të qendrueshme përkrah miqve të vertetë të europianizimit dhe perëndimizimit të Shqipnisë, së ndalun sot në nji kryqëzim të panjohun. Autori, sipas meje, jo pa qellim na ka sjellë fotot e mirënjohjes së elitës shqiptare të kohës ndaj Perandorit Franc –Jozef. Bahet fjale për delegacionin shqiptar që ka shkue me ba homazhe tek vorri i sovranit të vëmendshëm dhe largpamës, por edhe për të përshëndetë e njohtë Kaiserin e ri, Karl, i cili udhëhoqi perandorinë dualiste në dy vitet e fundit të jetës shtetnore. Në këtë album ne do të gjejmë foto-dëshmi të vizitës së Arqidukës Maximilian (pjestar i familjes perandorake), i shoqnuem nga trupat ushtarake austro-hungareze; foto nga ndërtimi i rrugëve dhe hekurudhës nga ushtarakët austro-hungarezë, në kohën e administrimit austriak të Shqipnisë, kohë që la vulën e vet në rithemelimin shtetnor pas Luftës së Parë Botnorë, nga dhjetori 1918 deri në nëntor 1921. E them këtë sepse në vitet 1916-1918 u hodhën bazat e europianizimit institucional të vendit nën mbikqyrjen e drejtpërdrejtë austriake; gjuha shqipe u ba gjuhë zyrtare për herë të parë në administratën vendase, drejtimi u vendos mbi kriteret e respektimit të hierarkisë intelektuale, konservatorizmi feudal i trashëguem u zmbraps në mënyrë rrënimtare, fuqitë ballkanike që punonin më vendosmëri kundër Shqipnisë për ta destabilizue, u dërrmuen nën goditjet e ushtrisë së perandorisë mike.

Albumi asht jo vetëm nji kujtim i nji kohe të shkueme dhe homazh për brezin e gjyshërve tonë idealistë dhe atdhedashës, por unë e lexoj ate edhe si nji thirrje për të gjithë ne, brezin e sotëm të të mbijetuarve të përsekutimit të komplikuar komunist dhe neokomunist, që të bajmë çfarë kena mundësi për të ndalun tatëpjetën e fundosjes në heshtje të një kulture krenare dhe identitare.

Pjetër Logoreci indirekt dhe me finese ban thirrje për të mos e lëshue vendin, përfaqësinë krahinore dhe qendrore të Shkodrës, në duar servitorësh terminale të politikave asgjësuese të pozicionit parësor të Rozafatit, fatin e vendit në mëshirë të duerve të mbrapshta që e kanë kapërthye. Asht koha e ndërtimit të nji programi politik të mbështetun në traditën dhe në bashkëkohësinë dhe e përdorimit të studiuem të burimeve të kualifikueme intelektuale dhe teknike, që familjet shkodrane kanë formësue në dekadat e fundit, për t’i shërbye si vullnetarë rilindas vendlindjes që lengon dhe therret për ndihmë./KultPlus.com

‘Përkushtimi shpirtnor i një artisti’

Kushtue mjeshtrit të pikturës Pjerin Sheldija

Nga Pjetër Logoreci

Si e gjithë Shqipnia edhe Shkodra ka shumë vende që mahnisin nga bukuria çdo kalimtar, vizitor apo turist të huej që (janë të shumtë). Një qytet unik, ku në pak kilometra katrorë gjinden: liqeni, tre lumej e deti ku derdhen ujnat e tyne, si dhe parajsa e bjeshkës të virgjër. E ndër këto mrekulli, një nga objektet ma të vizituem e ma pikantë të Shkodres është Katedralja e Sh’Shtjefnit, e cila të emocionon me bukurinë e madhështinë e saj. E çlirueme nga kangjellat rrethues shekullorë, sheshi dhe krejt hapsinat për rreth Kishës së Madhe (kështu e thërrasin shkodranët), të shtrueme me gurë të latuem e pllaka cilësore, të hijeshueme me bimësi e gjelbrim, të duken si gjerdan argjëndi. Ambientet, muzeu, sallat, fushat sportive, krijojnë për të gjithë ngrohtësi e përkujdesje sociale si dhe mjedis modern e çlodhës. Në çdo kohë të ditës, por sidomos në buzëmbramje, burra, gra e fëmij, ulen ndër stolat e lulishtes, për të ndrrue biseda apo meditue në heshtje, nën hirin e madhështinë e Katedrales. Fëmijë të shumtë, të aktivizuem ndër projekte e lojna të ndryshme, i japin gjallni e sharm atmosferës.

Ndërsa i ndalun po shijojshe pamjen para mejet, i tërhequn nga vështrimet kurioze të disa njerzve të mbledhun te dera e auditorit Mikel Koliqi, vendosa të afrohem aty e të “hjedh një sy”. Pamja që m’u shfaq ishte befasuese.

Mbi një skelë rreth një metër naltësi, në veshje të thjeshtë pune, në mes ngjyrash e penelash, piktori shkodran Pjerin Sheldija po pikturonte mbi nji telajo stërmadhe (7.5 x 3m) një tablo masive, me shumë personazhe e figura impresionuese, që të egërsuem, po hidhnin gurë mbi një viktimë i cili qindronte i pambrojtun në mes të turmës. Hyra në sallë, e pa bëza u vodha në cepin tjetër tuj kundrue e tuj fotografue piktorin gjatë punës. Nga lëvizjet e trupit e nga shprehjet e ftyrës, më dukej sikur mjeshtri po bisedonte me figurat, sikur donte t’i mbushte mendjen që mos ta vrisnin viktimen.

Ishte një kompozim i piktorit, vrasja me gurë e Shën Shtjefnit, martirit të parë të Krishtënimit. Mbi 30 figura të vizatueme mbi copë, ku nëpermjet dinamikës e shprehjes së ftyrave të tyne, mjeshtri kishte arrijtë të nxirrte në pah karakterin personazheve e të zberthente idenë e tablosë. Piktorin Pjerin Sheldija e njihja nëpermjet pikturave të tij, nga një vizitë qi pata ba ma parë në Kishen e Shën Mërisë në Laç Vau të Dejës, e cila ishte e zbukurueme me piktura murale kishtare të mjeshtrit Sheldija. Në një çast pushimit, gjeta rastin të bisedoja me piktorin, i cili më impresionoj me mendimin dhe interpretimet e tabllove të tij, për të cilat e pyeta.

Pak fjalë mbi jeten dhe vepren e piktorit Pjerin Sheldija.

Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija lindi në lagjen Arra e Madhe të Shkodres (afër shpisë së Pashko Vasës) me 9 korrik 1937, në një familje të njohun katolike e qytetare shkodrane. Filloren e nisi në shkollën e Jezuitëve, ma vonë 11 Janari, e mandej në atë Ndoc Mazi. Qysh i vogël ai dha shejat e para të talentit për pikturë të cilën ja kultivoj ma ndej mësuesi i tij i vizatimit Luigj Sheldija (jo i fisit të tij), e ma vonë piktorja Nelda Gera që e pat drejtuese të rrethit të vizatimit në Shtëpinë e Pionierit në Shkoder, e cila e këshilloj që të ndiqte studimet për pikturë në Liceun Artistik në Tiranë.

Mbasi mbaron shkollën fillore, për nevoja ekonomike familjare, Pjerini, punoj për një periudhë të shkurtë si mekanik pranë Fabrikës së Çimentos në Shkoder. Gjatë kësaj kohe hyni në kursin e pikturës në Shtëpinë e Kulturës në Shkoder, të cilin e drejtonte piktori i njohun Vladimir Jani (i cili kishte studjue në Firence me mësuesin e famëshëm Feliçe Karena), që ka pasë ndikim të madh mbi piktorët shkodranë, si njeri dhe artist. Në këtë kurs pat shumë elementë të talentuem si Selim Bilali, Ferdinand Paci, Tefë Palushi, Rudolf Daka, Gjovalin Saraçi etj. disa prej të cilëve u banë ma vonë përsonalitete të artit e të kulturës kombëtare. Nga Vladimir Jani, kursantët e pikturës mësuen, përveç vizatimit, tekniken e aquarelit dhe të bojnave të vojit.

Përpara se me fillue mësimet në Liceun Artistik, Pjerini së bashku me Bahri Jubanin krijojnë Repartin e Pikturës në Kooperativen e Fotografisë në Shkoder, që ishte i pari laborator shtetnor i këtij llojit, për të plotësue nevojat e agjitacionit figurativ të qytetit.
Në vjetin 1956, ai filloj mësimet në Liceun Artistik të Tiranës ku pat mësues Abdullah Eminin (Cangonji), Abdurrahim Buzën (drejtori i Liceut) në Pikturë e Skenografi, Kel Kodhelin në Përspektivë, Janaq Paçon e Kristina Hoshin në Anatonmi, Andrena Menon në Histori Artit, Sadik Kacelin në Pllakatë. Nexhmedin Zajmi, Shaban Hadërin e Guri Madhin në vizatim.

Me kryerjen e Liceut në vitin 1961 (me një nderprerje për të kryer shërbimin ushtarak), u emnue mësues në Shkollen Pedagogjike të Shkoders. Gjatë periudhës së mesimdhanies ai punoj në disa shkolla të Shkodres si mësues vizatimi: në Shkollën Ndoc Mazi, Shkollën 10 Korriku, në Institutin e Lartë Pedagogjik (për ciklin e ulët). Kudo që punoi, krahas mësimdhanies së vizatimit krijoj dhe drejtoj rrethet e pikturës me nxanësit ma të përzgjedhur të shkollave, deri në vitin 1992 kur doli në pension. Krahas punës si mësues ai punonte pa ndërprerje edhe vizatime, piktura e karikatura, merrte pjesë në ekspozita të ndryshme lokale e kombëtare si dhe të botonte punimet e tija (vizatime e karikatura) në organet e shtypit të kohës si: gazeten Jeta e re (gazetë e Shkodres), Mësuesi, Puna, Bashkimi, Revisten Shqiptarja e re, Revisten Ylli, Hosteni, ku ka marrë edhe çmime kombëtare. Në Konkursin Kombëtar të organizuar në 20 vjetorin e revistës Hosteni, ai meritoj çmimin e dytë.

Si të gjithë artistët, krijimtaria e Sheldisë në periudhën komuniste i asht përmbajtë në mënyrë të detyrueshme metodës së realizmit socialist, temave të kohës. Ai ka provue të lavrojë të gjitha llojet e gjinive, tue provue çdo teknikë, por kompozimi e terhiqte ma tepër, pa lanë mbrapa portretin, pejsazhin e natyren e qetë (influencë e mësimeve të Vladimir Janit).

Gjatë rinisë së tij, Pjerin Sheldija, përveç se piktor ishte aktiv edhe si aktor dhe skenograf me teatrot amatore në Shkoder, shfaqje që viheshin në skenë nga shoqnitë e ndryshme kulturore si dhe Shtëpia e Kulturës.

Më duhet me përmendë një ekspozitë e vitit 1982, ku mjeshtri Sheldija merr pjesë me një punim me temë “Ngritja e flamurit me 1914 në Kështjellen Rozafat”, ku ndër atdhetarët që mbajten fjalën për flamurin, ishte dhe At Vinçenc Prendushi të cilin autori e realizoj si figurë civile, mbasi ju ndalue me e vendosë në tabllo si frat françeskan. Me ardhjen e demokracisë kjo pikturë u ripunue dhe At Prendushi shihet aty, si klerik, me petkun e fratit. Sot kjo vepër ndodhet në Vatikan.

Dalja e tij në pension qëlloi në ditët e rrëzimit të komunizmit në Shqipni. Tashti Pjerini pat ma shumë kohë në dispozicion për t’ju kushtue plotësisht pikturës, por kësaj herë pikturës së lirë nga ndikimet partiake të realizmit socialist. Ai i filloj të punojë pa nderprerje në zbukurimin e objekteve të kultit të sapo hapuna rishtas. Që nga viti 1992, mjeshtri Pjerin Sheldija ishte i pari piktor në republikë që filloj të pasqyrojë në veprat e tij përsekutimin e klerit katolik, me të paren tabllo KRYQËZIMI I SHEKULLIT XX, të cilën ja dhuroj Kuvendit Françeskan në Shkodër. Për afro 25 vjet, me qëllim ringritjen e Kishave dhe dekorimin e tyne, mjeshtri shtegtoj në shumë krahina të Shqipnisë, të Kosovës e Malit të Zi, ku gjet mirënjohjen e respektin e popullsisë kudo ku shkoj. Ai nuk kërkoj për punën e kryer asnjë herë shuma të mëdha shpërblimi edhe pse ishte punë voluminoze. Në fillim, në kushte të vështira ekonomike, ai pranoj çka famullia kishte mundësi me pague, por 20 vitet e fundit, punën, kohen e mundin e tij ja ka kushtue Zotit tuj punue falas. Si shpërblim, me rastin e 70 vjetorit të piktorit, Provinca Françeskane në Shkoder, botoj një album ku përmblidhen të gjitha pikturat e tija me temë fetare.

Për këtë punë të pamasë e të lodhëshme artistike, mjeshtri Pjerin Sheldija u dekorue nga Papa Benedikti i XVI me medaljen e artë “Për Kishen e për Papen”. Gjithashtu Sheldija ka marrë si mirënjohje nga shteti shqiptar Urdhërin Naim Frashëri të Kl. të parë, te Kl. dytë e të tretë me motivacionin: për merita në mësimdhënie, zbulimin dhe edukimin estetik të nxënesve të talentuem…
Mjeshtri Pjerin Sheldija punoj në zbukurimin e pothuajse të gjitha kishave të Shkodres dhe të fshatrave për rreth, si në vepra murale (kupolat, kollonat, tavanet), por edhe në pikturën në telajo. Gjurmët e tija i gjejmë në 36 Kisha e kuvende, mbrenda e jashtë vendit, tuj fillue me Katedralen e Shkodres, Kishen e Sh’Françeskut (në Gjuhadol), Kishë e Zojës Rruzare (te Arra e Madhe), Kishen e Torovicës, Kishen e fshatit Malocaj, të Balldrenit, të Blinishtit, Kishen e Gjadrit, Kishen në Baçel, në Peraj, Nenshat, Vau Dejës, Shën Gjergj, Shtoj, Braticë (në Mal të Zi), Dinoshë, Razmë, Kishen në Bushat e Stajkë. Janë gjithësejt 203 punime e ndër to 1375 persona, pa llogaritë këtu figurat e engjëjve pa trup… Për këtë kontribut të çmuem, Bashkia e Shkoders e ka nderue me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.

“Asht dora e Zotit, më tregon mjeshtri, nuk ka si me kenë ndryshe. Unë jam vetëm peneli në doren e të Lumit. Vetëm të mendosh që punimi më i madh më ka marrë jo ma tepër se një muej…p.sh. “Darka e mbramë” e Kishes së Barbullushit 5m x 3m asht ba për 10 ditë…Unë jam i privilegjuem që i Lumi më ka zgjedhë për ti sherbye Atij.

Asht karakteristikë e piktorit, përdorimi i motiveve kombëtare si në tematikat që zgjedh ashtu edhe në detajet, veshtjet, tiparet shqiptare e popullore të personazheve që vizaton. Mbi çdo tabllo piktori përjetëson fytyrat e shumë figurave të njohuna të çeshtjes kombëtare, të njohurve e miqve apo familjarë të tij, të cilët vetëm përsonat afër tij dijnë ti tregojnë. Në gjithë këto vite pune të mundishme e në levizje të panderpreme, ai ka pasun përkujdesjen dhe inkurajimin e grues së tij Marijes që ka kenë edhe “kritikja” e parë artistike e veprave të tij.

Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija edhe pse vitet kalonjë, asht shumë aktiv, si në jeten familjare, ashtu dhe për të kryer “detyrimin shpirtnor”, (siç e quen ai), realizimin në pikturë të figurave të kultit apo të ngjarjeve kryesore të bibles. I nxitun nga besimi dhe dashtunia për pajtoren e qytetit të Shkodres “Zojen e Këshillit të mirë” që për shkodranët asht ZOJA E SHKODRES, mjeshtri ka realizue në pikturë figuren klasike të Zojës që mban në krah fëmijën e saj, Jezusin, por me veshje kombëtare të zonës së Shkodres, diçka krejt e veçantë në fondin e pikturës tradicionale shqiptare.

Së fundi, punimi i tabllosë gjigande me përmasat 7.5m x 3m, që i mori shumë kohë dhe energji asht drejt përfundimit, e mjeshtri Sheldija asht krenar që ajo do të vendoset në krahun e majtë të altarit kryesor të Katedrales, përballë pikturës “Bekimi i Gurit Themelit” të Katedrales (7 prill 1858), të piktorit akademik Simon Rrota, që ai e respektonte shumë.

Faleminderim e Respekt Mjeshtër, për punët me vlerë që po i len artit, brezave të tjerë, Shkodres dhe gjithë Shqipnisë

Pjeter Logoreci

Vjenë, me 23 tetor 2018
(Shkrimi nuk ka ndërhyrje nga redaksia)./ KultPlus.com

“Po shkruej për vedi e Shkodrën”, promovohet në Muzeun Historik Kombëtar

Libri “Po shkruej për vedi e Shkodrën” i autorit Simon Rrota është promovuar ditën e djeshme nga Muzeu Historik Kombëtar dhe botimet “Fishta”, ku kujtimet e piktorit Simon Rrota (1887-1961), të ruajtura me përkujdesje të adhurueshme prej familjarëve, janë kuruar në këtë libër nga Pjetër Logoreci.

Në këtë libër shënohen kujtime nga bashkëpunimi i piktorit dhe mjeshtrit Kolë Idromeno si dhe me poetin kombëtar At Gjergj Fishta për skenografinë e shfaqjeve teatrore që poeti përgatiste në teatrin e sapothemeluar prej tij në Kuvendin françeskan në Gjuhadol.

Në këtë libër përcillen edhe kujtime nga jeta e përditshme qytetare e Shkodrës të fillimit të gjysmës së parë të shekullit të XX.
Këtë aktivitet e përshëndeti edhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, i cili vlerësoi figurën dhe artin e Simon Rrotës në një kohë kur Shqipëria kishte më së shumti nevojë për art për të vazhduar më tej luftën për pavarësinë e vendit.
Folën rreth botimit të librit “Po shkruej për vedi e Shkodrën” të autorit Simon Rrota, edhe Pjetër Logoreci, kuratori i librit dhe botuesi Frano Kulli. /ata